Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Inteligjenca artificiale mund artin

Një pikturë e krijuar nga Inteligjenca artificiale ka fituar një çmim arti. Artistët nuk janë të lumtur. “Unë fitova dhe nuk kam thyer asnjë rregull”, ka thënë autori i veprës artistike

Këtë vit konkursi vjetor i artit të Panairit Shtetëror të Kolorados dha çmime në të gjitha kategoritë e zakonshme: pikturë, skulpturë e të tjera.

Por njëri nga pjesëmarrësit, Jason M. Allen nga Pueblo West, Colo., nuk konkurroi me ndonjë vepër të realizuar me furçë apo me copë balte. Ai e krijoi atë me “Midjourney”, një program i Inteligjencës artificiale që i kthen linjat e tekstit në një grafikë hiper-realiste.

Vepra e Allen-it, “Théâtre D'Opera Spatial”, mori shiritin blu në konkursin për artistët digjitalë në zhvillim – duke e bërë atë veprën e parë të krijuar prej Inteligjencës artificiale (A.I.) që ka fituar një çmim të tillë. Kjo ka shkaktuar reagime të ashpra nga artistë që e akuzuan atë për mashtrim.

I kontaktuar në telefon të mërkurën, Allen mbrojti veprën e tij. Ai tha se e kishte bërë të qartë se vepra e tij – e cila u dorëzua me emrin “Jason M. Allen via Midjourney” – ishte krijuar duke përdorur Inteligjencën artificiale dhe se ai nuk kishte mashtruar askënd për origjinën e saj.

“Unë nuk do të kërkoj falje për të”, tha ai. “Fitova, dhe nuk kam thyer asnjë rregull”.

Edhe Aktorja virtuale merr punën e parë në Hollywood, pavarësisht kritikave të forta Showbiz 2 j. më parë Aktorja virtuale merr punën e parë në Hollywood, pavarësisht kritikave të forta

Arti i Inteligjencës artificiale ka vite që ekziston. Por aplikacionet e lëshuara në përdorim këtë vit – me emra si DALL-E 2, “Midjourney” dhe “Stable Diffusion” – kanë bërë të mundur që edhe shtresa e amatorëve të mund të krijojë vepra komplekse, abstrakte ose fotorealiste, thjesht duke shtypur disa fjalë në një kuti teksti.

Këto aplikacione kanë bërë që shumë artistë të shqetësohen për të ardhmen e tyre – pse dikush do të paguajë për artin, pyesin ata, kur mund ta krijojë vetë atë? Ata gjithashtu kanë nxitur debate të ashpra rreth etikës së artit A.I. që krijon dhe kundërshtime nga njerëzit që pretendojnë se këto aplikacione janë në thelb një formë e teknologjisë së lartë të plagjiaturës.

Allen, 39 vjeç, filloi të eksperimentonte me artin e krijuar nga A.I. këtë vit. Ai drejton një studio, “Incarnate Games”, e cila prodhon lojëra tavolinash dhe ishte kurioz se si imazhet e krijuara nga gjenerata e re A.I. krahasoheshin me ato të artistëve njerëz, veprat e të cilëve ai i porosiste.

Këtë verë ai u ftua në një server chat “Discord” ku njerëzit po testonin “Midjourney”, i cili përdor një proces kompleks të njohur si “difuzion” për ta kthyer tekstin në imazhe të personalizuara. Përdoruesit shkruajnë një sërë fjalësh në një mesazh për “Midjourney”; roboti hedh një imazh disa sekonda më vonë.

Allen krijoi veprën e tij artistike me “Midjourney”, një program i Inteligjencës artificiale që i kthen linjat e tekstit në grafika hiper-realiste.

Allen u fiksua me këtë program, duke krijuar qindra imazhe dhe duke u mahnitur se sa reale ishin ato. Pavarësisht se çfarë shkruante, “Midjourney” dukej i aftë për t’ia dalë.

“Nuk mund të besoja çfarë po shihja”, tha ai. “Ndihesha sikur ai ishte i frymëzuar djallëzisht – sikur në të, të përfshihej ndonjë forcë e botës tjetër”.

Në fund, Allen vendoi që ta paraqiste një nga krijimet e tij “Midjourney”, në Panairin Shtetëror të Kolorados, i cili kishte një kategori për “artin digjital/fotografinë e manipuluar në mënyrë digjitale”. E printoi imazhin në kanavacë dhe atë ia dorëzoi jurisë.

“Panairi po afrohej”, tha ai, “dhe unë mendova: sa mirë do të ishte ta demonstroja para njerëzve se sa i mrekullueshëm ishte ky art?”.

Disa javë më vonë, derisa po ecte në sheshin ku po zhvillohej panairi në Pueblo, Allan pa një fjongo të kaltër që ishte vendosur afër veprës së tij. Ai kishte fituar së bashku me shumën prej 300 dollarësh.

“Nuk mund ta besoja”, tha ai. “Kjo ishte saktësisht ajo çka kam dashur të arrij”.

(Allen refuzoi ta tregonte tekstin e saktë që ai kishte vendosur në “Midjourney” për të krijuar "Théâtre D'Opera Spatial". Por ai dha një të dhënë, tha përkthimin nga frëngjishtja – “Space Opera Theatre”).

