Autorja franceze, Annie Ernaux, ka fituar çmimin “Nobel” për letërsi për vitin 2022 për “guximin dhe mprehtësinë me të cilën zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”, ka njoftuar Akademia Suedeze të enjten.
Ernaux, puna e së cilës kryesisht është autobiografike, është 82-vjeçare.
Në shkrimin e saj, Ernaux vazhdimisht dhe nga këndvështrime të ndryshme, shqyrton një jetë të karakterizuar nga pabarazi të forta gjinore, gjuhësore e klasore. Rruga drejt krijimtarisë për të ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, ka shkruar Akademia Suedeze.
Romancierja franceze u rrit në Normandi. Ajo njihet për punën autobiografike në vepra si “Une Femme” (Një Grua), “La Place” (Vendi) dhe “Passion simple” (Pasion i thjeshtë). E nisi karrierën e saj letrare në vitin 1974. Puna e saj ka tunduar shumë kritikë. Ata anglezë madje kanë dashur ta kategorizojnë shkrimin e saj si “memoare”. Megjithatë, vetë Ernauxi ka thënë se merret me letërsi artistike. Shumë prej veprave të saj janë përkthyer në gjuhën angleze dhe ka qenë e nominuar për çmime të mëdha ndërkombëtare, përfshirë atë “Booker” në vitin 2019 për librin “The Years”.
Çmimi ka vlerën e dhjetë milionë krona suedeze, ose 915 mijë dollarë.
Çmimet për arritje në shkencë, letërsi e paqe u themeluan me dëshirën e kimistit dhe inxhinierit suedez, Alfred Nobel, shpikja e të cilit për dinamit e bëri të famshëm dhe të pasur. Çmimet ndahen që nga viti 1901.