Propaganda serbe ka marrë flakë sidomos në fund të kësaj jave, kur Manastiri i Deçanit ka hyrë në listën e 7 monumenteve të rrezikuara, publikuar nga organizata “Europa Nostra”. Por qëllimi del të jetë tjetërkund. Ata që merren me trashëgimi kulturore, por edhe me analizim të politikave në këto anë, krejt këtë fushatë e shohin si bazë për të kërkuar ndarje të Kosovës në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat pritet të rinisin në Bruksel
Në fund të vitit 2014, dy policët që qëndronin në një kabinë te porta e Manastirit të Budisalcit ndiheshin të lodhur. Bile thoshin se janë të torturuar. “Na ka ardhur shpirti te hunda”, rrëfenin ata për ekipin e KOHËS. Për të mos e zgjatur shumë, njëri prej tyre vendosi që ta ilustrojë muhabetin me një shembull. Manastiri afër Klinës ka goxha prona përreth kodrinës. Në një mbrëmje dy nga murgeshat i kishin numëruar pulat. Kishin konstatuar se një mungon. “’Na e kanë vjedhur shqiptarët’, thoshte ajo. Por çfarë të vjedhuri, këtu ka dhelpra. Ato sillen e marrin pula të krejt banorëve të fshatit”, rrëfente polici i njësitit të trashëgimisë kulturore. “Paramendoni është dashur ne ta kërkojmë pulën”, tregonte ai.
Ndodhi të tilla, kur kafshët e egra i rrëmbejnë pulat, për banorët e zonës nuk janë të rralla. Trajtohen si diçka krejt e natyrshme. Një kafshë e egër kap diçka nga gjahu që synon.
Por për Kishën Ortodokse Serbe janë “plaçkitje e pronave të tyre nga shqiptarët”. E me raste të tilla bëhet edhe propagandë e politikë.
Propaganda ka marrë flakë sidomos në fund të kësaj jave, kur Manastiri i Deçanit ka hyrë në listën e 7 monumenteve të rrezikuara, publikuar nga organizata “Europa Nostra”. Por qëllimi del të jetë tjetërkund. Ata që merren me trashëgimi kulturore, por edhe me analizim të politikave në këto anë, krejt këtë fushatë e shohin si bazë për të kërkuar ndarje të Kosovës në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat pritet të rinisin në Bruksel.
Fushata politike me monumente
Fushata politike e Serbisë duke e shfrytëzuar trashëgiminë kulturore si “dëshmi se shqiptarët nuk duan bashkëjetesë me serbët”, numëron rreth një vit që është intensifikuar.
Në prill të vitit të kaluar në Beograd qe publikuar raporti 26-faqesh i autorëve Stefan Surliq dhe Igor Novakoviq. Raporti që mban titullin “Trashëgimia kulturore dhe fetare serbe në Kosovë nga zonat speciale të Ahtisaarit deri në statusin përfundimtar”, rendit një varg “problemesh të mëdha me të cilat përballen zonat e veçanta të mbrojtura të objekteve të kultit”. Realisht ato mbrohen si trashëgimi kulturore e veçantë qysh prej vitit 2008, kur u miratua Ligji. Klerikët janë pjesë e Këshillit për Zbatim dhe Monitorim që mbikëqyr gjithçka në raport me këto zona bashkë me Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë në vend. Por, sipas raportit, këtyre zonave duhet t’u ridefinohet statusi në bisedimet midis palëve.
“Është e nevojshme të hapet tema e pozicionit të tyre edhe në vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”, është një prej konstatimeve dhe këshillave që i janë dhënë Qeverisë së Serbisë.
Por kësaj çështjeje Kisha Ortodokse Serbe dhe shteti serb i kanë dhënë edhe konotacion tjetër. E kanë bërë problem të trashëgimisë kulturore të Evropës nëpërmjet futjes së Manastirit të Deçanit në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë. Ish-përbërja qeveritare e Kosovës kishte heshtur në dhjetor kur u publikua lista e 12 monumenteve të nominuara për t’u bërë pjesë e shtatëshes.
E tre muaj në vonë, më 18 dhjetor, Albin Kurti në cilësinë e të nominuarit për kryeministër, dhe Vjosa Osmani në cilësinë e ushtrues së detyrës së presidentes, i kishin nisur një letër organizatës që është themeluar më 1961 në Paris. Në ditën e 6-të të prillit “Europa Nostra” ishte përgjigjur se lista e sivjetme është hartuar. Qeveria serbe dhe klerikët këtë fundjavë kanë qenë tejet të zëshëm në raport me “sulmet mbi monumentet serbe në Kosovë”. E Qeveria e Kosovës është marrë me letrën e vonuar. Kryeministri Albin Kurti deri tash është treguar krejt indiferent në raport me këtë çështje dhe po bën fushatë në rrjetet sociale që në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë të votohen kandidatët e atjeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Abati i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, të premten ka thënë se autoritetet e Kosovës shpesh veprojnë sikur të jetojnë në një realitet paralel. Ai ka thënë për mediat serbe se nga njëra anë autoritetet kosovare thonë se ekziston harmoni dhe nuk ka diskriminim ndërfetar dhe ndëretnik ndaj serbëve, kurse në anën tjetër problemet nuk kanë qenë kurrë më të mëdha.
