Ajo është e prerë kur pyet se prej nga gjëllijnë romanet e saj – aty thuret jeta e saj, ngjarjet që i ka përjetuar, ato që i ka parë. “Krejt çfarë kam shkruar vjen nga jeta ime. Por nuk është qëllim i imi të shkruaj për veten, e as ta përshkruaj veten time personale. Ajo ‘unë’ që e përdori është fjalë që njësoj e përfaqëson tjetrin aq sa edhe mua”, është fjalia që Annie Ernaux e përsërit në secilën paraqitje a intervistë. Të enjten shkrimtarja franceze ka marrë çmimin “Nobel” për letërsi. Akademia Suedeze e ka vlerësuar për “guximin dhe mprehtësinë me të cilën zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”. Disa prej veprave të saj janë përkthyer edhe në shqip dhe në Kosovë ka lexues të pasionuar të veprave të saj. Ndërkaq në filmin “Happening”, bazuar në veprën e saj, i cili vjet mori “Luanin e Artë” në Festivalin e Filmit në Venecie, luan edhe një aktore kosovare
Romanet me bazë autobiografike, që trajtojnë tema dhe janë plot detaje tejet personale, e të cilat flasin për abortin e paligjshëm, aferat, martesën e palumtur, vështirësitë e jetës, luftën me sëmundjen e kancerit e shumë gjëra të tjera që shpalosin përvojat jetësore të vetë Annie Ernaux, janë thelbi dhe palca e veprave të saj.
Annie Ernaux, shkrimtarja franceze, 82-vjeçare, ka marrë të enjten çmimin “Nobel” për letërsi për vitin 2022. Është vlerësuar për “guximin dhe mprehtësinë me të cilët zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.
“Vepra e saj është e pakompromis, e shkruar me gjuhë të thjeshtë e të pasur”, thuhet në njoftimin e Akademisë Suedeze, për laureaten e sivjetme, e cila kaherë është cilësuar si shkrimtare klasike moderne.
Gjuha si thikë në ambicien për të vërtetën
“Shkrimi për të është një akt politik që na hap sytë ndaj pabarazisë sociale. Dhe për këtë, ajo përdor gjuhën si ‘thikë’, siç e quan ajo, për t’ia hequr vellon imagjinatës. Në këtë ambicie të dhunshme, por të dëlirë për të zbuluar të vërtetën, ajo është gjithashtu trashëgimtare e Jean-Jacques Rousseau”.
Teksa për disa vjet me radhë, Akademia Suedeze, e cila shpall fituesit e çmimit “Nobel”, ka befasuar publikun e gjerë, duke nxjerrë fitues figura kontaverse, si Petar Handke i 2019-s, këtë vit ajo ka befasuar edhe një herë, kur çmimi, i cili nga shumë njerëz besohej se do ta merrte Salman Ruzhdie, shkoi për shkrimtaren Ernaux, e cila nuk përmendej në bastet e zakonshme që zor se ia qëllojnë fituesit.
Në anën tjetër fakti se kjo shkrimtare është shpërblyer me çmimin më të madh që jepet për letërsi, mund të merret edhe si miratim i një frymë të re letrare, të paralajmëruar qe një kohë edhe nga studiues e kritikë të njohur të letërsisë, faktin se letërsia e ditëve të sotme po krijon një identitet të vetin, i cili dallon nga rrymat e mëhershme letrare, për shkak se lidhet më shumë me faktin sesa me fiksionin.
“Une Femme”, “La Place” dhe “Passion simple” janë disa prej veprave më të njohura të saj. Të përkthyera e botuara në shqip janë: “Kujtime vajze”, “Vendi i babait”, “Pasion i thjeshtë” e “Vitet”. Janë vepra të shkurtra e të mprehta.
E shkurtër ka qenë edhe në fjalën e saj pas marrjes së çmimit që vjen me shpërblimin gati 1 milion euro.
