Shtojca për Kulturë

Melisa Ibrahimi zbërthen tingujt e veprave sfiduese në teatrin antik romak

Pasionin për pianon, Melisa Ibrahimi shpesh e kthen në sukses. Krahas koncerteve në vend, emrin e saj e bën të depërtojë edhe në skenën ndërkombëtare. Veçmas në Itali, ku ka pasur më së shumti debutime sa i përket audiencës jashtë Kosovës. Stacioni i radhës do të jetë festivali “Concerti del Tempietto”, ku Ibrahimi do ta shpalosë lojën në repertor sfidues.

Më e theksuar për kah vështirësitë muzikore e teknike në programin që do ta shpalosë të dielën konsiderohet të jetë koncerti solo për piano i kompozitorit hungarez, Franz Liszt. Pianistja që do ta luajë veprën në pjesën e dytë të programit ka thënë se organizatorët i kanë treguar se kjo vepër luhet për herë të parë në Festivalin me traditë që aktivitetin e ushtron në një prej sallave të teatrit antik në Romë – “Teatro di Marcello”.

“Mendoj se koncerti e ka kulmin në pjesën e parafundit që është koncert solo për piano. Kjo vepër është ndër më sfidueset e Lisztit, që edhe zakonisht nuk interpretohet shumë. Madje drejtori artistik i festivalit ka thënë se kjo vepër nuk është interpretuar në këtë ngjarje më herët. Kështu që jam e lumtur që për herë të parë do të interpretohet nga unë. Është një vepër virtuoze mjaftueshëm me vështirësi muzikore, me zbërthim të tingujve”, ka thënë pianistja Ibrahimi, duke theksuar nevojën për përgatitje të gjatë paraprake për ta vënë në skenë këtë vepër.

Veprat e të dy kompozitorëve, Ibrahimi i kishte interpretuar në Itali edhe në nëntor të vitit të kaluar.

Koncerti recital do të zgjasë afër një orë. Në pjesën e parë do të luhen tri sonatat e kompozitorit italian, Domenico Scarlatti – “K 141”, “K 98” dhe “K 466”.

“Pjesa e parë e koncertit do të jetë me Scarlattin, një hyrje pak më e lehtë për publikun. Sonatën e fundit të Scarlatit, që do ta interpretojë, ka qenë më dramatike e ritmike, e cila është edhe në ‘tempo presto’. Prej saj do të nisë të vështirësohet programi. Zakonisht Scarlatti këto sonata i ka shkruar si pjesë të shkurtra të cilat për çudi nga fundi, për shembull, në ‘K 466’ ka shkuar me më shumë melodi e më emocionale, për dallim nga ato ritmike”, ka thënë pianistja 21-vjeçare derisa ka shpalosur detaje për programin e koncertit recital të së dielës.

“Pjesa e dytë e koncertit do të ketë komplet me vepra të kompozitorit Liszt dhe do të kulmojë me një bagazh shumë të mirë dhe shumë interpretativ e virtuoz. Fillimisht do ta interpretojë ‘Legjendën’ e kompozitorit Liszt, e cila njihet për vështirësi teknike”, ka thënë ajo.

Programin e ka përzgjedhur së bashku me mentoren e saj, profesoreshën Alberta Troni. Pianistja Ibrahimi, e cila është në përfundim të studimeve master ka thënë se Troni i ka propozuar veprat sfiduese për paraqitjen para publikut me kulturë të hershme të muzikës klasike e ku të pranishëm do të jenë edhe profesionistë të fushës. Një prej veprave që do ta luajë do të jetë edhe “Orage” e Liszt.

“Pjesa e fundit, vepra ‘Orage’ (Stuhi) është e shkruar tipike si stuhi. Ka një fillim të furishëm, direkt në ‘fortissimo’, më pas ‘tempi’ zhvillohet në ‘presto furioso’. Krejt vepra është në një formë të stuhisë që kërkon shumë teknikë. Zakonisht këto veprat që janë furioze e virtuoze, siç i ka cekur kompozitori Liszt, janë edhe më të vështira muzikalisht kur ka zbërthim të tillë që shkon deri në eksplodim”, ka treguar pianistja Melisa Ibrahimi, e cila të dielën pasdite do të interpretojë në sallën “Baldini” në “Teatro di Marcello”, që shërben për aktivitete kulturore, koncerte e ekspozita bamirësie.

Audienca e Italisë nuk është e re për pianisten Ibrahimi. Në “Debussy International Music Competition” në fillim të nëntorit të kaluar mori Çmimin e Parë Absolut në garën e pianistëve, si dhe çmimin special “Art of Musical Interpretation for exceptional interpreting and performing”. Emrin e saj midis konkurrentëve nga mbarë bota e kanë veçuar veprat sfiduese të hungarezit Franz Listz. Suksesi i saj kishte reflektuar edhe në punën e mentores Alberta Troni, e cila kishte marrë çmimin “Teacher Award”.

Në qershor të vitit të kaluar ajo kishte marrë Çmimin Absolut në “International Music Competition Dinu Lipatti” në Itali, ku ishte shpallur e para në seksionin e Garës për piano dhe kishte marrë Çmimin e Tretë në kuadër të krejt garës.

Në “Palazzo della Provincia” në Taranto të Italisë kishte interpretuar për tri ditë radhazi. Edhe atje ishte prezantuar me veprat sfiduese të kompozitorit hungarez, Franz Listz.