“Vetëm në dy muajt e fundit ka pasur kaq shumë sulme në kishat tona, duke i plaçkitur. Ata nuk mund të shqiptojnë as emrin e Kishës Ortodokse Serbe”, citohet të ketë thënë Janjiq. Sipas tij, përkundër thirrjeve nga ambasadorët kryesorë perëndimorë, autoritetet e Kosovës nuk po e zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të regjistruar 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit. Ka akuzuar se afër Manastirit planifikohet ndërtimi i një rruge, pavarësisht se vetë Janjiq kishte marrë pjesë në takimet e mbajtura midis institucioneve ku ishte vendosur që rruga Deçan-Plavë të mos e pengojë monumentin.
“E gjithë kjo tregon se të drejtat e Kishës sonë janë seriozisht të rrezikuara dhe se është e pakonceptueshme që kur të vazhdojë dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës, kjo çështje të mos përfshihet në agjendë, sepse vetë institucionet e Kosovës nuk i respektojnë ligjet e tyre”, citohet të ketë thënë Janjiq.
Paraprakisht të enjten, drejtori i asaj që në Qeverinë e Serbisë është “Zyra për Kosovë dhe Metohi”, Petar Petkoviq, ka pasur një takim me patriarkun Porfirije. Sipas njoftimit të kësaj zyre, në takim është folur për mbijetesën e serbëve në Kosovë, si dhe për mbrojtjen dhe rinovimin e tempujve të Kishës Ortodokse Serbe.
“Petkoviq e informoi patriarkun për situatën aktuale të sigurisë dhe pozicionin e popullit serb në Kosovë dhe Metohi, e cila është e ekspozuar ndaj sfidave dhe vështirësive të shumta pothuajse çdo ditë, veçanërisht në një kohë kur në vend të dialogut po përdoren shantazhi dhe kërcënimet”, shkruhet në njoftim. Aty shkruhet se Petkoviq theksoi se së fundmi një numër i madh i kishave serbe në Kosovë kanë qenë të ekspozuara ndaj sulmeve dhe përdhosjes.
“Sulmet ndaj faltoreve tona kanë për qëllim dëbimin e popullit serb nga vatrat shekullore, fshirjen e së kaluarës dhe shpirtërimit tonë, në mënyrë që të shkatërrojnë çdo gjurmë të vazhdimësisë historike të popullit dhe shtetit serb në Kosovë dhe Metohi”, citohet të ketë thënë Petkoviq.
Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe në të njëjtën linjë
Kjo fushatë është shumë e rrezikshme sipas profesionistëve të trashëgimisë kulturore dhe politikologëve.
Antropologu Arsim Canolli, i cili është profesor në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka thënë se arsyeja kryesore se pse shteti i Serbisë dëshiron ta ketë trashëgiminë kulturore temë të dialogut është politike dhe ideologjike. Ka thënë se Serbia përherë ka manipuluar me historinë e Kosovës, historinë e objekteve të kultit në Kosovë, sikurse ka manipuluar me historinë demografike e të migrimeve.
“Për vite me radhë Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe janë në të njëjtën linjë argumenti, duke i shfaqur shtetin e Kosovës dhe shqiptarët si plangprishës të trashëgimisë kulturore. Ata kanë shfrytëzuar dëmet e bëra ndaj kishave e manastireve në vitin 2004, të cilat kanë qenë të tmerrshme dhe të paprecedenta, për të njollosur përherë shtetin e Kosovës dhe shqiptarët”, ka thënë ai.
Kosova ka marrë përgjegjësi financiare dhe ka riparuar krejt dëmet që u janë bërë kishave serbe në trazirat e vitit 2004. Canolli ka thënë se ideja e ndarjes së Kosovës, kantonizimit dhe shpërbërjes ka qenë edhe më e hershme dhe ka qarkulluar në diskutimet akademike e politike serbe.
“Kjo është ideja e ‘kishë-shtetit’, një ide për të ruajtur mitin serb mbi Kosovën, si mit të gjallë e riprodhues të nacionalizmit serb”, ka thënë ai.
