Projektorin e festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest” të shtunën e kanë ndezur edhe katër filma, dy të metrazhit të gjatë dhe po aq të mesëm, që shpalosin qasje të ndryshme, prej eksperimentit si ai i regjisores nga Kosova “One Woman Film”, te “One Punch” që e shndërron në film një ngjarje të vërtetë. Premierë botërore ka ardhur “Island of Oblivion” që rilexon veprën “Odiseja” të Homerit e “Nikah” tregon sfidën e pasigurisë së një gruaje të re në udhëkryqet e jetës së saj personale dhe zgjedhjet e saj për një jetë më të mirë në botën e popullit ujgur në një provincë në veriperëndim të Kinës
Prodhimet filmike të prezantuara në edicionin e 17-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest” në Prishtinë janë kryesisht të huaja, mirëpo një pakicë prej tyre janë edhe prodhime të Kosovës, madje edhe bashkëprodhime, që për herë të parë shfaqen në këtë festival. I tillë është filmi i shkurtër “One Woman Film” me skenar dhe regji të Anita Morinës, i cili është dhënë si premierë rajonale të shtunën në “Kino Armata”.
Më pak se 10 minuta i gjatë, filmi që ka vetëm një personazh, femër, rolin e së cilës e luan Drita Kabashi, ka në qendër rrëfimin e saj, teksa vendos një kamerë për ta regjistruar veten tek gatuan, duke mjegulluar linjat midis performancës dhe intimitetit, derisa i zbulon mendimet e saj gjatë kohës që po pret të mbërrijë djali, me të cilin do të takohet. Filmi i realizuar i tëri bardhezi, është monolog në gjuhën angleze.
“Kur flet shumë me veten dhe ke qejf t’i hysh shumë thellit e je ‘overthinker’, atëherë vendos në një moment t’i shkruash ato sende dhe ta bësh një film shumë të shkurtër eksperimental për mendimet intrusive që ke, dhe e gjen personin e duhur për të të prezantuar jo veç ty, por edhe shumë njerëz rreth teje, se për me qenë një regjisor ose shkrimtar i mirë, duhet të dish shumë të dëgjosh e të jesh i vetëdijshëm për rrethanat e tua dhe kur dëgjon shumë storie për njerëz si ti, atëherë vendos që ato probleme t’i shpalosësh”, ka regjisorja Anita Morina në konferencën e paradites, që rëndom po mbahen çdo ditë për secilin film veç e veç.
Menjëherë pas këtij filmi është prezantuar filmi britanik “One Punch”, me regji dhe skenar nga Huse Monfaradi, i cili bashkë me të parin është në garë për kategorinë e filmave të shkurtër në festival. Tregon historinë e një djali të burgosur, teksa përballet me emocionin e fajit kur e vizitojnë në burg prindërit e djalit që ai e ka vrarë.
Regjisori Monfaradi ka treguar se ideja për këtë film i ka ardhur nga një artikull që kishte lexuar për historinë e një vrasjeje aksidentale me vetëm një grusht.
“Isha shumë i lumtur me mënyrën se si u prit filmi, disa njerëz shumë të mirë më kanë thënë se u ka pëlqyer shumë, është shumë e rëndësishme për mua që njerëzit e vlerësojnë filmin dhe i shohin vlerat e tij. Kam dashur të krijoj diçka që ishte e thjeshtë të bëhet dhe që nuk kushton shumë, por që ka një narrativë të thellë ndikuese dhe vijë dramatike. E kam parë një artikull në një gazetë britanike ku thuhej se një djalë gjendej në burg, sepse e kishte vrarë dikë aksidentalisht vetëm me një grusht”, ka thënë për KOHËN regjisori, i cili ka treguar se filmi është shfaqur gjithkah nëpër festivale në Britani e në SHBA, dhe kjo dhënie është premiera evropiane e tij.
Për filmin ka folur edhe producenti i tij, Harvey Ascott, i cili ka theksuar se me anë të bashkëpunimit të mirë me regjisorin, kanë arritur të nxjerrin një produkt shumë të mirë.
“Me regjisorin kemi punuar shumë për ta realizuar filmin, kemi mbledhur njerëzit nga më të mirët në Britani për këtë film të shkurtër, edhe në produksion, edhe në postproduksion. Thjesht donim ta bëjmë një film të mirë dhe mendoj se e kemi arritur. Edhe nëpër festivale po del të ketë sukses dhe të pëlqehet, thjesht dua të bashkëpunoj me njerëz që kanë skenarë të mirë, kushdo që më vjen me një skenar të mirë, nëse mund të ndihmoj, e bëj me shumë qejf”, ka thënë ai. Producenti Ascott është i njohur për prodhimin e filmit “Shok”, i cili është i vetmi film i Kosovës që është nominuar për “Oscar” deri më sot.
