SOT

Nxënësit e shkollës së muzikës ndërtojnë instrumente muzikore nga materialet

Nga 27 deri më 31 tetor, Prishtina dhe Prizreni do të mbushen me tinguj të jashtëzakonshëm në edicionin e 24-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “ReMusica”.

Dita e parë e festivalit nisi me një aktivitet shumë të veçantë, fëmijët e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë ndërtuan instrumente muzikore përmes materialeve të riciklueshme.

Vullnetarja e festivalit, Drita Rudi, teksa shoqëronte fëmijët në aktivitet, tha se ata mezi e kishin pritur punimin e instrumenteve përmes plastikës dhe secili kishte ardhur me ide të ndryshme për të krijuar një instrument muzikor.

“Aktiviteti i sotëm është pjesë e ReMusica Junior, ku çdo vit organizohen aktivitete të ndryshme për fëmijët. Sot, ata po punojnë instrumente me materiale të riciklueshme. Ishin të befasuar kur mësuan çfarë do të punonin, janë gjëra që zakonisht hidhen, por sot po i kthejmë në instrumente muzikore”, thotë Rudi.

Kastanjeta, tupanë, def, violinë dhe shumë instrumente të tjera fëmijët i punuan me materiale të riciklueshme, me qëllim që të zhvillojnë vetëdijen për mbrojtjen e mjedisit dhe të mos i hedhin këto materiale në tokë.

“Kastanjeta, kuti letre të mbushura me oriz e fasule, me to po bëjnë muzikë. Nxënësit sot kanë përgatitur edhe tupanë, dhe qëllimi i aktivitetit është të ruajmë ambientin për një të ardhme më të mirë. Në ditët në vijim do të kemi edhe koncerte dhe ndërtimin e instrumenteve të tjera me fëmijë të ndryshëm. Është diçka që i afron me muzikën dhe i fut në botën e saj”, thekson Rudi.

Aktiviteti i parë u zhvillua me fëmijët e shkollës “Prenk Jakova”, por nuk do të jetë i vetmi. Gjatë kësaj jave, edhe fëmijët e tjerë të kryeqytetit do të kenë mundësi të krijojnë instrumente të ngjashme në ditët në vijim.

“Këta fëmijë janë të shkollës ‘Prenk Jakova’, por të premten aktiviteti do të jetë i hapur për të gjithë fëmijët e kryeqytetit”, tregon Rudi.

Nxënësja e klasës së dytë në këtë shkollë, Jona Tolaj, përmes shisheve të detergjentit ka punuar instrumentin e saj të preferuar, violinën.

“Mësuesit na treguan të enjten për aktivitetin që do ta mbajmë të hënën dhe na thanë të sjellim gjëra plastike. U thashë që di ta bëj violinën nga plastika. Në fundjavë e punova në shtëpi dhe sot e solla. Mora një shishe detergjenti, e ngjyrosa dhe bëra violinën time të preferuar. Më pëlqen shumë, kur të rritem dua të bëhem këngëtare ose pilote”, thekson Tolaj.

Ky edicion me “ReMusica Junior” sjellë një program të veçantë për fëmijë, që përfshin koncerte, punëtori dhe aktivitete interaktive të krijuara, për të nxitur kuriozitetin dhe kreativitetin e tyre.

Këtë vit me temën “Contrasts”, festivali sjell një udhëtim unik mes traditës dhe modernitetit, ku stilet ndërthuren dhe krijojnë një harmoni të veçantë. Po ashtu janë planifikuar 18 koncerte dhe mbi 160 artistë të shquar nga skena ndërkombëtare dhe vendore, tryeza diskutimi, punëtori e aktivitete tjera.