Shtojca për Kulturë

Shqipëria në prag të Luftës së Parë Botërore pa qeveri e në anarki

Pazari i Vlorës, 1915

Pazari i Vlorës, 1915

Gjatë Luftë së Parë Botërore në gjithë territorin e Shqipërisë nuk pati asnjë Qeveri legjitime, që i përfaqësonte interesat e shqiptarëve. Dhe, kjo e keqe Shqipërisë i vinte nga fqinjët grabitqarë, interesat e Fuqive të Mëdha nga një anë dhe nga grindjet, mospajtimet dhe përçarjet shqiptare midis krerëve nga ana tjetër. Përçarjet shqiptare në vitet 1912-1921 ishin vendimtare, që Fuqitë e Mëdha të na e kthejnë shpinën dhe të mos na njihnin e mospërfillnin mu sikurse edhe s

Shqipërinë “e krijoi Zoti, e shpëtuan rastësitë, do ta shkatërrojnë politikanët”

Kur lexohet libri i Sreten Drashkiqit “Evropa dhe çështja shqiptare (1830-1921)” dhe veprat e Mid’hat Frashërit për vitet 1912-21, lexuesi e kupton se Shqipëria ishte shumë në gjendje më të rëndë gjatë këtyre viteve, sesa ende pa e fituar pavarësinë. Anarkia që u shfaq në periudhën e pavarësisë deri te Kongresi i Lushnjës (1920) është e pashembullt dhe nuk haset askund në Evropën e civilizuar.

Gjatë Luftë së Parë Botërore në gjithë territorin e Shqipërisë nuk pati asnjë Qeveri legjitime, që i përfaqësonte interesat e shqiptarëve. Dhe, kjo e keqe Shqipërisë i vinte nga fqinjët grabitqarë, interesat e Fuqive të Mëdha nga një anë dhe nga grindjet, mospajtimet dhe përçarjet shqiptare midis krerëve nga ana tjetër. Në këso rrethanash, i madhi Faik Konica kishte shkruar: ”Nëse Shqipëria ndonjëherë vdes, në lapidarin e saj duhet shkruar: ‘E krijoi Zoti, e shpëtuan rastësitë, do ta shkatërrojnë politikanët!”

Nuk qëndron teza serbe se kryesore për pavarësinë e Shqipërisë ishin Luftërat Ballkanike, e në të vërtetë ato ishin okupuese për Shqipërinë.

Ismail Qemali, si diplomat për pavarësinë e Shqipërisë, u mbështet tek Austro-Hungaria, që asokohe ishte Perandori e fuqishme. Dhe, vërtet Perandoria Austro-Hungareze ishte promotor i shpalljes së pavarësisë dhe ishte nun i saj. Në Kuvendin e Vlorës morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, 5 nga Bukureshti dhe 1 nga Egjipti. Turqia edhe pse ishte larguar nga Ballkani e indinjuar me sjelljet e shqiptarëve, fatin e Shqipërisë dhe kufijtë e saj i la në mëshirën e të pamëshirëve, të gjashtë Fuqive të Mëdha të Evropës në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, nga 17 dhjetori 1912 deri më 11 gusht 1913. Drashkiq në librin e tij, në të cilin, siç thotë, punoi 15 vjet, posa u pensionua (1976) deri më 1991, u referohet burimeve arkivore të të tjerëve më shumë sesa atyre serbe e shqiptare, për çka e bën librin dhe të dhënat e tij objektive dhe të besueshme. Ka shfrytëzuar një bibliografi prej 81 veprash, nga të cilat e ka vjelë një lëndë të begatë.