Ibrahimi ka thënë se ka qenë pikërisht Italia që i ka hapur shumë dyer në karrierën e saj si pianiste.

“Pas Kosovës është vendi i parë që kam pasur më së shumti debutime si gara dhe koncerte. Muzika klasike atje është shumë e zhvilluar, edhe në qytetet më të vogla. Ka shumë pianistë në Evropë që kanë depërtuar nëpërmjet Italisë, kështu që jam shumë e lumtur që edhe unë jam duke shkuar hapave të sigurt për të qenë pianiste e suksesshme”, është shprehur ajo.

Sipas prezantimit të festivalit, aty luhen “muzika klasike, ariet e operave dhe muzika e luajtur ose kënduar nga autorë dhe këngëtarë të njohur, përfshirë edhe pop, jazz dhe muzikë popullore në sharmin magjik të Romës natën në një ambient të jashtëzakonshëm: në kuadër të festivalit historik të muzikës romake, ‘Concerti del Tempietto’“. Festivali nuk është me karakter garues.

Çdo koncert paraprihet nga një turne në parkun arkeologjik në teatrin antik, që është i përfshirë në çmimin e biletës. Njëzet shekuj më parë zona ishte në fakt një hapësirë kushtuar shfaqjeve dhe riteve të shenjta, dhe vetë teatri u përdor për shfaqje publike për më shumë se katër shekuj.

Pas eksplorimit të tingujve në atë hapësirë, programi i pianistes së re pritet të jetë i ngjeshur gjatë krejt vitit.

“Pas Italisë do të ketë shumë plane të tjera gjatë këtij viti. Nga shkurti kam shumë koncerte të tjera. Besoj me disa Filharmoni të disa shteteve do të kem paraqitje. Do të jetë vit me shumë angazhime e sfida. Edhe në Kosovë patjetër se do të vij me dy risi së shpejti besoj. Shumë afër kam edhe dy gara të tjera. Kjo është, do të vazhdoj me atë çfarë dua të bëj”, ka thënë pianistja, e cila nisi të merret me muzikë qysh herët ku në moshën 9-vjeçare filloi mësimet e para në piano në shkollën e muzikës “Tefta Tashko”, në Mitrovicë.

Në këtë drejtim perfeksionoi shkathtësitë në piano duke studiuar në Fakultetin e Arteve në klasën e profesoreshës Alberta Troni. Sukseset e saj filluan nga paraqitjet e para skenike, duke filluar nga garat kombëtare e deri tek ato ndërkombëtare. Ibrahimi në vitet 2018 dhe 2019 është fituese e çmimeve të para në garën “Ars Kosova Music Competition” dhe “Special Prize Masterclass Ana Capri” në Itali.

Në Beograd ka fituar çmimin e dytë në garën “International Piano Competition”. Gara ishte mbajtur nё mënyrë virtuale dhe me konkurrencë tё madhe, me kandidatë nga mbarë bota, e vlerësuar nga një juri profesionale prej gjashtë pianistëve botërorë, Melisa zuri vendin e dytë nё kategorinë “Senior”, në mars të vitit 2020.

Po atë vit, në gusht kishte marrë pjesë edhe në festivalin “Clavis”, që ishte organizuar nga Rusia dhe Gjermania në Bavari të Gjermanisë. Kishte interpretuar në mënyrë virtuale, ku edhe kishte fituar dy çmime për pjesëmarrjen të cilën, mes pianistëve e kishin fituar vetëm njëzet pianistë ndërkombëtarë që po ashtu do të merrnin pjesë në “International Piano Competition Costa-Festa 2021”, që ishte mbajtur në Torrevieja të Spanjës. Gjithashtu nga aty ishte përzgjedhur për të marrë pjesë në koncert dhe masterklasë në kuadër të “Bavaria Festival 2021” në Fussen të Gjermanisë.

Jo vonë, dy muaj më pas triumfoi në “Grand Prize Virtuoso 2020” në Bonn të Gjermanisë në kategorinë “Senior”. Në dhjetor të 2020-s ishte fituese e vendit të parë edhe në garën “International Music Competition Moscow”. Kishte triumfuar duke lënë pas konkurrentë nga e gjithë bota. Edhe vitin 2021 e kishte nisur me suksese. I kishte paraprirë fitorja në “Grand Prize Virtuoso London 2021”, ku kishte interpretuar në “Royal Albert Hall” – një prej sallave më prestigjioze në botë. Me vendin e parë ishte vlerësuar edhe në “International Music Competition Moscow”, në Rusi. Me çmime është vlerësuar edhe në “The Nordic Piano Competition – Northen Lights” në Suedi, në “International Moscow Music Symphony Competition”, “Chopin Piano Fest Special Prize”, në Prishtinë, “International Music Fantasy Competition” e organizuar nga UNESCO dhe shumë të tjera.

Në vitin 2022 ka marrë medaljen e bronztë në edicionin e 11-të të garës ndërkombëtare “International Music Competition for Youth Dinu Lipatti Roma 2022”.

Edhe viti i kaluar ka qenë i suksesshëm për pianisten e re Melisa Ibrahimi. Në janar ka dhënë koncert recital në Vjenë të Austrisë, ku kishte luajtur veprat e Mozzartit, Beethovenit, Chopinit e Listzit. Në muajin prill kishte fituar çmimin për vendin e parë “Gold Prize” në “Franz Schubert International Music Competition 2023” në Dortmund të Gjermanisë.