Si shkrimtare të “jashtëzakonshme dhe unike” e ka cilësuar gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, tashmë nobelisten franceze, Annie Ernaux. Në po të njëjtin artikull, teksa flitet për fillet e karrierës së saj, thuhet se Ernaux fillimisht ishte përpjekur të shkruante gjatë kohës kur kishte qenë në kolegj, por që botuesit e kishin refuzuar librin e saj, duke e cilësuar si “shumë ambicioz”.
“Ajo nuk shkroi më deri në të 30-at, kur ishte nënë e martuar me dy fëmijë dhe duke punuar si mësuese e frëngjishtes”, shkruan “The New York Times”.
Në një intervistë që Ernaux kishte dhënë për NYT në vitin 2020, kishte bërë të ditur se romanin të botuar në anglisht me titullin, “Cleaned Out” e kishte shkruar në fshehtësi sepse burri i saj ishte tallur më përpjekjet e saj të mëhershme për të shkruar një roman. Menjëherë pas publikimit të këtij romani, ai kishte mbajtur po të njëjtin mendim me ç’rast gruas së tij iu kishte drejtuar me fjalët: “Nëse je e aftë të shkruash një libër në fshehtësi, atëherë je e aftë të më tradhtosh”, kishte bërë të ditur Ernaux për NYT.
Duke pasur për bazë këtë martesë, Ernaux kishte nisur edhe shkrimin e një romani ku përshkruante martesën e palumtur. Në libra të tjerë, kjo shkrimtare rrëfen përvojën me sëmundjen e Alzheimerit, nga e cila vuante nëna e saj, dhe atë të kancerit, me të cilin ishte diagnostikuar vetë autorja.
Nga NYT bëhet e ditur se lajmin si fituese e “Nobelit”, Ernaux e kishte marrë nga radio, ndërsa në një prononcim të shkurtër për media, ajo ishte shprehur: “Jam shumë e lumtur - jam krenare”.
Që nga viti 1901, prej kur ndahet “Nobeli” për letërsi, Ernaux është shkrimtarja e 17-të që e ka fituar këtë çmim. E para franceze. Shkrimtare të tjera që morën këtë çmim përfshijnë emra si: Louise Gluck, Olga Tokraczuk, Svetlana Alexievich, Alice Munro, Herta Müller, Toni Morrison e të tjera.
Ernaux debutoi me “Les Armoires Vides” më 1974, në të cilin përshkruhet një abort që vetë autorja e kishte kryer gjatë kohës kur një gjë e tillë ishte e ndalur me ligj në Francë; “Passion simple”, ku përshkruhet afera që Ernaux kishte pasur me një diplomat të huaj, të martuar, “Les Années”, në të cilin autorja kujton të kaluarën e saj me një ndërlidhje me të tashmen dhe një projektim për të ardhmen.
Në vitin 1998, shkrimtarja amerikane, Claire Messud, kishte shkruar për NYT duke thënë se romanet e Ernaux sfidojnë “kërkesat e zhanrit të saj – dëshirën për zbulim intim melodramatik dhe butësinë e tregimit të trilluar". Në vend të kësaj librat "ofrojnë një autenticitet të zjarrtë dhe zbulojnë rrëshqitjen e atyre që ne i quajmë kujtime”.
Ndërkaq, botuesi i saj britanik, Jacques Testard, i “Fitzcarraldo Editions”, në një intervistë telefonike dhënë për NYT, ka thënë se Ernaux është “një shkrimtare e jashtëzakonshme dhe unike, e cila për dekada shkroi se si është të jesh grua në shekujt 20 dhe 21”, duke shtuar se librat e saj janë të rëndësishëm nga pikëpamja shoqërore dhe politike brenda dhe jashtë Francës, duke pasur parasysh ngjarje të tilla, si përmbysjen që Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara i bëri ligjit që mbronte të drejtat për abort.
