V. Samim Visoka, në veprën “Shqipërija e vërtetë – Nëna Kosovë (1938 – 1943) (Ndjenja dhe mendime)” – botoi: “Alasar”, Tiranë, 2023, f. 168 – ka derdhur tërë fuqinë e tij intelektuale, fuqinë shprehëse të një krijuesi, që ndien thellë në shpirt fatin e një pjese të kombit, të Kosovës, së cilës i rrezikohej ekzistenca dhe e cila kishte mbetur e vetme, pa ndihmë e përkrahje, pa askënd që të mund t’ia dëgjonte zërin e t’ia qante hallin asaj
Ditë më parë, në hapësirat e Institutit Albanologjik të Prishtinës, u promovua libri “Shqipërija e vërtetë – Nëna Kosovë (1938 – 1943) (Ndjenja dhe mendime)”, i autorit, intelektualit, shkencëtarit, publicistit, poliglotit, sportistit e atdhetarit të shquar nga Visoka e Mallakastrës, Vasfi Samim Visoka (1908-1981).
Në të vërtetë, vepra shumë kuptimplote e V. Samim Visokës “Shqipërija e vërtetë, Nëna Kosovë" (1938-1943), (Ndjenja dhe mendime” – e cila paraqet një nga përshkrimet më të bukura, ndjenjat më të thella, mendimet më të sinqerta dhe përkushtimin më vëllazëror e atdhetar të autorit, për fatin e rëndë të shqiptarëve të Kosovës e më gjerë, të cilët që nga vitit 1912 kishin ngelur nën mizorinë e fqinjëve të tyre sllavë, të cilët jo vetëm kishin pushtuar tokat shqiptare, por vepronin me të gjitha mënyrat për t’i shfarosur shqiptarët edhe fizikisht – për herë të parë është botuar në Tiranë më 1943. Mirëpo, pavarësisht se që nga ajo kohë e deri te ribotimi dhe promovimi i saj, kanë kaluar vite e dekada, duhet pranuar faktin se për një vepër të shkruar me kaq ndjenja e dashuri, me kaq argumente e ndjesi për Kosovën, lexuesi kosovar (po edhe ai shqiptar në përgjithësi) jo se kishte shumë dijeni, ani pse kryefjala e saj është Kosova, është “Nëna Kosovë”, e cila, pra Kosova, për autorin V. Samim Visokën “është vetë Shqipëria”, “është Shqipëria e vërtetë”, së cilës autori nuk i sheh dhe as s’i gjen asnjë behane, sepse nëna në sytë e bijve të saj s’ka asnjë të metë edhe kur ajo mund ta ketë ndonjë. Për më tepër, Kosova, për autorin Dr. Samim Visoka, është edhe më shumë se kaq, ajo është “dielli i jetës”, “është gjysma e trupit tonë kombëtar, pa të cilën Shqipëria është e gjymtë” dhe se “ajo, pra Kosova, është mbi çdo gjë”. Kosova, është “dashuria e autorit”, dhe jo një dashuri dosido, por siç e thotë edhe vetë ai, “është dashuri e pesëfishtë e tij”. Por siç ndodh gjithmonë, njeriut i vijnë taksiratet pikërisht nga gjërat që ai më së shumti i ka për zemër dhe të cilat më së shumti i do.
“...ka vetëm një Shqipëri, një Shqipëri të vërtetë”
Edhe autorit Dr. S. Visokës, këtij atdhetari të madh, dashuria e tij e pesëfishtë, Kosova, iu bë dhimbja e tij, iu bë ndëshkimi i tij. Ai u dënua dhe u burgos nga sistemi komunist shqiptar, pikërisht për Kosovën, pikërisht pse e deshi atë, për të cilën në vitin 1943, ai shkroi e botoi një vepër me të cilën i kundërvihej akademikëve serbë dhe politikës pushtuese jugosllave, të cilët shqiptarët i donin të përçarë e të ndarë, të copëtuar e të katandisur. V. S. Visoka u dënua sepse foli, shkroi, dëshmoi e argumentoi qartë e bindshëm se “nuk ka Shqipëri të madhe a Shqipëri të vogël, por ka vetëm një Shqipëri, një Shqipëri të vërtetë”.
Në veprën “Shqipërija e vërtetë - Nëna Kosovë”, autori S. Visoka ka derdhur tërë fuqinë e tij intelektuale, fuqinë shprehëse të një krijuesi, që ndien thellë në shpirt fatin e një pjese të kombit, të Kosovës, së cilës i rrezikohej ekzistenca dhe e cila kishte mbetur e vetme, pa ndihmë e përkrahje, pa askënd që të mund t’ia dëgjonte zërin e t’ia qante hallin asaj.
Edhe
“Një amerikane në Kosovë” nëpër kohë për një popull që është bërë i saj
Por me gjithë këto, siç vë në dukje autori Visoka, shqiptari i Kosovës nuk ishte dorëzuar, por kishte qëndruar i fortë dhe ishte kalitur për të mbijetuar në çdo rrethanë me çdo kusht, duke i bërë ballë dhunës e padrejtësive, me qëllim për të mbijetuar në trojet e veta historike, i lidhur tok me tokën, dheun, gurin, drurin dhe gjithçka që kishte qenë dhe ishte e vetja.
Vepra “Shqipërija e vërtetë - Nëna Kosovë”, të cilën V. S. Visoka e shkroi si një mbresë e drejtpërdrejtë që ai vetë e kishte pasur asokohe nga udhëtimet e tij nëpër Kosovë midis viteve 1938-1943, hapet me dedikimin e autorit për “Martirët e motshëm e të rinjë, të kohërave të kaluara e të ditve të sotshëm, që kanë ra dëshmorë për lirinë e kombit e t’atdheut”, si dhe me shënimin, që paraqet edhe qëllimin e autorit për shkrimin e kësaj vepre “Në të cilën nuk ka politikë, shovinizëm dhe pamje të nji-anshëm, por ka vetëm nji parashtrim i sinqertë i nji të vërtete të shenjtë njerëzore!...”. Libri është konceptuar dhe përbëhet nga 12 ndarje a si kapituj dhe ka një strukturë karakteristike rrëfimore, ku shfaqen “Ndjenja e mendime” (f. 13-20), ku derdhën “Lot mërgimi” (21-30), ku përshkruhen, tipizohen, karakterizohen, tregohen e vlerësohen “Dheu dhe Dielli” (31-38), “Atdheu i ri – Shqipëria e vërtetë” (39-48), “Kontributi më i madh kombëtar i Kosovës” (49-58), “Kosova për cilët është Siberi e për cilët është parajsë” (59-68), “Nëna Kosovë” (69-86), “Burri kosovar” (87-98), “Parakalimi i ardhmërisë” (99-106), “Shqiponja e Malit të Sharrit” (107-116) dhe “Shënime të ndryshme” (117-120).
“Zëri i Kosovës është zëri i historisë”
Situata tragjike e Kosovës midis dy luftërave botërore, të cilën Visoka, sikurse u tha, pati mundësi ta njohë kur e vizitoi pesë herë atë, përveç se bëri që ai ta përjetojë Kosovën si një befasi të panjohur deri atëherë midis bukurisë së jetës shqiptare dhe dhembjes për fatin e saj të dhunuar nga sundimi i huaj sllav, ndikoi që ai ta kuptojë dhe ta dojë Kosovën si një tërësi të veçantë etnike shqiptare pa të cilën Shqipëria s’do të ishte e plotë dhe për të cilën autori sheh vetëm një zgjidhje “Duke ia bashkuar atë (Kosovën) Shqipërisë së vjetër”. Dhe meqë kjo s’ishte bërë dot deri atëherë (dhe s’është bërë as deri më sot), veprën e karakterizojnë veçoritë e përshkrimit nostalgjikë, plot dhembje e mall, më pastaj kujtimet, motivet e prekshme sociale, plagët e shoqërisë shqiptare, ndjeshmëria estetike për të bukurën etj. “Bukurija e Kosovës”, - për S. Visokën, - “është bukurija e së drejtës”, “Zëri i Kosovës është zëri i historisë”, kurse “Shkëlqimi i saj është vetë drita e së vërtetës”.
