Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Pasion i thjeshtë

Pasioni i Thjeshte - Passion Simple

Pjesë e shkëputur nga romani “Pasion i thjeshtë” i Annie Ernaux, fitueses së “Nobelit” për letërsi të këtij viti, botuar në shqip nga “Botimet Dudaj” e Tiranës, përkthyer nga Klarita Lagji. KOHA e boton këtë pjesë me leje të botuesit dhe të përkthyeses

Fakti që ai ishte i huaj e bënte edhe më të vështirë çdo lloj interpretimi të sjelljes së tij, e modeluar nga një kulturë që unë e njihja veç në aspektin e saj turistik, si klishe. Fillimisht, ndihesha e ligështuar nga këto vështirësi të dukshme që kishim për t’u kuptuar mes nesh, të cilat thelloheshin nga fakti se, edhe pse ai arrinte të shprehej njëfarësoj në frëngjisht, unë vetë nuk e flisja gjuhën e tij. Më pas, e pranova idenë se kjo situatë ma kursente iluzionin e besimit në një komunikim të përkryer, në një shkrirje, me nesh. Në atë dallimin e lehtë të frëngjishtes së tij në raport me përdorimin e saj të zakonshëm, në ngurrimin që ndonjëherë e dija që ai kishte për të gjetur fjalët, arrija të matja në çdo moment natyrën e përafërt të komunikimit mes nesh. Kisha privilegjin të përjetoja qysh në fillim, në mënyrë të vazhdueshme, me vetëdije të plotë, atë që arrijmë ta zbulojmë gjithmonë në gjendje hutimi e pështjellimi: mashkulli që dashuron është i huaj për ty.

Kufizimet që m’i diktonte gjendja e tij si burrë i martuar që ishte - nuk duhej t’i telefonoja - as t'i dërgoja letra - nuk duhej t’i bëja dhurata që do ta kishte të vështirë t’i përligjte - duhej të isha vazhdimisht e varur nga mundësitë e tij për t’u liruar - të gjitha këto nuk më revoltonin.

Letrat që i shkruaja ia jepja në momentin kur ai largohej nga shtëpia ime. Dyshimi që kisha se, pasi t’i kishte lexuar, do t’i hidhte ndoshta do t’i flakte copë e çikë në autostradë, nuk më pengonte që të vazhdoja t’i shkruaja. Bëja kujdes që të mos lija asnjë shenjë nga vetja ime në veshjet e tij. Po aq sa dëshira për t’i shmangur skena xhelozie me të shoqen, ishte edhe se nuk doja ta mërzisja në atë pikë sa të më largohej. Për të njëjtën arsye, i shmangia takimet me të në ato vende ku ai shkonte i shoqëruar prej saj. Druaja se mos me një gjest të vetvetishëm - një përkëdhelje pas qafës së A-së për t’i rregulluar ndonjë detaj të veshjes - mund të tradhtoja lidhjen që kishim. (Për më tepër, nuk doja të vuaja më kot, si do herë kur e shihja atë femër, duke përfytyruar A-në tek bënte dashuri me të - fakti që unë e mendoja si pa rëndësi, se e bënte ndoshta ngaqë e kishte “në dispozicion”, nuk ma lehtësonte torturën që më jepte një përfytyrim i tillë.

Këto kufizime, madje, ishin burim pritjeje dhe dëshirash. Duke qenë se ai më telefononte gjithmonë nga kabinat telefonike, që kurrë s’i dihej nëse funksiononin apo jo, kur ngrija receptorin shpesh nuk përgjigjej njeri nga ana tjetër e telefonit. Me kalimin e kohës, mësova që kjo thirrje «e rreme» i paraprinte një thirrjeje prej vërteti, jo më shumë se një çerek ore më pas, aq kohë sa duhej për të gjetur një kabinë në gjendje pune. Kjo thirrje e parë e heshtur ishte shenja pararendëse e zërit të tij, një premtim (i rrallë) i sigurt lumturie, dhe intervali i kohës që më ndante nga thirrja vijuese kur ai do të thoshte emrin e tij dhe «a mund të shihemi?» ishte një nga momentet më të bukura për mua. Në mbrëmje, përpara televizorit, pyesja veten nëse edhe ai ishte duke parë të njëjtin emision apo të njëjtin film si dhe unë, sidomos kur subjekti i tyre ishte dashuria apo erotizmi, kur skenari kishte ndonjë lidhje me situatën tonë. Atëherë, përfytyroja sikur ai shikonte serinë “Fqinja” duke na vënë, mua dhe veten e tij, në vend të personazheve. Nëse ndodhte të më thoshte se vërtet e kishte parë atë film, shtyhesha të besoja se kishte zgjedhur ta shihte atë mbrëmje pikërisht për shkakun tonë dhe se, e paraqitur në ekran, historia jonë mbase i dukej më e bukur, apo gjithsesi e përligjur. (Natyrisht, s’desha kurrsesi të mendoja se, përkundrazi, lidhja jonë mund t'i dukej e rrezikshme, duke qenë se në kinema, rregullisht, të gjitha pasionet jashtëmartesore përfundojnë keq.)

Ndonjëherë, mendoja me vete se i kalonte ndoshta e gjithë dita pa menduar asnjë sekondë për mua. E shihja tek ngrihej, tek pinte kafenë, fliste, qeshte, sikur unë të mos ekzistoja fare. Kur e krahasoja me fiksimin që unë kisha për të, më vinte çudi. Si ishte e mundur? Po ai vetë do të ishte habitur po ta dinte që unë nuk e hiqja nga mendja ditë e natë. Nuk kishte asnjë arsye që të mendoja nëse ishte më i drejtë qëndrimi i tij apo imi. Në njëfarë mënyre, unë isha me më shumë fat se ai.

Edhe Futbolli – drama e luajtur nga një person i vetëm Shtojca për Kulturë 6 d. më parë Futbolli – drama e luajtur nga një person i vetëm

Kur ecja nëpër Paris, tek shihja tek kalonin në bulevarde një pas një makina të mëdha që i ngiste një burrë i vetëm, me pamjen e një funksionari te lartë shumë të zënë me punë, kuptoja se A-ja nuk ishte as më pak e as më shumë veçse njëri prej tyre, pikësëpari i shqetësuar për karrierën e tij, me momente erotizmi, dhe ndoshta dashurie, për një femër të re çdo dy ose tri vjet. Ky zbulim sikur më hiqte një barrë nga supet. Vendosja që të mos e shihja më. Isha e sigurt se më ishte bërë aq anonim dhe pa interes sa edhe drejtuesit clean të BMV-ve dhe të makinave R 25. Por tek ecja, hidhja sytë në vitrina dhe shikoja fustanet dhe të linjtat si të isha në pritje të ndonjë takimi tjetër.

Këto momente distancimi nga realiteti, kalimtare, më vinin nga jashtë, unë vetë nuk i kërkoja. Përkundrazi, i shmangia rastet që mund të më shkëpusnin nga fiksimi im, shmangia leximet, shëtitjet, dhe çdo lloj aktiviteti që e shijoja më parë. Dëshiroja me gjithë zemër te mos kisha asgjë për të bërë. E refuzova me forcë një detyrë suplementare pune që drejtori më kërkonte prerë ta bëja, aq sa mend i këputa një të sharë në telefon. Më dukej sikur isha në të drejtën time kur kundërshtoja ato gjëra që më pengonin të jepesha kokë e këmbë pas ndjesive dhe rrëfimeve imagjinare të pasionit tim.

Në tren, në metro, në sallat e pritjes, në të gjitha ato vende ku është e lejuar që të mos merresh me asgjë, porsa ulesha, kridhesha në ëndërrime me A-në. Në sekondë, sapo hyja në këtë lloj gjendjeje, krijohej në kokën time një spazmë lumturie. Kisha përshtypjen se humbisja në një kënaqësi fizike, sikur truri, nën vërshimin e përsëritur të të njëjtave shëmbëlltyra, të të njëjtave kujtime, mund të ndiente kënaqësi, sikur të ishte një organ seksual njëlloj si të tjerët.

