Shahini komenton premtimet e kundërkandidatëve

39 min. më parë / 20 sht 2025 21:28
Besa Shahini

Besa Shahini, kandidate e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, ka komentuar premtimet e tre kundërkandidatëve të saj.

Sipas saj, premtimet e Përparim Ramës së LDK-së, Hajrulla Çekut të VV-së dhe Uran Ismailit të PDK-së, nuk janë zgjidhje për qytetarët. Ajo i ka kritikuar për qasjen e tyre karshi sheshit “Xhorxh Bush” në qendër.

“Tre kundërkandidatët nga PDK-ja, LDK-ja dhe VV-ja po merren me sheshin. E nisi Përparimi me idenë që do ta bëjë sheshin një qendër tregtare, thuajse kemi nevojë për të në qendër, me buxhet prej 18 milionë eurosh, me të cilat do t’i ndërtoja 5-6 shkolla me shumë lehtësi. S’mori leje të nevojshme e pastaj Hajrullahu u përfshi dhe tha jo unë i bllokoj këto punime. U bë fushëbetejë kryesore për komunën e Prishtinës në shesh, që s’është fare prioritet për banorët e Prishtinës. Edhe Urani u përfshi gjithashtu dhe tha që të mos mbetej mbrapa kësaj beteje, gjoja mbyllja e sheshit paska shkaktuar trafikun. Tregon injorim total të situatës se si është realisht. S’di çka të them tjetër për prioritetet e tyre. Prioritetet e tyre të caktuara nga tre kundërkandidatët kryesorë në Prishtinë nuk janë që zgjidhin problemet e qytetarëve. Në asnjë nga takimet që kam bërë deri tash, askush s‘ma ka përmend sheshin”, ka thënë ajo.

Shahini synon mirëmbajtjen e Prishtinës me “mjeshtrin e lagjes”

54 min. më parë / 20 sht 2025 21:13
Besa Shahini

“Mjeshtri i lagjes” është ai që do të mundësonte mirëmbajtjen më të shpejtë të kryeqytetit dhe problemeve që mund të shfaqen papritmas, sipas Besa Shahinit, kandidate e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës.

“Deri banorët të marrin vesh adresën se ku duhet të thërrasin, gjërat mund të rregullohen me ‘mjeshtrin e lagjes’. Ai përbëhet nga punonjës të ndërmarrjeve publike, dikush nga Pastrimi, dikush nga NPB-ja, dikush nga kompania e Gjelbër që krijojnë kompani të vogla brenda lagjeve dhe çdo prishje adresohet menjëherë nga ta, e nëse ka diçka më shumë e dinë kë të kontaktojnë”, ka thënë ajo në 038 në KTV.

Sipas saj kjo do të mundësonte mirëmbajtje më efikase.

E shërbim tjetër “mjeshtri” mund të ofrojë edhe brenda banesave, me pagesë, e që këto mjete do të ndihmonin në financimin edhe për punët për pjesën publike.

Besa Shahini premton 30 çerdhe

1 o. më parë / 20 sht 2025 20:49
Besa Shahini premton 30 çerdhe

Besa Shahini, kandidate e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, ka premtuar 30 çerdhe e kopshte për fëmijë.

Sipas saj, kjo do të bëhej në një metodë të re të ndërtimit që kushton më pak.

“Ndërtim parafabrikat. Është metodë e re që mund t’i çmontosh dhe t’i çosh aty ku ka nevojë. Kryesisht do t’i bëjmë në katet e para të ndërtesave të reja, ku hapësirat do t’i marrim me qira dhe prindërit mund t’i lënë fëmijët në kopshtet afër shtëpive të tyre”, ka thënë Shahini.

Sipas saj, kjo do të ndikonte edhe në rritje të punësimit të grave, për shkak se ato s’do të detyrohen më të rrinë në shtëpi për shkak të çmimeve të shtrenjta të çerdheve.

Shahini i ka premtuar edhe 10 shkolla të reja për të mundësuar mësimin tërëditor.

 

Plani i Besa Shahinit për ulje të çmimit të banesave për blerje dhe qira

1 o. më parë / 20 sht 2025 20:30
Besa Shahini

Besa Shahini, kandidate e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, ka thënë se janë tri politika që duhet ndjekur për të ulur çmimin e banesave për blerje dhe qira në kryeqytet.

Ajo ka thënë se nëse fiton zgjedhjet më 12 tetor, do të synojë që Komuna të futet vetë në ndërtim.

Sipas saj, me futjen e Komunës në ndërtim, banesat do të shiteshin me çmim afër çmimit të ndërtimit (500-600 euro) dhe kjo do të ndikonte që mijëra familje të siguronin banim me çmim më të leverdishëm.

Tjetër premtim i saj në këtë pikë është që komuna ta rishikojë taksën e ndërtimtarëve dhe në këmbim të saj të marrë banesa e t’i përdorë për banim të përballueshëm.

“Taksa e moshsfrytëzimit”, sipas saj, është politikë tjetër e domosdoshme. Ajo ka premtuar iniciativë për ngritje të tatimit për banesat e pashfrytëzuara, në mënyrë që të nxisë futjen e tyre në treg për qira apo shitje. Sa më shumë banesa në treg, sipas saj, do të bënte që të ulej çmimi. Për këtë ka thënë se do të synojë nismë ligjore me peticion.

Premtim tjetër për banimin, nga Shahini, është ai që Komuna të veprojë proaktivsht për fletat poseduese të banesave dhe legalizim të tyre, e të mos presë kërkesat e qytetarëve.