Ka qenë marsi i vitit të kaluar kur “Pesë stinët e fëmijërisë sime” e nisi rrugëtimin nëpër festivale, e marsi i sivjetmë e gjen në Norvegji. Fëmijëria e regjisorit Besim Ugzjali e përthekuar në animacionin që shpalos Kosovën e viteve ’90 shfaqet në “West Nordic International Film Festival”
Pak ditë para se ta rrumbullakojë vitin e nisjes së rrugëtimit nëpër festivale, “Pesë stinët e fëmijërisë sime” i Besim Ugzmajlit shënon një tjetër shpalosje të rrëfimit. Në “West Nordic International Film Festival” në Norvegji shfaqet më 6 mars. Regjisori kthehet në festival pas tetë vjetësh kur puna e tij qe njohur edhe me çmim.
Festivali i dokumentarëve dhe filmave të shkurtër që mbahet në Ålesund të Norvegjisë këtë vit ka edhe këtë rrëfim nga Kosova me historinë e “Pesë stinët...” që e përmbyll ciklin e stinëve dhe vazhdon stinën e radhës që e gjen njeriun në tjetër shkallë, vetë Ugzmajlin, i cili është personazhi, e filmi ndërtohet mbi fëmijërinë e tij.
Festivali ende nuk ka program publik, por Ugzmajli tashmë ka marrë ftesën për të qenë në festival. Ka bërë të ditur se filmi është në garë zyrtare, në kategorinë e filmave të shkurtër të festivalit.
Regjisori Ugzmajli ka thënë se është shumë me rëndësi që filmi të vazhdojë rrugëtimin ndërkombëtar. Për të, një çmim nga ky festival do të ishte njohje e punës së secilit anëtar prej ekipit të filmit.
“Gjithmonë jemi të fokusuar në audiencë dhe në pjesëmarrje sa më të madhe në festivale të rëndësishme. Natyrisht se vlerësimi eventual është jo vetëm për mua, por për gjithë ekipin që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme sepse dihet mirë që nuk ka qenë një film i zakonshëm. Ka qenë një film shumë medial që fillon prej xhirimeve, animacioneve, dizajnimit të audios krejt rishtaz të punuar, muzikës gjithashtu. Do të ishte vlerësim i punës për të gjithë ekipin që ka bërë një punë të mrekullueshme”, ka thënë Ugzmajli në një bisedë për KOHËN.

Ai tashmë veçse ka një çmim nga ky festival. Në vitin 2018 kur u zhvillua edicioni i tetë, filmi i shkurtër “Më fal” i Ugzmajlit pati fituar Çmimin për Kinematografinë më të Mirë.
“Sigurisht që edhe kjo pjesëmarrje është e rëndësishme. Unë kam qenë në këtë festival edhe më herët me filmin ‘Forgive me’. Filmi pati fituar çmim në këtë festival dhe është kënaqësi që sërish të jem pjesë e këtij festivali”, ka thënë ai.
Ugzmajli ka thënë se nuk dihet nëse do të jetë në Festival për shkak të angazhimeve, por se do të përpiqet të marrë pjesë dikush nga ekipi.
Derisa e ka konsideruar secilën pjesëmarrje në festivale të rëndësishme, është kthyer pas duke kujtuar rrugëtimin e filmit “Pesë stinët e fëmijërisë sime”.
“Filmi ka bërë një vit me pjesëmarrje në festivale. Ka filluar me një festival të kategorisë A për film të shkurtër, që është ‘Tampere Film Festival’, për të vazhduar tutje me pesë a gjashtë festivale të akredituara prej çmimeve ‘Oscars’. Së fundi edhe në festivale goxha reprezentative", është shprehur ai.
Në filmin e Ugzmajlit, ambienti e objektet janë reale, ndërsa karakteri që e portretizon vetë atë, vjen i animuar. Në këtë formë ai e ka ndërtuar figurën e tij lëvizëse në film duke dokumentuar kujtimet mbi të cilat e ndërton krejt rrëfimin. Nëpërmjet karakterit në film është projektuar imazhi i Ugzmajlit si fëmijë. “Pesë stinët...” pozicionohet si dokumentar biografik i animuar. Xhirimet kanë zgjatur më shumë se një vit, ndërsa imazhet lëvizëse në të paraqesin lokacione që definojnë banimin, shkollimin e pasionin e asaj kohe të karakterit në film.
Ngjarjet zhvillohen në Kosovën e viteve ’90, ku fëmijërinë e Ugzmajlit e përcjellin ngjarjet dramatike të asaj kohe në vend. Por nga perspektiva e një fëmije, ngjarjet politike nuk përfshihen fort.
Filmi u dha premierë botërore në “Tampere Film Festival” në Finlandë në mars të vitit të kaluar. Në garën ndërkombëtare të ngjarjes me traditë 55-vjeçare ishte edhe filmi “Rrugës” i Samir Karahodës. Ndërsa premierë kombëtare qe shfaqur në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, në gusht të vitit të kaluar.
“West Nordic International Film Festival” është festival dokumentarësh dhe filmash të shkurtër që nisi në vitin 2012 nga një grup i vogël njerëzish, profesionistë të filmit, të cilët besonin se arti është forma më e mirë e komunikimit dhe promovimit të bukurive të vendit tonë. Drejtor i festivalit është Besnik Zogaj ndërsa programin ndërkombëtar e udhëheq Ekrem Xani.
“Sot, jemi shumë të lumtur që vizioni ynë po realizohet dhe vit pas viti jemi në gjendje të bashkojmë producentët e filmave dhe dashamirësit e tyre. Kemi pasur nderin të punojmë me njerëzit më profesionistë në industri, kemi marrë mijëra aplikime për filma dhe kemi ndarë me publikun vetëm filmat më të mirë. Kemi punuar shumë, ekipi ynë është rritur dhe, më e rëndësishmja, e kemi shijuar udhëtimin”, shkruhet në deklaratën e tyre. Aktiviteti i festivalit mbahet në "Løvenvold Teater" në Ålesund të Norvegjisë.