Falë angazhimit të SHBA-së në rajonin e harruar dhe shpesh të paraqitur si të prapambetur e konfliktuoz në Evropë, gjashtë shtete të reja fituan të drejtën e ekzistencës ligjore – përveç Kosovës, e cila qe fundit që realizoi këtë synim dhe ende lufton për njohjen dhe integrim në sistemin ndërkombëtar – ishte e mundur t’i jepej fund gjenocidit dhe luftërave në rajon, si dhe të etablohej suksesi i Perëndimit në rajon. Burime parësore për detajet që na jep libri “Paqebërësit: Lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan”, i James W. Pardew – Botimet KOHA, Prishtinë 2021 – mbështeten në ditarin që ai ka mbajtur, por edhe në burime të dorës së parë
Libri i diplomatit amerikan “Paqebërësit: Lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan”, ofron një pasqyrë të plotë mbi angazhimin diplomatik dhe ushtarak amerikan në Ballkan, në periudhën pas fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë. Rëndësia e këtij libri qëndron për faktin se është shkruar nga ambasadori James W. Pardew, i cili shërbeu si zyrtar i Inteligjencës ushtarake për 28 vjet, por edhe nga një diplomat i spikatur që në fokus të angazhimit diplomatik kishte Ballkanin (Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoni), ku ai pati një rol kyç për koordinimin e marrëveshjeve dhe rezolutave paqësore.
Angazhimi i diplomatit amerikan Pardew nisi me Marrëveshjen e Daytonit dhe vijoi gjatë luftës së Kosovës, si negociator dhe koordinator i Misionit Verifikues Ndërkombëtar. Por, suksesin më të madh diplomatik do ta shënonte si ndërmjetës i luftës në Maqedoni, krahas ish-ministrit francez François Leotard, dhe me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Pardew, po ashtu, nga viti 2005 deri me 2008 ishte zëvendësndihmës i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për operacione dhe menaxhim të krizave, ku u mor me zhvillimin e politikave operacionale të NATO-s për operacionet në Afganistan, Kosovë dhe në misionin paqeruajtës në Irak. Ai ishte edhe përfaqësues i NATO-s në takimet e Grupit të Kontaktit në lidhje me politikën ndërkombëtare ndaj Kosovës. I gjithë ky rrugëtim diplomatik është përmbledhur me shumë detaje dhe prapaskena diplomatike, duke filluar nga përfundimi i Marrëveshjes së Daytonit në vitin 1995 dhe deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Mungesa e vendosmërisë së diplomacisë evropiane
Libri i James W. Pardew ndërthur rrëfimin historik me një përmbledhje të gjerë diplomatike të ngjarjeve, që na ndihmon të kuptojmë më mirë sfondin dhe logjikën politike të vendimeve të marra nga diplomatë dhe politikanët amerikanë në periudhat më dramatike të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kosovë dhe Maqedoni, si dhe për mungesën e vendosmërisë së diplomacisë evropiane për zgjidhjen e krizës së Ballkanit gjatë viteve 1990, e cila ishte arsyeja kryesore përse SHBA-ja u detyrua të ndërhynte diplomatikisht dhe ushtarakisht për të ndalur tragjedinë humanitare dhe çështjet e sigurisë në periudhën pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Autori pohon se e ka qëmtuar me kujdes përdorimin e fjalës gjenocid në titullin e këtij libri, duke nënvizuar se termi gjenocid është i fuqishëm që evokon mizorisë lemeritëse kundër hebrenjve në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas luftës, Konventa e OKB-së për Parandalimin e Ndëshkimin e Gjenocidit e përkufizoi gjenocidin si “akte të kryera me synimin për shkatërrim, pjesërisht apo në tërësi, të një grupi kombëtar, etnik, racor, ose fetar. Sipas autorit, dhuna e përmasave të tilla në Srebrenicë të Bosnjës, më 1995, e solli ndërhyrjen ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA-ja dhe u dha fund krimeve të luftës duke i vënë para drejtësisë shumë prej përgjegjësive të gjenocidit, në një gjykatë ndërkombëtare. Përdorimi i termit gjenocid vjen pasi një prej trashëgimive më të rëndësishme të ndërhyrjes ndërkombëtare në ish-Jugosllavi ishte kuptuar se ata që kryejnë gjenocid, përfshirë edhe krerët e shteteve dhe qeverive, prijësit ushtarakë dhe civilë, mund të mbahen ligjërisht përgjegjës për vendimet e veprimet e tyre.
