Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Lista Serbe e ka ruajtur dominimin në komunat me shumicë serbe, porse rezultatet kanë treguar se kjo parti e ka një rënie të ndjeshme të mbështetjes krahasuar me vitin 2021. Megjithëse mbetet forca kryesore politike te serbët e Kosovës, njohësit kanë thënë se në këtë rezultat ka ndikuar fakti se pati alternativa të tjera tek serbët dhe se ka rënie të besimit të Listës Serbe
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Lista Serbe ka dalë subjekti kryesor në komunat me shumicë serbe në Kosovë, porse rezultatet kanë treguar që pushteti dominues i saj është zbehur.
Në shumë komuna të banuara kryesisht me serbë është regjistruar rënie e mbështetjes për Listën Serbe, krahasuar me zgjedhjet lokale të 2021-tës.
Në Mitrovicë të Veriut, në Zveçan, në Zubin-Potok dhe në Leposaviq, në të cilat Lista Serbe më parë e ka mbajtur dominimin absolut, ka diferencë në përqindje. Në Mitrovicën e Veriut kjo parti, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka marrë 60 për qind të votave, krahasuar me afër 91 për qind sa i ka pasur në vitin 2021. Në Leposaviq mbështetja i ka rënë nga rreth 97 për qind, sa e ka pasur më 2021, në rreth 70 për qind më 2025. Në Zveçan, nga 98 për qind më 2021, përkrahja e saj ka rënë në 86 për qind. E në Zubin-Potok, rënia e mbështetjes ka rezultuar më e butë – nga 83 për qind në rreth 70 për qind.
Edhe në komunat jugore e që janë të banuara me shumicë serbe – në Graçanicë, Ranillug, Novobërdë, Partesh – ka gjithashtu lëvizje të trendit gjatë katër vjetëve. Në Graçanicë, Lista Serbe më 12 tetor 2025 ka marrë vetëm 62 për qind të votave, ndërsa katër vjet më parë rreth 77 për qind. E në Partesh mbështetja për partinë ka arritur në 89 për qind, duke shënuar rritje në krahasim me 75 për qind sa ka pasur më 2021.
Ani se Lista Serbe ka fituar nëntë nga dhjetë komunat e populluara kryesisht me serbë, në shumicën e komunave dominimi i është zbehur, pasi hapësira për alternativa të tjera në zgjedhjet e 12 tetorit ka qenë më e madhe.
Skënder Sadiku, i cili është zëvendëskryesues i Asamblesë Komunale në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se kjo frymë është vërejtur edhe në veri.
“Nuk është vetëm Lista Serbe tash dhe të tjerët nuk janë të barrikaduar në një subjekt, që është mirë dhe e shëndetshme për demokracinë. Mirëpo frytet e demokracisë do të vijnë më vonë, shpresoj që më së paku në zgjedhjet e ardhshme lokale do të ketë një ndryshim drastik edhe te komuniteti serb. Shpresoj që demokratizimi i serbëve, këtu gjithnjë mendoj për serbët që janë në Republikën e Kosovës, mos të harrojmë që këto zgjidhje janë të monitoruara nga Republika e Kosovës, me ligjet e Kosovës, do të sjellin përfitime edhe për komunitetet joshumicë”, ka thënë Sadiku. “Ju mund të imagjinoni pesë kilometra katrorë kemi pasur dhjetë kandidatë për kryetarë dhe 15 opsione politike, ndoshta që në Ballkan nuk ndodh, mirëpo pas rezultateve zgjedhore atëherë gati po i kthehemi asaj pasqyre që është pritur, pasi komuniteti shumicë serbë po mendoj është edhe numerikisht më i madh dhe do të udhëheq këto komuna”.
Për sa i përket përfaqësimit që shqiptarët do ta kenë në kuvendet komunale në veri, Sadiku ka thënë se komunitetet e tjera janë të hendikepuara.
“Kjo pasi është zvogëluar edhe numri i asamblistëve, çështje të cilën e kemi paralajmëruar, por s'kemi pasur ndonjë forcë që t'i ndalim. Mitrovica e Veriut do t'i ketë pesëmbëdhjetë asamblistë, por duhet pritur derisa nuk përfundojnë të gjitha numërimet në nivel lokal. Fatkeqësisht janë rezultate jo të kënaqshme për komunitetet e tjera, posaçërisht edhe për komunitetin shqiptar. Për momentin ndoshta do të kalojë vetëm një nga komuniteti shqiptar ose po shpresojmë që maksimumi do të jenë tre, por kjo varet edhe prej votave me kusht, që realisht nuk kemi numër të madh”, ka thënë ai. “Shumicën do ta marrin komuniteti serb dhe një opsion politik, mendoj Lista Serbe që ka qenë bojkotuese dhe ngecje e shumë proceseve që kanë ndodhur në komunat veriore, mirëpo kjo është demokracia. E mira është që ka edhe opsione të tjera te komuniteti serb, për shembull, ka kaluar iniciativa qytetare e Marko Jakshiqit edhe si po mendoj, do të jetë edhe një nga Demokracia Serbe”.
E politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në zgjedhjet lokale të së dielës serbët në Kosovë kanë pasur alternativa ndaj Listës Serbe në të gjitha komunat - ndryshe nga proceset e mëparshme zgjedhore. Sipas tij, mbështetja për Listën Serbe në Kosovë nuk mund të interpretohet kurrë si mbështetje për korrektësinë e politikave të saj, por më tepër si nevojë që serbët të ruajnë pushtetin në komunat ku përbëjnë shumicën, por edhe marrëdhëniet e tyre me Beogradin.
Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, ka shprehur bindjen se nuk ka alternativë të vërtetë ndaj Listës Serbe dhe se mbështetja që e kanë marrë subjektet e tjera politike është “maksimumi i tyre”.
“Komuniteti serb në Kosovë po përjeton një gjendje që [ish-udhëheqësi serb, Sllobodan] Millosheviq e ka quajtur pluralizëm jopartiak. Pra, dominimi i një partie është bllokadë ndaj sistemit shumëpartiak... Kjo është shkolla e menaxhimit të konfliktit: ‘Pse ju duhen komplikime me komunitetin demokratik serb’? Nuk ju duhen”, ka thënë Janjiq për REL-in.
Alternativë ndaj Listës Serbe në komunat me shumicë serbe në këto zgjedhje kanë qenë Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit, Lëvizja Kombëtare Serbe e Millija Bishevacit, Aleanca e Kosovës e Goran Marinkoviqit, si dhe disa iniciativa qytetare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë i pari që e ka shpallur fitoren e Listës Serbe në nëntë komunat me shumicë serbe. Ai dhe zyrtarë të tjerë gjatë fushatës parazgjedhore e kanë paraqitur këtë subjekt si forcën e vetme që “e garanton ekzistencën e popullit serb në Kosovë”.
Me urdhër të Beogradit zyrtar, në nëntor të 2022-tës Lista Serbe qe larguar nga institucionet e Kosovës duke bërë që për një mandat të plotë komunat në veri të udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë.