Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Architectural Digest”: Piramida e Tiranës – projekt spektakolar i vitit

Në listën e “Architectural Digest”, janë projekte të vjetra arkitekturore të cilave u është dhënë një qëllim i ri. Me gjithë historinë që bart secili objekt, me ndërhyrjet nga arkitektë të shquar, i janë kthyer komunitetit dhe i shërbejnë kulturës, artit e arkitekturës së vendeve ku ndodhen. E Piramida e Tiranës është një nga 18 projektet e reja të arkitekturës i cilësuar si më spektakolaret e vitit në listën vjetore “Works of Wonder” ose “WOW”, në numrin e shkurtit

Në qendër të qytetit të Tiranës, banorët dhe vizitorët mund të ngjiten në një piramidë monumentale që dikur ishte simboli i një diktature shtypëse – këmbët e tyre shkelin mbi të kaluarën. I është dhënë një tjetër qëllim nga studioja holandeze e arkitekturës MVRDV. Piramida e Tiranës është shndërruar nga një ish-muze i rrënuar kushtuar ish-liderit të vendit – dhe më vonë u përdor si bazë e NATO-s, ndër qëllime të tjera – në një qendër kulturore me kuti shumëngjyrëshe, shkallë dhe rrëshqitëse të pjerrëta. Është një nga 18 projektet e reja të arkitekturës që revista e njohur “Architectural Digest” e ka cilësuar si më spektakolarin e vitit në listën vjetore “Works of Wonder” ose “WOW”, në numrin e shkurtit.

“Në një kohë kur ndryshimet klimatike duken të mëdha në imagjinatën tonë kolektive – dhe kur ndërtimet e reja vazhdojnë të lënë një gjurmë të madhe karboni – më është dukur e rëndësishme të vihej në pah se si arkitektura ekzistuese mund të përshtatet për të ardhmen”, ka thënë Sam Cochran, drejtor global i “Architectural Digest” nëpërmjet një e-maili mbi përzgjedhjen për ta përfshirë Piramidën e Tiranës në këtë listë.

Image
Arkitektët nga “Renzo Piano Building Workshop” projektuan një shtëpi të re për artin bashkëkohor në Stamboll

“Përmes ndërhyrjeve të kujdesshme në projektim, firma holandeze MVRDV ka dëshmuar se nuk është thjesht e mundur t’u jepet një qëllim i ri ndërtesave të vjetra, por edhe që kjo të bëhet me një ndjenjë gëzimi, zgjuarsie dhe argëtimi”, ka shtuar Cochran.

Çdo vit, lista “WOW” nxjerr në pah projekte të reja të jashtëzakonshme në mbarë globin. Projektet e paraqitura të këtij viti vijnë nga pesë kontinente të ndryshme. Përfshijnë një pishinë publike të riprojektuar në qendrën kulturore “Yoruba” në Lagos të Nigerisë, hapësira ekspozuese në Hiroshima të Japonisë, një akuarium i ri i projektuar për t'u dukur si një gërmadhë e hapur në Mazatlán, Meksikë dhe salla e koncerteve me panele sferike LED në Las Vegas.

Shumë nga projektet janë arritje kulturore të projektuara nga disa prej arkitektëve kryesorë të botës, si për shembull “Stambolli Modern” i rindërtuar, muzeu i parë i artit bashkëkohor në qytetin turk që sipas “Architectural Digest” kishte “tejkaluar” hapësirën e tij të thjeshtë të depos.

Projektuar nga firma “Renzo Piano Building Workshop”, “momentet 'Wow' janë të shumta” në hapësirën e re, sipas Talib Choudhry, kreut të përmbajtjes editoriale në AD në Lindjen e Mesme. E vendosur përgjatë ngushticës së Bosforit, ndërtesa është frymëzuar nga akumulimi i ujit dhe “ka një tarracë 650 metra katrorë në çati, e cila rri pezull mbi një rrafsh uji që përhapet në të gjithë çatinë”, ka përshkruar Choudhry.

Image
Arkitektja libaneze Lina Gotmeh me një punë mbresëlënëse me tulla për punëtorinë e re të “Hermèsit”

Projekte të tjera që theksojnë një lidhje me botën natyrore përfshijnë “Pavijonin LAMA” të Kilit, i cili ngrihet mbi vargun e pemëve në qytetin e Yungay përballë me mrekullinë e maleve të Andeve dhe “Parimal Garden” të Indisë, që ofron një hapësirë të gjelbër idilike në qytetin e Ahmedabad. Edhe arritjet e tjera janë vlerësuar, duke përfshirë një punëtori të re “Hermès” në Normandi të Francës. Për të ndërtuar hapësirën mbresëlënëse, arkitektja Lina Ghotmeh thirri artizanët vendas për të punuar me dorë 500 mijë tulla.

Marina Hemonet, drejtoreshë e përmbajtjes editoriale për AD në Francë, ka thënë se punëtoria për “Hermès” “kombinon në mënyrë të admirueshme bukurinë dhe qëndrueshmërinë” dhe i bën homazh trashëgimisë së kuajve me “një strukturë të harkuar që të kujton një kurs kërcimi me kuaj”.

“Derisa tërheqja estetike është mbresëlënëse në shikim të parë, arritja më e madhe qëndron gjithashtu në dimensionin virtuoz të projektit, i cili është ndërtesa e parë industriale me emetim të ulët karboni që do të zhvillohet në Francë”, ka shpjeguar ajo nëpërmjet e-mailit.

“Hermés” nuk është e vetmja markë luksoze që është e përfshirë në listë. “Tiffany & Co.” mori gjithashtu një vlerësim për rinovim të kompleksit ikonik trekatësh të markës në “Fifth Avenue”, me ambiente të reja të brendshme nga arkitekti Peter Marino dhe një kurorë qelqi të ndezur e voluminoze nga firma “OMA” – e ndriçuar, natyrisht, në ngjyrën karakteristike “Tiffany Blue”.

Marrë nga CNN. Përktheu: Gonxhe Konjufca

Artikuj të ngjashëm