Ka përmendur se në Planin e Ahtisaarit (2007), që i ka paraprirë shpalljes së pavarësisë, janë dhënë të gjitha koncesionet e mundshme për mbrojtjen “sui generis” të kishave dhe manastireve ku luten serbët lokalë.
“Nuk ka marrëveshje në botë, kur kihen rrethanat politike parasysh, më të njëanshme për një komunitet/entitet etnik e fetar, sesa Plani i Ahtisaarit për mbrojtjen e kishave dhe objekteve që menaxhohen nga Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë”, ka thënë Canolli, i cili ka studiuar në Cambridge të Mbretërisë së Bashkuar. Sipas tij, Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe gjithmonë kanë synuar një “specialitet” jashtë Ahtisaarit, një monstrum ligjor të tipit të malit Atos, Vatikanit apo ndonjë lloj “trupi” tjetër.
“Si akademikët serbë, ashtu edhe organizatat joqeveritare të paguara nga shteti serb, kanë propaganduar së fundmi një sërë ‘zgjidhjesh’ për ‘trashëgiminë kulturore e fetare serbe në Kosovë’, siç e quajnë ata”, ka thënë Canolli. Sipas tij, edhe vendosja e Manastirit të Deçanit në listën e monumenteve të rrezikuara nga “Europa Nostra” është një propagandë shtesë në përgatitje të dialogut.
Sipas Canollit, Kosova duhet t’i njoftojë miqtë e saj, gjithë bashkësinë ndërkombëtare për punën e saj të madhe në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore, në mënyrë që t’i ndihmojnë Kosovës për rikandidim për t’u anëtarësuar në UNESCO.
Më 2015, Serbia me krejt mekanizmat e saj kishte lobuar që Kosova të mos bëhej pjesë e UNESCO-s.
“Kosova duhet të ketë plan të qartë në dialog: nëse hapet tema e trashëgimisë kulturore, nuk duhet tejkaluar asnjë presje përtej Ahtisaarit. Krejt çfarë Kosova duhet të bëjë është të tregojë se çfarë ka bërë e çfarë do të bëjë më shumë brenda kornizës së saj ligjore e kushtetuese që del nga Ahtisaari”, ka thënë Canolli.
Gabimet e institucioneve vendore në favor të palës serbe
Politologu Belul Beqaj ka thënë se ato që serbët i paraqesin si probleme të kishave në Kosovë janë bazë për të shkuar te një tjetër propozim.
“Çështja është mjaft serioze dhe nuk do të ndalen. Vuçiqi e ka synim ndarjen e Kosovës. Ata nuk do të ndalen me këtë. Do të thonë se shqiptarët duan të asgjësojnë të kaluarën e serbëve. Ata janë të tillë. Rrenën mundohen ta bëjnë të vërtetë. Qëllimin përfundimtar e kanë ndarjen e Kosovës”, ka thënë Beqaj me bindje.
Sipas tij, për këtë çështje qenë marrë vesh ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dhe këtë propozim tash Serbia mundohet ta kthejë edhe një herë. Beqaj ka përmendur rrugën e planifikuar Deçan-Plavë.
“Qasja ka qenë e mbrapshtë qysh prej rrugës për Plavë dhe shoqatat e historianëve që kanë reaguar. Tash problem është më u përballë me pasojat. Ne i kemi dhënë shkas edhe opinionit ndërkombëtar të reagojë”, ka thënë ai.
Sipas raportit përfundimtar të “Europa Nostras”, i cili është edhe arsyetim i këtij rangimi që i është bërë monumentit të Kosovës, që nga qershori i vitit 1999, Manastiri i Deçanit është ruajtur vazhdimisht nga trupat paqeruajtëse të KFOR-it, të udhëhequra nga NATO-ja.
“Përveç shqetësimeve të sigurisë, Manastiri me zonën e tij të veçantë mbrojtëse janë përballur me rreziqe të vazhdueshme të zhvillimit lokal të papërshtatshëm – në shkelje të shtetit ligjor – i cili do të minonte vlerat e një lokaliteti të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Veçanërisht shqetësues është plani për ndërtimin e një rruge ndërkombëtare – që lidh komunat e Deçanit / Dečani në Kosovë dhe Plavës në Mal të Zi - që do të kalonte përmes zonës speciale të mbrojtur dhe do të kalonte pranë portave të Manastirit”, shkruhet në raportin ku Kosovës i referohen me fusnotë. Sipas raportit, në verën e vitit 2020, punimet në rrugë u pezulluan dhe u arrit një marrëveshje, nën kujdesin e bashkësisë ndërkombëtare, për të ndërtuar një by-pass për këtë rrugë. E në dhjetor aty përmendej se “Manastiri ishte pre e sulmeve nga ekstremistë lokalë që shënonin edhe mbishkrimet IS-is”. Vetë kjo organizatë në dhjetor i kishte thënë KOHËS se bazë e tyre për këtë kualifikim janë raportet që shteti serb ia përcjell UNESCO-s çdo vit. Manastiri i Deçanit u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2004. Më 2006 ky status u shtri edhe në tri monumente të tjera të Kosovës. Manastiri i Graçanicës, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren po ashtu kanë hyrë në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik si “Monumente Mesjetare në Kosovë” e të cilat në këtë organizatë botërore janë nën emrin e Serbisë.
