Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Heshtja më e vështirë është ajo e fajtorëve

“Më mirë të kishe vdekur”

“Më mirë të kishe vdekur”, ishte refreni që shumë të mbijetuara e dëgjuan nga familjet e tyre, teksa nga viktima u kthyen në “fajtore” që paskan viktimizuar të afërmit e tyre. Faktikisht, të gjitha kanë dëshirë për vdekje. Kjo nuk është e drejtë sepse nuk janë fajtore....

Kemi mësuar që ka shumë heshtje. Për çdo heshtje duhet të dimë kontekstin, aktorët, origjinën dhe pasojat e saj. Si shoqëri, ne duhet t’i kuptojmë ato heshtje për t’i ndihmuar gratë. Ka heshtje të vetimponuar që është reagim racional ndaj presionit stigmatizues. Gratë nuk kishin gjithmonë nevojë të urdhëroheshin për heshtje, mjaftonte një aludim i padëshiruar, një koment i pakujdesshëm apo një gjest për t’i bërë gratë të ndiejnë turp. Por heshtja më e vështirë është ajo e fajtorëve të cilët nuk flasin ose mohojnë krimet e tyre

Më lejoni të them fillimisht: Heshtja më e vështirë është ajo e fajtorëve të cilët nuk flasin ose mohojnë krimet e tyre. Ata kurrë nuk duhet të falen!

Por le të kthehemi te tema jonë. Kemi mësuar shumë nga intervista. Kemi mësuar që heshtja e grave është fenomen shumë më kompleks dhe mund të jetë si të flasësh, mund të jetë elokuente.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kemi mësuar që ka shumë heshtje. Për çdo heshtje duhet të dimë kontekstin, aktorët, origjinën dhe pasojat e saj. Si shoqëri, ne duhet t’i kuptojmë ato heshtje për t’i ndihmuar gratë.

I kërkova aktores Rebeka Qene të flasë në zërin e grave në libër. (Emrat janë imagjinarë). Gratë na treguan se në fillim, pas përdhunimit, ishin fizikisht të paafta të flisnin. Kur u ribashkuan me familjen, ishin në gjendje shoku.

Qëndresa tha: “Ma s’di sa s’kom ditë sen hiç, hiç, hiç, hiç. Vetë m’ka ushqy nana, s’kom ditë... do ujë ma me pi s’kom mujtë me durë t’mija, llom jom kanë krejt…”

Teuta tha: “E ditën, tani e kuptunë tanë…apo nuk m’kanë thanë gja. T’thashë që si jom hi aty e kom hupë vetëdijen edhe dikur ma kurrë, se e kanë kuptu at’ që ka ndodhë. Nuk ka pasë pytje ma…nuk di as me përshkru. Nuk kisha qef as me vazhdu me jetu ma”.

Pas luftës, kishte nevoja më urgjente. Detyra e rindërtimit dhe dhimbja për të vdekurit i mbytën të gjitha.

Valbona: “Jom kthy n’fshat, aty pa kushte, llom, na i kishin pasë rrafshu themelet, plloçat... nëpër livadhe shpija, se bajagi kanë nejtë kapak, kanë pushu ata tu rujtë e te kishin pasë ba rrafsh”.

Liridona: “Ata na thojshin, ‘jo i kanë vorrosë, jo anej,’ po kur jemi kthy krejt i kemi gjetë mi dhe. Motrën ma veç ashtat, eshnat tek-tuk ja kom gjetë, baba qashtu qysh o konë veç pak se zaher trupi ma i vjetër ma kadal kalbet, ajo o konë shumë e.... Nanën e kom nalë qatje mos me pa. Taj kanë ardhë kojshia i kanë vorrosë. Ata temen s’ma nin, um ka ndodhë s’kom çka mi bo, po ata e kanë vra. Ajo kurgjo kërkujt s’i ka bo. Thmi. Thmi”.

Fitore: “Nana... s’po di qysh me thanë, nana osht si tana nanat e Kosovës, për gjynah t’Zotit. Edhe sot me vetë nuk din me t’kallxu kurgjo, se o shumë me trauma e me t’kqija, me t’tana. Nana ka përjetu shumë se ka edhe kah familja e vet t’vramë shumë. I ka njimdhetë vetë t’familjes t’vet…”

Ardita: “Kur jena kthy n’familje tonë o i kena gjetë shpijat e kallta, as s’kena pasë ku hijmë, as s’kena pasë ku bimë. Qysh kena mujtë, i kena shtru do tesha, do kashtë, do… E t’mërzitë, e tu kajtë, e tu mu mërzitë çikat…unë kryefamiljare e krejt i kisha n’kry. Isha metë me fmi t’vogël, isha metë me çika t’llomita, me djem t’vramë, me burrë t’vramë. Kuku, jeta jem katastrofë. Ma e mirë o kanë deka, po me zor s’po mujshë me dekë”.

“Më mirë të kishe vdekur”, ishte refreni që shumë të mbijetuara e dëgjuan nga familjet e tyre, teksa nga viktima u kthyen në “fajtore” që paskan viktimizuar të afërmit e tyre. Faktikisht, të gjitha kanë dëshirë për vdekje. Kjo nuk është e drejtë sepse nuk janë fajtore.

Fatime: “Kom thanë nji milion herë, “Pse s’jom dekë? Pse s’m’kan mytë qaty bre Zoti i vraftë, pse s’m’kanë mytë qaty?” Po s’e kom pasë dekën, nuk e kom pasë edhe pe shoh unë mrena i ftoftë, ftoftë se gjithmonë m’vijke ja m’prek’e qitu ja krytë qitu ja a din diçka, m’rrijke pak ma anash. Kujna mi kallzu, ça me ba, çfarë jete asht kjo?”

