Shtojca për Kulturë

Njohja e vlerave të eposit, shtetndërtimi në Shqipëri dhe Kosovë

EPOSI

Roli i eposit në shtetndërtim nuk mbaron këtu. Ai ka rëndësi edhe për afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Gjithashtu, eposi përdoret kundër shtetit të Kosovës. Miti i Kosovës përdoret nga Serbia për të mohuar të drejtën e Kosovës për pavarësi, dhe shtetit të Kosovës për të ekzistuar. Për më tepër edhe vetë eposi shqiptar përdoret për këtë qëllim (Foto: Driton Paçarada)

Përpjekjet e elitave politike për ta përdorur eposin në funksion të shtetndërtimit (simbolik), vërehen si në Shqipëri në shekullin XX, por edhe në Kosovë në shekullin XXI. Te Shqipëria fillimisht, e shohim se shteti i ri shqiptar e njihte vlerën e eposit për shtetndërtim. Nëse kthehemi te Kosova, edhe këtu shohim një përpjekje të shtetit të ri për ta asocuar veten me eposin për shkak të rëndësisë së tij në trashëgiminë kulturore kombëtare

Eposi ka ndikuar në zhvillimin e nacionalizmit romantik përmes letërsisë dhe poemave nacionale. Ky ndikim ka qenë pjesë e përpjekjeve për krijimin e shtetit shqiptar në fillim të shekullit XX. Dhe një refleks i këtij fenomeni shihet edhe një shekull më vonë në përpjekjet për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Mirëpo, këtu do të fokusohem te përpjekjet e elitave politike për ta përdorur eposin në funksion të shtetndërtimit (simbolik). Këto përpjekje vërehen si në Shqipëri në shekullin XX, por edhe në Kosovë në shekullin XXI. Në të dyja rastet këto përpjekje janë të vetëdijshme dhe të qëllimshme.

Nëse e marrim shembullin e Shqipërisë fillimisht, e shohim se shteti i ri shqiptar e njihte vlerën e eposit për shtetndërtim. Publikimi i parë serioz i eposit ka ndodhur me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, “Visaret e Kombit” më 1937 (Dushi, 2016) (Neziri, 2016). Kjo nuk është e rastësishme dhe përbën një dëshmi të fortë të përpjekjeve të shtetit shqiptar për ta asocuar veten me eposin si trashëgimi nacionale.

Nëse kthehemi te Kosova, edhe këtu shohim një përpjekje të shtetit të ri për ta asocuar veten me eposin për shkak të rëndësisë së tij në trashëgiminë kulturore kombëtare. Konferenca e parë mbi eposin u organizua në vitin 2010, me mbështetje të shtetit të Kosovës. Kjo kishte ndodhur vetëm dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, dhe 11 vjet pas çlirimit të Kosovës (Neziri, 2016).

Edhe nëse i shohim punimet e konferencës, vërehet se ka përpjekje të qëllimshme për ta lidhur eposin me kombndërtimin dhe shtetndërtimin. Në fjalën hyrëse, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, mes tjerash thotë: “Konferenca është një aktivitet me pasojë afirmimin e mëtejmë të identitetit shqiptar në përgjithësi dhe të identitetit të shtetit të Kosovës në veçanti”, (Matoshi 2016, p10). Siç vërehet, ka përpjekje të vetëdijshme për ta vënë eposin në funksion të shtetndërtimit por edhe të kombndërtimit, edhe te elita akademike.

Për më tepër, e njëjta elitë akademike është e kujdesshme që ta theksojë se shtetndërtimi i Kosovës nuk është në dëm të kombit shqiptar. Kjo vërehet edhe në citatin më lart ku nënvizohet identiteti shqiptar krahas atij shtetëror të Kosovës. Por gjithashtu kemi përpjekje për të ruajtur ose (ri)formësuar identitetin e përbashkët shqiptar. Dy hulumtues të rëndësishëm të eposit e vënë theksin te “përpjekjet për të mbivlerësuar dallimet deri në atë masë sa që është diskutuar krijimi i një identiteti të veçantë kosovar krahas atij shqiptar”, (Neziri dhe Sinani, 2016, p23). Nga konteksti kuptohet se ata janë kundër këtyre përpjekjeve dalluese. Pra kemi të bëjmë me qartësi intelektuale në favor të kombndërtimit shqiptar, dhe njëkohësisht shtetndërtimit kosovar.

Roli i eposit në shtetndërtim nuk mbaron këtu. Ai ka rëndësi edhe për afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Kosova po kërkon njohjen e Ciklit Mujovian (Këngët e Kreshnikëve) nga UNESCO si trashëgimi kulturore jomateriale. Kjo mund të shihet si pjesë e përpjekjeve për të forcuar njohjen ndërkombëtare në përgjithësi dhe për t’u anëtarësuar në UNESCO në veçanti.