Refuzimi i njohjes së Pavarësisë nga Perandoria Osmane

Konferenca e Ambasadorëve (KA) nuk e njohu Pavarësinë, por autonominë e saj nën Perandorinë Osmane. Ismail Qemali gabimisht i njoftoi shqiptarët se Perandoria nga e cila sapo u shkëputën shqiptarët, e njohu pavarësinë. Në të vërtetë, Perandoria Osmane ishte e para që do ta refuzonte njohjen e pavarësisë. Në mbledhjen e Ambasadorëve më 29 korrik 1913, u mor vendimi i rëndësishëm që në 11 pika ta njihte Pavarësinë e Shqipërisë (fq. 204-205). Atë që ishte kryesore për Shqipërinë, KA në Londër, pushtetin e Sulltanit në Shqipëri, e zëvendësoi me pushtetin e 6 Fuqive të Mëdha në krye me Princ Vidin.

Kur erdhi Princ Vidi në Shqipëri, Qeverinë e tij e njohën Fuqitë e Mëdha nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, por në Durrës ishte e vendosur Qeveria e Esad Pashë Toptanit, të cilën e njohën shtetet fqinje: Greqia, Serbia dhe Rumania me Bullgarinë

Austro-Hungaria dhe Italia interesoheshin për një Shqipëri sa më të madhe. Përkundrazi, Rusia, Franca dhe Britania me shtete fqinje, duke i mbrojtur interesat e këtyre të fundit, angazhoheshin për një Shqipëri sa më të vogël dhe atë për ta copëtuar. 17 hartat që gjenden në librin e Drashkiqit, që ia shtojnë vlerën dokumentare, i sqarojnë kufijtë e ndryshëm që i qepeshin nga Fuqitë e Mëdha atdheut tonë. Kufijtë më të gjerë, mbase natyralë dhe etnikë të Shqipërisë, i propozonin shqiptarët në Memorandumet e tyre të dërguara KA në Londër; më të vegjël se ata që i propozonin shqiptarët, ishin ata që i propozonin dhe i kërkonin me ngulm Austro-Hungaria dhe Italia; ende më të vegjël, këta kufij i propozonin Rusia, Franca dhe Britania e Madhe. Dhe, më në fund krejt xhuxhe Shqipërinë e kërkonin me kufij të sakatosur nga shtetet fqinje: siç shihen edhe në hartat ilustrative, Serbia, Mali i Zi, dhe Greqia, ashtu siç edhe ndodhi, që nga katër vilajetet sa i kishin trojet shqiptare, vetëm Shkodra (më e vogla me sipërfaqe mbeti brenda kufijve të shtetit shqiptar), kurse tri të tjerat i përvetësuan shtetet fqinje: Janinën – Greqia, Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit – Serbia e më herët (1878) në Kongresin e Berlinit, Ulqinin, Tivarin, Plavë e Gucinë i kishte rrëmbyer Mali i Zi.

Qeveria e shpërfillur dhe grindjet e shqiptarëve

Me gjithë cungimin që iu bë trojeve shqiptare në KA, edhe pas kësaj, askush nuk e njohu shtetin shqiptar. Ajo që është e çuditshme në librin “Evropa dhe çështja shqiptare (1830-1921)” të Sreten Drashkiqit shihet se autori e ka shfrytëzuar librin më antishqiptar të shkruar deri më tash nga një autor serb, atë të dr. Vladan Gjorgjeviqit, “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”, të shkruar më 1912 e të prezantuar si platformë për Konferencën e Ambasadorëve, me numrin rendor 30 në Bibliografi, por përkundër të tjerëve autorë serbë, që këtë pamflet shovinist të Vlladan Gjorgjeviqit e kanë si pikë reference, Drashkiqi thuaja nuk e citon askund në librin e tij.

Edhe në pranimin e Qeverisë së Vlorës shihej qartë dallimi, ashtu siç manifestohej edhe në KA,  Rusia, Franca dhe Britania nuk e pranonin Qeverinë e Vlorës, kurse Austro-Hungaria dhe Italia e njihnin Qeverinë e Ismail Qemalit. Separatizmi i Preng Bibë Dodës për Republikën e Mirditës, ishte çështje që ishte diskutuar edhe në Kongresin e Berlinit edhe në KA në Londër si “mbrojtje e katolikëve”, që e kërkonte Britania e Madhe.

