Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Paradoksaliteti si fuqi e vizionit për botën në zhanrin e tregimit

Si objekt qëllimor i ndërgjegjes artistike letrare, është një ofertë për mënyrën se si ndërgjegjja njerëzore mund ta synojë rregullsinë në parregullsinë e botës së jashtme. Si thirrtar i lexuesit për ballafaqim me antinomitë e realitetit të vet ekzistencial, paradoksaliteti në kontekstin e të qenët objekt i arsyes teorike (ndërgjegjes artistike letrare) përmban energji të mëdha reflektuese emancipuese

Hyrje

Paradoksaliteti është një nga karakteristikat themelore të marrëdhënies së njeriut me botën.

A mundet dhe si mund të ekzistojë njeriu në një botë dhe të vendosë marrëdhënie me të në gjendjen e pakuptimësisë së ekzistencës së vet në të?

Paradoksaliteti luan një rol qendror në përcjelljen e ndjenjës më akute të përgjegjësisë ndaj lirisë në kompleksitetin e marrëdhënieve që njeriu vendos me botën. Për shkak se përmban potencialin e lidhjes së maksimumit të tipareve dhe marrëdhënieve kontradiktore në masën më të vogël të objekteve e të ngjarjeve, paradoksaliteti, si objekt i refleksionit artistik, i përgjigjet organikisht zhanrit të tregimit, akti qëllimor artistik i të cilit është që me pak të shprehë shumë.

Image

Paradoksaliteti si (pa)mundësi

Paradoksaliteti, si objekt qëllimor i ndërgjegjes artistike letrare, është një ofertë për mënyrën se si ndërgjegjja njerëzore mund ta synojë rregullsinë në parregullsinë e botës së jashtme. Si i tillë, paradoksaliteti është një vend-hapje e Qenies (Hajdegeri), prej nga lindin vendimet dhe orientimet për mënyrat tona perceptimore e njohëse. Si thirrtar i lexuesit për ballafaqim me antinomitë e realitetit të vet ekzistencial, paradoksaliteti në kontekstin e të qenët objekt i arsyes teorike (ndërgjegjes artistike letrare) përmban energji të mëdha reflektuese emancipuese.

Në kuptimin ontologjik, paradoksaliteti është në të njëjtën gjini me negacionin, por as për nga struktura e as për nga funksioni që ka në raport me veten dhe gjënë me të cilën vetja e tij është në relacion, paradoksaliteti si tipar ontologjik i gjërave nuk është i njësishëm me negacionin. Në qoftë se për Kantin antinomitë përfaqësojnë pamundësinë e të kuptuarit, për Hegelin, antinomitë janë burim i lëvizjes së brendshme drejt qëllimit përfundimtar: “frymës absolute”. Përkundër pikëpamjes së idealizmit objektiv të Hegelit, sipas së cilës kuptimet e veçanta janë pjesë dhe momente të kuptimit të përgjithshëm, si shprehje e “frymës absolute”, pikëpamja absurdiste e Kamysë konsideron se vetë bota nuk përmban asnjë qëllim kuptimor, prandaj është absurde që të kërkohet kuptim aty ku mungon qëllimi kuptimor. Përkundër kësaj, pikëpamja ekzistencialiste (Sartri) i mëshon fort idesë së mundësive që vullneti i lirë i jep njeriut për t’u angazhuar për një rend kuptimësie në botën e “pakuptimtë”. Ashtu sikurse edhe Kanti me filozofinë morale të “Kritikës së arsyes praktike”, ashtu edhe Sartri me humanizmin ekzistencialist të tij konsiderojnë se aftësia për të zgjedhur është e pandarë nga kuptimi, në të vërtetë kuptimi është një entitet qëllimshmërie i aftësisë së njeriut për të zgjedhur në mënyrë autonome.

Cila duhet të jetë pikënisja prej nga duhet të ndriçohet kontesti hermeneutik, të cilin e shkakton fenomeni i paradoksalitetit në marrëdhënien e njeriut me botën dhe me gjërat në të: njeriu, gjërat në botë, bota, veç e veç dhe në kohë të ndryshme, apo të gjitha këto së bashku në të njëjtën kohë?

Në thelb të kontradiktës së marrëdhënies së njeriut me botën është liria. Liria, duke qenë thellësisht e lidhur me ekzistencës njerëzore, njeriun e pajis me virtytin e karakterit dhe të dijes me qëllim që, ai me angazhimin e vet, të jetë i aftë t’i zbulojë tiparet thelbësore të botës dhe të qenieve në të, si dhe kapacitetet e fuqive të veta vepruese për t’u akomoduar në botë.

Dy modelet e ndriçimit të kundërthënshmërisë së marrëdhënies së njeriut me botën

Varësisht pozitës që do të marrë liria si refleks ndjenjor në ndërtimin e marrëdhënies së njeriut me botën, në tregimin bashkëkohor shqiptar mund t’i identifikojmë dy modele mbizotëruese të paradoksalitetit, si shfaqje e kundërthënshmërisë së marrëdhënies së njeriut me botën:

a) modeli, i cili bazohet në pikëpamjen ekzistencialiste; dhe

b) modeli, i cili bazohet në pikëpamjen ontologjiste-fenomenologjike.

Pikëpamje ontologjiste-fenomenologjike (hajdegeriane) origjinën e kundërthënshmërisë së marrëdhënies së njeriut me botën e kërkon te bota si fenomen, në të cilin është i përfshirën njeriu në të. Kërkimi i origjinës së qenies së njeriut duke pasur pikënisje Botën (Qenien), duke mos qenë i ndikuar nga vullneti i lirë i njeriut, nuk është një kërkim i një ngjarjeje brenda një rendi kronologjik ngjarjesh, por është kërkim i diçkaje që ka aftësinë e shpërthimit spontan e të papritur.

Pikëpamja ekzistencialiste origjinën e kundërthënshmërisë së marrëdhënies së njeriut me botën e kërkon, në njërën anë, tek bota, për të cilën kronologjia është përgjegjëse për zinxhirin e ngjarjeve dhe, nga ana tjetër, te (mos)vullneti i lirë i njeriut, i cili i përcakton kapacitetet e (mos)angazhimit të tij në botë. Shpërputhshmëria e kohës objektive e botës dhe perceptimi subjektiv i kohës nga njeriu brenda kontekstit të marrëdhënies kundërthënëse të tij me botën, përbën situatën më paradoksale, sepse sa tragjike, aq edhe komike.

Kështu, në tregimin “Hija” të përmbledhjes me tregime “Dielli i të vdekurve” (tregime,“OMSCA-1”, Tiranë, 2010) të Robert Priftit, liria si kusht ekzistencial për ndërtimin e marrëdhënies së njeriut me botën, jepet nga perspektiva e vizonit tragjik e grotesk për botën. Mungesa e lirisë, ashtu si edhe të qenët i lirë, nuk është kriteri absolut dhe i vetëmjaftueshëm me të cilën bota mund të jetë mirëkuptuese dhe e hapur për të hyrë në marrëdhënie me njeriun. Personazhi Nik Mara, shkrimtar, në tregimin “Hija” e humb lirinë e tij fizike për shkak të lirisë shpirtërore: frymës radikalisht kritike që përmban krijimtaria e tij letrare. Me humbjen e lirisë fizike (burgoset), përkundër dëshirës, ai është i shtrënguar t’i këpusë të gjitha lidhjet me gruan, djalin dhe me të afërmit e vet të tjerë. Këputja radikale e njëhershme e lidhjes me botën do të jetë këputje e përhershme. Pas lirimit nga burgu, përpjekja e Nik Marës për t’i rivendosur lidhjet me gruan, me djalin, me shtëpinë ku ka lindur (aty tashmë jeton dikush tjetër), me nënën (nëna i ka vdekur) del të jetë e kotë. Gruaja e mohon, djali tashmë i rritur, as që do t’ia dijë. “Riedukimi” (humbja e lirisë shpirtërore) nuk është faktor që e garanton ndonjë zemërgjerësi të botës ndaj Nikut. Për shkak të pamundësisë së vendosjes së lidhjes me botën në liri, Niku “edhe mbas kryerjes së dënimit do të vazhdonte të ishte i dënuar”. Dënimi i heshtur që i vjen nga bota përmes trajtash dhe në rrafshe të ndryshme të refuzimit të qenies së tij pas lirimit nga burgu, është tejet më i rëndë se shqiptimi administrativ i dënimit të tij nga diktatura me dhjetëra vjet heqje lirie.

