Është 21-vjeçare dhe ka po aq trofe. Së fundmi, Melisa Ibrahimi ka fituar në “International Music Competition Dinu Lipatti” në Itali, ku është shpallur e para në seksionin e Garës për piano - “Pianistët e Rinj” duke marrë “Çmimin Absolut” si dhe mori Çmimin e Vendit të Tretë Absolut në krejt edicionin. Të qenët finalist është tjetër përparësi në kuadër të Garës Ndërkombëtare të Muzikës, prandaj Ibrahimi është vlerësuar edhe për këtë arritje
Muzika klasike në vend është dëshmuar prej kohësh. Instrumentistë e këngëtarë që e ndërtojnë krejt atë vazhdimisht sjellin ngjyrat e veprave botërore e etapat historike nëpër të cilat është zhvilluar. Ndonëse pa kushte për ta zhvilluar, publiku ka vërtetuar se në vend ka kulturë për ta dëgjuar, edhe në ato hapësira që improvizohen si salla koncertale. Artistët janë vlerësuar ambasadorë që emrin e vendit e bartin në çdo cep të botës.
Prej tyre është edhe pianistja e re, Melisa Ibrahimi e cila në “International Music Competition Dinu Lipatti” – një prej garave më të rëndësishme në Itali – u vlerësua si pianistja më e mirë e edicionit të sivjetmë.
Pianistja 21-vjeçare nga Mitrovica është shpallur e para në seksionin e Garës për piano - “Pianistët e Rinj” duke marrë “Çmimin Absolut” si dhe mori Çmimin e Vendit të Tretë Absolut në krejt edicionin. Të qenët finalist është tjetër përparësi në kuadër të Garës Ndërkombëtare të Muzikës, prandaj Ibrahimi është vlerësuar edhe për këtë arritje. Në “Palazzo della Provincia” në Taranto të Italisë kishte interpretuar për tri ditë radhazi, më 31 maj dhe 1 e 2 qershor, Ibrahimi ka luajtur veprat sfiduese të kompozitorit hungarez, Franz Listz. ”Unë kam garuar në seksionin e pianos ku më pas instrumentistët janë kualifikuar tutje. Në ditën e dytë gara është zgjeruar dhe kemi hyrë në garë krejt instrumentistët për garën gjenerale, sikurse edhe ditën e tretë. Ka pasur konkurrentë deri në moshën 40-vjeçare, ka qenë konkurrencë e fortë. Ka pasur nga Rusia, nga Gjermania, Sllovakia, Argjentina, Austria dhe vende të tjera të botës”, ka thënë Ibrahimi, e cila aktualisht ndjek studimet master për Piano në klasën e profesoreshës Alberta Troni.
Pianistja 21-vjeçare ka treguar se nga etapa e dytë e garës janë përzgjedhur vetëm katër garuesit më të mirë dhe kanë garuar prapë në finale.
“Atyre u ka takuar edhe Çmimi final. Në finale kemi interpretuar prapë ne të katërt. Në fund të finales janë përzgjedhur fituesit, ku unë kam arritur të fitojë vendin e parë në seksionin e pianos dhe vendin e tretë në përgjithësi”, ka shpjeguar Ibrahimi, derisa ka treguar se pllakatet dhe mirënjohjet të cilat u janë dhënë nga Presidenca e Italisë dhe nga Ministria e Kulturës atje.
Juria profesionale e Garës Ndërkombëtare të Muzikës që mban emrin e kompozitorit e pianistit rumun Dinu Lipatti, ka qenë në përbërje muzikantëve e profesorëve Agnese Urso, Anna Dibattista, Marcello Forte, Cosimo Lanza, Surin Lucetiu Suciu dhe Pierpaolo Morbidelli. Pianistja Ibrahimi ka treguar se është komplimentuar e uruar nga ta për programin e përzgjedhur dhe lojën e saj.
“Komplet programi në katër etapa ka qenë me vepra të ndryshme të Franc Listz. Jam uruar e komplimentuar nga juria që kam pasur guxim të marr një program kaq të vështirë, pasi që ka qenë minutazh i gjatë dhe ka qenë konkurrencë e fortë”, është shprehur ajo në një bisedë për KOHËN.
Ky nuk ka qenë vlerësimi i parë për Ibrahimin pasi që vitin e kaluar, po në këtë Garë, kishte marrë medaljen e bronztë në seksionin e pianos.
Sipas Melisa Ibrahimit, profesoresha Alberta Troni ka qenë pasqyrë për suksesin e saj e për Fakultetin e Arteve si institucion. Arritjet në këtë garë për të janë urë lidhës në konkurse të tjera e festivale.
