Qeveria serbe punoi për t’i bërë për vete politikanët më të rëndësishëm shqiptarë dhe tribunët popullorë, si Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin Riza bej Kryeziun e të tjerë. Në Konsullatën e Serbisë në Prishtinë, u krijua fondi special për ndihmë prijësve të kryengritësve shqiptarë pjesën ku flitet për kryengritjet shqiptare, përçarjet, ndihmat dhe pengesat e të huajve në arritjen e Pavarësisë më 28 nëntor, 1912 në Vlorë, autori serb Sreten Drashkiq, konkludon duke iu referuar gazetës shqiptare “Liria e Shqipërisë”, që botohej në Sofje: ”Shqiptarët janë të njohur me faktin se në fushëbetejë korrin sukses, të cilin më pas e humbin në tryezën e negociatave”
Në librin “Evropa dhe çështja shqiptare” prej 330 faqesh, të përfunduar së shkruari në vitin 1991, kur Perandoritë e Kuqe, RSFJ dhe BRSS po shkatërroheshin dhe Sreten Drashkiq nuk ishte i ngarkuar me hipotekën e fajësisë së të atit general Panta Drashkiq (për çka i biri ishte larguar nga shërbimi në diplomaci) se kishte qenë ithtar i Drazha Mihajloviqit, që u pushkatua më 1946 si antikomunist, autori flet me objektivitet dhe lexuesi askund nuk mund ta vërejë ndonjë ndikim të shovinizmit serbomadh, siç jemi mësuar ta shohim thuajse tek të gjithë autorët serbë, qoftë edhe tek akademikët.
Kështu, në faqet e librit shihet qartë (ndonëse pa u thelluar në to), trajtimi objektiv i synimeve grabitqare të italianëve në bregdetin shqiptar; të serbëve në pjesën lindore të trojeve shqiptare dhe synimi (si ëndërr e pansllavizmit) për t’I përvetësuar trojet shqiptare dhe daljen në Adriatik, përshkruhet aleanca midis shqiptarëve me xhonturqit për ta përmbysur sulltanatin dhe shpresën e venitur të shqiptarëve nga tradhtia xhonturke që në fillim, Kongresi i Alfabetit Shqiptar (14-22 nëntor 1908; Kongresi i Elbasanit (1909) dhe vendimi për hapjen e Shkollës Normale, që u bë “fidanishtja e mësuesve shqiptarë”, Memorandumi i Greçës në Mal të Zi më 1911 të udhëhequr nga Ismail Qemali dërguar Portës së Lartë dhe Ministrit anglez të Punëve të Jashtme, lordit Edward Grey, propozimet e Abdullah Pashës më 3 gusht, 1911 (amnistia, hapja e shkollave shqipe, nëpunësit të flasin shqip, mospagesë tatimesh për 2 vjet, mbajtja e armëve lirisht, pagesa për dëmet e shkaktuara të rebelëve në shtëpitë e tyre, çështja e daljes në det përmes hekurudhës që do ta ndërtonin serbët, kryengritjet shqiptare të vitit 1912, e të tjera.
Serbia në aksion për blerjen e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit...
Në faqet e librit, kur bëhet fjalë për Luftërat Ballkanike deri te shpallja e Pavarësisë, hasim në përshkrime të bashkëpunimit të krerëve shqiptarë të asaj kohe, sidomos me austro-hungarezët, serbët e malazezët kundër turqve, të cilët tanimë po iknin nga Ballkani, të fundit nga trojet shqiptare. Roli i Serbisë në fillim, thotë autori, ishte i përmbajtur, por me kohë Serbia e pa qartas se duhet të involvohet në këto luftëra dhe t’i ndihmojë edhe ushtarakisht, edhe me armë, sepse aty e shihte shansin e saj t’i okupojë trojet shqiptare, siç kishte vepruar me Sanxhakun e Nishit.