Në vitin 1913, në mbledhjen e fundit të KA-së në Londër u formua Këshilli Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK), që do të përbëhej nga gjashtë Fuqitë e Mëdha dhe një anëtar nga Shqipëria. KNK-ja do ta mbikëqyrte administrimin e brendshëm të Shqipërisë. Qeveria e Vlorës u përça për propozimin se kush do të emërohej në KNK nga Shqipëria. Austro-Hungaria insistonte që në atë Këshill të jetë Myfit Bej Libohova, kurse Ismail Qemali e propozoi Luigj Gurakuqin, sepse gjoja i pari ishte implikuar rreth Esad Pashë Toptanit. Për shkak të këtij konflikti në nominim, Qeveria e Vlorës e humbi mbështetjen e Austro-Hungarisë. Goditja që iu dha Qeverisë së Vlorës nga mospërkrahja e Austro-Hungarisë për shkak të Myfit Beut, ishte më e madhe se ajo nga tradhtitë e Esad Pashë Toptanit, por kjo, thotë Drashkiq, nuk pranohet nga historianët shqiptarë. Kjo e detyroi edhe Ismail Qemalin të jepte dorëheqje nga Kryetari i Qeverisë së Vlorës dhe të ikte në Itali. Kjo bëri që shteti shqiptar të mos ketë më qeveri shqiptare të gjithëpranueshme gjatë gjithë periudhës 1913-21, sidomos gjatë Luftës së parë Botërore (1914-18).

Në vend të Qeverisë së Ismail Qemalit, u kërkua një Princ, i ri dhe ai të ishte mysliman dhe i “bërë synet!” (ironi e Kadaresë nga romani “Viti i mbrapshtë”), sepse shumica e popullatës në Shqipëri ishte myslimane. Edhe Ismail Qemali u pajtua që ai të ishte Izet Pasha. U dhanë përveç Princ Vidit nga Postdami, edhe shtatë propozime: nga Gjermania, Franca, Anglia, Suedia, Egjipti, Turqia, Italia dhe Rumania. Pasi që u vendos për të parin, Delegacionin prej 15 anëtarësh, për ta sjellë kurorën e Princ Vidit në Shqipëri, e kryesonte Esad Pashë Toptani e në delegacion ishte edhe Hasan Prishtina, përfaqësues nga Kosova.

Kur erdhi Princ Vidi në Shqipëri, Qeverinë e tij e njohën Fuqitë e Mëdha nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, por në Durrës ishte e vendosur Qeveria e Esad Pashë Toptanit, të cilën e njohën shtetet fqinje: Greqia, Serbia dhe Rumania me Bullgarinë. Pra, përçarjet shqiptare në vitet 1912-1921 ishin vendimtare, që Fuqitë e Mëdha të na e kthejnë shpinën dhe të mos na njihnin e mospërfillnin, mu sikurse edhe sot, kur pas dy dekadash pavarësi, po e humbim përkrahjen ndërkombëtare! Thuhej, mbase me siguri, se Esad Pasha kishte hile dhe gisht në përçarjet që ndodhën në kryengritjet e elementit proturk në krye me Haxhi Qamil Fejzon, që shkaktoi trazira dhe vrasje të panevojshme edhe në Qeverinë e brishtë të Princ Vidit. Kjo bëri që Princ Vidi të jepte urdhër për sulm ndaj shtëpisë së Esad Pashës, i cili iku në Itali e Paris, derisa u vra nga Avni Rrustemi më 13 maj, 1920. Kështu, në prag të LPB, Shqipëria ishte e ndarë në gjashtë principata, pa pushtet dhe anarki totale. Kjo bëri që pas një viti dhe pushtetit pa lavdi që e ushtroi Princ Vidi, të kthehej, siç kishte ardhur. Pas largimit të Princ Vidit, ishte larguar edhe Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK).

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Lexo edhe: