Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Hasan Kaleshi ndërmjet biografisë dhe shkencës

Këndvështrimi insistues biografist i trajtimit të veprës së Hasan Kaleshit nuk i ka shërbyer njohjes së vlerave të saj të njëmendta shkencore, sikundër që ndonjë qëndrim i tij nuk mund të merret si përfaqësues esencial i tërësisë së vlerave të trashëgimisë diturore që ka lënë ai. Simplifikimi i këtillë biografist shpeshherë ngjan me një diskualifikim të qëllimshëm dhe lënie anash të materies esenciale, përkatësisht të rezultatit shkencor

Në 100-vjetorin e lindjes, studiuesi Hasan Kaleshi po kujtohet në një format dinjitoz dhe shumë të qëlluar, nëpërmjet botimit të veprës së tij shkencore. Besoj thellësisht se rezultatet shkencore do të duhej të ishin edhe në këtë rast, treguesi i parë i vlerave të tij si njëri ndër dijetarët e shquar të botës shqiptare, veçmas kur bëhet fjalë për shqiptarët e mbetur jashtë shtetit amë dhe për kohën shumë specifike kur ai jetoi dhe veproi.

Botimi i veprës së Hasan Kaleshit në katër vëllime në gjuhë të ndryshme, shqip, serbokroatisht, arabisht dhe turqisht, përkatësisht në variantin origjinal të shkrimit të tyre, përbën një nismë me vlerë të madhe historiografike, filologjike e kulturologjike. Në këtë pikëpamje shpreh gjithë konsideratën e madhe për përgatitësit dhe botuesit e saj në këtë format: Akad. Feti Mehdiun, Akad. Muhamed Mufakun dhe Akad. Esad Durakoviqin, Shtëpinë Botuese “Dija”, z. Kujtim Lepaja, të cilët ua kanë bërë një shërbim të madh veprës shkencore të Hasan Kaleshit dhe dijes shqiptare përgjithësisht. Në këtë format, kjo vepër funksionalizohet dhe vihet në shërbim të lexuesit shqiptar dhe më gjerë, duke krijuar mundësi të një vlerësimi sa më objektiv të saj. Është interes i dijes sonë që ta ketë të akceptueshhme një trashëgimi të këtillë, e cila për shumëçka mbetet specifike.

Kjo vepër, e botuar në këtë format të përmbledhur, krijon një mundësi vlerësimi më të drejtë dhe autonom, ngaqë jo rrallë është trajtuar në njëfarë ndërvarësie, gati absolute e të pakuptimtë, me jetën e autorit, e cila, si edhe në raste të autorëve të tjerë, nuk do të duhej të ishte faktor për ta minimizuar e as për ta glorifikuar rezultatin shkencor. Këndvështrimi insistues biografist i trajtimit të veprës së Hasan Kaleshit nuk i ka shërbyer njohjes së vlerave të saj të njëmendta shkencore, sikundër që ndonjë qëndrim i tij nuk mund të merret si përfaqësues esencial i tërësisë së vlerave të trashëgimisë diturore që ka lënë ai. Simplifikimi i këtillë biografist shpeshherë ngjan me një diskualifikim të qëllimshëm dhe lënie anash të materies esenciale, përkatësisht të rezultatit shkencor.

Kur marrim para vetes këto vepra, që janë studime e shkrime të botuara para gjysmë shekulli, nuk mund të mohojmë relevancën e tyre shkencore, madje të artikuluar në gjuhë të ndryshme, orientale, rajonale e oksidentale, të botuara në revista me renome ndërkombëtare e ku trajtohen aspekte të historisë e të kulturës shqiptare, duke i bërë të njohura ato në përmasa ndërkombëtare. Dhe jo vetëm kaq. Ngaqë lexuesit shqiptar, dhe jo vetëm atij, i ka shërbyer si urë komunikimi me kulturat e lindjes, qoftë nëpërmjet përkthimit të aurorëve, qoftë nëpërmjet studimeve lidhur me fakte kulturore e historike.

Para do vjetësh, në një ligjëratë të mbajtur në Prishtinë, historiani gjerman, Konrad Kleving, shfaqi mendimin se kontributi historiografik i Hasan Kaleshit nuk është marrë parasysh sa duhet, ndonëse është bazë e mirë për një histori tonën më të plotë e më të besueshme. Klevingu nuk është i pari që shfaq një mendim të këtillë. Referencat e historiografisë shqiptare, për një kohë të gjatë, ishin rrëgjuar në disa klishe ideologjike, e nën ndikimin e historiografisë serbe, duke përjashtuar kontribute me vlerë, ndonjëherë për shkak të emrit, të qëndrimeve a të aspekteve të caktuara biografike të autorit, ndonjëherë për shkak të materies, apo edhe të mënyrës se si është trajtuar ajo.

Informacioni i paktë dhe shpeshherë tendencioz që e kemi për periudhën osmane në historitë tona nga njëra anë dhe kontributi emblematik, por i shpërfillur, i Hasan Kaleshit, nga ana tjetër, për këtë periudhë krijojnë një kontrast jo lehtë të kuptueshëm për historianët të cilët kriter bazë në punën e tyre hulumtuese e kanë burimin e saktë dokumentar dhe argumentimin e qëndrueshëm shkencor.

Edhe Vepra e Hasan Kaleshit – rizbulim e përballje me injorimin e tij Kulturë Vepra e Hasan Kaleshit – rizbulim e përballje me injorimin e tij

Edhe me këtë rast, sikundër disa herë të tjera më parë, dua të ritheksoj nevojën e njohjes sa më të plotë dhe të vlerësimit kritik e të drejtë të punës shkencore të Hasan Kaleshit, por edhe nevojën imediate që të kemi vijimtarë të denjë e institucionalë të punës së tij. Instituti Albanologjik, punonjës shkencor i të cilit ishte Hasan Kaleshi gjatë viteve 1968-1970, aktualisht nuk ka ende kapacitete të mjaftueshme studimore që do ta mbulonin periudhën osmane në cilindo aspekt të saj. Nisur nga kjo nevojë imediate, ne kemi hartuar një kërkesë për një sektor ndërdisiplinar që do të merrej, në planin publikues e studimor, me shkrimet dhe me dokumentet e kësaj periudhe që përbëjnë interes për shqiptarët, të kaluarën dhe kulturën e tyre. Të gjithë jemi koshientë se është fjala për një trashëgimi të pasur e disashekullore, për një materie fare pak të trajtuar, e cila është e domosdoshme të nxirret në dritë, të vlerësohet me kritere shkencore dhe pa paragjykime të thadruara përgjatë dekadave.

Ndonëse viteve të fundit kemi pasur disa projekte me vlerë, që kanë parë dritën e botimit në kuadër të Institutit Albanologjik, ose edhe në kuadër të institucioneve të tjera, dhe janë organizuar edhe një varg aktivitetesh shkencore që hedhin një dritë objektive mbi periudhën osmane dhe mbi aspekte historiografike, filologjike e kulturologjike, që kanë të bëjnë me veçantitë e saj, themi me bindje të plotë se para nesh ka shumë për të bërë.

Vetëm duke afirmuar vlerat e njëmendta të trashëgimisë sonë diturore dhe duke i avancuar ato si të tilla, e kaluara jonë do të studiohet me kritere shkencore dhe konkurruese në përmasën botërore të dijes. Botimin e kësaj kolane të veprave të Hasan Kaleshit dhe përurimin e sotëm, përveçse një moment jubilar nderimi, e quaj edhe një hap të rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit dhe emancipimit tonë kulturor e shkencor.