“Është interes i yni (thekson M. Milovanoviq, Kryetar i Qeverisë serbe asokohe), që Shqipëria të shohë te Serbia miken dhe mbrojtësen e vet!” (fq.151). Ndërkohë, konstaton autori, “Serbia u bë edhe burim kryesor i furnizimit të kryengritësve shqiptarë me armë e municion. Sasitë e armëve qenë mjaft të rëndësishme (rreth 24 mijë pushkë. Edhe shumë kryengritës serbë qëndronin në anën e kryengritësve në Vilajetin e Kosovës… Qeveria serbe punoi për t’i bërë për vete politikanët më të rëndësishëm shqiptarë dhe tribunët popullorë, si Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin Riza bej Kryeziun, etj. Propaganda politike e Serbisë mes kryengritësve u përforcua shumë. Në Konsullatën e Serbisë në Prishtinë, u krijua fondi special për ndihmë të prijësve të kryengritësve shqiptarë, nga i cili u paguan shuma nga dhjetë mijë dinarë për Riza bej Kryeziun, Isa Boletinin, madje edhe për Bajram Currin. Hasan Prishtina, jo vetëm që nuk i pranoi paratë nga Serbia, por ishte edhe kundër mbështetjes nga ajo… U zhvilluan bisedime të hollësishme për qëndrimin e Beogradit ndaj kryengritësve dhe për nevojën e ndihmës reciproke, madje Bajram Curri e parashikonte mundësinë që Serbia t’u ndihmonte kryengritësve shqiptarë edhe me trupa të rregullta, nëse do të ishte nevoja. Në këtë kuptim ai ishte i gatshëm të takohej në kufi me Nikolla Pashiqin (Kryeministrin serb). Nuk ka dyshim se me Isa Boletinin janë takuar oficerët serbë Voja Tankosiq dhe Milan Zavagjil (të njohur si ‘crnorukci’ (dorëzezë), të organizatës terroriste ‘Crna Ruka’, që e udhëhiqte ‘Apisi’”. (fq. 151-153).
Dhe, pjesën ku flitet për kryengritjet shqiptare, përçarjet, ndihmat dhe pengesat e të huajve në arritjen e Pavarësisë më 28 nëntor, 1912 në Vlorë, autori serb Sreten Drashkiq, konkludon duke iu referuar gazetës shqiptare “Liria e Shqipërisë”, që botohej në Sofje: ”Shqiptarët janë të njohur me faktin se në fushëbetejë korrin sukses, të cilin më pas e humbin në tryezën e negociatave…Edhe pse kryengritja shqiptare e vitit 1912 ishte e përgjithshme, përkundër gjerësisë dhe vrullit të saj, megjithatë nuk u arrit ajo që u synua. Pas çlirimit të Shkupit, ku aparati shtetëror turk u thye plotësisht, Hasan Prishtina si udhëheqës nuk arriti të merrej vesh me të tjerët, u shpall ‘tradhtar’, ndonëse nuk ishte i tillë dhe pavarësia u prolongua për 28 Nëntor 1912 në Vlorë”. (fq. 165.)

