Vepra “Châtaigniers en fleurs” e Vincent van Goghut – para se të shitej për 190.4 milionë dollarë (173.2 milionë euro) – ishte bërë pjesë e një polemike lidhur me historikun e pronësisë së saj. Trashëgimtarët e botuesit hebre, Samuel Fischer, pretendonin se piktura ishte shitur në vitin 1936 nën presionin e vështirësive financiare të shkaktuara nga përndjekjet naziste. Pak kohë para ankandit, u arrit marrëveshja. Çështja ka rikthyer në vëmendje debatin mbi rikthimin e veprave të artit të shitura gjatë periudhës së regjimit nazist.
Piktura e Van Goghut u shit të enjten e kaluar me çmim rekord prej 173.2 milionë eurosh, pavarësisht pretendimeve se ajo ishte shitur nga një familje hebraike “nën presion”, në kohën e përndjekjeve naziste gjatë viteve 1930. Në një deklaratë për media, shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” kishte bërë të ditur se ishte në dijeni të shqetësimeve të ngritura nga pasardhësit e ish-pronarit të veprës “Châtaigniers en fleurs” (Gështenjat në lulëzim), por pak para ankandit konfirmoi se shitja e shumëpritur do të zhvillohej sipas planit, të mërkurën në mbrëmje (sipas orës lokale, v.j.). Në orët e fundit u arrit marrëveshja, por historia e mosmarrëveshjeve mbetet.
Trashëgimtarë të paidentifikuar të Samuel Fischerit, një botues hebre që jetonte në Berlin para Luftës së Dytë Botërore, kishin kundërshtuar shitjen e planifikuar në New York. Ata argumentonin se paraardhësit e tyre, gati një shekull më parë, e shitën pikturën vetëm për shkak të vështirësive financiare të shkaktuara drejtpërdrejt nga regjimi nazist.
Më pak se një javë para ankandit të planifikuar, avokati i tyre, Gunnar Schnabel, i dërgoi një letër “Sotheby’s”, duke kërkuar që kjo shtëpi ankandesh të dëshmonte përtej çdo dyshimi se piktura ishte shitur me vlerën e saj reale të tregut dhe se familja do ta kishte shitur atë “edhe në mungesë të regjimit nazist”. Kjo bëhet e ditur nga korrespondenca e siguruar nga gazeta “The New York Times”. Schnabel, avokat me bazë në Berlin, i specializuar në çështjet e veprave të artit të grabitura nga nazistët, nuk u ishte përgjigjur kërkesave të përsëritura të CNN-it për koment.
“Shtëpia e ankandeve ‘Sotheby’s’ i trajton me seriozitetin më të madh çështjet që lidhen me prejardhjen e pronësisë dhe kthimin e veprave të artit, si dhe ka kryer kërkime zgjeruara mbi historikun e pronësisë së veprës ‘Châtaigniers en fleurs’”, thuhej në deklaratën e “Sotheby’s”, dërguar CNN-it të hënën. Aty shtohej se shtëpia e ankandeve ka qenë në bisedime të vazhdueshme me trashëgimtarët e Fischerit.
“Megjithëse kërkimet tona deri më tani nuk kanë vërtetuar se piktura është shitur nën presion, ne e kuptojmë rëndësinë e zhvillimit të një komunikimi të kujdesshëm dhe konstruktiv me familjen dhe jemi të përkushtuar të punojmë drejt një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët”, kishte vijuar deklarata.
Kjo mosmarrëveshje është rasti më i fundit në një varg polemikash në tregun e artit, që lidhen me piktura të cilat, ndonëse nuk u konfiskuan nga nazistët, mund të jenë shitur nën presion ose me çmime më të ulëta sesa vlera e tyre reale gjatë periudhës së Rajhut të Tretë.
Sipas “The New York Times”, Schnabel, i cili nuk ka bërë të ditur identitetin e trashëgimtarëve me bazë në SHBA, e ka njoftuar “Sotheby’s” se klientët e tij kërkojnë një marrëveshje “në frymën e Parimeve të Washingtonit të vitit 1998 për Artin e Konfiskuar nga Nazistët”. Bëhet fjalë për një grup udhëzimesh ndërkombëtare që synojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me pasuritë e prekura nga Holokausti.
Van Goghu e realizoi pikturën “Châtaigniers en fleurs” në fshatin francez Auvers-sur-Oise, në vitin 1890, pak kohë pasi ishte larguar nga një institucion psikiatrik. Në katalogun e saj, “Sotheby’s” thekson se kjo pamje plot gjallëri e një rruge dëshmon penelata madhështore dhe gamë të pasur shprehëse e plot energji ngjyrash.
Fischer, me origjinë nga Hungaria dhe themelues i shtëpisë botuese “S. Fischer Verlag”, e bleu pikturën në Berlin në vitin 1909. Sipas katalogut të “Sotheby’s”, ai e depozitoi veprën në galerinë “Paul Cassirer & Co.” në Amsterdam, në vitin 1932 ose 1933, pikërisht në vitin kur Partia Naziste erdhi në pushtet në Gjermani. Fischer vdiq një vit më pas, duke lënë vajzën dhe dhëndrin e tij, Brigitte dhe Gottfried Bermann-Fischer, në drejtimin e shtëpisë botuese të familjes dhe në administrimin e koleksionit të tij të artit. Në qershor të vitit 1936, galeria “Paul Cassirer & Co.” ia shiti pikturën koleksionistëve francezë, Marcel dhe Henriette Kapferer, në emër të çiftit Bermann-Fischer. Në atë kohë, vepra ndodhej ende në Holandë. Ndërkohë, çifti ishte larguar tashmë nga Berlini dhe ishte vendosur në Vjenë, ku kishte themeluar një degë austriake të shtëpisë botuese familjare.
Sipas raportimeve, Schnabel beson se kjo shitje u bë e domosdoshme për shkak të vështirësive financiare me të cilat u përball biznesi familjar si pasojë e përndjekjeve naziste. Disa nga autorët më të njohur të shtëpisë botuese, përfshirë shkrimtarët Hermann Hesse dhe fituesin e çmimit “Nobel”, Thomas Mann, ishin futur në listën e autorëve të ndaluar nga regjimi nazist, ndërsa veprat e tyre ishin shkatërruar në mënyrë ceremoniale gjatë djegies publike të librave. Edhe pse familja Bermann-Fischer arriti të kontrabandonte në Austri një pjesë të koleksionit të saj të artit, përpara se të vendosej fillimisht në Suedi dhe më pas në Shtetet e Bashkuara, Schnabel zbuloi se ajo ishte detyruar të paguante të ashtuquajturën “taksë të largimit nga Rajhu”. Kjo ishte një taksë e konsiderueshme që u vihej pasurive të personave që largoheshin nga Gjermania naziste, raportoi “The New York Times”.
Ndërkohë, “Sotheby’s” vlerëson se nuk ka prova që shitja e pikturës të jetë bërë nën presion. Transaksioni i vitit 1936 raportohet të jetë realizuar për 68 mijë franga zvicerane, që në atë kohë përkonin me rreth 22 mijë dollarë. Për krahasim, një tjetër pikturë e Van Goghut, “Verger avec cyprès”, e cila hyri në histori kur u shit për 117 milionë dollarë në vitin 2022, raportohet të jetë shitur për 15 mijë dollarë në vitin 1935.
“Châtaigniers en fleurs” theu rekordin e ankandit për veprat e Van Goghut, të vendosur nga piktura “Verger avec cyprès”. “Sotheby’s” i ka ofruar shitësit një garanci minimale për çmimin e veprës, që do të thotë se atij i ishte premtuar një shumë minimale, pavarësisht rezultatit të ankandit. Shtëpia e ankandeve nuk e ka bërë të ditur shumën minimale të garantuar.
“Châtaigniers en fleurs” është njëra nga 12 pikturat që “Sotheby’s” ofroi nga koleksioni i biznesmenit të ndjerë argjentinas, Carlos Pedro Blaquier dhe bashkëshortes së tij, Nelly Arrieta de Blaquier. Në këtë koleksion përfshihen edhe vepra të artistëve Monet, Renoir dhe Cézanne. Piktura u ble nga familja Blaquier-Arrieta në vitin 1975, pasi kishte kaluar në duart e disa pronarëve të tjerë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Në një deklaratë të publikuar përmes “Sotheby’s”, familja Blaquier-Arrieta kishte thënë se mirëpret gjithashtu “dialogun konstruktiv” me trashëgimtarët e Fischerit.
“Familja e kupton rëndësinë e trajtimit të shqetësimeve që burojnë nga rrethanat e vështira të periudhës naziste dhe respekton ndjeshmërinë historike që lidhet me këtë çështje”.
Meqenëse “Châtaigniers en fleurs” u shit në Holandë, e cila në atë kohë nuk ishte nën pushtimin nazist, trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të Fischerit kishin pak baza ligjore për të kërkuar kompensim pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, marrëveshjet e mëvonshme politike, ndonëse jo ligjërisht detyruese, përfshirë Parimet e Washingtonit të vitit 1998 dhe Deklaratën e Terezinit të vitit 2009 e cila u referohet shprehimisht “shitjeve të detyruara dhe shitjeve nën presion”, kanë krijuar një shteg të ri për trashëgimtarët që kërkojnë rikthimin e veprave të artit.
Në vitin 2022, Qeveria e Francës ua ktheu një pikturë të Gustav Klimtit trashëgimtarëve të një familjeje hebraike, e cila ishte detyruar ta shiste atë me një çmim të lirë pasi nazistët aneksuan Austrinë në vitin 1938. Një vit më pas, trashëgimtarët e koleksionistëve hebrenj, Karl Adler dhe Rosi Jacobi, ngritën një padi kundër muzeut “Guggenheim” në New York, lidhur me një pikturë të Pablo Picassos. Ata pretendonin se paraardhësit e tyre ishin detyruar ta shisnin veprën në kushte dëshpëruese, ndërsa po përpiqeshin t'i shpëtonin përndjekjes. Megjithatë, çështja u rrëzua në vitin 2024.
Shtëpitë e ankandeve zakonisht kanë shmangur ofrimin e veprave që mund të përfshihen në pretendime për rikthim pronësie, pasi këto raste mund t’i largojnë blerësit potencialë dhe të shkaktojnë kritika nga organizatat që mbrojnë të drejtat e komunitetit hebraik. Në vitin 2023, mes presionit gjithnjë e më të madh publik, rivalja e “Sotheby’s”, shtëpia e ankandeve “Christie’s”, anuloi shitjen e rreth 300 artefakteve nga koleksioni i koleksionistes së ndjerë, Heidi Horten. Bashkëshorti i saj ishte akuzuar se e kishte krijuar pasurinë e tij duke blerë biznese hebraike që shiteshin nën presion në Gjermaninë naziste.