Trashëgimia kulturore duket të jetë njëra nga temat e takimeve të ardhshme në dialogun Kosovë–Serbi. Për më tepër, kjo çështje është ngritur tashmë në Marrëveshjen e Washingtonit, e po ashtu në publikimet e “non-paperëve” që morën vëmendjen tonë ditëve të fundit. Është mjaft e rëndësishme që në procesin e dialogut të lartpërmendur vendi t’i ketë përgatitjet dhe mjetet e nevojshme, me qëllim të mbrojtjes dhe shmangies së politizimit të mëtutjeshëm të trashëgimisë kulturore në vend.
Është shumë e qartë që pala serbe është e duke e përdorur trashëgiminë kulturore si instrument politik për t’i arritur qëllimet e saja politike, çfarëdo që të jenë ato: destabilizimi i Kosovës, konflikti i ngrirë, ndarja apo diçka tjetër. Jo rrallë, pala serbe propagandon për të ashtuquajturin ‘rrezikim të trashëgimisë kulturore serbe’ në Kosovë dhe s'ka dyshim që në shumë raste propaganda e saj ka rezultuar të jetë e suksesshme. Rasti i fundit i tillë është përfshirja e Manastirit të Deçanit në Listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara të Evropës, të publikuar nga “Europa Nostra”. I njëjti vazhdon që nga 2006 të jetë në Listën në rrezik të UNESCO-s. Sigurisht që faktet në terren e tregojnë të kundërtën, pra Manastiri i Deçanit dhe as ‘zonat e tjera të veçanta’ nuk janë të cenuara dhe se mjedisi rreth tyre është paqësor. Gjithsesi, pavarësisht fakteve në terren, ne duhet ta kemi parasysh që Serbia do të vazhdojë ta përdorë diplomacinë dhe format e tjera të presionit dhe lobimit për ta goditur dhe minuar rolin e legjitimitetin e shtetit të Kosovës karshi ruajtjes së trashëgimisë kulturore në territorin e saj.
Nisur nga e gjithë kjo situatë, është tejet e rëndësishme që Kosova të jetë e vëmendshme, pro-aktive dhe të ketë qëndrime të qarta në të gjitha formatet e diskutimeve që lidhen me problemin në fjalë. Me qëllim të ndërtimit të argumenteve valide, pala kosovare – si palë përgjegjëse karshi ruajtjes së trashëgimisë kulturore – duhet t’i ndjekë këto pesë parime konkrete. Për më tepër, këto parime do të ofronin mundësi për ta kundërshtuar politizimin e trashëgimisë kulturore, duke ia dhënë rolin e katalizatorit për zhvillim socio-kulturor, ekonomik, kohezion shoqëror dhe pajtim mes komuniteteve.
Nuk negociohet përtej ‘Planit të Ahtisarit’.
Kosova i ka bërë kompromiset e saj, të cilat tashmë i ka zbatuar pa asnjë kusht. Aneksi 5: “Trashëgimia Kulturore dhe Fetare” i Planit të presidentit Ahtisari, si produkti i kompromiseve, i garanton Kishës Ortodokse Serbe (KOS) të drejta, privilegje dhe imunitet për aq sa KOS-i i ushtron këto përgjegjësi në pajtim me legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe për aq sa nuk cenon të drejtat e të tjerëve. Plani ia siguron KOS-it të drejtën për menaxhim dhe qasje në pronat e saj dhe thekson se autoritetet e Kosovës mund të kenë qasje në këto prona vetëm pas një marrëveshjeje paraprake me KOS-in, ose në rast të urdhrave të lëshuar nga organet përgjegjëse në rast të dyshimeve për aktivitete të mundshme ilegale. KOS, në krahasim me bashkësitë e tjera fetare, gëzon privilegje të tjera fiskale, duke u liruar nga taksat për të gjithë veprimtarinë e saj ekonomike, përfshirë taksat në import dhe eksport. Për më tepër, Republika e Kosovës garanton edhe siguri fizike për këto lokalitete, përmes një njësie të veçantë të Policisë së Kosovës. Plani ka paraparë edhe përcaktim të zonave të mbrojtura, me qëllim të garantimit të, siç thuhet, funksionimit dhe mirëqenies paqësore, mbrojtjes së mjedisit historik, kulturor dhe natyror dhe garantimit të jetës monastike të klerit. KOS është pjesë e mekanizmit që quhet Këshilli për monitorim dhe zbatim, pjesë të të cilit janë edhe institucionet e Kosovës e edhe ato ndërkombëtare, i cili ka për detyrë të monitorojë dhe ndihmojë në zbatimin e dispozitave që dalin nga Aneksi 5. Të gjitha këto dispozita tashmë në pjesën më të madhe të tyre janë të zbatuara në terren. Të gjitha këto fakte duhet të shqyrtohen dhe të kumtohen nga ndërmjetësuesit e përfshirë në dialog.
Rikthimi i pakusht i artefakteve të Kosovës që mbahen peng në Serbi që nga viti 1999.
Në vitin 1999, në emër të një ekspozite, Serbia kishte marrë nga Muzeu i Kosovës 1248 artefakte arkeologjike dhe etnografike, të cilat, me përjashtim të Hyjneshës në Fron, asnjëherë nuk u kthyen në Kosovë. Rikthimi i këtyre artefakteve është një prej obligimeve të Aneksit 5 të Planit të Ahtisarit. Siç është e njohur, Serbia nuk e ka pranuar Planin Ahtisarit dhe, rrjedhimisht, nuk i ka zbatuar obligimet që rrjedhin nga ky plan. Pala kosovare duhet ta ngrejë këtë çështje dhe duhet të insistojë e kushtëzojë për ta realizuar të drejtën e saj: kthimin artefakteve në vendin e origjinës.
Qasja gjithëpërfshirëse në monumente.
Trashëgimia kulturore duhet të jetë e qasshme për të gjithë qytetarët pa dallim – për komunitetet lokale, për studiuesit si dhe për të gjitha ata që janë të interesuar të kenë qasje në trashëgiminë kulturore të Kosovës. Pavarësisht që KOS, me Aneksin V, gëzon të drejta të plota menaxhimi të pronave të tyre, ajo duhet të garantojë qasje të plotë dhe gjithëpërfshirëse. Konventa e Kombeve të Bashkuara për Trashëgimi Kulturore kërkon që të ndërmerren masa për përfshirjen e komuniteteve në menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Sipas nenit 27 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ‘Secili ka të drejtë që lirshëm të marrë pjesë në jetën kulturore…” Pra, si i tillë, ky parim është i panegociushëm, sepse është e drejtë fundamentale e njeriut. Po ashtu, kjo e drejtë është edhe në përputhje me Planin e Ahtisarit. Artikulli 1 i Aneksit 5 të këtij plani kërkon që ushtrimi i të drejtave dhe beneficioneve të KOS-it nuk guxon t’i cenojë të drejtat e të tjerëve.
Trashëgimia kulturore duhet të vlerësohet nga perspektiva të reja pluraliste, të cilat do të përdoren për t’i sfiduar narracionet nacionale (nacionaliste). Diskursi i tanishëm është i ngulitur fort në paraqitjen e identiteteve kulturore të ngurta dhe rrjedhimisht edhe narracioneve të ngurta. KOS është e barrikaduar në narracionin për kishat dhe manastiret e lidhura me historinë dhe identitetin serb dhe mbi këtë narracion projekti i vet është izolimi i plotë i këtyre vendeve deri në krijimin e zonave me status të eksterriorialitetit. Por, kjo qasje rezulton të jetë përjashtuese ndaj mjedisit socio-kulturor. Qasjet e shekullit 21 tregojnë që suksesi ndërlidhet me diversitetin e narracioneve. Asnjë politikë e ruajtjes se trashëgimisë kulturore nuk do të funksionojë pa përfshirjen kuptimplotë të komunitetit që jeton në rrethinë. Për ta bërë këtë duhet të ndryshojë perspektiva. KOS duhet të jetë i hapur për komunikim me komunitetet lokale dhe ta synojë një ndryshim nga poshtë-lart, duke u fokusuar me tepër në ide dhe domethënie të re, që trashëgimia kulturore të mund të reflektojë te komuniteti dhe, ndër të tjerash, ajo të mos shihet si e kaluar statike, por si vazhdimësi – pra edhe e tashme – me një rol të ri të krijimit të urave të bashkëpunimit dhe rritjes së besimit të ndërsjellë. Parakusht i rëndësishëm për këtë është heqja dorë e Kishës Ortodokse nga të qenët qendër e propagandës së Qeverisë serbe.
Zhvillimi i balancuar, mbrojtja e trashëgimisë dhe mundësitë e reja për komunitete.
Është e qartë që sot mjediset historike janë të sfiduara nga zhvillimet e ndryshme shpesh të pakontrolluara në infrastrukturë, mjedis dhe industri. Sfida është se si do të ruhet integriteti historik i pacenuar karshi këtyre zhvillimeve. Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura ka kufizuar ose ndaluar shumë aktivitete të cilat potencialisht mund të kenë ndikim në integritetin historik të këtyre zonave. Mirëpo, siç është rasti i Manastirit të Deçanit, zona e veçantë e mbrojtur përfshin rreth 800 hektarë, një pjesë e së cilës është në pronësi të komunitetit lokal. Si rrjedhojë, komuniteti lokal është i privuar nga e drejta për të përfituar nga pronat e veta në posedim. Institucionet duhet të angazhohen për hartimin e planeve hapësinore të cilat sigurojnë zgjidhje të reja inovative, të cilat krijojnë mundësi për përfitime te komunitetit dhe balancojnë zhvillimin ekonomik, ruajtjen e mjedisit historik si dhe ruajtjen bidoversitetit.