Ftesa e Malit të Zi për Ismail Qemalin në gushtin e vitit 1912
Në kryengritjet e vitit 1912 dhe gjatë luftërave ballkanike, shqiptarët ishin midis kudhrës e çekiçit. Donin të liroheshin nga turqit dhe robëria e tyre pesëshekullore, por në anën tjetër nuk u besonin fqinjëve të tyre, sepse ua kishin me të pabesë, të cilët mezi pritnin sikur hienat që të largohen turqit prej Ballkanit, për t’i kafshuar fort trojet tona të pambrojtura. Prandaj ishim ndërmjet dy zjarresh. Ja çfarë shkruan Drashkiq në librin e tij për këto ngjarje: ”Ka pasur mjaft përpjekje serioze të Malit të Zi për të arritur marrëveshje me shqiptarët para fillimit të Luftës Ballkanike. Në muajin gusht 1912, prijësi politik shqiptar Ismail bej Qemali qëndroi në Trieste. Me atë rast e vizitoi princi malazez Mirko dhe ia përcolli ftesën e babait të tij, Nikola, për t’u takuar në Tivar, në mënyrë që të merren vesh për rolin që duhej të luajë Shqipëria në luftën kundër Turqisë dhe bashkëpunimit me aleatët ballkanikë. Mirëpo, Ismail Qemali nuk pranoi të shkojë në atë takim, kështu që e humbi rastin për marrëveshje me aleatët ballkanikë. Ai kishte informacione nga Vjena se aleatët ballkanikë në synimet e tyre kishin plan t’i ndanin viset shqiptare. Qëndrimin e tyre të luftës kundër Turqisë, shqiptarët e morën në takimin e Shkupit, më 14 tetor 1912, takim ky që e kishte thirrur ‘Shoqëria e Zezë për Shpëtim’”.
Në atë takim morën pjesë drejtues të kryengritjes shqiptare në Kosovë: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Mid’hat Frashëri, Nexhip Draga, etj. U mor vendimi që shqiptarët të luftonin në anën e turqve, por jo për forcimin e pushtetit turk në Ballkan, por në mbrojtjen e integritetit të trojeve shqiptare. Porta e Lartë e pranoi këtë vendim dhe pranoi t’u ndajë armë shqiptarëve. Kuvendi i Shkupit e kërkoi edhe një formë unike të Qeverisë autonome për të katër Vilajetet (Kosovë, Shkodër, Manastir, Janinë)… Kështu, pas këtij vendimi, Isa Boletini me 20 mijë vullnetarë i bëri rezistencë ushtrisë serbe në Podujevë, me rastin e hyrjes së saj në Kosovë. Për këtë arsye, thotë Drashkiq në bazë të burimeve që i disponon, nuk “qëndron teza e Ismail Qemalit se shqiptarët kanë qenë neutral gjatë kohës së luftës ballkanike. Përkundrazi, është e qartë se shqiptarët kanë luftuar në anën e Turqisë. Nga kjo imponohet përfundimi se ushtritë serbe e malazeze doemos i panë aradhet vullnetare si formacione armike, prandaj në luftë ashtu u sollën me to. Krejt ndryshe do të ishte situata, sikur shqiptarët të viheshin në anën e Aleancës Ballkanike. Atëherë ushtria serbe do të hynte në viset shqiptare si ushtri mike që hyn në viset aleate. Mirëpo duhet ta theksojmë se ushtria serbe as në Shqipëri nuk ka hasur në asnjë rezistencë shqiptare gjatë hyrjes në Durrës” (fq.168-170).
Depërtimi i Serbisë në Durrës në emër të luftës kundër Turqisë
Në emër të luftës kundër Turqisë dhe kinse në ndihmë shqiptarëve, ushtria serbe depërtoi deri në Durrës, duke e okupuar gjysmën e Shqipërisë deri në Shkumbin. Por, Fuqitë e Mëdha me ultimatumet e tyre, e detyruan ushtrinë serbe të tërhiqej, por rrethimi i ushtrisë malazeze dhe ndikimi austro-hungarez i detyroi ushtritë serbo-malazeze që pas rrethimit të Shkodrës, që zgjati 6 muaj, 9 tetor, 1912-10 prill 1913, ku u shqua gjenerali Hasan Riza Pasha dhe zëvendësi i tij gjeneral Esad Pashë Toptani, i cili thuhej se me tradhti e vrau Hasan Riza Pashën dhe ua dorëzoi malazezëve Shkodrën më 9 prill 1913, një ditë para se ushtria malazeze ta lëshonte Shkodrën më 10 prill, për shkak të gjoja urisë së popullatës, ku vdisnin çdo ditë nga 50 ushtarë dhe qindra qytetarë.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë