Shtojca për Kulturë

Kosova, lufta e Madeleine Albrightit

Madeleine Albright pranë bustit të saj në Prishtinë, më 12 qershor, 2019 (Foto: Driton Paçarada)

Madeleine Albright pranë bustit të saj në Prishtinë, më 12 qershor, 2019

Foto: Driton Paçarada

Operacionin ajror të NATO-s “Forca Aleate” (24 mars – 10 qershor 1999), James W. Pardew në librin “Paqebërësit: Lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan” – Botimet KOHA, Prishtinë 2021, e cilëson si “lufta e Madeleines”, duke u mbështetur në faktin se kështu i referoheshin si kritikët ashtu dhe përkrahësit e saj, për shkak të vendosmërisë së Albright për nevojën e ndërhyrjes së armatosur si nevojë e domosdoshme se diplomacia e suksesshme duhej të mbështetej nga një kërcënim i besueshëm për përdorimin e forcës

Me këmbënguljen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u tejkalua bllokada e Moskës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke e kaluar çështjen tek aleatët evropianë brenda NATO-s, përmes një mandati rajonal. Në këto rrethana, Këshilli Veriatlantik autorizoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë edhe pa një mandat të drejtpërdrejtë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Veç kësaj, autori i librit këtë bllokadë ruse në Këshillin e Sigurimit e shihte jo thjesht si një mungesë të autorizimit, por si një faktor që në fakt e dobësoi vetë institucionin më të rëndësishëm të OKB-së, duke penguar atë përmes abuzimit të vetos së saj një reagim të shpejtë dhe efektiv për qëllime humanitare. Për më tepër, operacionin ajror të NATO-s “Forca Aleate” (24 mars – 10 qershor 1999), Pardew e cilëson si “lufta e Madeleines”, duke u mbështetur në faktin se kështu i referoheshin si kritikët ashtu dhe përkrahësit e saj,  për shkak të vendosmërisë së Albright për nevojën e ndërhyrjes së armatosur si nevojë e domosdoshme se diplomacia e suksesshme duhej të mbështetej nga një kërcënim i besueshëm për përdorimin e forcës.

Doktrina në gjenezën e miteve të Kishës Ortodokse Serbe

Ndërsa fushata e spastrimit etnik e dëbimit të nëntëdhjetë për qind të shqiptarëve të Kosovës me synim të ndryshimit të strukturës etnike, një doktrinë që gjenezën e saj e ka në mitet dhe në narracionin e Kishës Ortodokse Serbe, Pardew e konsideron  si një moment që vetëm sa e rrit vendosmërinë e SHBA-së dhe të Evropës, duke e bërë të qartë se pas kësaj ishte e pamundur çdo raport i Kosovës me Serbinë. Në të njëjtën kohë, autori pranon edhe kufizimet e fushatës ajrore të NATO-s, e cila, duke refuzuar mundësinë e marshimit me trupa tokësore, në fakt u la dorë të lirë formacioneve të vogla serbe dhe njësive paramilitare e policore që të bënin vrasje dhe dëbime në masë. Paralelisht me këtë Washingtoni punoi në kanale diplomatike për t’i mbajtur rusët të angazhuar me qëllim të realizimit të exit-strategjisë, ndaljes së bombardimeve dhe rikthimit të procesin brenda kornizave të OKB-së. Si hap i parë në këtë drejtim shihet vendimi i Jelcinit për emërimin e ish-kryeministrit Viktor Çernomirdin, si emisar për Ballkan dhe pjesë e ekipit të Martti Ahtisaari dhe të Strobe Talbot, të cilët më pas përgatitën një marrëveshje rreth kushteve që duhej t’i vinte NATO-ja Millosheviqit për ndaljen e fushatës ajrore. Paralelisht me këtë situatë, diplomati amerikan evidenton edhe dy ngjarje që i dhanë vulë procesit të paqes: në New York, Bruksel dhe në kryeqytetet e Grupit të Kontaktit po punohej për marrëveshjen ushtarako-teknike dhe një rezolutë të Këshillit të Sigurimit mbi parimet bazë të G-8 si dhe për vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë që ngriti aktakuza ndaj Millosheviqit, Millutinoviqit, Shainoviqt dhe zyrtarë të tjerë të lartë serbë për krime kundër njerëzimit në Kosovë.

