Shtojca për Kulturë

Muzetë si ndërtues të identitetit

Muzetë si ndërtues të identitetit

Ky katalog mbetet jo vetëm një përmbledhje muzeore, por një deklaratë identitare: një ftesë për t’u lidhur më ngushtë me rrënjët tona dhe për të kuptuar se historia nuk është vetëm e shkruar, por edhe e jetuar, e ruajtur dhe e ndarë nëpër këto hapësira kujtese

Me një qasje të kujdesshme dokumentare dhe përzgjedhje të zgjuar vizuale, autori Valon Shkodra e kthen katalogun “Muzetë e Kosovës – Udhërrëfyes të identitetit tonë” në një burim të vlefshëm për studiues, edukatorë, por edhe për çdo qytetar të interesuar për trashëgiminë e vendit. Ai ia del të krijojë një udhëtim emocional dhe informativ që frymëzon vlerësim dhe kujdes më të madh ndaj institucioneve muzeale

Katalogu “Muzetë e Kosovës – Udhërrëfyes të identitetit tonë” i autorit Valon Shkodra, është një përpjekje e vlefshme dhe me rëndësi kulturore që sjell në vëmendje rolin e pazëvendësueshëm që kanë institucionet muzeale në ruajtjen, interpretimin dhe promovimin e trashëgimisë sonë kombëtare.

Përmes këtij botimi, studiuesi Shkodra jo vetëm që ofron një panoramë të gjerë të muzeve të vendit, por edhe e shpalos identitetin kolektiv të Kosovës përmes objekteve, dokumenteve dhe kujtesës së ruajtur në to.

Katalogu pasqyron muze të rëndësishëm si: Muzeu Kombëtar i Kosovës, Muzeu Etnologjik i Prishtinës, Muzeu i Prizrenit, Gjilanit, Pejës, Gjakovës, Ferizajt, Kamenicës, Vitisë, Mitrovicës, Skenderajt, Istogut, Muzeu Burgu i Idealit, Muzeu i Fëmijëve të Luftës (1999), Muzeu i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), si dhe një sërë koleksionesh memoriale e private që rrëfejnë historinë përmes një lente autentike dhe shpeshherë personale.

Në këtë katalog vihet në pah jo vetëm pasuria materiale e ekspozuar nëpër muze, por edhe ndjenja e përkatësisë dhe krenarisë për trashëgiminë tonë kulturore. Titulli “Muzetë e Kosovës–Udhërrëfyes të identitetit tonë” është i qëlluar, pasi këta muze vërtet funksionojnë si pika orientimi për të kuptuar të kaluarën, për të jetuar të tashmen me vetëdije dhe për të ndërtuar të ardhmen me themel të fortë.

Me një qasje të kujdesshme dokumentare dhe përzgjedhje të zgjuar vizuale, autori Valon Shkodra e kthen këtë katalog në një burim të vlefshëm për studiues, edukatorë, por edhe për çdo qytetar të interesuar për trashëgiminë e vendit. Ai ia del të krijojë një udhëtim emocional dhe informativ që frymëzon vlerësim dhe kujdes më të madh ndaj institucioneve muzeale.

Ky katalog mbetet jo vetëm një përmbledhje muzeore, por një deklaratë identitare: një ftesë për t’u lidhur më ngushtë me rrënjët tona dhe për të kuptuar se historia nuk është vetëm e shkruar, por edhe e jetuar, e ruajtur dhe e ndarë nëpër këto hapësira kujtese.

Katalogu “Muzetë e Kosovës – Udhërrëfyes të identitetit tonë”, është shumë më tepër sesa një listim i thjeshtë i muzeve në Kosovë. Ai përfaqëson një punë të palodhur hulumtuese, një përkushtim të sinqertë ndaj trashëgimisë sonë dhe një dëshmi të qartë se Valon Shkodra e ka për zemër ruajtjen e identitetit tonë kombëtar përmes muzeve. Duke e lexuar, ndjeva që secila faqe është fryt i një përvoje të drejtpërdrejtë, i terrenit, i kontaktit me njerëz realë dhe i një vëzhgimi të kujdesshëm dhe analitik.

Katalogu vjen në një kohë kur më shumë se kurrë kemi nevojë për platforma të tilla që e dokumentojnë dhe promovojnë trashëgiminë tonë kulturore, e cila shpesh rrezikon të harrohet apo neglizhohet.

Vlerë e veçantë e këtij botimi është jo vetëm dokumentimi i 69 muzeve – 46 institucionalë dhe 23 privatë – por edhe mënyra si janë prezantuar sfidat, problematikat dhe rekomandimet për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj fushe në Kosovë.

Një aspekt që del në pah është ndjeshmëria e autorit ndaj muzeve privatë dhe vullnetarizmit qytetar që i mban ato gjallë. Ai nuk e sheh këtë fenomen vetëm si një akt individual, por si një reflektim të vetëdijes kulturore që duhet të inkurajohet e të përkrahet.

Po ashtu, evidentimi i mungesave – si infrastruktura e papërshtatshme, mungesa e stafit profesional, qasja e kufizuar për personat me aftësi të kufizuara – është bërë me ndershmëri dhe profesionalizëm, pa e zbukuruar realitetin, por gjithashtu pa humbur shpresën se përmirësimi është i mundur.

Në thelb, Valon Shkodra ka krijuar një udhërrëfyes që u shërben jo vetëm profesionistëve të fushës, por edhe vizitorëve, studiuesve, studentëve dhe çdokujt që ka interes për të njohur historinë dhe kulturën tonë përmes muzeve. Ai ka ndërtuar një dokument që nuk mbyllet me faqen e fundit, por që hap shtigje të reja për diskutim, studim dhe angazhim të mëtejshëm.

E përgëzoj nga zemra autorin për këtë punë të vlefshme dhe të domosdoshme. Katalogu është një kontribut i jashtëzakonshëm për kujtesën kolektive dhe një mjet konkret për zhvillimin e mëtejshëm të muzeologjisë në Kosovë.