Loja ishte një nga fjalët më të dashura për Bekim Lumin, sepse te loja ai shihte shpirtin e teatrit. Për të, pa lojë nuk kishte teatër. “Loja” i vuri emrin revistës për dramë dhe teatër dhe me po të njëjtin emër, pra “Loja” e krijoi dhe e bekoi edhe teatrin e tij laborator. Aktorët i quante lojtarë, sepse besonte në lojën e tyre. Te ta e shihte fuqinë krijuese të shfaqjes. Thënë shkurt, loja për të ishte magji
Kur fjala e shkruar (drama) u ngjit në skenë, u bë lojë (shfaqje). Pastaj ajo iu nënshtrua vlerësimit të dyfishtë, audiencës si receptues dhe kritikës si gjykim. Pra, ndërmjet skenës dhe spektatorëve, gjithnjë, qëndroi kritika. Në kritikën teatrore teksti është pikënisja, por jo pasqyra e plotë. Përveç tekstit dramatik, refleksionet e gjykimit bien edhe mbi komponentët e tjerë të shfaqjes, qasjen regjisoriale, nivelin apo shkallën e përsosmërisë së interpretimit, përkatësisht lojës së aktorëve, e deri te elementet e tjera skenike, përplotësuese të shfaqjes: skenografia, kostumografia, muzika, etj.
Për dallim prej shumëllojshmërisë së arteve të tjera, veçan atyre skeniko-dramatike, por edhe atyre vizuale, arti teatror, si medium shfaqjes, duke qenë se përballet me publikun në kohë reale, i nënshtrohet një fati të paracaktuar: vështirësisë së kodifikimit dhe mbamendjes arkivore. Pra, krejt çka mbetet nga kujtesa për një shfaqje teatrore, përveç tekstit të shkruar dramatik, që mund të funksionojë edhe si gjini e mëvetësishme letrare, janë kritikat, shkrimet recensionale, vlerësimet ad-hoc dhe fotografitë apo edhe videoxhirimet.
Në këtë mënyrë, kritika teatrore bëhet “arkiv i gjallë” me një rol dhe funksion qenësor, jo vetëm në vlerësimin e një vepre teatrore, por edhe në krijimin e asaj që mund ta quajmë histori të teatrit. Kështu, kritika teatrore, thelbësisht, lidhet edhe me krijimin dhe forcimin e traditës teatrore dhe me ringjalljen e kujtesës për artin dramatik teatror. Për më shumë, kritika teatrore, siç e thotë Runcan, mund të kuptohet edhe përmes rolit dhe funksionit si një “arkitekturë e një rishikimi dhe rindërtimi arkivor të shfaqjes”. Pra, përmes kritikës së kohës, ne e “rikrijojmë” shfaqjen. Përftyrimin dhe mendimin për të. Këtë na e mundëson “arkivi i gjallë”, përmes të cilit ne e zbulojmë, e njohim dhe e pranojmë një shfaqje teatrore, qoftë ajo edhe në distanca të mëdha kohore e historike. Kësisoj dhe në këtë mënyrë provojmë e sprovohemi, ta njohim e ta ndriçojmë edhe historinë e dramës dhe teatrit tonë. Këtë po e bëjmë edhe ne sot, në këtë ceremoni përkujtimi e përurimi, për regjisorin më të veçantë që ka njohur teatri shqiptar, Bekim Lumi.
“Loja e Bekim Lumit” nuk është vetëm titull i thjeshtë në kopertinat e një libri të sapobotuar, por ky titull, për më shumë, e përmbledh thelbin e idesë për këtë projekt libri, që brenda vetes ka kritika, recensione, shkrime e shqyrtime nga më të ndryshmet për krijimtarinë teatrore të Bekim Lumit.
Loja ishte një nga fjalët më të dashura për Lumin, sepse te loja ai shihte shpirtin e teatrit. Për të, pa lojë nuk kishte teatër. “Loja” i vuri emrin revistës për dramë dhe teatër dhe me po të njëjtin emër, pra “Loja” e krijoi dhe e bekoi edhe teatrin e tij laborator. Aktorët i quante lojtarë, sepse besonte në lojën e tyre. Te ta e shihte fuqinë krijuese të shfaqjes. Thënë shkurt, loja për të ishte magji.
