Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Përlindja e Shqipëniës” mbi mizoritë e pushtuesve serbë e grekë ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit

Si periodik zyrtar i Qeverisë së parë shqiptare, “Përlindja e Shqipëniës” zë fill më 24 gusht të vitit 1913 dhe mbyllet më 28 mars të vitit 1914. Janë 56 numra gazete, që ofrojnë material të vlefshëm për studiuesit shqiptarë. Në shkrimet e saj janë edhe dëshmi e kronikës mbi mi­zoritë e pushtuesve serbë e grekë mbi popullsinë ci­vi­le të trojeve të mbetura jashtë kufijve të shtetit shqip­tar

Periodiku zyrtar i Qeverisë së parë shqiptare, asaj të Vlorës, me titull “Përlindja e Shqipëniës”, erdhi i plotë në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në një riprodhim fotostatik, por edhe online në portalin e albanologjisë së dy bibliotekave kombëtare, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, ashtu si vetë Qeveria e Ismail Qemalit, pati një jetë të shkurtër. kryeredaktor ishte Dhimitër Berati, gazetar e politikan, një nga nënshkruesit e Dek­laratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Aty kontribuoi edhe veprimtari i çështjes kombëtare, luftëtari i çetës së Çerçiz Topullit, botuesi, shkrimtari dhe publicisti Mihal Grameno. Përveç Gramenos, të tjerë emra që shkruanin në faqet e kësaj gazete ishin: Kristo Floqi, Pietër Kakarriqi, Dionis Karbonara, Kostë Çekrezi etj. “Përlindja e Shqipëniës” zë fill më 24 gusht të vitit 1913 dhe mbyllet më 28 mars të vitit 1914. Janë 56 numra gazete, që ofrojnë material të vlefshëm për studiuesit shqiptarë.

Misionin e saj gazeta e shpalli që në nëntitull: “Organ për (të) me mprojtur të drejtat kombëtare” dhe e ushtroi duke botuar në faqet e saj analiza të thella e të plota mbi gjendjen politike në Shqipëri, situatën ndërkombëtare, politikën e jashtme të Qeverisë për mbrojtjen e interesave kombëtare, si dhe kronika të paharrueshme të mizorive të pushtuesve serbë e grekë mbi popullsinë civile të trojeve të mbetura jashtë kufijve. Shumica e kryeartikujve ishin politikë dhe i kushtoheshin mbrojtjes së interesave të vendit dhe luftës ndaj faktorëve kundërshtarë të brendshëm e të jashtëm të bashkimit e të përparimit të tij, gjithmonë nga këndvështrimi i Qeverisë së I. Qemalit. Në brendësi të gazetës, veç artikujve plot patos patriotik, gjen lajme të ndryshme nga vendi e bota, njoftime (lajmim apo zadhanie) e deri te rubrikat kulturore, copëzat letrare e shkrime në shërbim të krijimit të një shoqërie të emancipuar shqiptare. Kjo gazetë, në kuadrin e rëndësisë së saj të përgjithshme, pati rëndësi edhe si dëshmitare e historisë së gjuhës shqipe dhe administratës shqiptare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Që në numrin 6 të saj, datë 30 gusht 1913, gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, boton këtë “Lajmim”: “Pas dëshirës dhe n’emën të Zotëniës se Tij Kryetarit të Qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet që të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit. Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a lipsen npunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…” Në numrin 10, të datës 13 shtator 1913, botohet edhe urdhri i Ministrisë së Arsimit mbi hapjen e shkollave fillore shqipe të detyrueshme që prej 16 shtatorit 1913. Vendimet e mësipërme kishin një rëndësi të madhe jo vetëm për vetë gjuhën shqipe, që fitonte me këtë rast një funksion të ri shumë të rëndësishëm shoqëror, por njëkohësisht edhe përforcimin e karakterit të pavarur e të autoritetit të shtetit të ri shqiptar./Bendis Pustina, “përlindja e shqipënisë”, ja çfarë shkruhej në gazetën e parë të vlorës/

“...Kosova n’a përket nga te gjitha pikëpamjet. Ngado të shikosh këtë vënt, as më nj`anë s`ka ngjollë të huaj...”