Edhe Mick Jagger: Inteligjenca artificiale më ndihmoi të kuptoja se idetë e mia ishin më të mira Showbiz 2 j. më parë Mick Jagger: Inteligjenca artificiale më ndihmoi të kuptoja se idetë e mia ishin më të mira

Pas fitores, Allen postoi një foto të çmimi të veprës së tij në bisedën e “Midjourney Discord”. Më pas kjo foto u shfaq edhe në Twitter, ku shkaktoi reagime të shumta.

“Ne po shikojmë teksa arti po vdes para syve tanë”, shkroi një përdorues në Twitter.

“Kjo është kaq vulgare”, shkroi një tjetër. “Unë mund të shoh se si arti A.I. mund të jetë i dobishëm, por të pretendosh se je artist duke krijuar një të tillë? Absolutisht jo”.

Disa artistë mbrojtën zotin Allen, duke thënë se përdorimi i A.I. nuk dallon aspak nga përdorimi i “Photoshopit” ose mjeteve të tjera digjitale të manipulimit të imazhit, dhe kreativitetit njerëzor i kërkohet të bëjë edhe më tepër që të krijojë një vepër që vlerësohet me çmime.

Olga Robak, zëdhënëse e Departamentit të Agrikulturës në Kolorado, i cili e mbikëqyr panairin shtetëror tha se gjatë dorëzimit të artikullit të tij, Allen e kishte bërë të ditur në mënyrë korrekte përfshirjen e “Midjourney”; Rregullat e kategorisë lejojnë çdo “praktikë artistike që përdor teknologjinë digjitale si pjesë e procesit krijues”. Gjyqtarët e dy kategorive nuk e dinin që Midjourney ishte një A.I. program, tha ajo, por të dy më pas i thanë asaj se do t’ia kishin dhënë zotit Allen çmimin kryesor edhe nëse do ta kishin ditur.

Image
Jason M. Allen: “Arti ka vdekur, miq. Mbaroi. Inteligjenca artificiale fitoi. Njerëzit humbën”

Polemikat mbi teknologjitë e reja të krijimit të artit nuk janë asgjë e re. Shumë piktorë u tërhoqën nga shpikja e kamerës, të cilën ata e panë si një poshtërim të artit njerëzor. (Charles Baudelaire, poeti dhe kritiku i artit francez i shekullit të 19-të e quajti fotografinë “armiku më vdekjeprurës i artit”). Në shekullin e 20-të mjetet e redaktimit digjital dhe programet e projektimit të ndihmuara nga kompjuteri u hodhën poshtë në mënyrë të ngjashme nga puristët për shkak se kërkonin shumë pak bashkëpunëtorë dhe aftësi njerëzore.

Disa kritikë besojnë se ajo çka e bën më të veçantë këtë mjet të ri të Inteligjencës artificiale nuk është vetëm aftësia për të krijuar vepra të bukura arti dhe as fakti se ato mund të krijohen me pak punë, por është mënyra se si ato punojnë. Aplikacionet si DALL-E 2 dhe “Midjourny” ndërtohen duke marrë mbi një milion pjesë të fotografive nga ueb-faqet e hapura dhe më pas mësohet një algoritëm për t’i njohur modelet dhe lidhjet e atyre fotografive me anë të të cilave pastaj krijohet një vepër e re e po atij stili. Kjo nënkupton që artistët të cilët i hedhin punimet e tyre në internet mund të jenë duke ndihmuar pa dashur trajnimin e konkurrentëve të tyre algoritmik.

“Çfarë e bën të veçantë këtë Inteligjencë artificiale është se trajtohet në mënyrë eksplicite nga veprat aktuale të artistëve”, ka shkruar në muajin e kaluar në Tweeter, artisti digjital, RJ Palmer. “Një gjë e tillë dëshiron që ta marrë punën tonë, dhe kjo është totalisht anti-artistike. Edhe disa që ishin të impresionuar nga krijimi i artit nga A.I. kanë dëshirë rreth asaj se si ai ndërtohet. Andry Baio, teknolog dhe shkrimtar, tha se A.I. ndoshta është njëri nga krijuesit më të zhurmshëm të pikturave në treg. Ai thotë se është mbresëlënëse nisur nga ajo çka ishte e aftë të krijonte, por në anën tjetër hedh shumë pikëpyetje që kanë të bëjnë me etikën, aq sa është e vështirë të merresh me të gjitha”.

Fituesi i fjongos së kaltër, Allan, tha se solidarizohet më artistët të cilët ishin të frikësuar që mjetet e A. I. mund t’i lënë pa punë. Por ai tha se nervozizmi i tyre nuk duhet t’u drejtohet artistëve që përdorin DALL-E 2 ose “Midjourney” për të bërë artin e tyre por kompanive të cilat kanë vendosur ta zëvendësojnë njeriun me mjetet e Inteligjencës artificiale.

“Nuk duhet të jetë një aktakuzë e vetë teknologjisë”, tha ai. “Etika nuk është në teknologji. Është në njerëz.”

Ai u bëri thirrje artistëve që t’i tejkalojnë kundërshtimet e tyre ndaj A.I., qoftë edhe vetëm si një strategji e përballimit.

Edhe Jodie Foster: Filmi “F1” duket si i krijuar nga AI-ja Showbiz 3 j. më parë Jodie Foster: Filmi “F1” duket si i krijuar nga AI-ja

“Kjo nuk do të ndalet”, tha Allen. “Arti ka vdekur, miq. Mbaroi. Inteligjenca artificiale fitoi. Njerëzit humbën”.

Marrë nga “The New York Times”. Përktheu: Mirjetë Sadiku