Trajektorja e zhvillimit të sportit modern, së paku në nivel institucional para shumë organizatave të karakterit edhe politik, edhe ekonomik të nivel global, shtron një pyetje kruciale se cili është karakteri i vërtetë i sportit, esenca e tij, dhe si arrin ta manifestojë vetveten qoftë në shembullin më pozitiv, qoftë edhe në atë negativ, nëpër krizat më të mëdha politike dhe shoqërore
Për nga dinamikat dhe ndryshimet shoqërore të cilat i kishte sjellë moderniteti si epokë, veçanërisht shekulli i nëntëmbëdhjetë cilësohet si periudhë e ndryshimeve të mëdha politike dhe shoqërore. Kjo periudhë konsiston edhe me zhvillimin e sporteve moderne dhe, më vonë gjatë atij shekulli, kthimin e Lojërave Olimpike.
Francezi Pierre de Coubertin, që njihet edhe si themeluesi apo vizionari i Lojërave Olimpike moderne, duke qenë edhe njohës i historisë dhe aspekteve të tjera të “edukimit shoqëror”, inicion idenë e tij për rikthimin në skenë të Lojërave Olimpike. Jo rastësisht si vend i organizimit të lojërave përzgjidhet Athina (1896), për të asocuar me Lojërat Olimpike të periudhës antike greke. Por ajo që është më e rëndësishme në aspektin sociologjik është karakteri kontrovers ideo-politik i Lojërave Olimpike moderne. Sipas Graham Scambler, në fillim të viteve 1890 vizioni i Coubertinit për t’i themeluar Lojërat Olimpike moderne kishte më shume karakter internacional, sesa bazuar vetëm në perspektiven nacionale. Në atë periudhë kohore, Pierre de Coubertin kishte bërë përpjekje të mëdha për ta paraqitur dhe mbrojtur idenë e tij.
Kryesisht për faktin e antagonizmave të kohës që mbizotëronin mbi karakterin e pikëpamjeve nacionale të organizimit shoqëror (Scambler - Sport and Society - History, Power and Culture). Gjithashtu është i rëndësishëm fakti se Coubertin politikisht ishte liberal dhe se pikëpamja internacionale për themelimin e Lojërave Olimpike i përshtatej vizionit të liberalizimit klasik të shekullit nëntëmbëdhjetë (Guttman, “The Olympics - A History of the Modern Games”). Por siç thekson Gutman, “Coubertin ishte i ndarë midis besimit në individualizëm dhe bindjes se nacionaliteti është tipari thelbësor dhe i domosdoshëm i identitetit individual. Internacionalizmi i tij nuk ishte kurrë kozmopolit” (Po aty). Megjithatë, vetë krijimi i Lojërave Olimpike moderne nga Coubertin për kohën simbolizonte parëndësinë e dimensioneve racore brenda botës së sportit dhe fundja edhe brenda sferës politike. Ndërsa me kalimin e kohës, eliminimi i barrierave ndër racore është bërë gradualisht një parim kryesor i olimpizmit (Po aty). Megjithatë periudha në fjalë dominohet nga rëndësia kombëtare e përfaqësimit institucional dhe kulturor. Ku në këtë mes hynte edhe sporti si veprimtari e institucionalizuar moderne. Për periudhën kohore në fjalë, që ishte kohë e konstituimit të kombeve moderne, si dhe njëkohësisht ballafaqimit me idetë dhe nevojën e organizimeve mbinacionale, sporti do ta gjente veten në dikotominë politike dhe identitare të përfaqësimit, që vazhdon edhe sot e kësaj dite, asaj të përfaqësimit nacional. Në Lojërat Olimpike në Stokholm në vitin 1912, sportistët nuk mund të hynin më në gara si individë, por vetëm si pjesë e ndonjë ekipi kombëtar (Whannel – “Culture, Politics and Sport Blowing the Whistle”).
