Kulturë

“The Guardian”: Piramida e Tiranës – nga monument tiranie në simbol të Shqipërisë moderne

Një simbol i brutalizmit në trashëgiminë komuniste të Tiranës pësoi transformim në një hapësirë të lirë dhe shumë funksionale nga arkitektët e “Marble Arch Mound” të Londrës

Nganjëherë, simbolet janë të thjeshta. Një monument i madh shpeshherë ndërtohet si nderim për një diktator, si një shprehi e ekstravagancës në një vend ku buka ofrohet me racione, populli nuk ka për të ngrënë. Ky regjim bie dhe pas disa sfidave vendoset demokracia.

Qytetarët mundohen të adaptohen me këtë trashëgimi derisa një arkitekt ngarkohet me detyrën që t’i japë një formë të përhershme këtij objekti. Rreziku bëhet lozonjar, e mbyllura hapet, grandiozja bëhet joformale, e përhimëta në shumëngjyrëshe.

Kjo është historia e Piramidës së Tiranës, një kon 21-metërsh prej betoni, që u hap në vitin 1988 si muze për jetën e ish-liderit komunist Enver Hoxha, i cili udhëhoqi Shqipërinë për dekada si një vend ku makinat e shkrimit dhe televizorët ishin të ndaluar. Ky monument për të ishte sikur varri i Leninit në Sheshin e Kuq në Moskë, por me një statujë 22-tonëshe në vend të një kufome të balsamosur. Dizajni i ndërtesës si një kombinim i fanta-shkencës dhe motiveve faraonike me një hapje si sy në qendër, ishte vepër e një ekipi arkitektësh, pjesë e të cilit ishin dhe vajza dhe dhëndri i tij.

Përgjatë viteve, Piramida ishte përdorur si radio, klub nate, qendër për konferenca, si dhe si bazë e NATO-s gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovën fqinje. Qytetarët e Tiranës rrezikonin duke u ngjitur majë objektit, për të rrëshqitur pastaj poshtë, disa morën pllakat e mermerit për t’i përdorur në shtëpitë e tyre. Të pastrehët dhe përdoruesit e drogave strehoheshin aty. Edhe pse kishte plane që të rrënohet si objekt, dhe aty të ndërtohej një teatër kombëtar, shumë shqiptarë donin ta ruanin atë.

Në ndërkohë Bashkia vendosi ta shndërronte atë në një qendër të IT-së për të rinjtë, “një ambient edukativ për shqiptarët e rinj”, projekti i të cilit u financua me 12 milionë euro nga Fondacioni Amerikano-Shqiptar për Zhvillim.

Hapësirat e reja janë të vendosura si 34 kuti shumëngjyrëshe të shpërndara brenda, mbi dhe rreth strukturës së vjetër si lego të një fëmije të pakujdesshëm, të projektuara nga qasja arkitekturore holandeze MVRDV. Shkallë ngjiten në pjesën e jashtme të çatisë, me një pjesë të mbajtur ende për rrëshqitje, në mënyrë që njerëzit të mund të ngjiten më sigurt se më parë. Puna e re, thotë një nga partnerët themelues të MVRDV, Winy Maas, “kapërcen” Piramidën, është një anarki e menaxhuar tashmë.

Image
Piramida e Tiranës më 2016

Këto kuti përmbajnë hapësira si klasa punëtorish, kafene, hapësira për startupe, një dhomë “Airbnb”, si dhe një hapësirë në kuadër të Ambasadës franceze.

Katër nga to janë për përdorim nga “Tumo”, një institucion edukativ jofitimprurës, i cili ofron angazhime pas orarit shkollor për adoleshentët e interesuar në teknologji të reja. Dy janë të vendosura si tip amfiteatrosh për mbajtje të ligjëratave. Njerëzit mund të ecin mbi to, të shëtisin rreth tyre, të ulen në tarracat e tyre. Kutitë në brendi të objektit janë të vendosura njëra mbi tjetrën dhe të shpërndara nëpër ambientin e dizajnuar me bimë nga kompania arkitekturore në Tiranë “iRI”.

Ky kompozicion mund të quhet edhe si një fshat, ku pjesët joformale mes kutive bëhen me material urban, por edhe si hapësira për evente të paspecifikuara në të ardhmen.

Enterieri i Piramidës është i lirë për të hyrë, aspekt ky i cili e bën këtë ansambël brenda e jashtë si një, në një hapësirë të hapur që jep ndjesinë e një parku.

