Kulturë

“Piramida” komuniste e Shqipërisë tek e fundit e ka një domethënie

Gjiganti i përshtatshëm për një faraon, u projektua nga vajza e Enver Hoxhës, si një muze në kujtim të tij, vetëm pak vjet pas vdekjes së tij në 1985. Tani Piramida po kthehet në qendër që do të nxisë sektorin e teknologjisë embrionale të vendit

U ndërtua si memorial i çuditshëm për diktatorin komunist paranojak të Shqipërisë që e shkëputi vendin nga pjesa tjetër e botës. Tani, “Piramida” brutaliste në zemër të Tiranës shpreson të shndërrohet në një fanar gjatë transformimit të këtij vendi ballkanik.

Gjiganti i përshtatshëm për një faraon, u projektua nga vajza e Enver Hoxhës, si një muze në kujtim të tij, vetëm pak vjet pas vdekjes së tij në 1985.

Brenda Piramidës gri qëndron një statujë e madhe shkëlqyese e “Mësuesit të Madh”, i cili sundoi vendin e mbyllur hermetikisht për katër dekada.

Tani ajo po kthehet në qendër që do të nxisë sektorin e teknologjisë embrionale të vendit.

“Ajo që shërbente për të lavdëruar një individ është përmbysur plotësisht, ndërsa tani po krijohet një vend për të edukuar njerëz. Nuk do t’i dedikohet një personi, por mijëra personave”, ka thënë Martin Mata, bashkë-president i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Projekti prej 15 milionë eurosh i bashkëfinancuar nga AADF dhe autoritetet shqiptare do të strehon një qendër edukimi për të trajnuar të rinjtë në të gjitha sferat digjitale, një program që synon të tërheqë 4.000 studentë në javë.

“Para të shpenzuara mirë”

Në fund të këtij viti, në reliktin e vjetër komunist, adoleshentët e Tiranës do të jenë në gjendje të marrin mësime në modelim 3D, programim kompjuterik dhe dizajn digjital me pajisjet më të fundit.

Ndërtesa është rijetësuar disa herë që nga rënia e komunizmit, herë duke shërbyer si klub nate, zyre e NATO-s apo studio televizive dhe është bërë shenjë e një kombi që ndryshon shpejt.

Por përtëritja e tij më e re mund të jetë më e rëndësishmja, shpresojnë mbështetësit e saj, me Shqipërinë që humb çdo vit mijëra të rinj që largohen për të gjetur punë jashtë vendit.

“Janë para të shpenzuara mirë”, ka thënë Mata. “Nëse 10 vjet nga tani ne shohim se 200.000 fëmijë kanë marrë pjesë -- dhe nëse 30 për qind e atyre fëmijëve do të zgjedhin një karrierë të caktuar mu për shkak të asaj që do të mësojnë aty ... atëherë misioni është kryer me sukses”.

Brendësia dikur e rrënuar e piramidës është riimagjinuar nga arkitektë holandezë dhe shqiptarë, me dritare masive që lejojnë dritën natyrale të depërtojë mbi muret e zyrave shumëngjyrëshe.

“Qëllimi ynë ishte ta hapnim për publikun, ta bëjmë piramidën të popullit, si brenda ashtu edhe jashtë”, është shprehur arkitekti Gent Agolli.

“Si një pasqyrë”

Programi i edukimit digjital i njohur si “Tumo “ – i cili është pilotuar në qytete si Parisi, Jerevani, Bejruti dhe Berlini – tashmë mirëpret rreth një mijë të rinj në javë, në një kompleks në Stadiumin Kombëtar në Tiranë.

“Të gjitha njohuritë e marra këtu do të jenë të dobishme për ta, por mbi të gjitha në të ardhmen, pavarësisht nga profesioni që ata do të ndjekin”, ka thënë për AFP drejtoresha e “Tumo Tirana”, Shqipe Berisha, 41 vjeçe.

Në shtator, adoleshentët, mentorët dhe trajnerët profesionistë do t’i transferojnë operacionet e tyre në Piramidë.

Struktura prej 12,000 metrash katrorë do të strehojë gjithashtu një sërë biznesesh, baresh dhe kafenesh. Qiratë do të përdoren për të subvencionuar “Tumo Tiranën”, duke i bërë kurset sa më të qasshme për studentët shqiptarë.

Për Berishën, piramida ka shërbyer prej kohësh si një simbol i transformimit të turbullt të Shqipërisë.

“Për mua Piramida është si një pasqyrë e asaj çfarë Shqipëria ka qenë ndër vite”, ka thënë ajo. “Prindërit tanë përpiqeshin të na shpjegonin regjimin. Në kohën time ne rrëshqisnim nëpër Piramidë. Pjesa tjetër ishte copë-copë ashtu siç ishte edhe vendi. Tani ajo është e hapur. Kjo pasqyron hapjen e vendit”.

Studentja e “Tumos”, Amina Xhembulla, 15 vjeçe, ka shfaqur interesim për dizajnin grafik, që kur u regjistrua me nxënësit e inkurajuar të krijojnë një portfolio që tregon punën e tyre për universitetet ose punëdhënësit e mundshëm në të ardhmen.

“Është e dobishme, jo stresuese”, ka thënë Xhembulla, teksa shfletonte projektet për të cilat kishte punuar së fundmi. “Ju mund të përdorni teknologjinë që ne nuk mund ta përdorim në shkollë”.

Kur pyetët për mendimin e saj lidhur me të kaluarën e errët të Piramidës, adoleshentja ngrit supet.

“Unë s’e njoh fort historinë”

Marrë nga AFP. Përktheu: Mirjetë Sadiku