Këtë lobim që trashëgimia kulturore të jetë pjesë e dialogut midis dy shteteve e kishte paralajmëruar drejtori ekzekutiv i fondacionit kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, Sali Shoshi, qysh në dhjetor. Madje këtë çështje e kishte përmendur edhe në letrën që ia kishte dërguar asokohe “Europa Nostras”. Të premten ai ka thënë se kleri ortodoks serb në Kosovë nuk është i rrezikuar, por sipas ligjeve të Kosovës është palë vendimmarrëse sa i përket pjesës së trashëgimisë kulturore që shërben si objekt kulti për serbët.
“Duhet thënë hapur se ‘Europa Notra’ ka rënë pre e propagandës serbe qoftë nga njerëz brenda organizatës, qoftë nga ata që kanë lobuar nga jashtë”, ka thënë ai pasditen e së premtes në “Express Intervistë” në KTV. Sipas Shoshit, Kosova nuk duhet të pranojë që trashëgimia kulturore të jetë pjesë e dialogut midis dy shteteve, pasi monumentet që shfrytëzohen nga kleri serb janë të diskriminuara pozitivisht nëpërmjet vetë ligjeve të Kosovës si asnjë monument tjetër i vendit. Shoshi vazhdimisht ka qenë kritik për qasjen e “Europa Nostras” për Manastirin e Deçanit. Ka vazhduar edhe pas ngjarjes së mbajtur online të enjten, kur u prezantua lista e 7 monumenteve në rrezik të cilat do të ndihmohen me nga 10 mijë euro.
Akuzat e opozitës dhe bartja e fajit
Por pavarësisht krejt fushatës serbe, institucionet e Kosovës janë goxha të heshtura. Pasditen e së premtes ka bërë një reagim në Facebook ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. MKRS-ja ua ka rishpërndarë mediave edhe të shtunën.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë duke e trajtuar me përkushtim të plotë këtë çështje. Jemi duke zhvilluar konsultime të brendshme, si dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë për të përcaktuar hapat e ardhshëm për trajtimin e këtij problemi, të cilët do t’i ndërmarrim në ditët në vijim”, ka shkruar, midis të tjerash, Çeku. Ai në shkrimin e tij ka cituar edhe pjesë të letrës së Kurtit e të Osmanit.
Të shtunën ka reaguar ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, aktualisht deputet dhe ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj. Sipas tij, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Serbia është përpjekur të krijojë imazhin se monumentet kulturore dhe fetare të pakicës serbe në Kosovë janë të rrezikuara.
“Por ne kemi parandaluar vlerësime të tilla nga institucione me reputacion dhe ne jemi përgjigjur me diplomaci aktive dhe me mbështetjen e partnerëve tanë. Ajo që u bë e pamundur për vite u realizua në një kohë të shkurtër me ardhjen e qeverive Hoti dhe Kurti”, ka shkruar ai në Facebook. Hoxhaj ka kritikuar qeverisjen aktuale duke thënë se “ka qenë një fushatë mediatike dhe diplomatike e nxitur nga Beogradi qe disa muaj në lidhje me pozicionin e Kishës Serbe në Kosovë, dhe qëllimi është shumë i qartë, përveç qeverisë aktuale që nuk e kupton atë dhe nuk ka ide se si të përgjigjet”.
“Ne presim nga qeveria aktuale një strategji për t'iu përgjigjur fushatave diplomatike dhe propagandistike serbe kundër Kosovës. Ata duhet të zgjohen për të mbrojtur interesat e Kosovës dhe të mos heshtin para këtij dëmi që i ndodhi imazhit të Kosovës në Evropë”, ka shkruar ai. Por përderisa shteti serb dhe mekanizmat e tij po bëjnë fushatë ndërkombëtare kundër Kosovës, politikanët kosovarë po shkëmbejnë akuza mes vete.
Serbia qysh prej vitit 1999 mban të paktën 1244 artefakte arkeologjike dhe etnologjike të Kosovës që i kishte marrë me qëllim të “ekspozimit të përkohshëm”. Në anën tjetër edhe humbjet e pulave nga manastiret e shfrytëzuara, nga serbët paraqiten si “plaçkitje e pronës nga shqiptarët”.