Pas lirimit nga burgu, Niku tregohet tejet i kujdesshëm me miqtë e vjetër, duke i konsideruar pyetjet e tyre në bisedat e rastit, si provokime të planifikuara nga sistemi shtypës i regjimit. Por, i lodhur nga refuzimi i botës, që vjen qoftë në formë kategorike (gruaja, djali, të afërmit), qoftë në formë të dyshimit (miqtë e vjetër të fëmijërisë), mes ankthit të vetëvrasjes dhe rrezikut nga mundësia e dënimit të sërishëm me burgim, Niku përcaktohet për variantin e dytë: në një mjedis publik, ku ka shumë njerëz-dëshmitarë, ai e luan rolin e “heroit” – kundërshtarit politik të regjimit, me qëllim që të pranishmit ta denoncojnë tek organet shtetërore si person të rebeluar, armik të “pushteti popullor”, gjë kjo e cila edhe ndodh. Niku zgjedh robërinë (burgun) për të qenë i lirë shpirtërisht. Ai e di se bota e burgut dhe familja e vet, ajo e të burgosurve, mbetet gjithherë dashamirëse dhe mirëkuptuese për ekzistencën e tij. Ai kthehet në burg dhe kthimin e feston bashkë me shokët e përhershëm të burgut.

Vizioni ontologjist-fenomenologjik për paradoksalitetin

Në qoftë se në vizionin ekzistencialist të marrëdhënies paradoksale të njeriut me botën (siç e hasim në tregimet e Robert Priftit), liria ndaj detyrës dhe zgjedhjes ekzistenciale i paraprinë lirisë ontologjike; në vizionin e ontologjist-fenomenologjik për kundërthënshmërinë e marrëdhënies së njeriut me botën, një rend i tillë hierarkik përmbyset: është liria ontologjike ajo që i paraprin lirisë ekzistenciale (ndjenjës së përgjegjësisë ndaj detyrës dhe ndaj zgjedhjes). Në qoftë se në modelin ekzistencial paradoksaliteti shpërfaqet përmes kategorive dihotimike, në modelin ontologjist-fenomenologjik, paradoksaliteti shpërfaqet përmes kategorive sinonimike.

Në tregimet e përmbledhjes “Njerëzit vdesin të premten” (“Papirus”, Tiranë, 2018) të Artan Fugës paradoksaliteti na shfaqet si instrument i mënyrës dekonstruktiviste të të perceptuarit dhe të të menduarit të kushteve të ekzistencës shqiptare, si dhe të gjendjes njerëzore të njeriut shqiptar, i cili, pas viteve ’90, si në një qiell të hapur, mbetet pa levat morale njohëse që e përcaktonin kuptimin që ai e kishte më parë për ekzistencën e tij në botë. Kur themi mënyra dekonstruktiviste e të perceptuarit, kemi parasysh faktin se Fuga në tregimet e tij na sjell vrojtime, përfytyrime e perceptime reflektive, të cilat nuk janë ndërtuar mbi bazën e kategorive dihotimike, por duke i rikonceptuar marrëdhëniet e të njëjtave kategori dihotimike në një rend sinonimik marrëdhëniesh të tyre. E shenjta dhe profania, krimi dhe humanizmi, vrasja dhe bamirësia, solidariteti dhe egoizmi, e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, ndjenja e nostalgjisë për të kaluarën dhe ndjenja e hakmarrjes ndaj së kaluarës, në kontekstin e një bote pa leva morale, në tregimet e Fugës nuk janë në marrëdhënie kundërshtie, por në një raport përplotësimi e bashkekzistence mirëkuptuese të ndërsjellë ndërmjet vete.

Tregimi “Njerëzit vdesin të premten”, në përmbledhjen e tregimeve të Artan Fugës me të njëjtën titull, fillon me imazhin e marrëdhënies që narratori ka me natyrën (liqenin e Pogradecit) dhe me qeniet e gjalla në të (peshqit e vegjël, të cilët të tufëzuar, lundrojnë në liqen). Imazhi i unitetit të substancës mëvetësore, që krijon parimin unik të gjallërimit të të gjitha qenieve dhe natyrës, çahet kur në mes ndërfutet vetëdija për vullnetin subjektiv të njeriut në raport me vdekjen. Në modernitet, me vdekjen e Zotit, vendimin për vdekjen e marrin të afërmit tanë. Njeriu përpëlitet në shtrat duke refuzuar të vdesë, sepse vdekja e tij është kolonizuar nga dëshira e dikujt për “ta vrarë”.

“Njeriut i ka ngelur vdekja si kopili në derë. Dhe këtë vendim do ta marrin të afërmit tanë. Pra, të dashurit tanë. Kështu i afërmi, edhe pse mbetet një qenie e dashur, kthehet në vrasësin tonë të ardhshëm, në Zotin tonë, ai që mban vendimin se kur ne do të ikim nga kjo botë. Ai do ta përcaktojë edhe çastin kohor... se kur do të ikim nga kjo jetë; këtë çast do ta përcaktojë ai në funksion të shumë rrethanave që janë pjesë e jetës së tij të përditshme. Por, gjithsesi jeta ose vdekja nuk do të varen më nga Zoti, por nga humoret, depresioni, çastet e gëzuara, lodhja nervore, ngarkesa në punë, e të afërmit tanë që do të ketë në dorë vendimin për të na vrarë... Kjo vrasje do të jetë akti më sublim, i fundit, i dashurisë njerëzore”. (Artan Fuga, “Njerëzit vdesin të premten” fq. 110)

Pse “vullneti i lirë” i njeriut ndaj vdekjes në tregimin “Njerëzit vdesin të premten” nuk është i karakterit ekzistencial, por ontologjist-fenomenologjik? Sepse, “vullneti i lirë” në raport me vdekjen nuk mbetet as çështje detyre, as çështje zgjedhjeje e as çështje e vendimit të individit që lëngon nga sëmundja dhe është në prag të vdekjes. Statusi i marrëdhënies së individit që lëngon nga vdekja ontologjikisht nuk ka ndryshuar. Ai është i njëjtë. Ai që ka ndryshuar është autoriteti që merr vendimin dhe e përcakton çastin e vdekjes: autoriteti i Zotit në epokën paramoderne, në epokën transhumane është zëvendësuar me autoritetin e të afërmit. Rendi subjektiv i marrëdhënies së njeriut me vdekjen ka mbetur i paprekur. Lëkundjet kanë ndodhur në rendin objektiv: rendi transcendental i marrëdhënies (Zoti-vdekja-njeriu) është zhvendosur në rendin kontekstual-social (të afërmit-mjekët-vdekja-individi). Përpjekja e pikëpamjes transhumaniste për botën për të vendosur monopol mbi vdekjen përmes ushtrimit të kontrollit në fizikalitetin e qenies së njeriut, nuk është zgjidhja e problemit të vdekjes, por futja në një horizont të ri krize të marrëdhënies së njeriut me vdekjen, rrjedhimisht edhe me botën. Në vend se të krijojë një pamje më të qartë të të kuptuarit të marrëdhënies së njeriut me botën dhe me gjërat në të, akti transhumanist i monopolizimit të vdekjes nga njeriu etikën e mendjes njerëzore e fut në një rreth vicioz më kompleks pakuptimësie.

Nëpërmjet konceptimit postmodern të ironisë, në tregimet e Fugës uni i subjektit merr pozicion baraslargese midis sistemeve të ndryshme koordinative ku ndodhin fenomene, qofshin ato që i takojnë të njëjtës gjini, qofshin ato që u takojnë gjinive të ndryshme kategoriale. Për rrjedhojë, kujdesi për të sëmurët dhe të pafuqishmit zbulohet si vrasje, pra vdekja e natyrshme është vrasje, ndërsa vrasja - shpëtim; Juda nuk është tradhtari, por përmbushësi më radikal i vullnetit të Hyjit për çlirimin e njeriut nga mëkati.

Në tregimin “Sekreti i filatelistit”, jepet paradoksaliteti i zhdukjes së fuqisë “gjigante” të një “kohe të madhe” përballë fuqisë së një “çasti të imtë” kohor, i cili “rastis” të ndodhet jashtë kufirit të fuqisë “gjigante” të “kohës të madhe”. Një “çast” i padukshëm e bën të padukshëm një “kohë monumentale”. Në tregimin “Sekreti i filatelistit”, shpërfaqet drama e ekzistencës në kohë e fuqisë së pushtetit politik përballë fuqisë së kohës së një individi.

Filatelisti (mbledhësi dhe seleksionuesi i pullave postare nëpërmes së cilave shënjohet historia e vendeve dhe e mbarë njerëzimit), është i padukshëm në kohë. Por, ai është dëshmitar i pakohësisë:

“Çdo pushtet e ha koha. Pasi pushteti ha kohën, i vjen radha kohës ta hajë pushtetin. Duke ngrënë kohën, pushteti ha edhe veten e vet”. (Artan Fuga, fq. 166)

Filatelisti nuk është ndonjë person që revoltohet ndaj regjimit, por ai mbetet disidenti më i thellë i diktaturës. Me veprimtarinë e vet prej filatelisti, duke qenë vetë “i pakohë”, ai bëhet dëshmitari që vërteton hiçësinë e qenies së kohës së diktaturës komuniste. Ai është disidenti ontologjist i ekzistencës së diktaturës.

Në tregimet e Artan Fugës, paradoksaliteti shfaqet si imazh, ku elementi përfytyrues dhe elementi i dijes për marrëdhëniet e jetës me vdekjen, solidaritetin dhe egoizmin, dashurinë dhe indiferencën, përjetësisë dhe përkohësisë janë brenda një akti sintetik të ndërgjegjes artistike, e cila modelohet përmes një konceptimi postmodern të marrëdhënieve të kategorive estetike të ironisë, groteskut e tragjikes.

Përfundim

Përkundër mendjes filozofike, e cila kontradiktat dhe kundërthënshmërinë e marrëdhënies së njeriut me botën përpiqet ta interpretojë dhe shpjegojë përmes kategorive dhe koncepteve, si instrumente të njohjes racionale, mendja letrare, si një nga format thelbësore të njohjes në dhe për ekzistencën njerëzore, kontradiktat dhe kundërthënshmërinë e marrëdhënies së njeriut me botën na i paraqet përmes objekteve, ngjarjeve, historive, shëmbëlltyrave, imazheve të situatave dhe perceptimeve intuitive. Përmes objekteve të vendosura në ngjarje dhe përmes shëmbëlltyrave të dhëna në trajtën e imazheve, paradoksaliteti në zhanrin e tregimit i bën të dukshme kurthet e pamundësisë së gjendjes së vetëdijes njerëzore për ta njohur tërësinë e situatës së vet ekzistenciale e ontologjike dhe kuptimin e saj. Si i tillë, paradoksaliteti, është një fuqi nxitëse e vizionit për botë me ndikim në gjendjen e shijes dhe gjykimit estetik të lexuesit.

Paradoksaliteti i përcakton kufijtë e aftësive krijuese, kufijtë e horizontit të pritjes të një letërsie, si dhe mundësitë e saj emancipuese në kohë!

Artikuj të ngjashëm