Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Brengat e Hasan Kaleshit për veprimtarinë shkencore kulturore në hapësirën shqiptare

Është njëri nga intelektualët e parë shqiptarë, i cili hapi hullitë e parë në shkrimet shqipe në hapësirën shqiptare jashtë Shqipërisë politike. Është nga dijetarët e rrallë, në mos i vetmi – i cili diti dhe guxoi ta shprehë me kohë realitetin që e rrethon. Ky mund të konsiderohet njëri nga themeluesit e disa disiplinave të dijes: kritikës letrare, studimeve gjuhësore, kritikës shkencore, polemikës shkencore

Profesor Hasan Kaleshi, doktor i shkencave filologjike nga viti 1960, i takon gjeneratës së personaliteteve shkencore dhe kulturore, me të cilët vihen themelet e shkencës dhe të kulturës shqiptare jashtë Shqipërisë politike.

Është njëri nga intelektualët e parë shqiptarë, i cili hapi hullitë e parë në shkrimet shqipe në hapësirën shqiptare jashtë Shqipërisë politike. Është nga dijetarët e rrallë, në mos i vetmi – i cili diti dhe guxoi ta shprehë me kohë realitetin që e rrethon. Ky mund të konsiderohet njëri nga themeluesit e disa disiplinave të dijes: kritikës letrare, studimeve gjuhësore, kritikës shkencore, polemikës shkencore, etj. (shih: Bibliografia...Hasan Kaleshi “Vepra” – 1, 1996, Shkup: Edukata Islame, nr. 86, 2007, Prishtinë.)

Në vitin 1949, Hasan Kaleshi hapi dritaren e parë në letrat shqipe në Kosovë, në “Jeta e re”, “Përparimi”, “Zani i Rinisë”, “Rilindja, etj., për t’u ndihmuar hulumtuesve dhe krijuesve letrarë që të ecin drejt ardhmërisë. U tregua shumë i kthjellët dhe prerazi u shpreh se shkenca kërkon punë të vazhdueshme dhe qasje kritike të veprimtarisë letrare, e po ashtu edhe të asaj shkencore. Këtë e shprehu në një intervistë të tij, ”...shkenca nuk është poezi që më së miri shprehet në gjuhën amtare...”

Këtë brengë e shprehu, më pas, edhe për ngritjen e kuadrit shkencor serioz që do të bartte barrën e zhvillimeve shkencore e kulturore në këtë drejtim. Arriti me sukses të trasojë këtë rrugë, për të cilën këtu mendoj t’i qasem nga dy këndvështrime:

I parë, brenga të shprehura publikisht, me shkrim.

Edhe Hasan Kaleshi ndërmjet biografisë dhe shkencës Shtojca për Kulturë Hasan Kaleshi ndërmjet biografisë dhe shkencës

I dytë, brengosjet e tij, të shprehura me gojë apo përmes korrespondencës personale.

Që të dyja i bënte për ngritjen e kuadrit të ri shkencor dhe popullarizimin e rezultateve shkencore jashtë hapësirës shqiptare. Këtë e ka dëshmuar gjatë punës së tij në Institutin Albanologjik, edhe në Fakultetin Filozofik, sa punoi në Katedrën e Historisë, e sidomos pasi themeloi Katedrën e Orientalistikës, në vitin 1973.

Do të sjellim disa shembuj nga artikujt e prof. Kaleshit prej vitit 1949 deri më 1976.

1. Disa vërejtje mbi gjuhën në shtypin tonë, 1949: “...ne nuk e kemi ba as atë që duhej dhe që kishim mujtë me ba; nuk e kemi zotnue si duhet gjuhën letrare ekzistuese në shkallën e saj të tashme të zhvillimit.”... “Nuk duhet me lejue që nji fjali të zgjasi dhetë rreshta dhe ajo të jetë e pakuptueshme...”

“Prandaj, çështjes së standardizimit të gjuhës, si dhe çështjes së terminologjisë shkencore, ku ndihet nji e metë shumë e madhe, duhet me i kushtue nji randësi të posaçme.”

2. Përkthimet dhe problemi gjuhësuer, 1951: “...me e thanë këtë mirë shqip, në pikëpamje stili, gramatike dhe sintakse, me gjetë shprehje adekuate në frymën e gjuhës shqipe...me përdorë me vend ndonji fjalë të popullit, të papërdorur në gjuhën letrare...“ “Nji malsuer nga Rugova le të flasi edhe në tregim sikurse flet në bisedimin e përditshëm e jo si njeri me shkollë.”