Edhe
Bekim Lumi – luftëtar i pakompromis i kauzave e betejave teatrore
Ngjashëm siç jetën tonë mund ta ndajmë në kapituj kohorë edhe përmbajtjesorë, ashtu edhe konceptimi dhe shtrirja e kapitujve në këtë libër ka ndjekur një rend kronologjik të premierave të shfaqjeve të tij, që nga shfaqje e parë “Mësimi” e deri te shfaqja “Arturo Ui”, si testamenti i tij i fundit artistik. Janë gjithsej dhjetë shfaqje, të realizuara dhe të shfaqura me sukses gjatë gjashtëmbëdhjetë vjetëve të krijimtarisë së tij teatrore. Që nga viti 2002, deri në vitin 2018, Lumi rrëmbyeshëm hyri dhe vërshoi skenën teatrore në vendin tonë, duke qenë krijuesi më i veçantë i teatrit në hapësirën shqiptare dhe jo vetëm. Kur shfaqja “Mësimi” u quajt si “shfaqje madhore në një skenë minore” apo si “një shfaqje e jashtëzakonshme”, shumë nga ne, që nuk e kishim njohur Lumin më herët, mendonim se kjo shfaqje kishte ndodhur rastësisht. Por, ja që Lumi, me shfaqjen pasuese “Galani”, bëri që të ndodhte teatri përsëri. Dhe përsëri, e përsëri, vit pas viti, shfaqje pas shfaqjeje, Bekim Lumi e krijoi fizionominë e teatrit të tij me dhjetë shfaqje, ku secila nga to shquhet për invencion e kreativitet regjisorial, lojë të aktorëve deri në perfeksion dhe estetikë të jashtëzakonshme skenike. Pra, në punën e tij krijuese asgjë nuk kishte qenë rastësore.
Ne që kemi pasur rastin t’i shohim, t’i përjetojmë e t’i shijojmë të dhjetë shfaqjet e mrekullueshme të tij, e kemi thuajse të pamundur t’ua shpjegojmë e t’ua interpretojmë të tjerëve, veçanërisht gjeneratave të ardhshme, se cili ka qenë teatri i vërtetë i Bekim Lumit dhe cila ka qenë ndjesia e përjetimit në premierat e këtyre shfaqjeve. Prandaj, na duhen kritika dhe vlerësimi i kohës. Në këtë mënyrë, ne duke përmbledhur shkrimet për shfaqjet teatrore të Bekim Lumit, po kontribuojmë, sadopak, në ringjalljen e kujtesës, jo vetëm për Bekimin si person, por edhe për veprën e tij teatrore.
Procesi i hulumtimit arkivor dhe kërkimeve të vazhdueshme asnjëherë nuk është i lehtë. Ky proces kërkon kohë, mund dhe angazhim të vazhdueshëm. Por, fundja, kjo është sfidë që ia vlen, sepse ta largosh pluhurin nga arkivat është njëjtë si ta largosh perden e kujtesës, ta ringjallësh e rikthesh atë në mes nesh. Dhe pikërisht këtë kemi synuar ta bëjmë edhe ne. Përmes këtij botimi po e ringjallim kujtesën për Bekimin dhe shfaqjet e tij. Duke i botuar këto shkrime, ne po i vendosim sërish në sipërfaqe, tashmë në një përmbledhje të veçantë, të gjitha shkrimet për shfaqjet e Lumit, të cilat janë botuar në mediat vendore dhe ndërkombëtare gjatë këtyre 16 vjetëve të karrierës regjisoriale që pati Bekim Lumi në Kosovë.
Duke lexuar e rilexuar këto shkrime, ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh do ta rikonceptojmë dhe ristrukturojmë përfytyrimin për shfaqjet teatrore të Bekim Lumit, për të veçantat e teatrit të tij, për qasjet dhe format që ai aplikoi në realizimin e atyre shfaqjeve, për metodat e punës me aktorë, dhe mbi të gjitha për kreativitetin dhe këmbëngulësinë e tij deri në perfeksion. Pra, falë kritikës dhe vlerësimit teatror të kohës, ne tashmë po e bëjmë të mundur që t’i “rishohim” të dhjetë shfaqjet e tij teatrore.
Fare në fund, dua të them se kritikën teatrore duhet ta mbajmë gjallë me çdo kusht. Nuk duhet ta lëmë të vdesë, sepse bashkë me të vdes edhe një pjesë e dramës dhe teatrit tonë. Vdes kujtesa jonë dhe e gjeneratave pas nesh, për të. Prandaj, me botimin e këtij libri ne po e mbajmë gjallë kujtimin për Bekim Lumin dhe teatrin e tij.
Edhe
“Rikrijimi i shpisë” në videolojë ruan trashëgiminë
Fjalë e lexuar në përurimin e librit “Loja e Bekim Lumit” në përvjetorin e pestë të vdekjes së tij. Prishtinë, 30 korrik 2023