Natyrisht që nuk ndiej asnjë lloj turpi që i shënoj këto gjëra, për shkak të intervalit kohor që ndan momentin kur ato shkruhen dhe kur unë jam e vetmja që i shoh, nga momenti kur ato do të lexohen nga njerëzit e tjerë dhe që, kam përshtypjen, se nuk do të vijë kurrë. Deri atëherë, mund të kem pësuar ndonjë aksident, të kem vdekur, mund të plasë një luftë apo të ndodhë një revolucion. Është kjo periudhë kohore mes këtyre dy momenteve që ma bën të mundur të shkruaj aktualisht, pak a shumë si atëherë kur isha gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe qëndroja pa e vrarë mendjen nën diellin përvëlues tërë ditën e ditës, apo kur kisha njëzet vjeç dhe bëja dashuri pa marrë masa mbrojtëse e pa menduar për pasojat. (Kështu që është e gabuar që të vihen në një kandar ai që shkruan për jetën e tij me një ekzibicionist, pasi ky i fundit nuk dëshiron gjë tjetër veçse të shfaqë veten dhe të shihet në po atë çast.)

Në pranverë, pritja ime u bë e pambarimtë. Një i nxehtë i parakohshëm kishte nisur qysh në fillim të muajit maj. Fustanet verore shfaqeshin nëpër rrugë, tarracat e kafeneve ishin plot e përplot. Dëgjohej pareshtur melodia e një vallëzimi ekzotik, e pëshpëritur nga një femër me një zë të mbytur, lambada. Gjithçka nënkuptonte mundësi të reja kënaqësish, të cilat mendoja se A-ja parashikonte t’i shijonte pa mua në krah. Posti që ai mbante, funksionet e tij në Francë më dukeshin të nivelit shumë të lartë, që mund të nxisnin adhurimin e të gjitha femrave, ndërkohë që, përkundrazi, veten e nënvlerësoja duke mos gjetur asgjë interesante që të mund të mbante atë pranë meje. Kur shkoja në Paris, në një lagje çfarëdo, më dukej gjatë gjithë kohës dikur do ta shihja të kalonte me makinë me një femër në krah. Dhe unë ecja me trupin drejt, në një qëndrim serbes dhe kryelartë sikur aq më bënte që do ta shihja ashtu. Sigurisht që, fakti që kjo gjë nuk ndodhte kurrë, më zhgënjente thuajse edhe më shumë: vija vërdallë e mbytur në djersë nën vështrimin imagjinar të tij në bulevardin e italianëve ndërkohë që ai ishte diku gjetkë, i pakapshëm. Pamja e tij, tek ngiste makinën me xhamat e ulura, me radion në kupë të qiellit, në drejtim të parkut të Sceaux ose të pyllit të Vincennes, nuk më shqitej nga mendja.

Një ditë, nisa të lexoj, nga një revistë televizive javore, një reportazh mbi një trupë valltarësh të ardhur nga Kuba për turne në Paris. Autori shkruante gjatë për sensualitetin dhe shpirtin e lirë të kubanëve. Në një fotografi spikaste një valltare që e kishin marrë në intervistë, e gjatë, me flokët e zinj me këmbët e gjata të zhveshura. Sa më shumë lexoja, aq më shumë hidhte shtat brenda meje një parandjenjë. Në fund, isha e sigurt që A-ja, duke qenë se e njihte mirë Kubën, e kishte takuar patjetër valltaren e fotografisë. E shihja me të në një dhomë hoteli dhe asgjë nuk mund të më bindte në ato momente që kjo skenë vështirë se mund të ndodhte. Përkundrazi, hipoteza sipas së cilës asgjë e tillë nuk kishte ndodhur më dukej e pakuptimtë dhe e papërfytyrueshme.