“Perlindja e Shqipëniës”, i jep një dimension të veçantë bashkimit të shqiptarëve me shkrimin “Kosova asht jona” apo “Serbia dhe kryengritja e Kosovës” etj. Në këto shkrime shkruhet qartazi se Kosova nuk i përket Serbisë ashtu siç pretendohet nga të huajt, por ajo është tokë shqiptare. U bëhet thirrje dhe atyre që nuk duan ta pranojnë të vërtetën, të ndalen për pak dhe të shikojnë drejt. Nga analiza që i është bërë tekstit besohet se është shkruar nën drejtimin e kryeministrit Ismail Qemali dhe drejtorit Dhimitër Berati.

Ky shkrim ishte edhe një kundërshtim publik i vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, sipas të cilës Kosova i jepej Serbisë.

“...Kosova n’a përket nga te gjitha pikëpamjet. Ngado të shikosh këtë vënt, as më nj`anë s`ka ngjollë të huaj. Flasin për Prishtinë, Ipek, Gjakovë, Prizdren, Diber, Oher, Stugë e vise të tjera në shëmbull të këtyne... Edhe në past, po, vënde të këtilla janë fort të rallë... Në Greqi ka shqiptarë sa s`bahet; Në Bullgari ka turq, vlleh, grekër; në Serbi ka bullgarë, vlleh, shqiptarë, në Mal-të-Zi ka shqiptarë sa të kërkoni...Dihet se gjermanët, italianët e austriakët e kanë shtudiuar ma se miri atdheun t`onë; po serbët qahen kundër shkrimeve të këtyne duke thanë se nuk e kanë treguar të vërtetën. Serbët janë armiqt e së drejtës, e dimë... Pardje tha Evropa: Kosova u mbete serbëve sepse derdhen gjak e gjaku duhet shpërblyer. Sot shqiptarët, në një luftë bujare po e derdhin gjakun pa kursim. Çdo të thotë Evropa? Na presim të na apë bukën e përditme dhe nderin tonë, fushën që na ep bukën dhe malet që na ruajnë nderin”, thuhet pos të tjerash ne editorial. /“Përlindja e Shqipënies”, Viti I, Nr, 15, 1913/.

Image
“Pardje tha Evropa: Kosova u mbete Serbëve sepse derdhen gjak e gjaku duhet shpërblyer. Sot shqiptarët, në një luftë bujare po e derdhin gjakun pa kursim....”

“Kosovasit i duruan të këqiat sërbiane aq sa munt t`i duronte njeriu q`asht i stërvitëm më të vojtmet”

“Qeveria e jonë, në thirrjen e saj te Fuqiët e mëdha tregon shkakun te vërtetë të lëvizjes në Kosovë, kërkon të ndaher kufini sa më shpejt dhe me një mënyrë që vendësit e dishpruem të t`atyne viseve, të mundin të rnojnë njërëzisht në tokën e vet... Kosovasit i duruan të këqiat sërbiane aq sa munt t`i duronte njeriu q`asht i stërvitëm më të vojtmet. Ahere kur panë se barbaria e ushtarëve të kral Pjetrit nuk ka kufin as në mënyra as në masë , ahere thanë: “Ejani të vdesim ma mirë prej plumbit se asht ma e lehtë se vdekja e të pangrënit... Ahere nisi lufta...

Përse ta duan Kosovasit Sërbien? Apo sepse u-doqën fshatrat, u-therrë fëmien dhe u turpëruan shtëpiët? Munt të flitet kur seriozisht për miqësie midis Kosovasit dhe Sërbit..” /“Përlindja e Shqipënies”, Viti I, Nr, 17, 1913/.