Izolimi i Millosheviqit

Ishte ky momenti i izolimit total të Millosheviqit, i cili, sipas Pardew, por provonte  me kot që të fliste drejtpërdrejt me SHBA-në krahas takimeve me Çernomirdinin e Ahtisaarin. Në të njëjtën kohë, Millosheviqi u ishte rikthyer taktikave të vjetra, duke provuar të arrinte pezullimin e sulmeve ajrore të NATO-s para se të ishte nënshkruar Marrëveshja Ushtarako-Teknike dhe në ndërkohë të dobësohej fuqia e NATO-s përmes autorizimit paraprak nga Këshilli i Sigurimit, që në fakt e kthente ndikimin e Rusisë për ta kontrolluar procesin. Paralelisht me përpjekjet serbe për ta prolonguar procesin përmes rusëve, këshilltari për politikë të jashtme i Miloshevqit, Bojan Bugariq do ta akuzonte SHBA-në se ishin vënë në anën e UÇK-së dhe po shërbenin si forcë e saj ajrore. Sipas autorit, strategjia e Beogradit ishte e qartë, të sigurohej pezullimi i bombardimeve, pastaj të negociohej dislokimi i trupave të NATO-s. Por, siç del qartë nga libri amerikanët ishin këmbëngulës se nuk do të ndaleshin bombardimet  derisa të përmbusheshin kushtet e shtruara nga NATO-ja.

Dislokimi i pakoordinuar i trupave ruse

Pashmangshëm në këtë libër, zë vend edhe dislokimi i pakoordinuar i trupave ruse në Kosovë, një moment që gati çoi në një konfrontim ushtarak ndërmjet NATO-s dhe Rusisë në ditët në vijim. Por, në të njëjtën kohë, Pardew i konsideron të pathemelta pohimet e gjeneralit britanik Jackson se mund të ndodhte një katastrofë apo Luftë e III Botërore.  Por lidhur me këtë ngjarje sjell një detaj interesant se si ambasadori  John Menzies, ish-ambasador në Bosnjë,  u dërgoi udhëzime ambasadave amerikane  në shtete ndërmjet Rusisë e Kosovës, për të mos të mos dhënë të drejtën për fluturim aeroplanëve ushtarakë rusë, duke krijuar kësisoj një barrierë politike për zbarkimin rus në Aeroportin e Sllatinës në Prishtinë. Pa dyshim, kjo qasje diplomatike dhe detyrimi ushtarak kreu punë dhe si rrjedhojë e vendosmërisë amerikane Jugosllavia e  mbetur i tërhoqi nga Kosova trupat e saj ushtarake, policore dhe paramilitare. Duke përshkruar momente para të pasluftës në Kosovë dhe shkallën e rrënimeve që kishte ndodhur nga fushata e spastrimeve etnike, dhe largimin e civilëve serbë që kishin punuar në institucionet represive serbe, Pardew thekson: “Kosova qe një gërmadhë pas largimit të forcave serbe të sigurisë, në qershor 1999. Qyteza e fshatra ishin në rrënoja. Me valën e refugjatëve që po ktheheshin, një valë civilësh dhe forcash ushtarake ndërkombëtare po hynin në Kosovë. Stafi teknik dhe zyrtarë serbë, që kishin punuar në agjencitë qeveritare, kishin ikur. Kosova nuk kishte qeveri as polici.” (fq.223).

Në fakt deri në përcaktimin e statusin e ardhshëm të Kosovës, sovraniteti i Kosovës bartej tek OKB-ja përmes marrëveshjes Ushtarako-Teknike dhe Rezolutës 1244. Pra, pavarësisht se aty këtu ka tendencë për çdo zhvillim negativ të hidhet në konton e palës shqiptare, sipas Pardews i gjithë pushteti ekzekutiv, gjyqësor dhe legjislativ në Kosovë ishte në duart e Misionit të OKB-së për Kosovën (UNMIK) (fq. 223). Kur flet për transformimin e UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) në shtator të vitit 1999, Pardew thekson se “nga viti 1999 e deri në shpalljen e pavarësisë më 2008, UNMIK-u dhe KFOR-i e shikonin me skepticizëm TMK-në”, duke theksuar se shqiptarët e perceptonin atë si pasardhëse të drejtpërdrejtë të UÇK-së dhe si bërthamën e një ushtrie të ardhshme.

