Kulturë

Dy filma nga Kosova në festivalin prestigjioz të Finlandës

Tampere

“Është shumë e rëndësishme që filmat e shkurtër të përzgjidhen në këso festivale të këtij niveli. Filmat e shkurtër kryesisht qëllim kanë festivalet e rëndësishme dhe ‘Tampere Film Festival’ gjithmonë është në top-festivalet më të rëndësishme të filmit të shkurtër në botë. Prandaj, sigurisht që rëndësia për ne krijuesit e këtij filmi është e jashtëzakonshme”, ka thënë regjisori Besim Ugzmajli

“Pesë stinët e fëmijërisë sime”, nën regji dhe me skenar të Besim Ugzmajlit, ka nisur rrugëtimin e shfaqjeve me premierë ndërkombëtare. Projekti unik ku ambienti e objektet janë reale, ndërsa karakteri është i animuar, e ka stacion të parë në festivalin prestigjioz të filmit të shkurtër “Tampere Film Festival” në Finlandë. Në garën ndërkombëtare të ngjarjes me traditë 55-vjeçare është edhe filmi “Rrugës” i Samir Karahodës që, si “Pesë stinët...”, trajton tematika nga ngjarjet që u kanë ndodhur vetë autorëve

Filmi i shkurtër “Pesë stinët e fëmijërisë sime”,  nën regji dhe me skenar të Besim Ugzmajlit, ka nisur rrugëtimin e shfaqjeve me premierë ndërkombëtare. Projekti unik ku ambienti e objektet janë reale, ndërsa karakteri është i animuar, e ka stacion të parë festivalin prestigjioz të filmit të shkurtër “Tampere Film Festival” në Finlandë. Në garën ndërkombëtare të ngjarjes me traditë 55-vjeçare është edhe filmi “Rrugës” i Samir Karahodës që, si “Pesë stinët...”, trajton tematika nga ngjarjet që u kanë ndodhur vetë autorëve.

Dy filmat nga Kosova janë pjesë e programit të një prej tri festivaleve më të mëdha të filmit të shkurtër në Evropë. Filmi “Pesë stinët e fëmijërisë sime” i zhanrit eksperimental, animacion dhe dokumentar në mënyrë artistike e shpalos fëmijërinë e Ugzmajlit.

Ai është shprehur se premiera e filmit në “Tampere Film Festival” është jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Por sigurisht, është shumë e rëndësishme që filmat e shkurtër të përzgjidhen në këso festivale të këtij niveli. Filmat e shkurtër kryesisht qëllim kanë festivalet e rëndësishme dhe ‘Tampere Film Festival’ gjithmonë është në top festivalet më të rëndësishme të filmit të shkurtër në botë. Prandaj sigurisht që rëndësia për ne krijuesit e këtij filmi është e jashtëzakonshme”, ka thënë Ugzmajli në një përgjigje me shkrim për KOHËN, duke bërë të ditur se do të jetë prezent në premierë.

“Jam për herë të dytë aty me film të shkurtër, gjë që më vjen mirë. Gjithashtu edhe që e prezantojmë vendin me dy filma nga Kosova. Normalisht të jemi midis përzgjedhjes që është bërë me dy filma është sukses i kinematografisë sonë që vlen të përmendet. I uroj suksese edhe Besimit dhe më vjen mirë që filmi i tij merr pjesë”, ka thënë regjisori Samir Karahoda

“Po, do të shkoj në premierën e filmit dhe rëndom ka pyetje dhe përgjigje pas secilit film në këtë festival”, ka treguar ai.

Edicioni i 55-të i festivalit sivjet mbahet prej 5 deri më 9 mars. Ende nuk është publikuar programi i plotë i festivalit që mbahet në qytetin Tampere, në jug të shtetit nordik. Konsiderohet si qendra më e rëndësishme urbane, ekonomike dhe kulturore në gjithë Finlandën.

Për Ugzmajlin, vetë përzgjedhja e filmit është sukses më vete.

“Duhet të kemi parasysh që përzgjedhja në këtë festival është njëfarë suksesi më vete dhe është bërë në mes të mijëra filmave të tjerë, kështu që këtë e konsiderojmë njëfarë suksesi. Pritje të veçanta nuk kemi, por sigurisht që secili vlerësim do të ishte shumë i mirëseardhur”, është shprehur ai.

“Pesë stinët...” pozicionohet si dokumentar biografik i animuar. Xhirimet kanë zgjatur më shumë se një vit, ndërsa imazhet lëvizëse në të paraqesin lokacione që definojnë banimin, shkollimin e pasionin e asaj kohe të karakterit në film.

Ngjarjet zhvillohen në Kosovën e viteve ’90, ku fëmijërinë e Ugzmajlit e përcjellin ngjarjet dramatike të asaj kohe në vend.

Ugzmajli, që është vetë karakteri i animuar në film, ka thënë se pritet të rrugëtojë nëpër festivale, përfshirë edhe ato në Kosovë për premierë vendore.

“Po filmi do të ketë një pjesëmarrje solide edhe në festivale të tjera, me të cilat po merret distributori i festivali... Kam aplikuar në festivalet tona të rëndësishme këtu në Kosovë, dhe nëse përzgjidhet, sigurisht premiera do të duhet të ishte brenda këtij viti”, ka thënë regjisori Besim Ugzmajli.

