Ishte menduar si mauzoleum për diktatorin Enver Hoxha, por kurrë s’u bë i tillë. Megjithatë, “Piramida” e Tiranës e kohës së komunizmit po ringjallet e transformuar. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e quan “ndërtesa më ikonike në zemër të Tiranës…njëherë edhe pasuria më e vlefshme, e cila ka mbetur e pashfrytëzuar për shumë vite.” “Është absolutisht një ringjallje”, ka thënë ai
“Piramida” e Tiranës u ndërtua tre vjet pas vdekjes së diktatorit komunist, Enver Hoxha, si muze për nder të tij. Në qendër të ndërtesës ndodhej edhe një monument i madh i Hoxhës, që u largua me rënien e regjimit komunist më 1990.
Që atëherë “Piramida” (siç vazhdon të quhet ende) ka luajtur shumë role – librari, hapësirë zyrash ose për panaire, qendër e NATO-s gjatë luftës së Kosovës më 1999. E rrethonin shumë bare dhe kafene, të cilat e bënin qendër për kulturë dhe shoqëri.
“Piramida sinjifikonte strukturën më të ndërlikuar që kishte Shqipëria, jo vetëm gjatë atyre viteve, por edhe sot që flasim. Kjo u verifikua në momentin e parë që tentuam të bëjmë një ndërhyrje konstruktive”, shpjegon Ilda Qazimllari, drejtoreshë e Drejtorisë së Investimeve Publike në Bashkinë e Tiranës.
Objekti ikonik
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e quan “ndërtesa më ikonike në zemër të Tiranës…njëherë edhe pasuria më e vlefshme, e cila ka mbetur e pashfrytëzuar për shumë vite”.
Edhe
Mozaiku i Tiranës – në krye të listës së atraksioneve të trashëgimisë
“Është absolutisht një ringjallje. Më kujtohet si fëmijë kur rrëshqisja në trarët e piramidës. Por jo vetëm që ka qenë rrëshqitësja më e madhe në vend, por ka shërbyer edhe për shumë gjëra të tjera. Fillimisht ishte ndërtuar për të shërbyer si mauzoleum për ish-diktatorin”, ka thënë ai. “Më pas u kthye në muze për të. Më pas u kthye në librari dhe panair. Disko odeoni i parë në stilin berlinez ndodhej këtu, dhe në anën tjetër ishte bari i quajtur ironikisht ‘Mummy bar’. Më pas u kthye në qendër të NATO-s gjatë luftës së Kosovës më 1999. Do të thotë ka shërbyer gjithë këto qëllime dhe tani po ridizajnohet që të bëhet qendra më e madhe për kodim dhe IT për fëmijët e rajonit”.
Projekti 12 milionë eurosh
Pas shumë planesh të dështuara për ta kthyer në teatër, struktura e saj filloi të shkatërrohej. Të rinjtë shpesh madje e përdornin si rrëshqitëse.
Bashkia e Tiranës, në vitin 2018, në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve ndërmori nismën për ta transformuar në qendër të kulturës. Ata zgjodhën kompaninë arkitekturore me bazë në Rotterdam, “MVRDV”, për të ripërdorur atriumin dhe hapësirën përreth dhe ta kthejnë në qendër të re për jetën kulturore të Tiranës, sidomos për gjeneratat e reja.
Projekti 12 milionë eurosh do të kthehet në një “fshat të vogël kafesh, studiosh, punëtorish dhe klasash ku rinia shqiptare do të mësojë lëndë të ndryshme mbi teknologjinë, pa pagesë”.
Sinjalizimi i Kryeqytetit Evropian të Rinisë
Sipas statistikave të EUROSTAT-it, Tirana është kryeqyteti më i ri në Evropë dhe në të njëjtën kohë, është edhe Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022.
“Mendoj se do të jetë një akupunkturë që do t’i sinjalizojë se kryeqyteti i rinisë evropiane nuk ishte thjesht një listë e mbushur me evente dhe festa, por edhe një investim që do të mbetet këtu edhe në të ardhmen”, thotë Veliaj.
Guaca prej betoni po konservohet dhe zgjerohet për të nxënë 32 kuti, 16 jashtë, të cilat do të shërbejnë si klasë për të rinjtë.
Edhe
Diktatori paranojak që ndërtoi bunkerë, jo mirëqenie
Qendra për edukim teknologjik, TUMO, e huazuar nga Armenia, do të jetë përdoruesja kryesore e “Piramidës”, dhe do të ofrojë pa pagesë orë pas mësimit, për rreth 5.000 adoleshentë, në lëndë si software kompjuterik, robotikë, animacion, muzikë dhe film.
Qazimllari thotë se ka qenë e vështirë të gjenden pllakat e gurta.
“Është shumë interesant fakti që një gurë natyral, që ofron Shqipëria, ofron edhe qasje, lara dhe damarë të ndryshëm, dhe kjo e bën shumë të vështirë përzgjedhjen kur flasim për një strukturë që duhet të jetë unike”, shpjegon ajo. “Si e tillë, me shumë vështirësi është bërë përzgjedhja e gurit. Jemi midis dy-tri mostrave të fundit, dhe sigurisht do të jetë gurë natyral i ofruar nga trevat shqiptare”.
Trarëve të betonit do t’u shtohen shkallë në mënyrë që vizitorët të mund të ngjiten në majë të piramidës, e cila ende kishte yllin komunist, gjatë rikonstruktimit.
Një nga trarët do të mbetet i paprekur që të shfrytëzohet si rrëshqitëse nga vizitorët, “marrë parasysh rrezikun vetë”, thotë MVRDV.
Maja e Piramidës do të përdoret si pikë vrojtuese dhe evente të përkohshme në Tiranë, e cila dalëngadalë po kthehet në një qendër turistike për ata që e vizitojnë këtë vend të Ballkanit Perëndimor.
“Ambicia ime është që Tirana të bëhet Tel-Aviv i Ballkanit”, thotë Veliaj.
“Nuk po them të jetë vend perfekt, sigurisht do të ketë probleme, debate dhe shqetësime, por edhe një vend me kreativitet të lartë”.
Shqipëria, e cila është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, dhe e cila është në pritje të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë vit, ka pasur një rritje të dukshme në turistë këto vitet e fundit.
Edhe Kriteret e TiranësMarrë nga “Associated Press”. Përktheu: Flakrona Rexhepi