Situata politike dhe mosdefinimi i statusit ligjor janë ndër arsyet se pse Agjencia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë - UNESCO, vazhdon t’i mbajë manastiret serbe në Listën e objekteve të rrezikuara në Kosovë. Derisa Serbia ka arritur që edhe në takimin e fundit të Komitetit përkatës ndërqeveritar në UNESCO ta shtyjë këtë status të kishave, në qeverinë e Kosovës nuk treguan nëse ka pasur angazhim për ta ndryshuar realitetin në organizatën ku synon anëtarësimin
Manastiret serbe në Kosovë vazhdojnë të mbesin në Listën e objekteve të rrezikuara, mbështetur në dokumentet e fundit që janë duke u trajtuar në Agjencinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Kjo u konfirmua edhe në mbledhjen e 46-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që po zhvillon punimet në Nju-Delhi të Indisë, prej 21 deri më 31 korrik.
Mbështetur në dokumentet e publikuara, krahas kërkesave për konservim si arsyetim për rrezikun që u kanoset monumenteve serbe përmendet edhe situata politike në Kosovë.
“Kërcënimet për të cilat prona ishte e regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik janë: Mungesa e statusit ligjor të pronës; Mungesa e mbrojtjes legjislative në tampon zona; Mungesa e zbatimit të Planit të Menaxhimit dhe të menaxhimit aktiv; Vështirësi për të monitoruar pronën për shkak të paqëndrueshmërisë politike, situatës pas konfliktit (vizitat nën përcjelljen e Forcave të Kosovës/Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (KFOR/UNMIK) dhe mungesa e rojave dhe sigurisë); Gjendje jo e kënaqshme e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së pronës”, shkruan në dokumentin e titulluar: “Konventa lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore botërore” e Komisionit Ndërqeveritar.
Më tej përmenden rrethanat që konsiderohen të favorshme për largimin e objekteve nga Lista e rrezikshmërisë.
“Gjendja e dëshiruar e konservimit për heqjen e pronës nga Lista e Trashëgimisë Botërore në Rrezik: Mbrojtja e plotë dhe e përhershme e pronës në një mjedis politik të sigurt dhe të qëndrueshëm; Plani afatmesëm i dakorduar për restaurimin e pikturave murale (përfshirë konservimin parandalues dhe rehabilitimin e pronës; Zbatimi i Planit të Menaxhimit dhe vendosja e plotë e zonave dhe kufijve tampon duke përfshirë mbrojtjen e tyre ligjore”, shkruan në dokument.
Sipas këtij Komiteti, në vitin 2023, gjendja e konservimit të tre prej katër komponentëve të Manastirit të Deçanit, Patrikanës së Pejës dhe Manastirit të Graçanicës mbeti e pandryshuar dhe veçoritë e tyre u ruajtën.
“Megjithatë, gjendja e konservimit të komponentit të katërt, Kishës së Virgjëreshës së Shenjtë të Ljevishës (Shën Premtes) në Prizren, është në rrezik për shkak të situatës gjithnjë e më të paqëndrueshme politike dhe të sigurisë. Prona menaxhohet nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Zyrën për Kosovë dhe Metohi të Republikës së Serbisë, zbaton menaxhimin e saj, planin për kërkime, konservim dhe punë të tjera të ngjashme sipas programit vjetor të miratuar”, shkruan në dokumentin e Komitetit.
Tek flitet për Manastirin e Deçanit, aty nuk përmendet vendimi i Qeverisë së Kosovës përmes të cilit ia njeh të drejtën e pronësisë për 25 hektarët, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Rruga hyrëse për në Manastir sigurohet nga barrikadat e Forcave të Kosovës (KFOR). Pavarësisht Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, prona e Manastirit të Deçanit raportohet se i nënshtrohet përdhosjes sistematike dhe konfiskimit të paligjshëm. Bashkësia e Manastirit të Deçanit nuk është në gjendje të gëzojë pronësinë e 24 hektarëve, përkundër aktvendimit të autoritetit më të lartë ligjor...”.
“Monumentet mesjetare serbe në Kosovë” janë futur në listën e UNESCO-s të Trashëgimisë Botërore në Rrezik në vitin 2006 me iniciativën e Serbisë. Aty përfshihen Manastiri i Deçanit, Graçanicës, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Levishkës (Shën Premtes).
Kosova nuk është anëtare e UNESCO-së. Në qeverinë aktuale nuk kanë treguar për veprimet e ndërmarra si vend joanëtar në funksion të ndryshimit të gjendjes.
Me gjithë premtimet e shumta, ekzekutivi po ashtu nuk ka treguar se kur planifikon të aplikojë për anëtarësim në UNESCO.
Dështimi për t’u anëtarësuar në UNESCO në vitin 2015 ishte cilësuar dështim më i madh diplomatik. Atëbotë një grup i madh shtetesh mike të Kosovës qe angazhuar në fushatën lobuese, duke bërë që Ministria e Jashtme ta merrte thuajse punë të kryer anëtarësimin në UNESCO. Drejtues të shtabit lobues të angazhuar në proces madje ironizonin me ata që dyshonin në aftësitë e tyre se Kosovën nuk do të mund ta anëtarësojnë në UNESCO. Por në fund për tri vota Kosova nuk i arriti dy të tretat e domosdoshme. Kundër Kosovës në UNESCO votuan 50 shtete, ndërsa abstenuan 29 sosh, në mesin e tyre edhe vende që e kanë njohur shtetin e Kosovës, si Polonia e Japonia.
Gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në vitin 2019, ishte rikthyer në agjendë riaplikimi në UNESCO. Por, më pas u zmbraps pasi paraprakisht ishte tërhequr edhe nga aplikimi për anëtarësim në INTERPOL. Zmbrapsja ishte arsyetuar për shkak të rrethanave të pafavorshme për Kosovën.