Kamberi: Ernaux, shkrimtare e feministe që flet thjesht për tabu
Annie Ernaux ka lexuesin e vet edhe në Kosovë. Nerimane Kamberi, profesoreshë e degës së letërsisë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se Ernaux është një autore e cila nuk është e njohur vetëm në Francë, por edhe jashtë saj dhe madje për të është folur e janë shkruar studime e kritika të shumta.
Si shkrimtare me stil uniform, të thjeshtë e ku dallohet ndikimi i temave sociologjike, e ka cilësuar Kamberi autoren Annie Ernaux, të cilën ka thënë se e pëlqen fort.
“Është shkrimtare dhe feminste. Një shkrimtare e cila me stilin e saj, me një stil të thjeshtë, në një stil uniform, flet për shoqërinë, për gjinitë, flet për tema tabu sigurisht, abortin, dashurinë mes moshave të ndryshme, por sidomos te kjo autore kemi një intertekstualitet nga fusha e sociologjisë”, ka thënë Kamberi, duke shtuar se është autore që thur tema të shoqërisë, prejardhjes së familjes së saj modeste. “Sepse vepra e saj është kryesisht apo thuajse e tëra autobiografike”, ka thënë Kamberi. Por në leximin e parë, Kemberin s’e kishte impresionuar vepra e saj. Por kjo kishte ndryshuar me kohë.
“Këtë shkrimtare e kam njohur përmes një shoqeje parisiene dhe në herën e parë kur e kam lexuar disi jam stepur, nuk është se më ka pëlqyer me herën e parë, nuk është që ka qenë dashuri në lexim të parë sepse me të vërtetë stili i saj më dukej shumë i ftohtë, shumë uniform, shumë i thjeshtë, por në të vërtetë ajo kështu me thjeshtësinë e saj hyn në përshkrime precize, pothuajse një ese sociologjike”, ka thënë Kamberi për KOHËN.
Ndërkaq nga romanet e shumta që ka lexuar nga kjo autore, Kamberi ka veçuar romanin “Les Annes”.
“Në ‘Les Années’ autorja flet për Francën e klasës punëtore, një fotografi bardhezi të një vajze në një plazh dhe faktikisht flet për ëndrrat e saj, ambiciet e saj. Rrëfimi është shumë sensual, me fjalë të thjeshta. Tregon për kalimin e viteve që nga pas lufta e deri më sot, mjedisin dhe rrethin e saj. Pra vjen nga një familje modeste dhe faktikisht ajo tregon se si arrin suksesshëm të dalë nga ky mjedis modest dhe të bëhet intelektuale e madje edhe shkrimtare”, ka thënë Kamberi.
Por romanet e saj vështirë se gjenden në vitrinat e librarive në Kosovë, ani pse janë botuar në shqip nga shtëpi botuese në Shqipëri. “Dudaj” ka kohë që kishte botuar tri romanet e saj: “Pasion i thjeshtë”, “Kujtime vajze" dhe "Vendi i babait", por përveç katër ekzemplarëve të “Pasion i thjeshtë”, të cilat ishin të enjten në librarinë “Dukagjini”, romanet e kësaj autoreje nuk është se qarkullojnë edhe aq.
Por pas ndarjes së çmimit “Nobel” për letërsi, interesimi për këtë autore është rritur dukshëm dhe këtë e kanë konfirmuar edhe dy prej librarive të Prishtinës: “Buzuku” dhe “Dukagjini”. Ata kanë bërë të ditur gjithashtu se qytetarët e interesuar shumë shpejt do të mund t’i gjejnë librat e Ernaux nëpër libraritë e tyre.
“Nga kjo autore ne kemi vetëm një titull të quajtur ‘Pasion i thjeshtë’. Kërkesa për këtë libër më herët nuk ka pasur. Në gjuhën angleze nuk kemi asgjë. Momentalisht as porosi nuk mund të bëjmë sepse nuk ka sasi të librave të saj. Meqenëse ajo është shpallur nobeliste do të jetë prezente edhe në gjuhën angleze e edhe në gjuhën shqipe”, ka bërë të ditur Zgjim Sherifi nga “Dukagjini”.