Kulturë

Bekim Lumi edhe në poezi – mjeshtër i lojës perfekte në vargje

Është përsëritur sa e sa herë se loja qe kryefjalë në laboratorin e tij krijues, por prej laboratorit të tij krijues dilnin edhe poezi. Në dimensionin poetik është përkujtuar Bekim Lumi në natën përmbyllëse të edicionit të dytë të Festivali Poetik të Prishtinës. Edhe me vargje hapte shtigje të reja – njashtu siç pasuronte edhe me fjalë të reja si ajo “artësim” – avangard, detajist e njeri i përkushtuar në profesion e në jetë.

Kur përmendet Bekim Lumi, ngjan në sinonim për teatrin. Ana poetike e regjisorit dhe dramaturgut u kujtua në natën përmbyllëse të Festivalit Poetik të Prishtinës. Këngët e poezitë kanë mbushur plot kujtime e nostalgji. “U artësofshi!” është fjala e parë që vjen në shprehje kur shkronjat formësojnë emrin e tij. Është kujtuar si artist shumëdimensional, profesionist i pashoq e “laboratori” i tij krijues si thesar për gjeneratat e reja në fushën e artit skenik.

Nuk ka qenë datë e shënuar, ditëlindje a përvjetor ditëvdekje kur në njërën prej qendrave kulturore alternative në kryeqytet, të enjten mbrëma, është kujtuar figura prej artisti e njeriu e Bekim Lumit që vdiq më 30 korrik të 2018-s. “Termokissi” ka qenë hapësira poetike e përgatitur për edicionin e dytë të Festivalit Poetik të Prishtinës. Në hapësirën minimaliste me ndriçim të lehtë, vargjet e Lumit e kushtuar atij, janë shtruar bashkë me kujtimet për të e krijimtarinë. Miq e bashkëpunëtorë kanë zbuluar se prapaskena e jetës dhe e skenës ishte preciziteti absolut e njerëzorja.

Dramaturgu Arian Krasniqi e ka kujtuar si krijues të veçantë, shumë kërkues, avangard, detajist e njeri të përkushtuar në profesion e në jetë.

“Rrallë mund të gjendet krijues si Bekim Lumi, i cili konceptin për artin performativ, pra teatrin, e kishte shndërruar në bindje të pamohueshme dhe të pandryshueshme se arti skenik teatror e kërkon pashmangshëm, para së gjithash, lojën deri në perfeksion, të veçantën estetike dhe përjetimin emocional që të lidh pashmangshëm me audiencën. Loja qe kryefjalë në laboratorin e tij krijues”, ka thënë Krasniqi për regjisorin e ndjerë, Bekim Lumi.

Ka thënë se Lumi besonte se teatri i vërtetë ndodh në lojën e aktorëve, në fizikun, vokalin dhe emocionet e vërteta të aktorëve. Andaj, sipas tij, ishte i bindur se godinat madhështore nuk e bëjnë një shfaqje teatrore më të mirë.

“Ishte kërkues në punën e tij, siç preferonte ta quante – laboratorike – sepse asnjëherë nuk pushoi së provuari e krijuari forma e gjetje të reja teatrore që dalin nga korniza konvencionale si për nga koncepti ashtu edhe për nga ideja e ndërtimit të shfaqjeve të tij”, ka thënë dramaturgu Krasniqi.

Përkthyesja Elona Caslli e ka nisur fjalimin e saj në skenë me fjalën “U artësofshi!” që regjisori Lumi e thoshte si për t’i uruar tjetrit të mbërrinte shumë në art.

“’U artësofshi!’ Disa ditë më parë në rrjete sociale u përballa me një folje në mënyrën dëshirore të cilën nuk e kisha dëgjuar asnjëherë më parë. U artësofshi! Bekim Lumi, një artist nga Kosova do të krijonte këtë trajtë drithëruese të dëshirores. Hap nxitim fjalorin shqip-shqip, për të parë a ekziston një folje e tillë dhe përballem vetëm me këtë familje fjalësh: art, artist, artistik, artistikisht. Nuk ekziston folja sipas së cilës ti shndërrohesh në art. Filloj ta zgjedhoj me zë në kohë dhe mënyra të ndryshme”, ka lexuar Caslli esenë e botuar disa vjet më parë.

Ka thënë se ndonëse ka shkuar përtej jetës, ai ka jetuar gjithmonë përtej saj. Se është i zhytur në heshtje pa kthim, por në rast se do të kishte një çast ku do t’i jepte zë heshtjes së tij, do t’i kërkonte ta shqiptonte fjalën “u artësofshi”, të cilën Caslli e ka quajtur folje hyjnore.

“Të artësohesh, të jesh pranë së vërtetës, të jesh pranë dhimbjes, të jesh pranë mendimit, të jesh pranë frymës, të jesh pranë njeriut, të jesh pranë së mirës, të jesh pranë dashurisë, të jesh pranë shpirtit, të jesh pranë gjithçkaje ku rrah impulsi i jetës. Të shkruash për humnerën e njeriut, t’i japësh zë, ta veshësh me fjalë, e fjalët t’i vendosësh në gojën e një personazhi, e personazhin ta ngjizësh në skenë, e ta ndjekësh me sy dhe të kuptosh se të gjithëve na ndan sipërfaqja, por na bashkon humnera”, ka thënë Caslli, derisa ka lexuar një ese dedikuar Lumit.

Po këtë fjalë, regjisori e dramaturgu që me opusin e tij domethënës, ka lënë gjurmë në skenën teatrore, do ta sqaronte në rubrikën “7 Shkronja” të “E diela me KOHËN Ditore”.

“ARTËSIM: Kohë më parë, në përpjekje e sipër për të mos huazuar fjalë të huaja aty ku kjo nuk është e nevojshme, më duket se e krijova një fjalë të re në shqip. ‘Artësim’. Sipas shpjegimit tim, kjo fjalë e ka kuptimin e përmbushjes, të formimit, të lartësimit, të emancipimit, të iluminimit e të fisnikërimit përmes artit. Të gjithë ata që i çmojnë dhe i duan mundësitë e shumta fjalëformuese dhe shprehëse të gjuhës shqipe mund ta përdorin këtë fjalë në formën: ‘artësim’, ‘me artësue’, ‘me u artësue’, ‘të artësosh’, ‘të artësohesh’, apo kur e uron dikë në formën ‘u artësofsh’, ose edhe ‘Zoti të artësoftë’”, do të shkruante i ndjeri Bekim Lumi.

Nga Suhareka, ku u lind më 17 dhjetor 1966, Bekim Lumi do të zhvendosej në Prishtinë. Nga viti 1987 deri më 1991 ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Prej vitit 1992 deri më 1996 ka studiuar për regji teatri në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit. Në të njëjtin universitet, më 2010 ka përfunduar edhe studimet e magjistraturës.

Prej vitit 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në Radion Evropa e Lirë.

Kolegu i tij, profesori Besim Rexhaj, e ka quajtur si shumë të përkushtuar në punë. Ka thënë se njihej si profesor shumë kërkues si dhe për dashurinë që kishte ndaj studentëve si gjeneratë e re e teatrit.

“Kur them se njihet për karakterin e tij të rreptë, për temperamentin e tij nganjëherë të sertë, për mua gjithmonë ka qenë i lidhur me faktin se ai e ka dashur punën e tij dhe asnjëherë nuk ka mundur të presë nga studentët e tij të mos jenë serioz”, ka thënë profesori Rexhaj derisa ka kujtuar se edhe kur shëndeti i Lumit keqësohej, nuk ndalej së punuari. Se sëmundja me të cilën po përballej nuk ia kishte zbehur ritmin e angazhimit.

“Bekimi, ç’është e vërteta edhe në vitin 2018 edhe në vitin 2017 mbeti ai Bekim që vërtet kishte përkushtim të pashoq. Edhe kur ne miqtë e tij e shihnim se punonte me aq vullnet, edhe kur ne kolegët i thoshim se duhet të merret më shumë me vetëm sesa me punët e fakultetit, ai me një krenari të llojit të tij, me përkushtim të pashoq, thoshte se ‘kjo është puna ime’. Ky është një dimension i portretit të tij kur flasim për një njeri që ishte pedagog, njeri akademik”, ka thënë Rexhaj derisa ka evokuar kujtime për periudhën e fundit të angazhimit të regjisorit Bekim Lumi.

Ndër shfaqjet që Bekim Lumi ka sjellë në skenë janë: “Këmisha e gjakut”, “Çifti Martin”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Arushani”, “Fejesa”, “Galani”, “Mësimi”, “Kësulëkuqja në botën e minave” e shumë të tjera. Ai është vlerësuar me mirënjohje e me çmime në festivalet ndërkombëtare. Me shfaqjen “Këmisha e Gjakut” është vlerësuar me mirënjohje në Sarajevë. Në vitin 2011 ka marrë çmimin “Shfaqja më e mirë muzikore” për shfaqjen “Çifti Martin” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Kamertal në Bullgari, si dhe shfaqja “Mësimi” ka marrë çmimin “Shfaqja më e mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Zvicër.

Poeti Afrim Demiri ka thënë se nuk ka kujtim më të mirë se kujtimi poetik për një artist, veçmas për një figurë si Bekim Lumi.

“Mbase në përpjekje për të ruajtur trashëgiminë e tij, jemi munduar të nxjerrim shumë nga ajo e që na pret ende punë e madhe për ta rrumbullakuar. Mbase ndoshta ai vetë nuk e ka menduar që poezia të jetë ndërlidhja më e fuqishme poetike, për shkak të natyrës së poezisë që në esencë është shumë më afër kujtimeve dhe lutjes”, ka thënë Demiri.

Në natën e tretë të Festivalit Poetik të Prishtinës, mbrëmja e fundit është hapur me poezinë “Vdekja e aktorit” të Bekim Lumit. Video-projekti i ish-studentit të Lumit, Afrim Muçaj, ka përcjellë vargun ku vetë autori i ndjerë flet për vdekjen. Vjen si një lloj portreti për shpirtin që i reziston shuarjes fizike. Lumi vdekjen në poezinë e tij do ta barazonte me një skenë teatri.

“Gojëkëqinjtë thonë se vdiq / unë nuk e besoj / edhe kjo vdekje e tij / është vetëm një nga ato vdekjet e tij të shumta skenike / ai vetëm bën punën e tij / dhe pas kësaj / është në pritje të rolit të ri”, kanë jehuar vargjet e Lumit në ngjarjen ku shumë dashamirë të artit e të poezisë u mblodhën për ta kujtuar.

Halil Matoshi ka lexuar poezinë e tij “Jeta jote ishte kërkim Bekim Lumi”, aktorja Melihate Qena, e cila ishte pjesë e disa shfaqjeve të Lumit ka lexuar “Rozafa” ku murimi i Rozafës, sipas legjendës, krahasohet me murimin e akteve të dramës së tij tragjike. “Aty ku mbylleshin perdet e shfaqjeve ne teatër / hapeshin plagët e rënda të jetës”, kanë qenë vargjet e fundit të poezisë me të cilat aktorja e thur kujtimin poetik për Lumin.

Në mbrëmjen “Requiem për Bekim Lumin” poetikën për regjisorin e dramaturgun unik e ka shtruar edhe poetja Naime Beqiraj e aktori Afrim Kasapolli, aktori e poeti Shpëtim Selmani dhe poeti Hajriz Sejdiu.

Është shfaqur edhe një dokumentar kushtuar Lumit me autor Shkodran Hotin. Në dokumentarin 25-minutësh flasin bashkëpunëtorë e ish-studentë të Bekim Lumit.

Është shfaqur edhe profili i tij prej këngëtari e kitaristi. Aktori Fatmir Spahiu e quan intelektual të madh. Aty janë edhe dëshmitë se ishte zë i fuqishëm kundërshtues i pushtimit serb nëpërmjet materialeve arkivore.

Autori i dokumentarit, Shkodran Hoti, ka thënë se ideja ishte që me të të dokumentohet një figurë e jashtëzakonshme siç është Bekim Lumi.

“Sa herë kemi folur për dokumentarin kemi thënë se është dokumentim minimalist i krijimtarisë, figurës së tij shumëdimensionale. Kemi dashur të lëmë diçka sado pak, që na përkujton dhe që është dëshmi e një figure siç ka qenë Lumi. Pos si artist i madh, shok i jashtëzakonshëm, profesor i jashtëzakonshëm, aktivist e artist që nuk ka qëndruar indiferent”, ka thënë Hoti.

Ngjarja nëpërmjet të cilit regjisorit ikonik i është bërë homazh është veç një pjesë e mozaikut të programit të Festivalit Poetik të Prishtinës. Prej 6 deri më 8 shkurt në kuadër të ngjarjes janë mbajtur promovime librash, mbrëmje autoriale, diskutime e orë poetike. Nata e parë ka qenë homazh për poetin Adem Gashi, i cili vdiq muajin e kaluar.

Drejtoresha e festivalit, poetja Donika Dabishevci, ka thënë se misioni i ngjarjes është që të kujtohen figurat e shquara të artit e kulturës në vend.

“Ne si portal për kulturë e tutje si festival, e kemi për obligim të kujtojmë, të risjellim në kujtesë dhe të mos i lëmë t’i mbulojë pluhuri i harresës figurat shumëdimensionale dhe ato që e kanë ndërtuar identitetin tonë kulturor”, ka thënë Dabishevci, kryeredaktore në portalin për kulturë “ObserverKult” që e organizon Festivalin Poetik të Prishtinës.