Vëmendja është mbi trupin e plagosur të marrëzisë së Enver Hoxhës, me trarët e prerë, mermerin e plasaritur dhe detajet e çuditshme komunisto-brutaliste të ekspozuara për syrin. Por puna e re – nëpërmjet riparimeve selektive dhe futjes së dritës shtesë, plus kutitë me ngjyra – nxjerr me sukses keqdashjen e objektit dhe zbulon njëfarë fisnikërie dhe drame të fshehtë.

Projekti është i fundit në një seri përpjekjesh për të ndryshuar kuptimin dhe përvojën e trashëgimisë komuniste të Tiranës, versioni i vendit i një pyetjeje më të përhapur, e cila është si të trajtohen reliktet e tiranisë. Për shembull në Berlin, disa ikona komuniste dhe naziste u shkatërruan, ndërsa të tjerat u mbajtën në emër të historisë dhe shenjat e luftës u ruajtën me përpikëri në restaurimin e Reichstagut dhe Muzeut Neues. Në Tiranë, pasi artisti Edi Rama u bë kryetar Bashkie në vitin 2000, filluan lyerjen e blloqeve të zymta të apartamenteve me ngjyra të ndezura, një mënyrë e lirë, por efektive për të gëzuar njerëzit dhe për të lënë të kuptohej se vendi po ndryshonte.

Image
Hapësirat e reja janë të vendosura si 34 kuti shumëngjyrëshe të shpërndara brenda, mbi dhe rreth strukturës së vjetër

Rama është tashmë kryeministër i Shqipërisë dhe rinovimi i qytetit vazhdon me mbështetjen e tij dhe të kryebashkiakut aktual, Erion Veliaj. Vendi publik qendror i qytetit, sheshi dikur i thatë “Skënderbej”, është pasuruar me një mini-pyll biodivers. Një tufë kullash ngrihen rreth qendrës, të projektuara nga disa prej arkitektëve më mburravecë bashkëkohorë evropianë. Më e larta prej tyre është “Downtown One”, projektuar gjithashtu nga MVRDV, një bllok apartamentesh dhe zyrash të vendosura afër Piramidës. Këtu, projeksionet kubike dhe thyerjet në fasadat e saj prej xhami përbëjnë një hartë me pikselë të Shqipërisë – një reprezentim fjalë për fjalë, thotë Maas, i një “vendi në zhvillim”.

Është një moment i guximshëm që është diçka si një markë tregtare e MVRDV-së. Projektet e tjera të tyre përfshijnë atë për “Rotterdam Markthal”, ku transaksionet e përditshme të tezgave të tregut ndodhin në një tub të madh të zbukuruar me imazhe gjigante të bimëve dhe insekteve, si një version supergrafik 3D i një natyre të qetë holandeze. Ata projektuan “Barn Balancing” në Suffolk, një shtëpi pushimi me qira në formën e një shtëpie shkulur prej argjendi që rri pezull në një skaj mbi vendin e saj të pjerrët. Ata ishin arkitektët e “Mermer Arch Mound”, përpjekjes katastrofike të vitit 2021 për të ndërtuar një kodër të përkohshme të mbuluar me pemë në fund të “Oxford Street”.

Piramida, gjithashtu, nuk është shumë delikate. Ndërtimi i saj është jo pa gabime. Qasja për njerëzit me karroca është skandaloze, e tmerrshme, në një shkallë që minon pretendimet e projektit për të qenë i qasshëm dhe i larmishëm, vështirësitë e qenësishme të shumë niveleve të strukturës së vjetër të komplikuara në mënyrë të panevojshme nga disa shkallë të reja. Mund të thuash gjithashtu se ka një element PR ose propagande në të gjitha imazhet e ndritshme të kapitalizmit të teknologjisë në një vend që është ende i varfër.

Por, si një mënyrë për të ribërë një të kaluar të trazuar pa e fshirë atë, është e suksesshme. Ky rimodelim nderon kompleksitetin e historisë së ndërtesës, e cila përfshin punën dhe aftësinë e njerëzve që e ndërtuan atë. Zbulon krenarinë për të kaluarën krahas shpresës për të ardhmen. Është argëtuese dhe e gëzueshme. Besoni se qytetarët e Tiranës do ta marrin për zemër, ndërsa njerëzit jashtë Shqipërisë do të marrin mesazhin se ky është një vend sa me aspirata, ashtu edhe me mënyrën e tij të mosrespektimit të hapësirave publike. MVRDV tashmë kanë dy tuma simbolike në CV-në e tyre, në qytetet si Westminster dhe Tiranë. I njëjti arkitekt, klientë të ndryshëm, që sugjeron se sa të rëndësishëm janë këta të fundit për suksesin e një projekti.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Enis Bytyqi