Kategoria e filmave të mesëm ka prezantuar të shtunën dy filma. Njëri prej tyre, “Island of Oblivion” i regjisorit Jamie Vella është prezantuar për herë të parë ndonjëherë, si premierë botërore në “PriFest”. Tregimi është një version i veprës “Odiseja” e Homerit. Odiseu dhe Kalipso jetojnë një jetë të lumtur në një ishull. Por qetësia shndërrohet në kaos kur Odiseu zbulon të vërtetën e dukshme për identitetin e tij. Ai duhet të zgjedhë: të përballet me të kaluarën e tij, ose të mbetet i strehuar në rehati.
Për filmin ka folur regjisori Vella. Ka treguar se filmi flet në një gjuhë bashkëkohore dhe tregon dysinë e vendosmërisë.
“Në Malta kemi një ishull të vogël, dhe ky ishull njihet si vendi ku është mbajtur Odiseu nga Kalipso. Filmi ka për qëllim të tregojë një histori pa kompleksitetin e Odiseut që e njohim dhe t’i qaset narratives në një mënyrë më njerëzore. Duket si një histori bashkëkohore dhe është një mënyrë e të vendosurit nëse duhet të rrimë në zonën e rehatisë apo të kalojmë në diçka që është më sfiduese”, ka thënë ai për filmin, i cili është prezantuar si prodhim i Maltës.
Filmi i dytë në kategorinë e filmave të metrazhit të mesëm është dhënë “Nikah” me bashkëregji nga Bastien Ehouzan dhe Mukaddas Mijit. Tregon sfidën e pasigurisë së një gruaje të re në udhëkryqet e jetës së saj personale dhe zgjedhjet e saj për një jetë më të mirë në botën e popullit ujgur në një provincë në veriperëndim të Kinës.
Traditat dhe vazhdimi i tyre nga brezat e rinj shpesh rrezikohen nga vendësit aty dhe regjisori Ehouzan, që ka folur për KOHËN, ka thënë se bashkëpunëtorja e tij që është ujgure nga nacionaliteti e ka marrë si inspirim jetën e saj personale si grua ujgure.
“Jam i nderuar dhe kam kënaqësinë të vij këtu në ‘PriFest’, mendoj se është një mënyrë e mirë për ta sjellë filmin këtu, sepse e pashë që jehon. Jemi dy regjisorë, unë jam francez dhe s’jam ujgur, regjisorja është ujgur dhe është filmi i parë i gjatë për të dhe për këtë film është inspiruar nga historia e saj personale, se nëpër çfarë kalon si një grua dhe si një vajzë ujgure sot”, ka thënë ai.
Publiku jo shumë i madh në numër e ka përcjellë me vëmendje paraqitjen e filmave deri në fund.
Zhana Novakoviq nga Mali i Zi ka treguar përshtypjet e saj për filmat.
“Më pëlqyen të gjithë filmat, të jem e sinqertë. I pari ishte vërtetë i mirë, te i dyti ideja ishte e mahnitshme, sepse flet për atë sesi një familje viziton vrasësin e djalit të tyre të vrarë, ngase kjo u ndihmon për të tejkaluar pikëllimin. Më pëlqeu shumë kjo ide. ‘Island of Oblivion’ ishte gjithashtu i mirë, por tani isha duke lexuar, sepse nuk e dija se çfarë do të thotë ‘nikah’ dhe se çfarë është”, ka thënë ajo.
Ajo ka treguar se merr pjesë në këtë festival që tre vjet. E ka përmendur edhe filmin malazez dhe ka theksuar se sa herë që merr pjesë në kësi lloj përzgjedhjesh, mëson diçka të re. Mali i Zi përfaqësohet me filmin e shkurtër “Bark” me skenar dhe regji nga Branislav Milatoviq për të cilin ka bashkëpunuar me Stefan Boshkoviqin, që eksploron lidhjen e brishtë midis prindit dhe fëmijës përballë brutalitetit të dimrit.
“Shumë filma këtu, pasi është hera e tretë që vij në këtë festival dhe mbase është më i miri. Më kanë pëlqyer shumë filma, e kishim edhe një nga Mali i Zi, i cili ishte shumë i mirë. Do të shohim se kush do të fitojë. Patjetër që filmi është mënyrë për ta edukuar vetveten. Është përzgjedhje ndërkombëtare dhe sa herë që vjen, mëson diçka të re”, ka shtuar ajo.
Të dielën është nata mbyllëse e festivalit “PriFest”, gjatë së cilës edhe do të ndahen çmimet për filmat më të mirë.