Janë veç katër stinë, por kur tjetra në radhë përsëritet, e shfaq protagonistin më ndryshe. Në film përmbyllet ky cikël i stinëve dhe vazhdon në stinën tjetër në radhë si dëshmi se e njëjta e gjen njeriun në një tjetër shkallë. Vetë krijuesin e filmit. Ai është personazhi dhe rrëfimi në filmin 15-minutësh që ndërtohet mbi fëmijërinë e tij.

Ka diçka tejet unike në filmin e Ugzmajlit për aq sa ambienti e objektet janë reale, ndërsa karakteri që e portretizon vetë atë, vjen i animuar. Në këtë formë ai e ka ndërtuar figurën e tij lëvizëse në film duke dokumentuar kujtimet mbi të cilat e ndërton krejt rrëfimin.

Animacionet i ka punuar Flaka Kokolli bashkë me Salome Samadbegishvili dhe Giorgi Gabisonia.

Kapitulli i radhës i rrëfimit nga Kosova nëpërmjet ekranit do të jetë filmi i shkurtër “Rrugës” i Samir Karahodës. Ai ka histori të mëparshme në këtë festival. Filmi i tij i shkurtër “Në mes” qe pjesë e programit të ngjarjes në vitin 2019.

“Jam për herë të dytë aty me film të shkurtër, gjë që më vjen mirë. Gjithashtu edhe që e prezantojmë vendin me dy filma nga Kosova. Normalisht të jemi midis përzgjedhjes që është bërë me dy filma është sukses i kinematografisë sonë që vlen të përmendet. I uroj suksese edhe Besimit dhe më vjen mirë që filmi i tij merr pjesë”, ka thënë Karahoda në një përgjigje për KOHËN.

Më tej e ka vlerësuar të rëndësishme pjesëmarrjen e filmit në këtë festival.

“Festivali i Filmit në Tampere është goxha i njohur dhe i respektuar ndërkombëtarisht ku prej kategorisë ndërkombëtare nominojnë filma për Oscar dhe në Akademinë Evropiane të Filmit. Është festival me traditë e me program jashtëzakonisht të pasur me filma të shkurtër”, ka thënë Karahoda.

Festivali i Filmit në Tampere zhvillohet çdo vit në muajin mars. Është një nga tri festivalet më të mëdha të filmit të shkurtër në Evropë, së bashku me “Clermont-Ferrand” në Francë dhe “Oberhausen” në “Gjermani”.

“Shfaqjet dhe ngjarjet e festivalit tërheqin përafërsisht 30 mijë vizitorë. Afro 800 profesionistë të akredituar të industrisë së filmit marrin pjesë në festival, ai ka rreth 40 staf dhe mbi njëqind vullnetarë. Festivali shfaq rreth 400 filma”, shkruhet në uebfaqen e festivalit.

“Rrugës” ka për temë një ngjarje reale. Rrugës një baba me të birin prekin temën e migrimit. Ky i fundit duket i pikëlluar që trajnerit të tij i është dashur të ikte nga Kosova. Ai pret me padurim të marrë një dhuratë, por në doganë ndeshet me një pagesë të majme. Babait me pikëllim i duhet t’i thotë se dhurata nuk kishte arritur ende. Luajnë i biri i regjisorit, Miron Karahoda, dhe Ylber Mehmeti.

Kur në gushtin e kaluar qe dhënë premierë kombëtare në edicionin e 23-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren, që edhe e kishte mbyllur ngjarjen, Karahoda pati rrëfyer se krejt historia në film është përkthyer në gjuhë filmi. Se është ngjarje e vërtetë. I kishte ndodhur njëjtë kur kishte fituar një çmim ndërkombëtar dhe në Kosovë i kishte arritur nëpërmjet postës.

Me filmin që qe në garë në Festivalin e Cannes ku kishte edhe premierën botërore, Karahoda veçse po merr pjesë në festivalin e dytë më të madh në Francë sa i përket pjesëmarrjes së publikut – në “Clermont-Ferrand”. Të shtunën mbrëma “Rrugës” e pati shfaqjen e parë atje.

“Mbrëmë ka qenë shfaqja e parë në Clermont Ferrand në një prej kinemave mbase më të mëdha në Francë me një mijë e 377 ulëse që ka qenë pothuajse përplot. Reagimet pas shfaqjeve kanë qenë shumë të mira. Pas Cannes, është festivali i dytë në Francë që ka më së shumti shikues, diku mbi 250 mijë brenda një jave. Edhe ky është një sukses për kinematografinë tonë, të jem pjesëmarrës në mesin e  filmave nga të gjitha vendet e botës, sikurse edhe audienca vjen nga e gjithë bota”, ka thënë Samir Karahoda në një telefonatë nga qyteti Clermont-Ferrand ku po zhvillohet programi i festivalit që vijon deri më 8 shkurt.

Sot (e hënë) e ka terminin tjetër, në orën 12:30 ku Karahoda do të jetë i pranishëm për të biseduar me publikun. Në këtë festival do të shfaqet edhe gjashtë herë të tjera.