Por rëndësia shoqërore e këtyre lëvizjeve të para institucionale drejt kapërcimit të barrierave kulturore, jo rastësisht haset në fushën e sportit. Madje shumë më herët sesa në praktika dhe veprimtari të tjera shoqërore. Por pavarësisht këtij progresi në nivel diskursiv për kohën, në sport elementet e racizmit dhe diskriminimit ndaj grupeve shoqërore apo etnike shfaqen shpesh, ashtu siç shfaqen në të njëjtën kohë reagimet shoqërore ndaj këtyre fenomeneve. Me një fjalë “sporti formon dhe stabilizon identitetet shoqërore dhe madje edhe politike në mbarë globin” (Markovits and RensMann – “How sports are reshaping global politics and culture”). Si parulla të karakterit politik-social, por edhe mobilizuese në nivel kulturor, janë thirrjet e vazhdueshme kundër racizmit, pastaj për barazi dhe gjithëpërfshirje në sport.
Aspektet e gjithëpërfshirjes gjinore në sport ishin prej debateve kyç. Si aspekt progresiv i këtyre zhvillimeve ishte përfshirja e grave në sporte në kuadër të Lojërave Olimpike.
“Gratë garuan për herë të parë në Lojërat Olimpike Moderne në Parisi 1900. Prej 997 atletëve 22 ishin gra, që garuan në pesë sporte si: tenis, lundrim, kriket, kalërim dhe golf” (Olympics), që kur e krahasojmë me të drejtën e votës që gratë fituan nëpër vendet perëndimore evropiane vetëm në vitet në vazhdim, për kohën ishte një arritje e lartë.
Edhe
Konica më 1936: Lodra e topit me këmbët – një rast kumari
Krizën më të madhe vlerat universale të sportit në kuptimin e tyre përbashkues, në Kontinentin Evropian, e patën në periudhën e nazizmit në Gjermani, me ç’rast propaganda e shtetit nazist, posaçërisht me rastin e Lojërave Olimpike, Berlini 1936, përmes botëkuptimit nacionalist tentoi të pengonte pjesëmarrjen e atletëve të kombeve të ndryshme, duke i gjykuar ata në bazë të përkatësisë racore, si dhe ta paraqiste idenë absurde të superioritetit të atletëve gjermanë. Megjithatë ky qe një dështim kolosal i kësaj propagande. Atletët afro-amerikanë nuk ishin të vetëm që minuan nocionin e superioritetit “arian”. Kishte edhe atletë nga Koreja dhe Japonia që fituan në disiplina të ndryshme sportive. Po ashtu ishte edhe një atlete hungareze me origjinë hebreje, Ibolya Czak, e cila kishte fituar medalje të artë në këto lojëra (Guttman)
Kjo trajektore e zhvillimit të sportit modern, së paku në nivel institucional para shumë organizatave të karakterit edhe politik, edhe ekonomik të nivel global, shtron një pyetje kruciale se cili është karakteri i vërtetë i sportit, esenca e tij, dhe si arrin ta manifestojë vetveten qoftë në shembullin më pozitiv, qoftë edhe në atë negativ, nëpër krizat më të mëdha politike dhe shoqërore. Për të ardhur deri te një konstatim më i qëndrueshëm duhet të gjurmohet edhe niveli antropologjik dhe fenomenologjik i shpjegimit për lojën. Sipas Johan Huizinga, “Loja është më e vjetër se kultura” (Huizinga – “Homo ludens - A study of the play-element in culture”). Ky pohim lë të kuptohet se përderisa kultura merr dimension edhe pedagogjik, por edhe ideologjik, varësisht nga epokat shoqërore dhe sistemet politike, loja si abstraksion nuk u nënshtrohet kritereve të tilla. Ajo është entitet origjinal që banon në qenien tonë dhe nuk mund të ndryshohet. Për më tepër loja ka potencial të krijimit të gjendjeve të reja, që shoqërohen edhe me përjetimin si elementin më të rëndësishëm. “Krijimi i diçkaje të re, megjithatë, ka një rëndësi të tillë vetëm kur është një vepër, një mishërim i ‘shpirtit’, domethënë, kur objektivi që rezulton mund të konsiderohet si përmbushja e funksionit të tij vetëm në karakterin e një objekti ideal, pra si një kompleks kuptimesh” (Markus – “Culture, Science, Society - The Constitution of Cultural Modernity”). Vizioni i Coubertinit për organizimin dhe themelimin e Lojërave Olimpike moderne është veç njëri prej argumenteve kryesore që dëshmon karakterin përbashkues dhe global të sporteve, gjithnjë nën idenë e diversitetit dhe harmonisë kulturore.