3. Kundër plagjiatëve, 1951: Profesor Kaleshi, pasi kishte studiuar më parë kontributet e Q. Draçinit e B. Shtyllës, të botuara në periodikun e kohës, ngrit zërin kundër plagjiatëve dhe polemizon me K. Berishën, K. Domin.

Ai u shpreh qartë, ashpër dhe habitshëm: “...si mujti K. Domi në mbarim t’artikullit ta vejë emrin e vet, sikur ai t’i ket zbulue edhe komentue këta dokumenta...” “Përse e merr atëherë të drejtën e auktorit, i cili ka ba punën para tij?” ”...përse atëherë nuk asht ribotue artikulli i Justin Rrotës nga “Shkrimtarë shqiptarë, bleni i parë nga ‘Hylli i dritës’ vj. 1930, natyrisht me emnin e plotë t’auktorit.“

4.Pak fjalë mbi botimet tona: “janë ba përkthime nga letërsija e huej – përkthime përkthimesh... e për letërsinë origjinale nuk asht ba asnjë send.” “Na nuk i kemi ba kurrfarë popullarizimi librit... çdo libri duhet me i bamë reçensjon, me i njoftue lexuesit me përmbajtjen, vleftën, me nji fjalë, me ua afrue librin masavet... “ “Si pasojë direkte e nji gjendje të këtillë...mbetet pa u shit, ose edhe nëse shitet, nuk lexohen”. “A nuk asht turp që ne të mos kemi nji përmbledhje përrallash e kangësh popullore që janë armë për njohjen e shpirtit të shqiptarit?”

Kaleshi bashkëpunoi ngushtë me Kadri Halimin dhe Hilmi Thaçin. Ka shprehur pikëpamjet e tij kritike për kontributet e shkencëtarëve në zë, si profesor Selman Riza – e Henrik Bariçi për gjuhësinë shqiptare, po ashtu edhe për letërsinë shqiptare, me sugjerime konkrete për Qemal Draçinin, Anton Çettën, Behar Shtyllën, Glisha Elezoviqin, etj. Madje jo vetëm me individë, por edhe institucione të kulturës dhe shkencës, për të cilat ai mendonte se janë përgjegjëse për zhvillimet e përgjithshme të shkencës e kulturës në përgjithësi. “...është detyrë e Universitetit si institucion shkencor, i cili duhet të japë orientim shkencor dhe të bëjë koordinimin e punës shkencore.”

Ishte thellësisht i bindur për këtë dhe e mbronte me këmbëngulje këtë parim, prandaj ia refuzoi, ashpërsisht, politikanit të lartë të Komitetit të LKK, me përgjigjen “…për këtu unë e di më mirë…për meritat e LNÇ-së bëni si të doni…”

Në “Bota e Re” – Prishtinë dhe “Jehona” - Shkup, në intervistën e tij të fundit, u shpreh:

“...përkundër faktit se te ne ka interesim të madh për botën arabe... mund të themi se lexuesit tonë, deri tash, nuk i kemi afruar asgjë që ta informonim me zhvillimin e historisë, kulturës, letërsisë, artit të këtij populli..., “...në gjuhën shqipe mund të përkthehen edhe veprat ma të mëdha të letërsisë botnore, madje – të përkthehen si duhet!”

E dyta, brengosjet e tij, të shprehura me gojë apo përmes korrespondencës personale, që mendoj se, është po aq me rëndësi shprehja e tij dhe angazhimi konkret, për të ndihmuar ngritjen e kuadrove të reja, me qëllim që të ndërtojë një institucion me vlera shkencore për fushën e studimeve orientale, janë dëshmi të pakontestueshme.

Edhe Shqiptarët midis politikës koloniale dhe asaj perandorake Shtojca për Kulturë Shqiptarët midis politikës koloniale dhe asaj perandorake

Sa isha sekretar i Degës së Orientalistikës, 1974 – 1976, kam ruajtur korrespondencën personale, që dëshmon se Kaleshi ishte i përkushtuar me mish e me shpirt në shërbim të dijes, për të zdritur historinë shqiptare përmes burimeve të arkivave të Stambollit e Ankaras, Vienës, etj.

Letrat e akademik Kaleshit, drejtuar studentëve të tij, bashkëpunëtorëve të tij, flasin sa ishte ai i përkushtuar dhe bënte përpjekje t’i nxisë dhe t’u ndihmojë për ngritjen e tyre profesionale, angazhimin e tij për t’u lënë lidhjet me botën shkencore jashtë Kosovës.

