Si një rrugëtim shumëngjyrësh në shprehje, e përshkruan edhe vetë Muhamet Ahmeti – Metis punën e tij mbi tri dekada, të cilën e ka përmbledhur në ekspozitën që është hapur në fundvit, në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Pos që shpalos reagimin artistik nëpër kapituj të ndryshëm historie, në ekspozitë vërehen edhe kapërcimet në zhanre
Figurat në formë të njeriut ngadhënjejnë tablotë e artistit Muhamet Ahmeti. Si imazhe të veçanta që dallojnë nga njëri-tjetri, ato paraqiten në pjesën më të madhe të punimeve të artistit që njihet me pseudonimin Metis.
Portretet e njerëzve në këndvështrime të ndryshme arrijnë të përcjellin harmoninë e bashkëjetesës. Është e qartë që rreken në krijimin e individualitetit. Këtë grafisti e piktori ua mundëson nëpërmjet përdorimit me mjeshtëri të ngjyrës që dominon shumicën e punimeve. Se bëhet fjalë për popullin e tij vërehet në plisin që arrin të shfaqet tek-tuk. Te gratë shprehet përmes një pëlhure në kokë. Personazhet e tij mundohet edhe t’i nxjerrë nga realiteti i zymtë. Këtë e bën nëpërmjet ngjyrave të ndezura e unitetit të tyre. Si një rrugëtim shumëngjyrësh në shprehje, e përshkruan edhe vetë autori punën e tij mbi tri dekada, që e ka përmbledhur në ekspozitën që është hapur në fundvit, në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Ai aty ka zgjedhur të ekspozojë piktura me format muzeal duke dëshmuar që këto punime janë prezantuar dhe mund të përshtaten edhe me galeritë e vendeve të botës. Meqë punën e tij e ka shfaqur gjithandej, ka përzgjedhur këtë vend si mundësi edhe për studentët që të mund t’i shohin këto punime.
“Ne që jemi pjesë e Fakultetit të Arteve e kemi detyrim, pasi që i kemi studentët që vazhdimisht vijnë në këtë galeri dhe i shijojnë ekspozitat”, ka thënë Ahmeti, i cili është profesor i rregullt i dizajnit grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Pikturat e tij veçohen për kombinim të dinamikës së ngjyrave me rrëfime dhe përjetime të artistit nëpër kohë të ndryshme. Si të tilla përfaqësojnë periudha historike. Ai nuk i shkëputet lehtë së kaluarës. Grumbuj njerëzish takohen në piktura dhe bëjnë një kthesë në kohë eksodi dhe reflektim mbi lirinë. “Kohë shqetësimesh” dhe “Rikthim e nostalgji pas luftës” zbërthehen nga pasurimi i ngjyrave. Në ciklin “Kujtesë e histori” universi i trupave në pikturë është i zhytur në flakë.
{gallery}
“Është përshkruar braktisja e vendit dhe njerëzit që detyroheshin të largoheshin me dhunë”, tregon ai. Më pas është një histori rilindjeje. Sipas artistit, liria e ndjell edhe një mënyrë më të guximshme të të prezantuarit në art. Ahmeti vlerësohet si tejet ekspresiv në telajo dhe i zhdërvjellët në krijimtarinë e tij që veçohet se ka një vijueshmëri harmonike.
“Kur e kemi lirinë ne duhet të jemi më kërkues dhe duhet të gjenerojmë art më të guximshëm. Duhet të kërkojmë një art për trendë botërorë e veprat e fundit ‘Vendi im magjik’, ‘Botë magjike’ kanë pasur një kritikë të vlerësuar kudo që janë ekspozuar”, ka treguar Ahmeti, i cili synon të punojë me alternativa dhe vizion tjetër. Deri tani ka realizuar 11 ekspozita personale e ka marrë pjesë në 130 ekspozita, festivale e simpoziume të përbashkëta kombëtare dhe ndërkombëtare si në Shqipëri, Maqedoni, ShBA, Suedi, Kore Jugore, Portugali, Iran, Egjipt, Malajzi e shumë vende të tjera.
Me ekspozitën “30 vjet krijimtari” ai ka përuruar edhe librin monografik me mbi 100 punime. Përveç punimeve nga koha e luftës, pikturat e tij përfshijnë edhe luftën me pandeminë. Ndryshe prej pikturave që flasin për të kaluarën, aty njeriu është paraqitur i vetëm, por qëndron stoik në lëvizje. Pikërisht në punimet që mbajnë vulën e vitit 2021, Ahmeti ka zbrazur me shumë ngjyrë e disa prej veprave ua ka vënë emrin “Botë magjike” e “Vendi im magjik”. Punime të tjera janë në kërkim, ashtu siç e kanë dhe titullin. Preokupimi kryesor i piktorit është njeriu në hapësirë dhe kohë evolutive historike, reale e mitike. Si të tilla, punimet e tij artistike janë shpalosur e krijuar edhe në shumë vende të botës. Krijimtaria e tij vlerësohet se mbledh rrëfime e kujtime personale të artistit. Me këtë mban qëndrim ndaj realitetit. Artisti përmes pikturave vlerësohet se tenton të vërë në lëvizje emocionet e të krijojë një fushë energjike që e lidh autorin me veprën dhe publikun.
“Gjatë krijimtarisë së tij 30-vjeçare Metis krahas ilustrimeve ka krijuar pikturat me një gjuhë vizuale, forma dhe ngjyra, ku artisti trajton lidhjen njerëzore, kujtesën dhe ndjesinë. Këto punime ekspozojmë gjendje emocionale të pasigurisë fluide, shpresën për një shoqëri në të cilën mund të pranohen një mori realitetesh”, shkruhet në përshkrimin që ia ka bërë ekspozitës kuratorja Majlinda Kelmendi.
Përveç pikturave, një kënd të murit të ekspozitës shpalos veç ilustrimet e Ahmetit. Ato janë në funksion të plotë përmbajtjesor dhe që e plotësojnë atë që s’mund të thuhet me fjalë. Këto punë i përkasin edhe periudhës ku Metisi po e zhvillonte krijimtarinë e tij në revista e gazeta gjatë viteve ‘90. Në cilësinë e redaktorit artistik dhe ilustruesit në “Zëri”, ai përcillte zhvillimet politike të Kosovës në ish-Jugosllavi. Këtë e bënte me ilustrime tematike dhe satirë thumbuese të kohës. Sot, si pjesëmarrës i shumë aktiviteteve në botë që lidhen me ilustrimin, mund të përcjellë mesazhe universale.
Ekspozita “30 vjet krijimtari” e Muhamet Ahmetit do të qëndrojë e hapur deri më 10 janar në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë. Derisa opusi i tij krijues është shumë i gjerë dhe shkoqitet me tablo tematike, Ahmeti do të vazhdojë punën e tij, veçse kësaj here më i fokusuar në të tashmen.