Përshkrimet e autorit Visoka janë plot ndjenja e ndodhi, po edhe personazhe që kanë një zhvillim normal të rrëfimit dhe një paraqitje pothuajse poetike të ideve dhe emocioneve, të cilat e preokupojnë vazhdimisht narratorin e vërtetë, e që është vetë ai. Vepra ka përmbajtje me mjaft elemente të theksuara kronike e historike, madje edhe fotografi autoriale e dëshmi dokumentare, tё cilat e plotёsojnё njёra-tjetrёn, duke e përforcuar dhe avancuar mendimin dhe qëllimin e autorit qё ta paraqesë “Nënën Kosovë” nё mёnyrё sa mё të vërtetë dhe më tё plotë, më të bukur dhe mё tё madhërishme, “në të cilën” – autori konstaton me bindjen të plotë – “artistët shqiptarë do të gjejnë burimet e pashterura për veprat e tyre estetike, sepse në Kosovë gjendet vuajtja e kombit, rapsodija, melodija, poezia e tragjedija e jonë e përgjakshme...”
Duke e lënë anash Hafiz Ali Korçën me poezinë e tij “Vajtimet e Atdheut”, e cila i është kushtuar bombardimit të Drenicës nga serbët në korrik të 1924, me rastin e sulmit të divizioneve të N. Pashiqit kundër çetave heroike të Azem Galicës dhe bashkëluftëtarëve të tij të njohur; duke i lënë anash Mitrush Kutelin me “Poemin kosovar” dhe me udhëpërshkrimin e tij “Në Prizren – midis të gjallëve dhe të vdekurve” të shkruar gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë më 1943 dhe Hamit Kokallarin, i cili po më 1943, botoi në Tiranë veprën patriotike në shërbim të mbrojtjes së interesave tona kombëtare, të cilat, sikurse u tha, në atë kohë ishin në një pikë shumë delikate ”Kosova, djepi i shqiptarizmit”, si dhe pa përmendur këtu edhe poetët e tjerë, siç janë Hil Mosi, Asdreni, Lasgushi, A. Pipa, Mithat Frashëri e ndonjë tjetër në poezitë e të cilëve, ndonëse jo shumë, hasen motive poetike që i kushtohen Kosovës, sikur është krijuar bindja, me pa të drejtë, se kemi pak poezi e shkrime që i kushtohen Kosovës nga autorë, që, shprehur me gjuhën e Kutelit, vijnë nga “Shqipëria e brendshme”. Vepra e V. S. Visokës, e emërtuar me një titull sa domethënës po edhe aq simbolik, të padëgjuar e të pahasur më parë në letrat tona, pra “Shqipërija e vërtetë, Nëna Kosovë", i bjerë moh kësaj bindjeje dhe dëshmon të kundërtën e saj. Mirëpo, meqë për shkaqe dhe motivacione të politizuara zëri i Visokës dhe bashkëvendësve e bashkëmendimtarëve të tij në raport me Kosovën nuk u dëgjua sa duhet, atëherë dhe mendimeve të veprës së tyre nuk u bëhen jehonë sa duhet as sot, kanë ndikuar që motivet kosovare në letrat shqipe të krijuar brenda hapësirës së shtetit shqiptar, që veproi midis dy luftërave botërore e më vonë, të mbetën anash dhe kështu të mos ketë një njohje të plotë të atdheut.
Edhe
Një copë histori Kosove me sytë e Homerit!
I ndaluar në Shqipëri, i panjohur në Kosovë
Vepra “Shqipërija e vërtetë, Nëna Kosovë" e botuar tetë dekada më parë, për shkaqet që u përmendën më parë, u hoq nga qarkullimi dhe u ndalua në Shqipëri, kurse autori i saj u dënua. Në Kosovë ndërkaq, edhe autori edhe vepra mbetën të panjohur e të palexuar. Për këtë arsye, risjellja e kësaj vepre nga shtëpia botuese “Alsar” e Tiranës, dhe nën përgatitjen e z. Mehdi Gurrës, meriton një mirënjohje dhe falënderim të veçantë, megjithëse një botim të tillë kësaj vepre ia ka pasur për borxh dhe do të duhej t’ia kishte larë që më parë vetë “Nëna Kosovë”, kurse autorit të saj, këtij atdhetari të madh, t’i ketë bërë një vend nderi në letrat shqipe dhe në tekstet shkollore. Emrin e Vasfi Samim Visokës do të duhej ta bartë me nder e krenari ndonjë institucion arsimor e kulturor në kryeqendrën e sotme të Kosovës, ose mbase më mirë në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare, sepse kjo figurë e shquar e mendimit shqiptar, ky intelektual, shkencëtar e atdhetar i shquar meriton më shumë se kaq, sepse Vasfi Samim Visoka është i Kosovës dhe se Kosova është e Vasfi Samim-Visokës.