Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Ky libër na ra nga qielli si një meteorit”

“La mort me vient de ces yeux-là” (“Vdekja më vjen prej syve të tillë”, botuar në frëngjisht nga “Gallimard” më 1994

“La mort me vient de ces yeux-là” (“Vdekja më vjen prej syve të tillë”, botuar në frëngjisht nga “Gallimard” më 1994

Disa shkrime frëngjisht për romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”

Duke mos i pasur gazetat e revistat franceze, po botojmë këtu një vështrim të përmbledhur të linguistit shqiptar, Remzi Përnaska, për disa shkrime të autorëve francezë mbi romanin e botuar nga

“Gallimard” më 1994, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kritikja letrare franceze, Nicole Zand, në “Le Monde des Livres” shkruan: “Autori i këtij romani është një profesor i shquar i letërsisë së krahasuar në Universitetin e Prishtinës, por edhe një eseist, një autor dramatik, një polemist, një nga intelektualët e shkëlqyer dhe trazues të Kosovës... Ky libër na ra nga qielli si një meteorit. Një objekt letrar jo i zakonshëm...Një tregim i bukur dhe i fortë, i çuditshëm dhe shpërfillës...njëherazi fabul politike dhe fresk i një komuniteti primitiv...larg shtigjesh të rrahura, sa për nga ana letrare aq edhe gjeografike...Autori di të përdorë penën e vet si thikë...Ajo që bie në sy te Rexhep Qosja është origjinaliteti i madh, liria, sa në ndërtim aq edhe në gjuhë”.

Catherine Argand, në revistën “Lire”, përpos të tjerash, shkruan: “Për këtë shqiptar të ekziluar në Kosovë dimë shumë pak gjëra...është e pamundur të dihet më shumë. Ky zotëri i lindur më 1936 në gjirin e një populli të ndaluar, tani nuk mund të takohet për shkak të luftës”. 

Frédéric Vitoux, në revistën “Nuvel Observater”, përpos të tjerash, shkruan:

“Një zbulim i vërtetë, ky shkrimtar është i madh...Si ta cilësojmë këtë roman?...është e pamundur që të cilësohet, i shpëton çdo cilësimi ose, që është e njëjta gjë, është i shumëfishtë...Tregim i mrekullueshëm, gjithandej, fantazi filozofike, kronikë përmalluese e një qyteti të vogël të Kosovës...Shkurt, lirik, kërcëllitës, fantastik, realist, humorist, qesëndisës, i pamëshirshëm dhe ndoshta në fund të fundit, me një dhembshuri të pafund për të gjitha këto personazhe, madje edhe për të poshtrit...Qosja ka shumëzuar në 13 herë ose në 13 ‘tregime’ rrugët dhe zërat që të na tërheqë në vendin e vet, në kujtesën e vet, në vuajtjen dhe në vitalitetin e vet”.

Revista “Glamurx” e marsit të vitit 1994: “Lexuesi e di se makthi është real, që marria larg së qeni trashëgimi, është pjellë e jetës së përditshme – është mesazhi i këtij romani, të kësaj pasqyre të thyer”.

André Clavel shkruan: “Vepra profetike nuk pushon së parathëni katastrofën që godet Ballkanin” e revista “Construire”: “Një roman tragjiko-komik”.

Gazeta “La Montagn”: “Një roman i madh, në kuptimin letrar, shumë militant, njëzet vjet pas botimit për herë të parë...Ai (autori) i jepet një ushtrimi të shkëlqyer ku gërshetohen të gjitha gjinitë për të mbrojtur çështjen e popullit të vet”.

K. Argant e krahason autorin me Havellin: “‘Njeriu është tokë e panjohur’ shkruan Qosja, të cilit njëherazi, me romanin, i zbulojmë talentin. Na mbetet nga ky Kafka në lindje një roman që të lë pa mend, që zhyt të tërin, artin e shqetësimin, në ujin e tallazuar të Jugut. Tamam sikur kapela gri e Pragasit të bëhej blu në Kosovë...I shkruar më 1974, romani ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ përzien sarkazmat e fabulës politike me arabeska të tregimit oriental në një qytet të vogël të Kosovës mbushur më Tartufë e Juda, një shkrimtar shqiptar – Zhezair Gjika – përpiqet të ruajë dinjitetin e vet duke i shpëtuar mallkimit të një diktature të dyfishtë, asaj të Titos dhe asaj të Enver Hoxhës. Meqë nuk pranon të nënshtrohet, policia e fut në burg dhe gruaja e vet përfiton dhe e tradhton...Pra, kemi tradhti në të gjitha format e saj, dashurore ose politike, që ky roman fshikullon me afsh verbues, hakmarrës, të denjë për një Volter të humbur në Ballkan, në këtë fuçi baruti”.

Elisabet Champseix: “Regjistri ndryshon nga tregimi te e vërteta populiste, nga rrëfimi te satira politike duke kaluar nëpër shkatërrimin e tregimit...Nuk është fjala për një roman të thjeshtë denoncimi politik...Vizioni i Rexhep Qosjes nuk është manekin: nuk ka nga njëra anë serbë të këqij dhe nga tjetra shqiptarë të mirë. Të keqen e kemi brenda. Brenda për shqiptarët apo për mbarë njerëzimin?”

Shtypi francez thotë në fund të përmbledhjes së tij të shkrimeve të të përditshmeve, javoreve, dyjavoreve, mujoreve dhe revistave franceze, për romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, linguisti që jeton në Paris, Remzi Pernaska, nuk mungoi në të gjitha rastet që të theksojë se albanologu francez, Christian Gut, ka bërë një përkthim mjeshtëror të këtij romani.

Prof. Dr. Daniel Leuwers: “Menjëherë pas botimit të romanit ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’, kritikët e kanë vlerësuar këtë vepër si një thurje mjeshtërore dhe të mprehtë si tehu i thikës. Qosja prenë, nuk heziton të përgjakë plagët. Ironia e tij është e fortë, e largon negativitetin. Ai është krahasuar me Vaslav Havelin e madje edhe me Volterin. Për mendimin tim, unë do ta vendosja afër Balzakut dhe veprës së tij ‘Skena e jetës në provincë’, në të cilën janë të dukshme të gjitha anët e ‘komedisë njerëzore’. Analizë precize, që i ndjek dhe i përcjell Tartufët dhe të gjithë Judët, ndërsa e përdor ironinë dhe formën e Milan Kunderës. Njeriu është ai që luan me forcën dhe që i tejkalon dhe thyen ideologjitë dhe religjionet. Në këtë tragjikomedi, në vazhdim, kemi përshtypjen që Sizifi (Sizifi nga Albert Kamy) lufton me qesharaken dhe harresën, kundër të gjitha kontradiktave njerëzore. Mirëpo, Rexhep Qosja shkon edhe më larg: ai e demistifikon imazhin e shkrimtarit, i cili i ka të gjitha të metat si çdo njeri tjetër, bile edhe dembelinë, oportunizmin dhe propagandën e tij politike. Jo, për Qosjen, shkrimtari i vërtetë nuk përfiton asgjë. Shkrimtari është i rrjepur dhe i nëmur. Ndërkaq, ne, duhet t’i ruhemi përjetësisë, sepse ajo krijon mite të rrejshme, duke e penguar instinktin tonë të domosdoshëm të kritikës.

Shkëputur nga teksti i prof. dr. Isak Shema