Duke analizuar përpjekjet Beogradit për krijimin dhe funksionimin e strukturave paralele, që nuk i përgjigjeshin UNMIK-ut dhe as Qeverisë së Kosovës, autori e konsideron si prezencë kërcënuese  në Kosovën Veriore, ndërsa Mitrovicën e konsideron si vatër krize.

Propozimet për ndarjen e Kosovës

Mbi këto premisa ai thotë se u hap rruga për propozime nga amerikanët e evropianët për ndarjen e Kosovës, duke ia dhënë Serbisë territorin në veri të Ibrit, si zgjidhje për mungesën e bashkëpunimit nga Beogradi. Por, njëkohësisht Pardew përfaqëson pikëpamjen se një ndarje e Kosovës megjithatë nuk do t’i adresonte problemet bazë, por vetëm do të krijonte të reja. Në të njëjtën, diplomati amerikan është i mendimit se as shqiptarët e Kosovës nuk do ta pranonin ndarjen dhe mund të hynin në luftë për ta kundërshtuar këtë opsion. Sipas autorit, çfarëdo sugjerimi për ndarjen e Kosovës do ta refuzonte edhe politika amerikane. Ndërsa refuzimin serb për të shfaqur pendim për krimet që i kishte bërë qeveria e tyre në Kosovë, Pardew e cilëson si “arrogancë monumentale”.

Pavarësia e Kosovës, akti i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë

Një pikë tjetër interesante që përmendet në libër është edhe procesi i Ahtisaarit, të cilit i hapi rrugë në verën e 2005-s Grupi i Kontaktit me përcaktimin e parimeve të përgjithshme për adresimin e statusit përfundimtar të Kosovës, ashtu siç parashikohej në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.  Edhe pse në fillim të misionit në Kosovë, pavarësia e Kosovës nga Jugosllavia e mbetur nuk kishte qenë opsion i ndonjë shteti, ai pohon se nga viti 2005 secili e kishte të qartë se kthimi i sovranitetit të Beogradit do të ishte i pamundur. Në këtë kontekst, ai konsideron se Pavarësia e Kosovës ishte zgjidhja e pashmangshme e këtij procesi. Përveç kësaj, këtë opsion të pa alternativë ai e sheh edhe në ndërlidhje edhe me pavarësinë e Malit të Zi me 2006. 

Në këtë proces, krahas rolit dhe shkathtësive të jashtëzakonshme negocuese të Ahtisaarit, Pardew evidenton edhe rolin e madh të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s, të cilën në takimet e Grupit të Kontaktit do ta përfaqësonte vetë ai. Një bashkëpunimi i tillë i ngushtë i ndihmoi Ahtisaarit që procesi të mos rrëshqiste nga binarët apo të margjinalizohej. Sipas autorit, Ahtisaari e kishte pranuar privatisht se nuk shihte zgjidhje tjetër, pos pavarësisë, të cilën nuk e përjashtonin as në kryeqytetet e Grupit të Kontaktit, me përjashtim të Rusisë. Edhe këtu del qartë se Rusia, ashtu si në rastin e bombardimeve të NATO-s që kërcënoi me shpërdorim të vetos, edhe kësaj radhe ky shtet e bëri të qartë se mund ta përdorte veton në Këshillin e Sigurimit për ta bllokuar mbështetjen zyrtare të OKB-së të çfarëdo zgjidhje. Nëse Rusia nëse tani nuk mund ta luante rolin e saj si dikur në Koncertin Evropian, kur impononte zgjidhje arbitrare të dobi të Serbisë, të paktën, tani po provonte t’i komplikonte gjëra dhe t’i hakmerrej në forma të tjera Perëndimit, në rajonet të tjera. Moska donte të tregonte se edhe nëse nuk pyetej, do të provonte të tregonte se me gjithë humbjen e primatit të dikurshëm si fuqi përcaktuese në nivelin global, mund të pengonte etablimin e suksesshëm të Perëndimit në Kosovë dhe në rajone të tjera evropiane.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë