Veprat e tij nuk kanë kufij. Përkundrazi, koloriti i tyre bashkë me kuptimësinë, shpesh duken sikur dalin përtej kufizimit katëranësor të mbi 30 veprave dhe shtegtojnë në mesazhe shumëdimensionale. “Përtej ngjyrave” nga Visar Mulliqi në Galerinë Nacionale “Çifte Hamam” në Shkup kumboi për tetë ditë me mesazhin e përballjes së të mirës e të keqes në kërkim të optimizmit
Në çdo vepër ku brusha e tij ka lënë gjurmë në pëlhurë, vërehet liria krijuese. Ai shkon përtej të përshkruarit të realitetit në pikturë. Jep edhe diçka prej vetes për çdo protagonist që e krijon. Siluetat, njerëzit e shpezët janë kryeqeniet e veprave, të cilat shfaqen në skenën e frymëzimeve të tij përmes gjendjes së tyre shpirtërore. Nganjëherë e mira vihet përballë së keqes, e herë e kundërta, duke mundësuar përmes koloritit të dukshëm ekspresionist daljen e një ylberi që pasqyron të brendshmen përmes të jashtmes.
Pikërisht kjo e ka bërë që emrin e ekspozitës së 18-të tij ta pagëzojë “Përtej ngjyrave”. Bojërat në këtë rast janë veç një mjet për shprehjen e kuptimeve të shumta të krijimeve të trevjetëshit të fundit të Visar Mulliqit, të cilat u mbështollën në Galerinë Nacionale të Shkupit “Çifte Hamam” përmes kuratorit Zeni Ballazhi për tetë ditë me radhë, për ta pasur ceremoninë përmbyllëse mesditën e së premtes.
“Afër perëndimit”, “Një varkë në breg”, “Jashtë, përmes dritares”, “Ende zgjuar”, “Një këngë e zogut në mëngjesin e hershëm”, “Zhurmat e të shtënave”, “Në festë të pafundme” janë copëzat krijuese të mozaikut artistik.
Mbi 30 vepra në formate të ndryshme, e sidomos në madhësi tejet të larta e të dukshme për syrin, nuk kishin se si të vinin për publikun kosovar në ndonjë galeri vendore për shkak të mungesës së kapaciteteve institucionale.
Andaj artisti Mulliqi bashkë me kuratorin Ballazhi e panë galerinë në “Bit Pazar” si më të duhurën për ekspozimin e tyre.
Edhe
Visar Mulliqi rrëfen me vepra shumëngjyrëshe në kryeqytetin francez
Vetëreflektimi dhe kontrasti
“Ekspozita është me punime nga tre vjetët e fundit, por siç them unë, është produkt i tri dekadave gjatë të cilave punoj”, ka thënë Mulliqi për KOHËN. Ai njihet për frymën e tij ekspresioniste, bashkëkohore e për vepra të dukshme për syrin e publikut. E cilëson këtë ekspozitë si treguese të llojllojshmërisë së punimeve të tij.
“Kam qejf të luaj me koloritet, por kohëve të fundit i kam futur pak figuracion që t’i jap sado pak mesazh që vetë shikuesi të hyjë në pikturat e mia dhe ta shohë veten”, thotë profesori në Fakultetin e Arteve, teksa insiston që secili duhet ta kuptojë mesazhin ashtu siç do vetë.
Sipas tij, çdo vepër krijuese është një identifikim i vetë autorit për gjendjen e tij emocionale, por shton se kësaj radhe ka tentuar të jetë pozitiv. “Sikurse gjatë luftës në Kosovë kur ka qenë gjithçka jashtëzakonisht vështirë, unë me piktura tentoja ta bëja një lloj optimizmi”, tërheq ai një paralele me ngjarjet e situatën e 22 vjetëve më parë. “Në veprat e mia janë bota shtazarake, siluetat e njerëzve, rrethi ku jetojmë, peizazhet nëpër Kosovë që gjatë ecjes me makinë shihen zogjtë e panoramat”, përshkruan piktori i cili ka nisur rrugëtimin me artet pamore që nga vitet ’90. “Në çdo pikturë shihet një stoicizëm, një e mirë ndaj të keqes ose një egërsirë me një qenie pak më të brishtë”.
Përveç krijimeve të cilat gati shkojnë në frymën abstrakte me përfshirjen e qenieve, formave dhe emocioneve të ndryshme, ai i ka përmbledhur edhe disa tema në një pikturë, duke marrë diçka nga urbania për ta vënë në shërbim të artit.
“E kam një cikël që i quaj ‘si fasada të banesave’ ku mbizotërojnë tiketa të fasadave tona, por që unë kam luajtur me to dhe i kam gërshetuar pesë pikturat e vogla në një pikturë të madhe”, tregon ai, teksa brenda një tabloje vëreheshin fytyra njerëzish, shkrime me mesazhe artistike e shpezë.
“Çdo etiketë, billboard është pikturë në vete dhe desha t’i përmbledh në një pikturë. I kam edhe disa dorëshkrime, ato janë si lloj kodesh që secili e kemi atë kodin tonë dhe s’është e rëndësishme ta kemi të dekoduar. Prej një shëmtire tentoj ta bëj një fasadë të bukur për shikuesit”, përfundon Mulliqi.
Emërtimi “Përtej ngjyrave” shpreh lirinë krijuese, e cila del përtej kufizimit nga katër anët të një pikture, por që hyn në një botë të thellë kuptimesh të ndryshme.
“Koloriteti, gërshetimi, llojllojshmëria e tekstura e pikturës është shumë e madhe dhe ekziston si e tillë që të mos shihet vetëm koloriteti, por që secili artdashës të shohë edhe përtej ngjyrave”, tregon artisti veprat e të cilit kanë rrugëtuar në Japoni, Belgjikë, Gjermani e Zvicër.
Determinimi te koloriti
Të njëjtën e konfirmon edhe kuratori Zeni Ballazhi, të cilët nisën bashkëpunimin para një viti për këtë ekspozitë.
“’Përtej ngjyrave’ ka rrjedhur pikërisht nga koncepti në tërësi, nga ngjyrat të cilat janë tejet të ndezura, dëshirojnë të dalin përtej kornizave të veprës, jashtë tablosë që ai na i shpalos”, tregon ai për KOHËN.
Edhe
“Përtej syve” me tablotë ekspresive midis realitetit dhe perceptimit
Për kuratorin, përzgjedhja e veprave s’ka qenë e lehtë për shkak të përshtatjes me hapësirën, por që sipas tij, ekspozimi i tyre në “Çifte Hamam” ka bërë që edhe publiku ta mirëpresë ekspozitën.
“Janë vepra tepër ekspresive dhe ekspresioniste, nganjëherë duken edhe abstrakte, ky ekspresionizëm vjen përmes veprave, sidomos përmes këtij formati të madh të tyre, e cila edhe e bën Visarin të veçantë dhe artist të madh”, u shpreh Ballazhi.
Ai është optimist për rrugëtimin e këtyre frymëzimeve krijuese edhe në qytetet e tjera, teksa pohon se ndërlidhja e veprave me njëra-tjetrën është zinxhirore.
“Nëpërmjet veprave ai shpalos idenë, kreativitetin e natyrën e tij e që nganjëherë e thotë se është tejet origjinal. Çdo vepër është konceptuale, mbi ngjyrën dhe atë që ne e shohim”, përfundon kuratori Zeni Ballazhi.
Ceremonia e mbylljes së ekspozitës ishte modeste, me disa pjesëmarrës të cilët vlerësuan frymën që jepte kjo ekspozitë. Njëri nga ta ishte edhe Nikola Eftimov, disenjatori i modës dhe profesor në Institutin Ndërkombëtar të Modës “Izet Curri” në Shkup.
“Isha dje për të parë ekspozitën vetë dhe sot jam me studentët e mi. Është e tillë që bashkë me pikturat, është inspiruese për studentët sepse kanë afërsi me dizajnin e modës”, vlerësoi ai. “Kjo s’është vetëm për shkak që mund të përkthehet edhe në fotografi e dizajn të modës, por për shkak që është eksperiencë e mirë edhe për kulturën, sidomos vizuale”.
Ai ka çmuar kompozicionin dhe mënyrën se si artisti i interpreton veprat.
“Më pëlqeu sensi i lirisë se si është shfaqur gjatë procesit të pikturimit, vërehet në shenjat e brushës”, përfundoi Eftimov.
Mbresa pati edhe studentja e tij nga Gjakova, Albulena Baftijari.
“Fillimisht mundësia e ardhjes në një ekspozitë të tillë është pozitive, sidomos për studentët, sepse është motivim për krijim në profesion, e sidomos për kuptimet e pikturave”, ka thënë ajo.
Studentja me banim në Shkup e pranoi se që në hyrje të ekspozitës, motivet aty i dhanë ide të reja për krijime.
Edhe
Veprat e Ferrit – freskia optimiste e kohërave të vështira
“Më pëlqeu më së shumti kombinimi i ngjyrave, po të thellon të mendosh më shumë. Secili po tentojmë t’ia gjejmë kuptimin pikturës pa ia lexuar titullin”, ka thënë Baftijari.