Kulturë

Vepra e Hasan Kaleshit – rizbulim e përballje me injorimin e tij

Në 100-vjetorin e lindjes e 46 vjet pas vdekjes, vijnë studimet e Hasan Kaleshit në katër vëllime, përderisa përmbledhja e tyre do të vazhdojë, ashtu si edhe debati për figurën e tij. Jo rrallë, figura e këtij orientalisti e intelektuali të shquar jo vetëm në qarqet shqiptare, i ka ndarë në dysh historianët e të tjerët, por për ata që ia botuan e përuruan veprat të mërkurën, kjo është një mundësi për njohjen e këtij shkencëtari të injoruar për gjysmëshekulli

Në 100-vjetorin e lindjes së historianit e orientalistit Hasan Kaleshi, një grup studiuesish kanë promovuar një pjesë të veprës së tij. I lindur në mars të vitit 1922 në Komunën e Kërçovës, Kaleshi më 1951 do të diplomonte në orientalistikë në Universitetin e Beogradit. Më pas do të vazhdonte studimet e doktoratës. Punimet e tij shkencore çmohen nga shumë studiues. Por vepra e Kaleshit, i cili vdiq më 1976 nuk është përmbledhur asnjëherë në vëllime të plota. Tash, studiuesit mund t’i qasen asaj në katër gjuhë: në shqip, turqisht, serbisht e arabisht.

mërkurën në Institutin Albanologjik të Prishtinës janë promovuar katër vëllime ku përmblidhen studimet e Kaleshit, përgatitur nga Feti Mehdiu. Për disa historianë ai ishte studiues kontrovers dhe me pikëpamje që anonin nga lindja. Madje figura e tij lidhet edhe me shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë. Por për ata që kanë folur për veprën e Kaleshit, veprimtaria e tij shkencore është e pakrahasueshme, por njëkohësisht edhe e injoruar.

Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës – ku ka punuar edhe historiani Kaleshi – ka thënë se botimi i veprës së orientalistit funksionalizon studimet e tij duke i vënë në shërbim të lexuesit shqiptar dhe më gjerë e duke krijuar mundësi të një vlerësimi sa më objektiv të saj.

“Kjo vepër, e botuar në këtë format të përmbledhur, krijon një mundësi vlerësimi më të drejtë dhe autonom, ngaqë jo rrallë është trajtuar në njëfarë ndërvarësie, gati absolute e të pakuptimtë, me jetën e autorit, e cila, si edhe në raste të autorëve të tjerë, nuk do të duhej të ishte faktor për ta minimizuar e as për ta glorifikuar rezultatin shkencor”, ka thënë Matoshi. Sipas tij, Kaleshi, lexuesit shqiptar, dhe jo vetëm atij, i ka shërbyer si urë komunikimi me kulturat e lindjes, qoftë nëpërmjet përkthimit të autorëve, qoftë nëpërmjet studimeve lidhur me fakte kulturore e historike.

“Para do vitesh, në një ligjëratë të mbajtur në Prishtinë, historiani gjerman Konrad Clewing shfaqi mendimin se kontributi historiografik i Hasan Kaleshit nuk është marrë parasysh sa duhet, ndonëse është bazë e mirë për një histori tonën më të plotë e më të besueshme”, ka thënë Matoshi. Sipas tij, Instituti Albanologjik, punonjës shkencor i të cilit ishte Hasan Kaleshi gjatë viteve 1968-1970, aktualisht nuk ka kapacitete të mjaftueshme studimore që do ta mbulonin periudhën osmane në cilindo aspekt të saj. Ka thënë se vetëm duke afirmuar vlerat e njëmendta të trashëgimisë diturore dhe duke i avancuar ato si të tilla, e kaluara do të studiohet me kritere shkencore dhe konkurruese në përmasën botërore të dijes.

Prodekani i Fakultetit të Filologjisë, Isa Memishi, ka thënë se profesor Kaleshi jetoi shkurt, por e la një trashëgimi të pakrahasueshme. Sipas tij, konstatimet e tezat e Kaleshit edhe sot janë të pakapërcyeshme.

