Në kontekstin tonë kohor, me zhvillimin e teknologjisë dhe veçanërisht të inteligjencës artificiale, çështja e origjinalitetit bëhet edhe më komplekse. Programet e IA-së janë në gjendje të prodhojnë tekste që imitojnë me saktësi stile të autorëve të njohur. Megjithatë, këto tekste krijohen përmes analizës statistikore të korpuseve ekzistuese dhe nuk burojnë nga përvoja e jetuar. IA nuk zotëron subjektivitet, qëllim estetik apo ndërgjegje morale
Autore: Yllka Maqedonci
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë diskursin letrar, nocioni i origjinalitetit vazhdon të perceptohet si një vlerë absolute dhe pothuajse mitike, e lidhur me idenë e shpikjes radikale. Ky perceptim, megjithatë, bie ndesh me vetë historinë e letërsisë dhe me mënyrën se si funksionon procesi krijues.
Origjinaliteti është një koncept që nënkupton aftësinë e të menduarit në mënyrë të pavarur dhe kreative. Si nocion abstrakt, ai lidhet me idenë e individualitetit krijues dhe me mënyrën se si subjekti artistik pozicionohet ndaj traditës. Në krijimtarinë letrare është një nga konceptet më të keqkuptuara, madje shpesh i idealizuar në mënyrë naive, ose, më saktë, ndër më të keqpërdorurat.
Shpesh mendohet se të jesh origjinal do të thotë të shpikësh tema, struktura ose ide krejtësisht të reja, të padëgjuara më parë. Ky kuptim esencialist i origjinalitetit e redukton procesin krijues në akt shpikjeje absolute, por historia e krijimit letrar dëshmon të kundërtën. Asnjë autor nuk shkruan nga zeroja, në një vakum kulturor, pa ndikimin e leximit të mëparshëm, të traditës letrare, të kontekstit shoqëror-kulturor ku jeton, të përvojave personale dhe të horizonteve ideologjike të epokës së vet.
Krijimi letrar është një proces i ndërlikuar që fillon me përvetësimin e modeleve ekzistuese dhe përfundon me individualizimin e tyre. Ky proces mund të përshkruhet si një lëvizje nga imitimi drejt transformimit. Shkrimtari lexon dhe përthith stile, tema dhe struktura të ndryshme, por në momentin e shkrimit i përpunon ato përmes ndjeshmërisë së vet emocionale dhe intelektuale. Një temë universale si dashuria, e trajtuar ndër shekuj në poezi dhe romane, mund të bëhet origjinale jo sepse paraqitet për herë të parë, por sepse interpretohet nga një këndvështrim i ri, me një thellësi psikologjike ose simbolike. Origjinaliteti qëndron te këndvështrimi, gjuha dhe mënyra e ndërtimit estetik, te sintaksa e mendimit dhe te zëri autorial, jo te risia absolute e temës.
Letërsia zhvillohet përmes dialogut të vazhdueshëm ndërmjet teksteve, brezave dhe traditave, proces që në teorinë letrare njihet si intertekstualitet. Siç argumenton Julia Kristeva, çdo tekst është një mozaik citimesh, një përthithje dhe transformim i teksteve të tjera. Origjinaliteti, pra, nuk është mungesë ndikimesh, por aftësia për t’i përthithur ato në mënyrë kritike dhe për t’i shndërruar në një formë të re shprehjeje artistike.
Shembujt e klasikëve botërorë e vërtetojnë qartë këtë parim. “Iliada” dhe “Odisea”, që i atribuohen Homerit, janë poema epike themelore të Greqisë së lashtë, me shumë gjasa të kompozuara në shekullin VIII p.e.s. dhe të kristalizuara nga një traditë e gjatë orale. Homeri nuk shpiku mitet mbi luftën e Trojës, por i sistemoi dhe i kodifikoi rrëfimet që qarkullonin prej shekujsh në traditën gojore greke. Shakespearei, po ashtu, nuk krijoi nga e para historitë e dramave të tij. “Romeo dhe Zhulieta” bazohet në burime italiane, ndërsa dramat historike rrjedhin nga kronikat angleze. Origjinaliteti i tij qëndron në fuqinë gjuhësore, kompleksitetin psikologjik të personazheve dhe intensitetin dramatik të konfliktit.
Goethe rimori legjendën mesjetare të Faustit, por e shndërroi atë në një reflektim filozofik mbi kufijtë e dijes njerëzore dhe etjen ekzistenciale për kuptim. James Joycei ndërtoi romanin modern “Uliksi” mbi strukturën e “Odisesë” së Homerit, duke e dekonstruktuar mitin epik dhe duke e përkthyer atë në përvojën fragmentare të modernitetit urban. Në të gjitha këto raste, origjinaliteti lind nga ripërdorimi krijues i materialit ekzistues.
Letërsia shqiptare ofron gjithashtu shembuj domethënës të kësaj forme krijimi. Ismail Kadare i është kthyer vazhdimisht mitit, folklorit dhe historisë kombëtare për të trajtuar tema universale. Në romanin “Kështjella”, luftërat mesjetare funksionojnë si alegori të përplasjeve ideologjike të shekullit XX; në “Kush e solli Doruntinën”, balada e besës shndërrohet në një roman metafizik që shqyrton raportin midis betimit, përgjegjësisë morale dhe ndërgjegjes individuale. “Pallati i Ëndrrave” ndërton një univers distopik që rezonon me traditën kafkiane, por e përkthen atë në realitetin specifik historik dhe politik shqiptar. Kadareja nuk shpik mite të reja, por i riinterpreton ato, duke u dhënë kuptime të reja politike, etike dhe ekzistenciale.
Në kontekstin tonë kohor, me zhvillimin e teknologjisë dhe veçanërisht të inteligjencës artificiale, çështja e origjinalitetit bëhet edhe më komplekse. Programet e IA-së janë në gjendje të prodhojnë tekste që imitojnë me saktësi stile të autorëve të njohur. Megjithatë, këto tekste krijohen përmes analizës statistikore të korpuseve ekzistuese dhe nuk burojnë nga përvoja e jetuar. IA nuk zotëron subjektivitet, qëllim estetik apo ndërgjegje morale. Si rrjedhojë, produkti i saj mbetet imitues dhe derivativ, edhe kur është teknikisht i sofistikuar.
Një aspekt thelbësor i diskutimit është dallimi midis ndikimit dhe plagjiaturës. Ndikimi është një formë e ligjshme dhe produktive e dialogut letrar, ndërsa plagjiatura përfaqëson kopjimin mekanik pa transformim krijues dhe pa njohje burimi. Origjinaliteti kërkon ndërgjegje kritike dhe etikë krijuese.
Si përfundim, dallimi mes origjinalitetit, autorësisë dhe të qenit autor është thelbësor për ta kuptuar procesin krijues. Autorësia është një status formal dhe juridik; të qenët autor është një rol funksional; ndërsa origjinaliteti është një cilësi estetike dhe intelektuale që nuk garantohet automatikisht nga dy të parat.