Kur më telefononte për të lënë takim, thirrja e tij që mezi e kisha pritur nuk ndryshonte asgjë, mbetesha nën po atë tension të dhimbshëm si edhe më parë. Isha futur në një gjendje ku edhe realiteti i zërit të tij nuk arrinte të më bënte të lumtur. Gjithçka ishte mungesë pafund, përveç momentit kur ishim bashkë duke bërë dashuri. Madje edhe në ato çaste, më rrinte si çekan në kokë momenti që do të vinte më pas, kur ai do të kishte ikur. E përjetoja kënaqësinë si një dhembje e pritshme.

Edhe Një gjest i thjesht dashurie që çoi në një rrugë të paimagjinueshme Botë 1 j. më parë Një gjest i thjesht dashurie që çoi në një rrugë të paimagjinueshme

Më kapte pareshtur dëshira për ta ndërprerë lidhjen, për të mos qenë më në mëshirën e një thirrjeje telefoni, për të mos vuajtur më, dhe përnjëherësh përfytyroja se çfarë më priste që momentin e parë të prishjes: ditë të tëra ku nuk ke se çfarë të presësh. Preferoja më mirë të vazhdoja me çfarëdolloj çmimi - le të kishte një femër tjetër, disa madje (domethënë një vuajtje edhe më e madhe nga ajo për të cilën do ta lija). Por, përballë hiçit që parandieja, situata ku ndodhesha më dukej e kënaqshme, xhelozia që më brente më dukej një lloj privilegji i brishtë që duhej të isha e çmendur të doja t’i jepja fund, për më tepër që ky fund do të vinte patjetër një ditë pavarësisht nga unë, kur ai vetë të ikte ose të më braktiste.

I shmangia rastet kur mund ta takoja jashtë në mes të njerëzve të tjerë, duke mos e duruar dot idenë që ta shihja vetëm thjesht sa për të thënë. Kështu, nuk shkova në një përurim ku ai ishte i ftuar, ndërkohë që shëmbëlltyra e tij nuk më shqitej gjatë gjithë mbrëmjes, i buzëqeshur dhe duke iu qepur nga pas një femre, njëlloj si pati bërë me mua kur u njohëm. Pastaj dikush më pati thënë se atë mbrëmje, ato pak femra që ishin të pranishme, ishin ku thërret kiameti. U lehtësova, dhe e përsërisja gjithë kënaqësi atë shprehje, a thua se kishte ndonjë lidhje mes atmosferës së një pritjeje, numrit të femrave të ftuara dhe asaj që nuk varen veçse nga rastësia e një takimi – e pra një femër e vetme do të mjaftonte – veçse nga dëshira e tij, ose jo, për të flirtuar me të.

Gjatë gjithë kohës kërkoja të dija se ku do të shkonte për fundjavë. Mendoja

Nuk doja fare të ikja me pushime atë verë, kur mendoja se do të më duhej të zgjohesha në mëngjes në një dhomë hoteli duke pasur përpara një ditë të tërë ku nuk do të isha në pritje të asnjë telefonate nga ana e tij. Por të hiqja dorë nga pushimet, ishte njëlloj sikur t’ia pohoja atij pasionin tim në mënyrë edhe më qartë se sa po t’i thosha se “jam e marrosur pas teje”. Një ditë që isha pre e dëshirës për t’u ndarë me të, në vend që ta bëja vërtet, vendosa të bëja rezervime treni dhe hoteli për pas dy muajsh, në Firence. Isha shumë e kënaqur me këtë formë ndarjeje ku nuk isha e detyruar ta lija. E prita të vinte momenti i nisjes sikur prisja të hyja në një provim ku isha regjistruar shumë kohë përpara dhe që nuk isha e përgatitur – me një ndjenjë dëshpërimi dhe kotësie. Në shtratin e vagonit të trenit, nuk reshtja së përfytyruari veten time në po atë tren, por duke u kthyer për në Paris, tetë ditë më pas: perspektivë e një lumturie të paparë, thuajse të pamundur (ndoshta edhe mund të vdisja në Firence, dhe nuk do ta shihja më kurrë), që ma shtonte edhe më shumë tmerrin që po largohesha gjithnjë e më shumë nga Parisi, dhe më bënte ta ndieja intervalin e kohës mes shkuarjes dhe kthimit si një kohëzgjatje pafund dhe të tmerrshme.