“Themelimi i Degës së orientalistikës ishte një hap i domosdoshëm për kohën në të cilën po jetonte populli shqiptar. Në atë kohë ishte e vetmja Degë ku studioheshin gjuhët orientale. Pa vizionin e tij për zhvillimin e studimeve orientale nuk do t’i kishim as këto vepra”, ka thënë ai. Ka përshëndetur të pranishmit edhe në emër të orientalistit boshnjak Esat Durakoviq, i cili ka kontribuar në mbledhjen e studimeve të Kaleshit në serbisht. Për Kaleshin dhe veprat e botuara nga shtëpia botuese “Dija”, Feti Mehdiu, themelues i Shoqatës së Orientalistëve të Kosovës, ka thënë se prej sot opinioni do të ketë në dorë vetëm katër veprat e para të Hasan Kaleshit pasi mbledhja e studimeve të tij vazhdon.

“Profesor Idriz Ajeti për Hasan Kaleshin thoshte: ‘Ishte një krye mbi ne’”, ka thënë Mehdiu. Ai ka përsëritur tezën e Kaleshit se Perandoria Osmane i shpëtoi shqiptarët nga asimilimi në sllav e grek. Ka falënderuar të gjithë kontributdhënësit për mbledhjen e veprës së Kaleshit. Sa i përket historisë së Perandorisë Osmane në raport me shqiptarët, teza e Kaleshit gjen përkrahje, por edhe kundërshtime të forta. Krejt ndryshe prej Kaleshit mendon anëtari i Akademisë Austriake të Shkencave, Oliver Jens Schmitt. Bile, si aludon se osmanët kishin shkatërruar kulturën e arbërve.

“Një nga qëllimet kryesore të Skënderbeut ishte krijimi i një mbretërie arbërore, të krishterë katolike dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Skënderbeut ishin intelektualët që kanë përdorur gjuhën shqipe si Pal Engjëlli. Qendrat kryesore të kulturës së arbërve Shkodra dhe Drishti u shkatërruan nga osmanet. Në shekullin e 15-të arbrit kishin mundësi reale për një integrim evropian si mbretëri katolike me kulturë humaniste dhe duke përdorur gjuhë shqipe si kulturë shkrimi”, ka thënë Schmitt në një intervistë për KOHËN në ditën e 22-të të këtij muaji.

Gjatë promovimit të vëllimit të veprave të Kaleshit, myftiu i Kërçovës, Qamil Rushiti, ka thënë se janë krenar që nga qyteti i tyre ka dalë një njeri i përmasave të tilla shkencore si Kaleshi.

“Na nderoi si komb dhe na bëri krenar. Nëpërmjet këtyre botimeve ne njoftohemi saktë nga një kapital shkencor i ardhur nga një vendas i joni. Ai buron nga një familje me vlera të larta fetare dhe kombëtare”, ka thënë Rushiti.

E studiuesi Muhamed Mufaku ka thënë se disa muaj pasi Kaleshi kishte nisur të punonte në Institutin Albanologjik të Prishtinës, më 1968, ai u zgjodh anëtar i Akademisë Arabe në Kajro. Ka treguar se me statut kjo Akademi përbëhet nga 40 anëtarë, 20 egjiptianë dhe 20 të huaj.

“Ishte akademiku i parë shqiptar në atë Akademi. Ai vdiq dy herë. Me vdekjen e hershme nën presione të ndryshme. Dhe humbja e dytë ishte injorimi i gjithë korpusit të tij për 50 vjet”, ka thënë Mufaku. Ka përmendur se në shkurt në Shtojcën për kulturë në “Koha Ditore” ka botuar artikullin “Kontributi i Hasan Kaleshit në themelimin e Institutit Albanologjik”.

“Jam habitur nga reagimet. Sidomos nga historianët që kanë gradë e thirrje. Jam më se i sigurt që nuk kanë lexuar punimet e Kaleshit. Është një imazh që po mbizotëron qe 50 vjet, por është i pabazë. Ata historinë tash e kanë rastin të zbulojnë kush ishte Kaleshi”, ka thënë Mufaku.