Kulturë

“Art is Dead” midis rreziqeve dhe përfitimeve nga inteligjenca artificiale

Ishte ora 11:00 kur dymbëdhjetë të përzgjedhurit e punëtorisë “Art Is Dead” kishin nisur të mësonin për inteligjencën artificiale. Nën menaxhimin dhe direktivat e specialistit të marketingut dhe regjisor, Çlirim Uskanës ata kishin mësuar se si të përdornin inteligjencën artificiale për të krijuar art. Punëtoria kishte zgjatur deri në orën katër pasdite dhe në kaq pak orë ata kishin arritur të hapnin ekspozitën. E në diskutimin e titulluar Art is Dead” (Arti është i vdekur) në “Defy Them” panelistët kanë shprehur mendime të ndryshme sa i përket inteligjencës artificiale

Kanë mjaftuar vetëm pak orë që në “Defy Them” të përgatitet një ekspozitë arti. Por e tërë kjo është bërë falë inteligjencës artificiale, përmes së cilës “artistët” kishin arritur të krijonin piktura e fotografi të ndryshme. Dhjetë prej tyre janë ekspozuar brenda hapësirës së “Defy Them”, në një ekspozitë e cila i parapriu debatit “Art is Dead” (Arti është i vdekur). Anëtarët e panelit kanë shprehur mendime të ndryshme sa i përket inteligjencës artificiale. Megjithatë, një gjë ishte e qartë: ende është shumë herët dhe ende ka shumë gjëra të paditura rreth inteligjencës artificiale e njohur si “AI”.

Ishte ora 11:00, kur dymbëdhjetë të përzgjedhurit e punëtorisë “Art Is Dead” kishin nisur të mësonin për inteligjencën artificiale. Nën menaxhimit dhe direktivat e specialistit të marketingut dhe regjisorit, Çlirim Uskanës, ata kishin mësuar se si të përdornin inteligjencën artificiale për të krijuar art. Punëtoria kishte zgjatur deri në orën katër pasdite dhe në kaq pak orë ata kishin arritur të hapnin ekspozitën.

Në anën e majtë të sallës është një pikturë e cila të tërhiqte syrin, veçmas me natyrën e saj të gjelbër dhe një harmoni njerëzish të cilën e reflektonte shumë qartë. Është një si shtëpi-pemë në të cilën jeton një qytet i tërë dhe ku gjithandej ka lisa e barishte jeshile. Përreth saj mund të shihen edhe dy ujëvara që ngjallin ndjenjën e një qetësie e plleshmërie të pafundme natyrore. Ishte Alban Uskana ai që ia kishte dhënë direktivat inteligjencës artificiale për të krijuar këtë pikturë.

“Kjo është një ndër pikturat e para. Ligjëruesi Çlirim Uskanaj na tregoi se si t’i qasemi ‘AI’ se t’u drejtohemi këtyre kombinimeve, sepse ne kur flasim për inteligjencën artificiale, secili kanal në vete i kishte specifikat e veta dhe kërkesat e veta dhe ne këtu kemi mësuar se si t’i përdorim kodet, mënyrat e kodeve. Në këtë fotografi kam kërkuar një lloj të fantazisë. Kam kërkuar një llojshmëri, një rrjet i cili është në një hapësirë joreale, një lloj si fantazmë që e ka një qiell, një ngjyrë të errët, të dominojë e gjelbra, t’i ketë njerëzit që tërë kohën sillet rreth një situate të tillë dhe kam shkruar edhe gjëra të tjera, sepse ka qenë punimi i dytë që e kam bërë”, ka shpjeguar ai.

Por më pas, Uskanaj kishte nisur t’i specifikonte edhe më shumë gjërat. Të jepte më shume detaje për atë ka dëshironte nga ‘AI’ dhe kështu kishte krijuar një pikturë krejt tjetër, tejet surreale. Në të shiheshin ca njerëz me duar dhe kokë kah dielli, lart. Piktura kishte ngjyra të pastra të verdhë, të kuqe të cilat ishin të shpërndara tej e tej nga ca rrumbullakë të vegjël të cilët sikur krijonin edhe një lloj iluzioni që paksa t’i kujtonte veprat e Van Goghut. Teksa ka pohuar se kjo ishte hera e tij e parë që ishte marrë me AI, Uskanaj kishte treguar edhe për urdhrat që ia kishte dhënë ‘AI’.

“Te kjo e kam kërkuar një llojshmëri të njerëzve të cilët i kanë duart lart dhe janë duke kërkuar dika nga qielli, hana, dielli. I kam simbolizuar edhe katër elemente të tjera. I kam thënë të ma bëjë në stilin e pop-artit, llojshmëri të ngjyrave, të ketë poteza të Van Goghut, elemente të vogla dhe secila të ketë pika sikur është duke rënë shi. Në tërësi secila kërkesë që bëhet me specifika të ndryshme t’i jep katër module të ndryshme dhe unë e kam zgjedhur këtë”, ka thënë ai.

Nga të gjithë veprat e ekspozuara, ishte njëra prej tyre që dukej sikur të ishte një fotografi e shkrepur nga dikush. Ishin urdhrat e Veton Bratit ata që me ndihmën e ‘AI’, kishin krijuar këtë pikturë. Në të shihej një burrë i moshës së shtyrë, i cili qëndronte ulur teksa gishtat i kishte afruar të hunda, ashtu që të dukej sikurse tërë peshën e kokës e kishte lëshuar mbi të.

Image
Përveç ekspozitës “Defy Them”, inteligjencës artificiale ia kushtoi edhe një panel diskutimi, i cili u zhvillua në temën “Art is dead”. Paneli është përbërë nga artisti i njohur Sislej Xhafa, sociologia Vjollca Krasniqi, piktorja Luljeta Gashi, Eksperti i sigurisë kibernetike, Robert Shala, dhe regjisori, specialisti i marketingut, Çlirim Uskana

“Fotografia është kërkuar që të bëhet një punëtor i ndërtimtarisë, pak në depresion dhe i vetmuar. Normal kjo është kërkuar në gjuhën angleze, sepse ai momentalisht e njeh vetëm gjuhën angleze. Fotografia është e kërkuar që të bëhet kinse është realizuar me aparat ‘Canon’”, ka shpjeguar ai.

Përveç ekspozitës “Defy Them” inteligjencës artificiale ia kushtoi edhe një panel diskutimi, i cili u zhvillua nën temën “Art is dead”. Paneli është përbërë nga artisti i njohur Sislej Xhafa, sociologia Vjollca Krasniqi, piktorja Luljeta Gashi, Eksperti i sigurisë kibernetike Robert Shala dhe regjisori e specialisti i marketingut, Çlirim Uskana.

Nëpërmjet një lidhjeje virtuale nga SHBA-ja, Sislej Xhafa është shprehur e ka krahasuar frikën që sot njerëzit kanë ndaj “AI”, me atë që matematikanët kanë pasur atëherë kur ishte zbuluar kalkulatori. Ka thënë se inteligjenca artificiale nuk ka mundësi që ta zëvendësojë njeriun.

“Besoj ne duhet të punojmë rreth ‘AI’ ashtu sikur kur për herë të parë kur u zbulua kalkulatori në vitet 60-70 ka qenë një produkt që sigurisht matematikanët e kanë ndier veten shumë keq. Kanë menduar se si është e mundur një gjë e vogël të na i zgjidhë problemet kaq komplekse. Sido që të jetë, unë kam dy gjëra sa i përket AI: E para është mungesa dhe kreativiteti. Duhet ta kuptoni një gjë. Ajo mundet ta përshkruajë një projekt. Ajo vërtet qe na ndihmon shumë, por për mendimin tim, nuk mundet kurrë të zëvendësojë sensibilitetin njerëzor. Mund të zgjidhë probleme, por nuk mundet t’i materializojë ndjenjat emotive të një përvoje unike”, ka thënë ai.

Sociologia Vjollca Krasniqi ka thënë se paneli në fakt është dëshmi se arti nuk ka vdekur. Pavarësisht rreziqeve që “AI” mund të ketë, Krasniqi ka thënë se njeriu sot nuk mund të ikë nga inteligjenca artificiale.

“Fillimisht ne duhet të themi jo. Vetë fakti që ne jemi duke diskutuar këtë ditë, e thotë që arti vazhdon dhe jeton. Po ashtu, mund të kemi edhe paradigmën tjetër dhe momentin në të cilën jemi ku të ikësh nga inteligjenca artificiale do të thotë të ikësh nga vetvetja. Me të gjitha rreziqet që janë para nesh sigurisht nuk e kemi luksin të largohemi nga inteligjenca artificiale, por të shohim mënyrën se si mund të kontrollohet dhe të sillet në një aspekt se si grupe të ndryshme përdorin platforma të ndryshme për të shprehur kreativitetin e tyre”, është shprehur ajo.

I pranishëm në panel ka qenë edhe eksperti i sigurisë kibernetike, Robert Shala. Teksa ka folur për mënyrën e si funksionon inteligjenca artificiale, Shala ka pohuar se arti nuk është e vetmja fushë që “AI” i bën konkurrencë njerëzimit.

“’AI’ në shumë aspekte të jetës do t’u bëjë konkurrencë njerëzve. Arti nuk është e vetmja gjë. Imagjinoni inteligjencën artificiale sikurse disa alienë po vijnë nga një planet tjetër. Po krijojnë makina të cila munden të mendojnë dhe veprojnë si ne njerëzit. Në shoqëritë tona moderne, demokratike, kapitaliste i kemi ndërtuar në kuptimin që i kemi lidh qasjen, resurset e njerëzve me kapacitetin e tyre të prodhimit. Do të thotë sa më i talentuar dikush aq më shume para fiton dhe me to më pas, mundet të blejë ushqim, të ketë të ardhura për familje dhe të jetojë një jetë të mirë”, ka thënë ai.

Sipas Shalës, makinat në fakt kanë nisur t’i konkurrojnë njerëzit edhe më herët. Ka përmendur revolucionin industrial dhe krijimin e ideologjive të ndryshme, të cilët kanë shpërthyer mu në këtë periudhë.

“Makinat kur kanë filluar t’i bëjnë konkurrencë njeriut fillon me revolucionin industrial ku njerëzit kanë filluar ta humbin kapacitetin e tyre të prodhimit në njëfarë forme ndaj makinave. Ato i kanë shtyrë njerëzit të punojnë më shumë, sepse njerëzit e kanë humbur fuqinë kanë qenë më të paaftë për punë. Në momentin kur krijohet këso konkurrenca kur shuma të mëdha të popullatës nuk bëhen produktive nisin e dalin ideologji dhe ide se si duhet të transformohet shoqëria dhe m’u nda këto resurse njerëzore dhe prej asaj kohe të revolucionit industrial dalin ideologji të ndryshme si komunizmi, fashizmi, nazizmi e të tjera. Kështu që kjo është një konkurrencë nga AI në aspektin ekonomik”, ka shpjeguar ai.

Por përveç aspektit ekonomik, Shala ka përmendur edhe rreziku që AI mund të shkaktoj kur bëhet fjalë për çështjen e sigurisë. Por, ka qenë optimist sa i përket efekteve që AI ka në Art. “Sipas tij ajo mund të rrisë edhe më shumë vlerën e artit.

“Në aspektin ushtarak ose të sigurisë një Ai bëhet gjithashtu një konkurrent midis njerëzve, por jo vetëm konkurrent. Bëhet edhe ndoshta zëvendësues i njerëzimit dhe kjo është rrezik sepse inkorporimi i inteligjencës artificiale në ciklin e luftës dhe luftëbërjes është shumë problematik. Futet në inteligjencë, në planifikim ushtarak, futet në armë autonome të cilat më pas e vet a me vra dikë, a me i dërgu ushtarët, e gjëra të tjera kështu që këto janë tema të rrezikshme”, ka thënë ai. Por sipas tij, konkurrenca në art është një gjë e mirë për artistët. Ka thënë se “AI” mund të ndikojë që të rritet vlera e artit njerëzor.

Çlirim Uskana në anën tjetër, është i mendimit se inteligjenca artificiale në të vërtetë arrin të shpërfaqë një numër të madh të njerëzve të cilët kanë pasur ide të bukura për që për një arsye apo tjetrën nuk ka mundur ta realizojë. Për ta shpjeguar këtë, ai ka marrë një shembull nga përvoja e tij jetësore.

“Inteligjenca artificiale ka ardhur shumë shpejt, qe një vit e gjysmë. Tash brenda po këtij viti njerëzit nuk po e dinë çfarë po ndodh dhe normal një pjesë edhe bëjnë panik. Mundesh me marrë për shembull pyetjet se çka nënkupton me artistin. A është artisti ai që e bën veprën apo ai që e jep idenë. Unë e kam mendimin që çdo njeri është artist në vete, por nuk dimë ta shprehim atë”, ka thënë ai. Ka treguar se është marrë me video, i ka interesuar edhe fotografia e po ashtu edhe ka bërë muzikë. “Do të thotë më janë dashur 2-3 vjet deri sa e kam mësuar një pjesë të artit, por për shembull për vizatim nuk kam pasur kurrë kohe, por ide kam. Çka kam bërë, kam hyrë me AI, ia kam dhënë idenë dhe ma ka pikturuar do të thotë ma ka lehtësu një punë që s’kam mundur ta bëj, por idenë e kam pasur”, ka shpjeguar ai.

Piktorja Luljeta Gashi ka thënë se “AI” do të jetë mundësi e mirë për mendjet e bukura të cilët nuk kanë ditur se si ta shpërfaqin kreativitetin e tyre.

“Do të doja të bëja një ndarje midis kreativitetit dhe talentit. Një person mund të ketë jashtëzakonisht talent, por mund të mos ketë kreativitet për derisa një person kreativ nuk ka talent dhe nuk ka mundur ta shprehë talentin e vet dhe kushedi sa mendje të bukura janë shuar për shkak të limitit fizik që i është dhënë. Ne tani shohim vepra të artit të personave shumë të talentuar”, ka thënë ajo. Ka përmendur Rembrantin dhe Leonardo da Vincin që kanë bërë piktura të jashtëzakonshme, e që sipas saj, aty më shumë shihet talent. “Natyrisht ka edhe kreativitet, por më shumë është punë talenti. Kur vij këtu ‘AI’ e shoh më shumë si një aleat të njeriut që mundet me shprehë talentin e vet. Por ‘AI’ për mendimin tim nuk mundet kurrë ose është shumë larg prekjes njerëzore”, ka thënë ajo.