Irfan Morinës – student i vitit tretë, në vitin 1976, i drejtohet: ”...eja menjëherë në Prishtinë, thirri edhe ata që duhet të shkojnë nga Katedra jonë... nëse vjen ditën e hënë, më kërko në banesë... dua ta di çka keni bërë”.

Kurse mua me 16 maj, 1975, nga Beogradi më shkruante: “...kur të dalë konkursi për asistentët e shpallur në – “Rilindje” – bëni një letër Ajshes..., tregoji deri kur është afati... ajo është në lidhje me Durakoviqin... “Të fala të gjithëve, Hasan Kaleshi”.

Me 20 maj, 1975, nga Munihu, më porosiste: ”...të lutem thuaju edhe kolegëve të tjerë që të vazhdojnë punën si duhet, e sidomos provimet... bëni ndonjë orar që çdo ditë, pas datës 25 të ketë ndonjë në kabinet...” “Thuaji Sebahatit që ta kryejë referatin... “Besoj se e ke marrë letrën time që t’i shkruash Ajshes në lidhje me Esadin. Nëse nuk e ke bë, i shkruaj menjëherë...”

Ndërsa në maj, 1976, sa isha në Kajro, për specializim, më shkruante: “... të lutem të mos e zgjasësh më gjatë se 20-25 shtator...Veç kësaj, mësimet fillojnë me 1 tetor, e duhet të bëjmë orarin. Ti e din se nuk kemi mjaft kuadro.” Të fala Hasan Kaleshi.

Në vitin 2001, në zyrën e punës – nr. 109, më rastisi të gjej një letër që ia drejtonte profesor Sureja Jusufit. Këtu shihet se profesor Kaleshi i kishte dhënë disa libra, në shfrytëzim, dhe tani i shkruante: “Për shkak të një studimi për dialektologji që e kam filluar... ato librat që t`i kam pas dhënë para dy vjetësh – mendoj se ti e di – të lutem m’i kthe sa më shpejt përmes Sebahatit; leja te shtëpia, ose m’i sjell në Katedër”.

Kjo dëshmon se, Kaleshi bënte përpjekje t’u ndihmojë kolegëve në ngritjen profesionale edhe me huazim të librave nga biblioteka personale.

Letrat dërguar Imam Vehbiut në SHBA, në korrik 1976, shprehin brengosjen e tij lidhur me mbarëvajtjen e Degës së orientalistikës shqiptare në Prishtinë.

Me 8 korrik 1976 i shkruante nga Munihu: ”...planet i kam shumë të mira dhe shumë të mëdha, por me shëndet nuk jam mirë...”, “...me katedrën e orientalistikës në Fakultetin e Prishtinës, luftoj që ta sjell në rregull, dhe ajo më kushton më së shumti nerva, sepse bajnë ç’mos që të më sabotojnë edhe mua edhe katedrën, që të mos zhvillohet... natyrisht se do të luftoj sa të mundem, por ta shohim”.

Këtu i shkruante edhe për çështjen e botimit të tekstit të përgatitur për studentët, që e quan “Antologji e prozës arabe”, me shënime për autorët, etj.

“...në lidhje me këtë të mendoni dhe të më përgjigjeni në adresën e Beogradit... “...nëse e botoj këtë“, i thoshte “do të kisha përgatitur një libër për leximin e shtypit arab e pastaj një Histori të letërsisë arabe.”

Në kujtesën time mbaj edhe brengosjen e tij që e shprehte në biseda me kolegë të tij, përse nuk i botonin rezultatet e tyre shkencore në ndonjë gjuhë tjetër, por vetëm shqip, madje edhe në “Gjurmime Albanologjike”, shprehej ai, mund të botohen studime në gjuhë joshqipe.

Edhe J’Accuse...!: Hasan Kaleši spiun, plagjiator dhe defamator Shtojca për Kulturë J’Accuse...!: Hasan Kaleši spiun, plagjiator dhe defamator

Këto dhe ndonjë tjetër, që deri tash kanë qenë për mjedise të caktuara, prej tash do të bëhen më të afërta për tërë opinionin e interesuar.

Mesazhet e jubileve janë të shumta, por unë, për 100-vjetorin e lindjes së prof. Hasan Kaleshit do të veçoja apelet e tij të shpeshta për seriozitet në punë, që na obligon të ndryshojmë qasjen ndaj veprave shkencore.