“Për mua personalisht dhe për punën time dhe të profesoreshës që e kemi bërë ndër vite është një arritje jashtëzakonisht shumë e madhe. Është shumë e rëndësishme kjo fitore pasi që veçse na ka hapur dyert për garat e tjera e interpretime në festivale. Është mundësi që e kam shfrytëzuar mjaft mirë, kam shkuar deri në fund, pasi që është e vështirë të interpretosh në tri etapa në një garë kaq të fortë”, ka thënë ajo. E ka vlerësuar garën tejet serioze me konkurrentë shumë të fortë.
Ndonëse janë me peshë dhe tejet të rëndësishme çmimet e fituara të saj, në përgjithësi tashmë numëron 21 të tilla në portfolion e saj. Pianistja Ibrahimi është vlerësuar gjithandej ku ka interpretuar. Deri më tash ka fituar në 21 gara të pianos dhe merita ka edhe mentorja e saj, profesoresha Troni.
“Mundësi shumë e mirë për të interpretuar e për të përfituar në karrierë, është eksperiencë e jashtëzakonshme. Është arritje historike për të dalë në top 3-shen e kësaj Gare”, ka thënë ajo.
Melisa Ibrahimi u lind në vitin 2001. Nisi të merret me muzikë qysh herët ku në moshën 9-vjeçare filloi mësimet e para në piano në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë. Në këtë drejtim perfeksionoi shkathtësitë në piano duke studiuar në Fakultetin e Arteve në klasën e profesoreshës Alberta Troni.
Sukseset e saj filluan nga paraqitjet e para skenike, duke filluar nga garat kombëtare e deri tek ato ndërkombëtare. Ibrahimi në vitin 2018 dhe 2019 është fituese e çmimeve të para në garën “Ars Kosova Music Competition” dhe “Special Prize Masterclass Ana Capri” në Itali.
Në Beograd ka fituar çmimin e dytë në garën “International Piano Competition”. Gara ishte mbajtur nё mënyrë virtuale dhe me konkurrencë tё madhe me kandidatë nga mbarë bota, e vlerësuar nga një juri profesionale prej gjashtë pianistëve botërorë, Melisa zuri vendin e dytë nё kategorinë “Senior” në mars të vitit 2020.
Po atë vit, në gusht kishte marrë pjesë edhe në festivalin “Clavis” që ishte organizuar nga Rusia dhe Gjermania në Bavari të Gjermanisë. Kishte interpretuar në mënyrë virtuale ku edhe kishte fituar dy çmime për pjesëmarrjen të cilën, mes pianistëve e kishin fituar vetëm njëzet pianistë ndërkombëtarë që po ashtu do të merrnin pjesë në “International Piano Competition Costa-Festa 2021” që ishte mbajtur në Torrevieja të Spanjës. Gjithashtu nga aty ishte përzgjedhur për të marrë pjesë në koncert dhe masterklasë në kuadër të “Bavaria Festival 2021” në Fussen të Gjermanisë.
Jo vonë, dy muaj më pas triumfoi në “Grand Prize Virtuoso 2020” në Bonn të Gjermanisë në kategorinë “Senior”. Në dhjetor të 2020-s ishte fituese e vendit të parë edhe në garën “International Music Competition Moscow”. Kishte triumfuar duke lënë pas konkurrentë nga gjithë bota. Edhe vitin 2021 e kishte nisur me suksese. I kishte paraprirë fitorja në “Grand Prize Virtuoso London 2021” ku kishte interpretuar në “Royal Albert Hall” – një prej sallave më prestigjioze në botë. Me vendin e parë ishte vlerësuar edhe në “International Music Competition Moscow” në Rusi. Me çmime është vlerësuar edhe në “The Nordic Piano Competition – Northen Lights” në Suedi, në “International Moscow Music Symphony Competition”, “Chopin Piano Fest Special Prize” në Prishtinë, “International Music Fantasy Competition” e organizuar nga UNESCO dhe shumë të tjera.
Në vitin 2022 ka marrë medaljen e bronztë në edicionin e 11-të të garës ndërkombëtare “International Music Competition for Youth Dinu Lipatti Roma 2022”.
Edhe ky vit ka qenë i suksesshëm për pianisten e re Melisa Ibrahimi. Në janar ka dhënë koncert recital në Vjenë të Austrisë ku kishte luajtur veprat e Mozzartit, Beethovenit, Chopinit e Listzit. Në muajin prill kishte fituar çmimin për vendin e parë “Gold Prize” në “Franz Schubert International Music Competition 2023” në Dortmund të Gjermanisë.
Në kuadër të garës ndërkombëtare të muzikës “Dinu Lipatti” sivjet në edicionin e 11-të kanë garuar mbi 70 artistë, mes të cilëve, nga Turqia, Kina, Koreja, Argjentina, Rumania, Rusia e Italia. Nën drejtimin artistik të pianistit italian, Cosimo Damiano Lanza, organizimi i saj vjen edhe si homazh për talentin e rumunit Constantin Lipatti. Organizohet në seksionet: “Pianistët e rinj”, “Violinistët e rinj”, “Solistët e rinj” dhe “Muzikë dhome”.