Gjithashtu, eposi përdoret kundër shtetit të Kosovës. Miti i Kosovës përdoret nga Serbia për të mohuar të drejtën e Kosovës për pavarësi, dhe shtetit të Kosovës për të ekzistuar. Për më tepër edhe vetë eposi shqiptar përdoret për këtë qëllim. Akademikët serbë argumentojnë se eposi shqiptar është i huazuar nga ai boshnjak dhe kjo përdoret për ta mohuar autoktoninë e shqiptarëve. Kurse mohimi i autoktonisë është një nga format e dehumanizimit që vihen në shërbim të spastrimit etnik gjenocidal, gjë që u pa në luftën e viteve 1998-1999.

Kërkimet mbi eposin

Para se të vazhdoj të flas për origjinën e eposit, do ta bëj një shqyrtim të shkurtër të hulumtimeve mbi eposin. Kërkimet e deritashme mbi eposin kanë disa tipare. Ato janë: Konsensus mbi konfliktin shqiptaro-sllav gjatë/pas migrimeve sllave. Preokupim me kundërshtimin e pretendimeve për origjinën boshnjake. Fokus në mesjetë, gjatë dhe pas migrimeve sllave, pa emra të personazheve historike. Fokus në lidhje eurojugore dhe grekoromake; lidhjet veriore/gjermanike injorohen. Keqkuptime gjuhësore (emërtimi Shka/shkije i antagonistëve merret i mirëqenë të nënkuptojë sllav; por duhet të jetë “barbar”, shih gr. xenos). Albanizmi/Orientalizmi (p.sh. keqpërkthimi i dikotomisë Jutbina/Krajlia si Vendi i myslimanëve/Vendi i të krishterëve nga Elsie). Dhe një interes i ringjallur pas pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjeve për njohje nga UNESCO; dhe për fund procesi i digjitalizimit (Elsie, 2004) (Berisha, 2008) (Neziri and Sinani, 2016) (Krasniqi/AOE, 2022).

Origjina epike

Hulumtimi im dëshmon se frymëzime kyçe për këngët ishin ngjarje që lidhen me rënien e Perandorisë Romake Perëndimore në shekujt 5 dhe 6 (Cikli Mujovian), si dhe persekutimi dioklecianik dhe krishtërizimi i Perandorisë në shekujt 3 dhe 4 (Cikli Gjergjian).

Frymëzimet kryesore për këngët janë Luftërat Gotike dhe Inkursionet apo Sulmet plaçkitëse nga avarët e sllavët, hunët, dhe bullgarët si dhe kundërsulmet mbi ekspeditat barbare duke përfshirë sulmet mbi kampet barbare përtej Danubit.

Frymëzimi për këngët është periudha e migrimeve në përgjithësi, rënia e perandorisë romake perëndimore dhe përpjekjet e perandorisë romake lindore për ta rimarrë perëndimin nga mbretëritë barbare. Periudha e migrimit në fakt fillon qysh në shekullin e 3-të me ndryshimet klimatike të shekullit të 3-të të cilat rezultuan në “Krizën e shekullit të tretë” të Perandorisë Romake. Në shekullin e 4-të e shohim vendosjen masive në Ballkan të gotëve (gothëve), dhe në shekullin e 5-të kemi migrimet e fiseve të ndryshme si vizigotët e ostrogotët si dhe inkurzionet e hunëve. Kurse në shekullin e 6-të ndodhin migrime të mëtutjeshme të fiseve gjermanike, por edhe inkursionet e para avare, sllave e kutrigure. Kjo periudhë përfundon me dyndjet sllave në shekullin e shtatë.

Një frymëzim i rëndësishëm janë ndryshimet klimatike, sidomos “ngjarjet e vitit 536”. Në këtë vit ka ndodhur fenomeni i quajtur “dimri vullkanik i 536-ës” ku pati rënie të temperaturave verore, duke shkaktuar dëme në bujqësi. Për këtë arsye ky vit është quajtur “viti pa verë”. Gjatë periudhës për të cilën kryesisht bëjnë fjalë këngët, fillon e ashtuquajtura Epoka Akullnajore e Antikës së Vonë, apo Periudha Ftohëse e Antikës së Vonë (angl. Late Antique Little Ice Age - LALIA, Late Antique Cooling Period) (Büntgen et al., 2016). Gjatë kësaj periudhe (nga viti 536 deri rreth vitin 660 të erës sonë) ndodh ftohje e temperaturës dhe rritje e të reshurave në hemisferën veriore. Supozohet se këto ndryshime klimatike kanë ndikuar në zhvillime si përhapja e popujve sllavë dhe zgjerimi i kalifatit arab islamik. Fillimi i kësaj periudhe koincidon me tri shpërthime vullkanike, i pari i të cilave ndodh në mars të vitit 536 (dhe dy tjera në vitin 540 dhe vitin 547). (Büntgen et al., 2016; Helama et al., 2017; Newfield, 2018; Peregrine, 2020; Shih et al., 2022).

Ka referenca të ndryshme mbi sjelljen e çuditshme të diellit dhe klimës në epos, duke rezultuar në disa nga vargjet më të bukura poetike. Por ato bazohen në një realitet jo fort të bukur të krizës klimatike që kishte shkaktuar dëme në natyrë. Sa për ilustrim më poshtë është një fragment që u referohet më gjerësisht ndryshimeve klimatike të vitit pa verë:

Veç kjameti te dera kish ardhë,

si di Zoti, i madhi, për me e prue, robt e vet të tan-o me i marrë.

Tri javë dit-o mjegulla për pa u hjekë, plaf i zi mbi bjeshk-o tuj notue.

Tri javë ditë dielli n’shkrep pa shkrepë, edhe hana kun pa u dukë mi mal

qi natarit rrug’t-o ndriçon,

ja bân drit-o si ditën për ditë.

Tri javë ditë met llanxha si e dekun

Kur kujtuen se kjameti kish mrri,

e kur shpresë ndër shpirta s’kish metë mâ, âsht nalë shiu, të tânë frymë kanë marrë, me shpirt n’trup për s’dyti tânë kanë le.

Çka me pa, bre, ashtu po e kallxojnë, ka dalë dielli, ai koftë i bekuem!

Ka dalë dielli jetës me i dhanë jetë; janë derdhë ftyrat në gzim të pamasë; kanë dalë gjinja jashta për me pa,

për me e pa-o mrekullinë e Zotit. Kqyr çka bani ai Imeri i Ri

Kënga “Muja Mbyt Djalin e Vet Tue E Shtërngue Prej Malli”

Një tjetër ngjarje historike që reflektohet në epos është Murtaja e Justinianit. Kjo është murtaja e shkaktuar nga bakteria Yersinia pestis, që shpërtheu në vitet 541-542 të erës sonë. Supozohet që kjo murtajë ka shkaktuar vdekjen e miliona njerëzve në Perandorinë Romakë të Lindjes. Efektet e kësaj murtaje përfshijnë shpopullimin, sidomos të zonave urbane dhe rënien ekonomike.

Një frymëzim tejet i rëndësishëm i eposit janë reagimet shtetërore ndaj këtyre ngjarjeve që i listova më lart. Këtu rol të rëndësishëm kanë rritja e tatimit (shih Coemptio dhe quaestura exercitus) dhe metodat e ashpra të mbledhjes së tatimit pas zvogëlimit të popullsisë nga murtaja. Po ashtu, në epos reflektohen përpjekjet e Perandorisë për t’iu kundërvënë inkursioneve barbare (avare/sllave, hune e bullgare). Një ngjarje tjetër historike që reflektohet në epos është shtypja e trazirave “nika” që ndodhën në Kostandinopojë në vitin 532 të erës sonë.

Ngjarjet historike më të hershme që referohen janë Persekutimi dioklecianik dhe aktivitetet e mbretit got Teodoriku i Madh. Perandori Dioklecian (v. 284-305 e.s.) bëri përpjekje për ta ringjallur fenë e vjetër romake dhe për të shtypur krishterimin, sidomos në vitet 299, 301-303. Gjatë kësaj periudhe lindin legjendat e martirizimit të krishterëve në ushtri, ku bën pjesë edhe legjenda e Shën Gjergjit. Këto ngjarje dhe legjenda reflektohen në ciklin e Gjergj Elez Alisë. Pra, këto ngjarje janë ngjarjet më të hershme historike për të cilat mund të flasim me siguri se kanë ndikuar në eposin shqiptar.

Përveç, Persekutimit dioklecianik ose Persekutimit të madh, ngjarje tjera të hershme që reflektohen në epos janë veprimet e Teodorik Amalit (Theodorik), mbret i ostrogotëve (ostrogothëve) (v. 471-526 e.s.) i cili më vonë u njoh si Teodoriku i Madh. Në Betejën e Sirmiumit në gusht të vitit 489, ostrogotët i mundin gepidët e udhëhequr nga Thraustila, ungji i Mundit. Pas kësaj beteje, froni i gepidëve kalon tek i biri i Thraustilës, Thrasariku, duke shuar shpresat e Mundit për të marrë fronin gepid që Thraustila e kishte marrë nga babai i Mundit. Më pastaj, Mundi e lëshon oborrin gepid dhe me një çetë formon një mini-shtet në jug të Danubit. Në epos, Teodoriku paraqitet si personazh me emrin Tadia ose Todia.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Dr. Seb Bytyçi është politolog që shkruan për çështjet e shtetndërtimit, konfliktit dhe paqes, transformimit, normave kulturore dhe politikave publike. Ai është i angazhuar në AAB dhe është bashkëpunëtor i jashtëm (vizitor) në Universitetin e Uinçesterit. Ka përfunduar doktoratën në Universitetin e Jorkut, masterin në Universitetin e Indianës dhe masterin në Universitetin e Gracit, kurse baçelorin në Universitetin e Prishtinës.