Disa gra u përpoqën të vetëvriteshin, dhe ne dimë këtë vetëm sepse dështuan. Nuk e dimë sa të tjera gjetën rrugëdalje nga dhimbja në vdekje. Ata që dëshirojnë vdekjen meritojnë vëmendje. Familjarët imponojnë heshtjen sepse kanë frikë të lidhen me gra që mund të “kalojnë” si normale, por do të bëheshin “të diskredituara” nëse identifikoheshin publikisht.

Vlora tha: “Gjithë llafin e luftës e bojshim, a din, qysh kena kapërcy e kshtu, po unë nuk kom ditë sherr edhe iu kallxojsha krejtve asajde: ‘Mu qeshtut m’ka ndodhë n’luftë’, ia nisa e iu kallxojsha. Kur m’pat ni nana jem, ‘Kurrë’, tha, ‘ma mos ta ni kët bisedë që pe folë’, a din, me ato kojshiket, ‘Kurrë ma’, tha, ‘Kurrë ma hiç me kërkon mos e qel kët bisedë…’”.

Kush e di dhe kush nuk e di? Kujt i është thënë dhe kujt jo? Çfarë dinë ata? Nuk ka përgjigje të thjeshta.

Vlora: “Ama familjarët e mi, t’afërmit, e dijnë kshtut krejt, e mixhallarët, a pe din, po e di që edhe kojshitë e dinë po mu kurrë a din...”.

Ka heshtje të vetimponuar që është reagim racional ndaj presionit stigmatizues. Gratë nuk kishin gjithmonë nevojë të urdhëroheshin për heshtje, mjaftonte një aludim i padëshiruar, një koment i pakujdesshëm apo një gjest për t’i bërë gratë të ndiejnë turp. Rrethi është si një sy moralizues kolektiv që krijon turp.

Ganimete: “U gjykova. Kurrë nuk donin të ishin me mua, donin të ishin me të tjerët, shumë shpesh më trajtonin si të çmendur, madje edhe familja, rrethi më i afërt i burrit tim. Sa herë që thosha diçka, thoshin, ‘Lëreni, ajo ka vuajtur shumë gjatë luftës.’ Në momentin që kërkoja diçka që ishte e drejta ime, në momentin që thosha diçka, ose shkoja në ndonjë tubim shoqëror, nëse dikush thoshte diçka dhe unë thosha, ‘Jo, nuk është kështu, por ashtu,’ sepse doja të merrja pjesë në bisedë si e barabartë, thoshin, ‘Lëreni, ndoshta e thotë kështu sepse ka vuajtur gjatë luftës.’ Nuk doja t’i lejoja të thoshin kështu për mua, nuk doja të lidhesha gjithmonë me atë luftë dhe nuk doja të më lidhnin me atë të kaluar. Doja të më thoshin, ‘Po, mirë, ke të drejtë nëse kështu mendon’”.

Aftësinë për të folur për përvojën e tyre e rimorën vetëm më vonë, me njerëz miqësorë dhe me empati. Nuk ishte e lehtë t’i gjeje. Ishin disa familjare, disa shokë, disa gazetarë që kanë pasur empati, por kryesisht organizatat që punojnë me të mbijetuarat, psikologët, mbrojtësit e të drejtave dhe figurat politike që kanë pasur empati.

Ne i intervistuam gratë që na u prezantuan nga organizatat e grave. Është shumë e qartë se ato mundën të na flisnin lirshëm dhe në mënyrë të sigurt për shkak të “punës së riparimit” të organizatave. Gratë që punojnë në këto organizata janë profesioniste, por janë edhe gra me përkushtim, pasion, dhe vlerësim për vlerën e tyre si gra dhe si qytetare. Dhe gratë e mbijetuara kanë nevojë për këtë nga të gjithë. Pse? Sepse gratë kanë qenë në vijën e parë të frontit.

Shkurta: “Ushtari u kanë ushtar po ai ka luftu. … Na kena luftu ma shumë se ata. Na gjithë jena kanë ballë për ballë me ta. Gjithë na me ta. Ai o dalë, po o dalë ma larg. Na gjithë jena kanë me ta. Ata gjithë neve na kanë përcjellë. Qaty na kanë marrë, ku kanë dashtë na kanë çu, çka kanë dashtë kanë ba. As me folë s’ke guxoftë. Nji fjalë ti s’ke guxoftë me folë. Hiç. Shumë kisha pasë dëshirë me u krenu. Për s’tepri. Qysh s’kisha pasë me kanë fotografia ime e me thanë ‘Ke luftu’. Unë shkova, m’shkoi trupi e luftova e kurgjo hiç s’luftova. Edhe jeta gjithë e heshtur, e mbyllur, e mërzitun…”.

Në fund, me fjalët e drejtoreshës së Qendrës në Drenas, Kadire Tahiraj, “Ne nuk mund ta shkruajmë historinë e luftës së Kosovës pa një kapitull për dhunën seksuale”.

Fjalë rasti e lexuar në përurimin e librit “The Strongest Link: An Oral History of Wartime Rape Survivors in Kosovo” (“Hallka më e fortë: një histori gojore e të mbijetuarve të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë”) të Anna di Lellios dhe Garentina Krajës, më 26 mars të këtij viti në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Botohet me leje të autores. Titulli është i Redaksisë