Por, menaxhimi i krizave dhe diplomacia nuk kanë një doktrinë fikse apo listë uniforme parimesh për zbatimin në të gjitha situatat, pasi rrethanat në secilën prej tyre zakonisht ndryshojnë tej mase. Megjithatë, situatat mund të zhvillohen në skema të ngjashme dhe me disa elemente të përbashkëta. Në këtë kontekst, Pardew ndërhyrjen amerikane e sheh si vendimtare për parandalimin e krimeve të tjera në luftën e Kosovës dhe potencialisht në Maqedoni. Libri identifikon disa tema të përbashkëta e të teknikave që do të mund të ishin të dobishme në negociatat në të ardhmen, si dhe i disa kurtheve diplomatike të shpeshta që mund të shmangen. Në këtë aspekt, Pardew i ka paraqitur disa vlerësime personale rreth diplomacisë operative amerikane, çfarë kreu punë, çfarë jo, si u ndërthuren operacionet ushtarake dhe diplomacia, ashtu si edhe aspekte strategjike e taktike që e udhëhoqën procesin.
Rrethanat e shpërbërjes së Jugosllavisë
Libri i ambasadorit Pardew ndriçon rrethanat dhe zhvillimet diplomatike e ushtarake të shpërbërjes së Jugosllavisë, ku ngërthen intriga politike, mungesa e vizionit për një të ardhme demokratike dhe evropiane nga ana e liderëve, tiranë, banditë e personalitete të llojllojshme vendore, si arsyeja kryesore për shpërthimin e dhunës në ish-Jugosllavi. Shpalohet në mënyrë autentike, ashtu siç i kishte parë nga afër autori, rrëfimin njerëzor i personave të përfshirë në betejën për paqe dhe stabilitet, derisa Jugosllavia po shpërbëhej. Për më tepër, shprehja “rend i ri botëror” e shpallur nga Presidenti George H.W. Bush, e cila duhej ta drejtonte botën pas Luftës së Ftohtë drejt paqes, stabilitetit dhe mirëqenies, dështoi në mënyrë dramatike, nëse marrim shembullin e Jugosllavisë, në rend të parë të sjelljes dhe ambicieve nacionaliste të liderëve ballkanikë, në radhë të parë të Millosheviqit.
Dhe falë angazhimit të SHBA-së në atë rajon të harruar dhe shpesh të paraqitur si të prapambetur i konfliktuoz në Evropë, gjashtë shtete të reja fituan të drejtën e ekzistencës ligjore, dhe përveç Kosovës, e cila e fundit që realizoi këtë synim dhe ende lufton për njohjen dhe integrim në sistemin ndërkombëtar, ishte e mundur t’i jepej fund gjenocidit dhe luftërave në rajon, si dhe të etablohej suksesi i Perëndimit në rajon, dhe që ai të ecë drejt integrimit në BE dhe NATO. Burime parësore për detajet që na jep ky libër mbështeten në ditarin që ka mbajtur James Pardew, përmes të cilit ai sjell pikëpamje dhe vrojtimet e tij personale dhe për njerëzit, politikanë dhe diplomatë, bisedat, takimet dhe vendimet të regjistruara gjatë kohës sa po ndodhnin. Po, krahas kësaj, libri është mbështetur edhe nië burime dhe referencat mbi të cilat mbështetet autori për hartimin e këtij libri.

