Kronikë

Gjendet pa shenja jete në Livoç personi që u raportua i zhdukur një ditë më parë

Shiriti i policise

Personi që një ditë më parë u raportua i zhdukur është gjetur pa shenja jete në pendën e fshatit Livoç në Gjilan, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Siç ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, trupi u gjet nga ekipet e specializuara të zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës të premten.

“Sot, me datë 28.11.2025 rreth orës 12:45, gjatë vazhdimit të kërkimeve intensive, ekipet e specializuara të zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur të gjejnë në pendën e fshatit Livoq trupin e pajetë të personit të raportuar si i zhdukur më datën 27.11.2025, vdekjen e të cilit në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësorë. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka thënë Osmani për KOHËN.

E në raportin 24-orësh të Policisë ishte bërë e ditur se zhdukja e këtij personi ishte raportuar nga vëllai i tij. Ankuesi e kishte gjetur veturën e viktimës bashkë me disa rroba dhe telefonin, afër pendës së fshatit Livoç.