Një shkrim tjetër me interes, që flet për krimet serbe në Kosovë është ai me titull: “Na dhe Sërbët”, në numrin 14/1913 te “Përlindja e Shqipëniës” ku ndër të tjera thuhet:

Image
“Na dhe Sërbët”, në numrin 14/1913 te “Përlindja e Shqipëniës”

“...Sapo shkeli në Kosovë ushtria qytetërim - prurëse e kral Pjetrit, zuni ta tregoj qytetërimin e `saj. Vetëm disa muaj kishin shkuar që kur u kish thanë krali se ‘shpiem liriën, vëllazëriën e paraisën vëllezërve Shqiptarë:. Të gjitha u-harruan me një herë. E çveshën Serbët vëllazëriën e mirësiën posi një rrobë, e lanë te kufini i vjetër. Vetëm deri atje banin pare fjalët e ambla. Tani duheshe të n`a prishnin shtëpiët tona, t`na ndiqnin plangun, të na rrëmbenin kamjen, të n`a vrisnin çunat e pleqt, të na grabisnin nderin e grave dhe të vashave, të n`a vinin, neve burrat, më nishan e të stërviteshin në të shtënë me pushkë mbi trupat tona... Në Prizdren vranë treqind Lumas të cilët u gjetën pa ndonjë armë afër qytetit; afër Shkupit u-therën si berra 2000 Shqiptarë; nje gjamë fshatrashn u doqën dhe fshatarët u vranë e sa e sa të tjera. Duhen shumë faqe të këtilla për ti përshkruar gjith fatkeqësiët që punuan në Kosovë ata që vinin n`emënin e ambël të liriës, të vëllazniës e te parasiës...

Na kemi besim të patundëm te drejtësia e atyne q`e e kanë në dorë fatin e kombit t`onë. Ata do të dinë t`i peshojnë arsyet që e shtyne Malësorin t`onë të rëmbejë pushkën e t`a fitoj me ndihmën e saj atë të drejtë të cilën s`mundi t`a fitojë me urtësie – passi u përpoq – dhe e cila u duheshe fituar doemos. Na presim t`a shohim Evropën duke vënë në peshën e saj drejtësiën, durimin urtësiën dhe gjakun tonë që derdhëm bujarisht me nj`ane dhe m`anën tjatër padrejtësiën, poshtërsiën dhe gjakun e Serbëve të derdhun cubërisht...”.

“Ç’kishte shpëtuar nga topat e Turgut Pashës u bë remujë sot nga topat e barbarëvet dhe egërsiravet Sërbë!”

“Përlindja e Shqipëniës” e vitit 1913, në disa numra të saj, pos që komentonte, analizonte por edhe polemizonte me disa gazeta evropiane, si me atë “Temp” të Parisit, lidhur me vendimet e marra nga Fuqitë e Mëdha të Evropës, të cilat kishin ngritur një komision ndërkombëtar për caktimin e kufijve të Shqipërisë, ku gjatë punës së tij, sidomos në Jug të vendit tonë me Greqinë, po ndeshej me lloj-lloj pengesash dhe intrigash të qarqeve shoviniste greke, të cilat me çdo kusht kërkonin të merrnin territore të mëdha tokash shqiptare. Po në të njëjtën situatë, që asokohe ndodhej popullsia shqiptare në Jug të vendit, gjendeshin edhe shqiptarët që jetonin në trojet e tyre etnike në Veri të Shqipërisë, e cila përballej me terrorin e masakrave serbo-malazeze.

Po ashtu, në këtë gazetë përktheheshin edhe shkrimet e gazetave evropiane, në të cilat përshkruheshin krimet serbe në tokat shqiptare, jashtë kufijve të Shqipërisë londineze. Një shkrim i tillë u nxor dhe u përkthye nga gazeta e njohur angleze “Manchester guardian” dhe u botua në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”.

“Një gazetë inglize, ‘Mançester Guardian’, boton sende të tmerrshme që asht duke bërë Qeverria serbe ndër vise që ka pushtuar të cilat, sikundër vërteton edhe kjo fletore, sundimi i Serbis po shifet që asht më i ligë se i Turqisë... Këto gjëra janë të përshkrueme nga një minister protestant, i cili pau me sytë e tij gjendjen e atyre viseve... Këto se ç’shkruajmë kanë arritur që t’i shohin të huajt po ç’kanë parë vëllezërit tanë që e pësuan e janë duke pësuar ligësirat e Serbëve dhe Grekërve?”.

Edhe Mihal Grameno, në vjeshtën e vitit 1913, një vit pas shpalljes së pavarësisë, i denoncoi jo vetëm vendimet e Konferencës së Londrës, por edhe masakrat që po kryenin serbët dhe grekët ne jug dhe në veri të vendit… Në vazhdim po paraqesim një pjesë të shkrimit të tij me titull Vajto e ngrata Shqipëri! të publikuar në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”.

“Vaj dhe vaj qënka shkrojtur për ty, o e mjera Shqipëri! Prej pesë vjet shtrat’ i Shqipërisë ka qënë mbuluar me gjakun e vyer të djemvet saj, që ranë dëshmorë për nderë të ardheut! Kosova e bukurë, Kosova trimnore, Kosova me famë është bërë remujë! Ç’kishte shpëtuar nga topat e Turgut Pashës u bë remujë sot nga topat e barbarëvet dhe egërsiravet Sërbë! Gjaku i Shqipëtarëvet po derdhet si lumë përsëri nga jatagani sërb! Po derdhet nga armikët e pabesë të cilët duan të humbasën emrin shqipëtar nga ato vënde të bukura, ku nuk u është dëgjuar përveç ligjërimi i ëmbël shqip! Edhe përveç kësaj barbarizme as një mëshirë edhe as një të ardhur keq nuk u ndjen Evropa e qytetëruarë ! Historia do ta dënonjë një ditë Evropën, e cila është shkakëtoreja e të derdhurit të këtij gjaku pa faj. Zerët e bërtimet e atyre vet dëshmorë që vriten, arritnë gjer në të katërtin qiell, edhe me gjithë këto Evropa qendron e shurdhërë!

Evropa do të kuptonjë padrejtësinë q’u bëri atyre kur i ndajti nga gjiri i mëmës Shqipërië dhe u-dha në dorë të Serbëvet, të cilët i vrasën , i djegën, i turpërojnë, i rjepin, edhe duan t’i kenë robërit e tyre”.

Isa Boletini: “Kosova zemra e Shqipëniës po na humbet”

Hapësirë në këtë gazetë zë dhe trajtimi i figurave politike: Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Esad Pashë Toptani dhe Wilhelm Wiedi...

Aty është edhe përgjigja që i kishte dhënë Isa Boletini, korrespodentit të “Albanesische Korrespondenze”, të cilën e përkthen fjalë për fjalë “Përlindja e Shqipëniës”, në nr. 7, të vitit 1913, e që fatkeqësisht edhe sot, pas 108 vjetëve nga kjo intervistë, është aktuale copëtimi i tokave shqiptare.

Image
“Serbët po i vdesin unit malësorët... Na shqipëtarët duam paqe...”, deklaronte Isa Boletini për “Albanesische Korrespondenze”

“...Na shqiptarët nuk marrim asnjë barrë përsipr për luftat, që duhet t`i bjerë e pritmja. Neve ju thamë qeveritarëve të Romës, të Vjenës, të Parizit dhe të Londrës, që populli yn kurrë nuk mundet të durojnë të coptohet. Pas trembedhet kryengritje të përgjakshme, në të cilat derdhen kaq gjak për liriën tonë, na dha më në fund Evropa ç`varjen tonë. Por gjysëm më të madhe të kombit tonë, duan t`ia bëjnë theror armiqvet. Kosova zemra e Shqipëriës po na humbet. Fiset e Hotit e të Grudës, të cilat luftuan kaq trimërisht për çështjen shqiptare, po i jepen Malit të Zi. 34 qytete shqipëtare u dhanë në duart e armiqvet tanë. Me gjithë këtë, Serbët po i vdesin unit malësorët. Ju mbajtën udhët për në Gjakovë, Prizren dhe në të gjitha pazaret tjera, me të cilat rnojnë, dhe në qoftë se ndo një merr rugën për në qytet, menjeherë vritën. Na shqipëtarët duam paqe; po duhet ta mprojmë vehten, në qoft se popullin tonë e coptojne, e vdesin unit dhe e vrasin”. “Përlindja e Shqipëniës”, Viti I, Nr. 7, E Mërkurë 21/3 , Vjeshtë e I, 1913/.