Prapaskenat në situata dramatike
Grupi i Kontaktit ishte esencial për koordinimin ndërkombëtar gjatë negociatave dhe angazhimit mëvonshëm në Kosovë e Maqedoni, që sipas autorit pjesëmarrja e Rusisë në këtë grup të diplomacisë ad hoc ishte veçanërisht i rëndësishëm, siç ishte e rëndësishme po ashtu edhe informimi i këtij grupi nga ana e Richard Holbrooke, diplomatit kryesor amerikan që përgatiti Konferencën e Daytonit. Libri është edhe një manual i rëndësishëm për diplomatët e rinj të Kosovës, pasi na njeh me prapaskenat, kontekstet dhe dinamikat e vendimmarrjes në situata dramatike. Pa dyshim, është fakt mbresëlënës detaji që sjell Pardew në këtë libër, ku thekson se Hollbrooke, në kontekstin e bisedimeve me Milloshevqin për arritjen e paqes në Dayton, kishte “studiuar negociatat e Camp Davidit, nga koha e administratës Carter, si shembullin më të ri të koncepteve se si të ecet përpara, gjatë fazave të hershme të procesit të tij negociator për Bosnjën.” (fq.45). Ky fakt tregon një praktikë të njohur në diplomaci se njerëzit që përfshihen në negociata të ndryshme zakonisht studiojnë mirë konferenca dhe bisedime paraprake me qëllim që të njihen me mënyrën dhe gamën e arritjes së marrëveshjeve dhe kompromiseve. Në këtë kuadër, vendimtare për arritjen e marrëveshjes së Daytonit shihet operacioni “Deliberate Force” (Fuqitë e qëllimshme”) me 30 gusht 1995, kur aeroplanët e NATO-s do t’i godisnin shënjestrat ushtarake serbe. Ky ishte sulmi i parë që ndërmori aleanca kundër forcave armiqësore në historinë e NTAO-s
Ky aksion ushtarak i aleancës më të madhe perëndimore erdhi pak muaj pas gjenocidit serb në Srebrenicë (korrik 1995) e cila u bë pika vendimtare që bindi edhe skeptikët e fundit në administratën Clinton se Washingtoni nuk mund të qëndrojë duarkryq kur jetët e njerëzve janë në rrezik. Duke analizuar këto rrethana, Pardew e njihte mjaft mirë presidentin serb Sllobodan Millosheviq dhe brutalitetet e tij deri në kohën kur u dërgua për të negociuar me të në Kosovë në vitin 1999. Ai e përshkruan Millosheviqin si zjarrvënës dhe zjarrfikës njëkohësisht, ngritja e të cilit kishte nisur në Kosovë dhe prej atëherë ai ndiqte politikën e krijimit të një Serbie të Madhe.
Millosheviqi – diktatori e alkoolisti funksional
“Kurrë nuk kisha takuar ndonjë person me gjakun e aq shumë të pafajshmëve në duar. Pas vitesh në Ushtrinë amerikane, përfshirë turneun në Vietnam, nuk është se isha papërvojë rreth vrasjeve. Kisha vizituar Auschwitzin, fushat e vrasjeve në Komboxhia dhe varrezat masive në Somali. Megjithatë, kurrë nuk i kisha takuar kryerësit. Millosheviqi të paktën kishte toleruar apo inkurajuar spastrimet etnike dhe gjenocidin. Në gushtin e vitit 1995, ai ishte figura kyçe për ndaljen e vrasjeve në Bosnjë.”(fq. 49). Duke e portretizuar Millosheviqin jo vetëm si diktator dhe alkoolist funksional, por edhe si një tiran të tërbuar, i cili kishte shkathtësi “në paraqitjen e një rrëfimi tërësisht të rremë, por disi logjik, “ për ta mbështetur qëndrimin që kishte apo për t’u shmangur përgjegjësisë e përfshirjes së Serbisë në luftën dhe krimet e kryera në Bosnjë. Por pavarësisht përpjekjeve të Millosheviqit për të krijuar iluzionin se ai nuk i kontrollonte dot veprimet e serbe në Bosnjë, Pardew ishte i bindur se ai ishte “përgjegjës për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit në Bosnjë”, që sipas autorit Millosheviqi po përdorte modelin sovjetik të inskenimit politik për ta shmangur përgjegjësinë. Sjelljen dhe inskenimin politik të Millosheviqit, autori e krahason edhe me atë të Vladimir Putinit, i cili një inskenim të tillë do të aplikonte gjatë okupimit rus të Ukrainës më 2014-15.
