Hoteli “ZOE”, i vendosur në oborrin e Universitetit të Prishtinës, vazhdon të ushtrojë veprimtarinë, ndonëse Komuna kishte konstatuar se punimet për ndërtimin e objektit ishin pa leje dhe kishte nxjerrë vendim për rrënim. Ekzekutimi i këtij vendimi është pezulluar nga Gjykata Administrative, pas padisë së palës, ndërsa kontesti për objektin dhe pronësinë e tij po vazhdon në gjykatë.
Për objektin ku tash e disa muaj funksionon hoteli “ZOE”, në oborrin e UP-së, Komuna e Prishtinës kishte nxjerrë aktvendim për rrënim.
Gjatë inspektimit në terren, sipas procesverbalit të muajit mars 2026, ishte konstatuar se në objektin në fjalë ishin kryer punime ndërtimore pa leje.
Në procesverbal përmendet vendosja e kulmit në ndërtesën ekzistuese, hapja e dyerve dhe e dritareve në hyrje të ndërtesës, si dhe disa punime të tjera pa leje.
Sipas përgjigjeve të Komunës, zona ku tashmë funksionon hoteli “ZOE” është hapësirë universitare.
“Pas verifikimit të të dhënave në regjistrin e kërkesave dhe lëndëve të trajtuara, Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit konfirmon se nuk ka lëshuar leje ndërtimi për lokacionin/ndërtesën në fjalë. Sipas Planit Rregullues Urban “Qendra 2”, zona destinohet për rekreim – gjelbërim, shtigje dhe sheshe, ndërsa sipas Planit Zhvillimor Urban, destinohet si hapësirë publike, gjegjësisht universitare”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Aktvendimi për rrënim kërkonte kthimin e hapësirës dhe të objektit në gjendjen e mëparshme.
Në maj, Drejtoria e Inspektoratit kishte nxjerrë edhe urdhër ekzekutimi për rrënim.
Por, ndaj tij, përfaqësuesit ligjorë të objektit kishin paraqitur padi në Gjykatën
Administrative kundër Komunës, duke kërkuar anulimin e aktvendimit për rrënim.
Më pas, Gjykata kishte nxjerrë një aktvendim me të cilin e detyronte Komunën të paraqiste dosjen e plotë të procedurës administrative dhe të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me lëndën.
Gjykata është përgjigjur edhe lidhur me masën e sigurisë.
“Gjykata, me aktvendimin AP.nr.76/2026, të datës 01.06.2026, ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, duke pezulluar zbatimin e urdhrit të ekzekutimit të lëshuar nga Komuna e Prishtinës – Drejtoria e Inspektoratit, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Kundër këtij aktvendimi, pala e paditur nuk ka paraqitur ankesë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Nga Gjykata kanë njoftuar se çështja është ende në procedurë gjyqësore.
Ndërkaq, rektori i Universitetit të Prishtinës, tashmë palë e tretë në këtë procedurë, u bën thirrje institucioneve që të veprojnë sa më shpejt.
“Jo, mosmbrojtja nuk është anulim, mirëpo është stërzgjatje e procedurave. Tani Universiteti i Prishtinës është palë në procedurë, po ashtu ku shkelësit e ligjit kanë arritur me marrë një masë të përkohshme, Komuna me parandalu ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për rrënimin e ndërtimit ilegal dhe uzurpimit të pronës të Universitetit të Prishtinës që kanë ndodhur, është duke ndodhur aty. Edhe me kërkesë të Universitetit të Prishtinës, ne jemi palë në procedurë. Po shpresoj shumë që gjykatat vërtet do të veprojnë me shpejtësi dhe me prioritet, sepse skandali vetëm sa është duke u rritur edhe është duke u rritur këtu”, ka thënë rektori Arben Hajrullahu.
E përfaqësuesi ligjor i objektit, avokati Xhafer Tahiri, thotë se pronësia e klientit të tij nuk mund të kontestohet.
“Në lidhje me pyetjet tuaja, ju njoftojmë si në vijim: Të gjithë dokumentacionin zyrtar mund ta merrni në institucionet kompetente. Klienti ynë deklaron me përgjegjësi se nuk është kontestuese as pronësia e pronës, e cila tashmë është hetuar e vërtetuar, e as ligjshmëria e veprimeve të tjera që kanë të bëjnë me këtë pronë e që janë vërtetuar me vendime gjyqësore”, ka deklaruar Tahiri.
Ndërkaq, avokati i hotelit, Adnan Pacolli, deklaron se objekti ku është duke vepruar Hoteli, klienti i tij e ka marrë me qira.
Ai ka thënë se kanë ngritur padi ndaj rektorit të UP-së për disa deklarime të tij publike.
“Në bazë të provave, të cilat i kemi bashkangjitur, rezulton se Zoe Hotel ka certifikatë të biznesit, është i licencuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, është i regjistruar në Ministrinë e Shëndetësisë për sanitari, është dhe funksionon mbi të gjitha rregullat që funksionojnë të gjitha hotelet në Kosovë”, është shprehur Pacolli.
Pacolli ka ofruar edhe dokumentin e pëlqimit për zhvillimin e veprimtarisë ekonomike të hotelerisë, të lëshuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në të cilin data e lëshimit figuron 2 mars 2026.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në Ministri lidhur me këtë çështje, por gjatë të hënës nuk ka marrë përgjigje.