Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pas katër vjetësh luftë, Ukraina gjen përgjigjen ndaj një prej armëve më shkatërruese ruse

Pas katër vjetësh luftë, Ukraina gjen përgjigjen ndaj një prej armëve më shkatërruese ruse

Nga Kharkivi dhe Zaporizhzhia deri në Kherson, bombat rrëshqitëse ruse kanë shkatërruar lagje të tëra qytetesh në Ukrainë. Këto armë janë relativisht të lira për t’u prodhuar dhe deri më tani sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore nuk kanë gjetur një mënyrë për t’i neutralizuar.

Pas më shumë se katër vjetësh pa një përgjigje efektive ndaj një prej armëve më shkatërruese në fushëbetejë, Ukraina javën e kaluar prezantoi versionin e saj të bombës rrëshqitëse, të quajtur Virivnyach, ose “Barazuesi”, shkruan Telegraph.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bombat rrëshqitëse ruse janë në thelb municione të epokës sovjetike të pajisura me sisteme të lira drejtimi, të cilat i shndërrojnë bombat e vjetra pa drejtim në armë precize. Ato mund të lëshohen nga hapësira ajrore ruse, përtej mundësive të mbrojtjes ukrainase për t’i goditur.

Të mbrojtura nga sistemet kundërajrore, këto bomba mund të përshkojnë dhjetëra kilometra deri te objektivi dhe kanë fuqi të mjaftueshme shpërthyese për të shkatërruar ndërtesa të tëra ose pozicione të fortifikuara ushtarake.

“Pothuajse të gjitha pozicionet e artilerisë ukrainase në vijën e frontit janë të rrezikuara nga shkatërrimi”, ka thënë Christoph Bergs, analist në Institutin Mbretëror për Studime të Mbrojtjes (RUSI). “Dronët FPV dhe dronët taktikë mund të godasin objektiva, por nuk kanë fuqinë shkatërruese të një bombe prej 250 apo 500 kilogramësh”.

“Barazuesi” ukrainas u zhvillua për 17 muaj dhe konsiderohet një nga shtesat më të rëndësishme në arsenalin vendas që nga fillimi i luftës. Me prezantimin e tij, Kievi po dërgon një mesazh të qartë se nuk është më i gatshëm të presë që aleatët perëndimorë t’i sigurojnë çdo armë që i nevojitet.

“Për një kohë të gjatë praktikisht nuk kishte mbrojtje ndaj bombave rrëshqitëse ruse, të cilat kontribuan ndjeshëm në humbjet e larta ukrainase në vijën e frontit”, ka shtuar Keir Giles, ekspert për Rusinë dhe Euroazinë në Chatham House. “Zhvillimi i një kapaciteti të ngjashëm nga Ukraina mund të përshpejtojë përpjekjet për të zmbrapsur forcat ruse”.

Virivnyach mban një kokë luftarake prej rreth 227 kilogramësh. Platforma kombëtare ukrainase për teknologji të mbrojtjes, Brave1, thekson se arma “nuk është kopje e sistemeve perëndimore apo sovjetike” dhe se ka kaluar të gjitha testet e nevojshme.

Sipas ekspertëve, sistemi është projektuar për t’u përdorur me flotën ekzistuese ajrore të Ukrainës, përfshirë avionët F-16, megjithëse kërkohen certifikime shtesë para përdorimit operacional. Ai përmban sisteme precize shënjestrimi dhe algoritme të avancuara drejtimi të krijuara për t’i shpëtuar ndërhyrjeve elektronike ruse.

Kjo do t’i mundësonte Ukrainës të godiste objektiva më thellë brenda territorit rus dhe të përdorte rezervat e veta të bombave ajrore të epokës sovjetike, në mënyrë të ngjashme me atë që bëri Rusia gjatë vitit 2023.

Megjithatë, kufizimet mbeten të mëdha. Rusia i lëshon bombat e saj nga lartësi prej 6000 deri në 7500 metrash, brenda hapësirës së vet ajrore, duke arritur rreze maksimale veprimi dhe saktësi të lartë. Ndërkohë, avionët ukrainas detyrohen të fluturojnë në lartësi më të ulëta për t’iu shmangur mbrojtjes ajrore ruse, gjë që e redukton ndjeshëm rrezen e veprimit të bombave të tyre.

Për këtë arsye, Virivnyach nuk pritet të ndryshojë i vetëm rrjedhën e luftës. Por si pjesë e një arsenali në rritje të armëve të prodhuara në Ukrainë – ku përfshihen raketa Flamingo dhe dronët me rreze të gjatë veprimi që mund të arrijnë deri në Moskë –përfaqëson një pikë të re presioni ndaj Rusisë.

Ekspertët theksojnë se rezultati i luftës nuk do të vendoset nga një armë e vetme, por nga pesha e kombinuar e shumë sistemeve të ndryshme ushtarake që veprojnë së bashku.