Janë disa momente kyçe që do të mundësonin shkuarjen e palëve drejt një konference ndërkombëtare: përpjekja e Holbrooke për dhënien fund të rrethimit të Sarajevës, akuza e ngritur nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë (ICTY) me seli në Hagë kundër Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Bosnjë dhe pa dyshim gjendja në fushëbetejë, ishin arsyeja parësore që i shtyu serbo-boshnjakët për armëpushim të përgjithshëm në tërë Bosnjën, si pasojë e përparimit të forcave kroate kundër serbëve në afërsi të Banjallukës. Por po ashtu, mësohet se ndalja e ofensivës kroate e ndihmuar prej forcave boshnjake në Bosnjën Perëndimore erdhi me porosi të Holbrooke dhe ekipit të tij. Ky vendim i amerikanëve ishte vendimtar për ndaljen e ofensivës kroate-boshnjake për marrjen e Banjallukës dhe dëbimin e serbëve nga Bosnja Veriore dhe Perëndimore, që në fakt nënkuptonte edhe fundin e “Republikës Serbe”, të krijuar përmes dhunës dhe spastrimit etnik. Për këtë veprim, Pardew pohon se vite më vonë Holbrooke kishte mëdyshje nëse kishte vepruar në formën më të mirë kur kishte kërkuar nga kroatët dhe boshnjakët që ta ndalnin ofensivën në shtator 1995.
Përpjekjet ruse për dobësimin e NATO-s
“Vite më vonë, i irrituar me pengesat e vazhdueshme serbe ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Daytonit, Holbrooke privatisht do ta bluante në mendje nëse ndalja e kësaj ofensive kishte qenë vendim i duhur. Ishte kjo pyetje me vend, posaçërisht pasi serbët nuk i dhanë merita për shpëtimin e jetëve dhe pronave serbëve të panumërt me këtë vendim” (fq. 73-74). Pardew, duke prezantuar raportet e pabarabarta në armatim, që serbët kishin mjaftueshëm armë për të bërë luftë, ndërsa nuk kishin mjaft as për ta mbrojtur veten, si pohon qartë se myslimanët ishin viktimat kryesore të luftës në Bosnjë. Derisa evropianët ishin të hamendësuar, duket qartë roli vendimtar i administratës Clinton në Bosnjë, e cila po ndiqte një strategji të kombinuar, për t’u përballë me çështjen problematike të rezistencës politike ndaj angazhimit amerikan: embargoja e armëve dhe ndikimi në rritje i ekstremistëve në Sarajevë. Derisa amerikanët po ndiqnin synimin për nivelizimin e raporteve të forcave ushtarake me serbët, evropianët preferonin çarmatosjen e rajonit. Një paralele tjetër me rastin e Kosovës shpërfaqet edhe në sjelljen e Rusisë në prag të Daytonit, kur rusët vazhdimisht bënin përpjekje ta dobësonin NATO-n nëpërmjet OKB-së, pasi në këtë mënyrë Rusia do të mund të fitonte ndikim më të madh mbi veprimet e NATO-s. “Ndonëse shumë aleatë amerikanë e përkrahnin pikë vështrimin rus, NATO-ja në fund u dërgua në Bosnjë me mandat të OKB-së, por jo nën komandën e Kombeve të Bashkuara”, thekson Pardew (91). Megjithatë, Rusia kur nuk mundi të impononte opsionin e saj, u kthye në një partner konstruktiv të procesit.
Duke analizuar pozicionet e tri palëve në negociata që do të çonin në marrëveshjen e paqes dhe ndaljen e luftës në Bosnjë, Pardew pohon se Millosheviqi ishte i interesuar procesin negociues, sepse në këtë mënyrë dëshironte largimin e izolimit ndërkombëtar të Serbisë dhe heqjen e sanksioneve dërmuese ekonomike. Por, në të njëjtën kohë ai dëshironte që nëpërmjet këtyre negociatave të dobësonte shtetin ardhshëm boshnjak. Liderët boshnjakë ishin më të shqetësuar se të paguanin çmim të rëndë për pranimin e armëpushimit, ndonëse marrëveshja nënkuptonte heqjen rrethimit të Sarajevës. Por, ata i kishin të lidhur duart për shkak të embargos në armatime.
Ndërsa Tugjmani, i cili ishte i fokusuar tek interesat kroate në Bosnjë, përfshirë konfliktin në Sllavoninë Lindore, njëjtë si Millosheviqi, nuk e mbështeste një qeveri të fortë qendrore në Sarajevë.