Më e keqja ishte se nuk mund të rrija gjatë gjithë ditës në dhomën e hotelit, duke pritur trenin e kthimit për Paris. Më duhej të justifikoja udhëtimin duke u kushtuar kohë vizitave kulturore, shëtitjeve që i kam të zakonshme gjatë pushimeve. Ecja me orë të tëra në Oltrarno, në kopshtin Boboli, deri në sheshin San Michelangelo, San Maniato. Hyja në të gjitha kishat që i gjeja hapur, shprehja tri dëshira (për shkak të besëtytnive që thonë se njëra nga të tria do të përmbushet – natyrisht se ato kishin të gjitha lidhje me A-në), dhe qëndroja e ulur në flladin e freskët dhe në heshtje, duke ndjekur një nga skenarët e shumtë (një qëndrim së bashku në Firence, një takim pas dhjetë vjetësh në një aeroport, etj. ) që më kalonin nëpër mend pareshtur, ngado që isha, nga mëngjesi deri në darkë.

Nuk e kuptoja se si është e mundur që disa njerëz kërkojnë në udhëzuesin turistik datën, shpjegimet që jepen për çdo tablo, gjëra nga më të ndryshmet që nuk kanë asnjë lidhje me jetën e tyre personale. Përdorimi që u bëja veprave të artit ishte thjesht për hir të pasionit. Kthehesha e shkoja në kishën e Badias sepse pikërisht atje Dante kishte takuar Beatriçen. Afresket gjysmë të fshira të Santa Croce më turbullonin për shkak të historisë sime që një ditë do të kthehej si ato, në ca zhele të çngjyrosura në kujtesën e tij dhe në timen.

Edhe Kolumne 3 j. më parë Matura e mashtrimit

Kur shkoja në muze , nuk shihja gjë tjetër veç atyre gjërave që përfaqësonin dashurinë. Më tërhiqnin statujat e meshkujve lakuriq. Gjeja aty formën e supeve të A-së , të barkut të tij, të seksit të tij, dhe sidomos vijëzën e lehtë që shkon nga kurba e brendshme e kofshës deri në zgavrën e ijëve. Nuk shqitesha dot nga “Davidi” i Mikelanxhelos, e çuditur deri në dhembje që ishte një mashkull dhe jo një femër që shfaqte gjithë madhështi, bukurinë e trupit mashkullor. Edhe pse kjo shpjegohej me gjendjen e sunduar të grave, më dukej se diçka kishte humbur përgjithmonë.

Rrugës së kthimit, në tren, kisha përshtypjen se e kisha hedhur në letër pikë për pikë pasionin tim në Firence, tek ecja rrugëve, tek vizitoja muzetë, me A-në që nuk më shqitej nga mendja, duke parë gjithçka së bashku me të, duke ngrënë e fjetur me të në atë hotelin e zhurmshëm buzë lumit Arno. Do të mjaftonte që të kthehesha përsëri aty për të lexuar atë histori të një gruaje që dashuronte një burrë, dhe që ishte vetë historia ime. Ato tetë ditë të vetme, pa folur, veç kur u flisja kamerierëve, e pushtuar e tëra nga shëmbëlltyra e A-së (deri në atë pikë sa çuditesha se si mund të kishte ende burra që më vinin vërdallë, se si mund të mos e shihnin atë shëmbëlltyrë të tejdukshme në trupin tim?), më dukeshin përfundimisht si një sprovë që e bënte dashurinë edhe më të përkryer. Ishte një lloj shpenzimi shtesë, që kësaj here, ishte shpenzim i imagjinatës dhe i dëshirës në mungesë.