Në këto rrethana erdhi vendimi madhor i administratës amerikane për vazhdimin e bisedimeve trepalëshe në Bazën e Forcës Ajrore “Wright-Patterson” afër Daytonit në Ohio, të cilat do të drejtoheshin nga emisari special amerikan, Richard Holbrooke, dhe për këtë ai varte barrën e suksesit dhe të dështimit të bisedimeve, por si në Rambouillet, u vendos që Grupi i Kontaktit të ishte palë e negociatave. Ishte e qartë se amerikanët dëshironin që përmes pjesëmarrjes evropiane për t’i dhënë legjitimitet kontinental marrëveshjes dhe për të siguruar përkrahje për zbatimin e saj. Por, Marrëveshja e Daytonit, e nënshkruar në Paris më 14 dhjetor 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnje, do të ishte e pamundur të arrihej pa mbështetjen diplomatike dhe logjistike të palëkundur nga SHBA-ja. Negociatat trejavore (1-21 nëntor 1995), ku figurë qendrore ishte Holbrooke me takimet e tij të shpeshta dhe shpesh personale me Millosheviqin, kaluan nëpër shumë ngritje e ulje dhe disa herë ishin afër dështimit, pasi asnjëra palë nuk ishte e gatshme të bënte lëshime të rëndësishme. Më në fund, u arrit një përparim, kur palët ndërluftuese ranë dakord për një zgjidhje paqësore që përkohësisht i dha fund gjakderdhjes në ish-Jugosllavi. Por, Holbrooke ia bëri të qartë Millosheviqit se nuk mund të ndodhte heqja e sanksioneve ndaj Serbisë në kohën që Arkani, njëri nga dhjetë kriminelët më të kërkuar në Evropë nga Interpoli, kryente krime nëpër Bosnjë, dhe i njohur për lidhjet me Shërbimin Sekret Serb dhe për raportet e ngushta me Kishën Ortodokse Serbe. Trashëgimia e Vietnamit, për shembull, ishte e gjallë dhe mjaft ndikuese gjatë këtyre negociatave pasi udhëheqësit që drejtonin politikën diplomatike dhe ushtarake të SHBA ishin pjesëtarë të atij brezi, i cili u bë përcaktues për etablimin e sigurisë në Ballkan dhe për mbrojtjen e drejtave të njeriut dhe synimi për t’i dhënë fund një katastrofe humanitare që determinuan bisedimet e paqes për Bosnjën, e cila në këtë periudhë ishte bërë një dilemë politike dhe morale për administratën Clinton, në përbërje të së cilës ishin shumë figura politike dhe ushtarake që do të angazhoheshin katër vite më vonë edhe në luftën e Kosovës.
Por megjithëse bisedimet në Dayton u zhvilluan me tensione ndërmjet pjesëmarrësve, shpërthime të shpeshta mllefesh, Holbrooke, si negociator kryesor, ia doli ta mbante ekuilibrin të ta penguar dështimin e saj, respektivisht arritjen e pajtimit për ndarjen territoriale 51/49, sipas hartave që prodhoheshin nga ekspertët e Agjencisë për Harta e Departamentit të Mbrojtjes, e cila solli në Dayton edhe mjetet teknike për përshtatjen elektronike të kufirit të brendshëm ndërmjet Federatës dhe Republikës Serbe. Një kontribut konstruktiv në Dayton, Pardew ia njeh edhe Igor Ivanovit, i cili asnjëherë nuk shkaktoi telashe, pasi ai nuk shfaqte ndonjë dhembshuri të veçantë për serbët, një bashkëpunim i cili nuk do të ndodhte edhe në rastin e Kosovës as me 1999 dhe as në procesin e Vjenës (2006-2007).
“Në brezin e tij të diplomatëve rusë, asnjëri nuk bashkëpunoi më ngushtë me negociatat amerikane prej brenda procesit sesa Ivanovi në Dayton. Kjo shkallë e bashkëpunimit amerikano-rus sidoqoftë do të ishte jetëshkurtër rreth Ballkanit dhe rreth çështjeve të tjera të politikës së jashtme pas vitit 1999-s.”, shkruan Pardew (fq.120).
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë