Shtojca për Kulturë

Frika e Enver Hoxhës nga Kosova republikë, dyshimet për komplot serb

Demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë

Enver Hoxha (deri në shpërthimin e demonstratave të vitit 1981) vazhdonte të ishte kundër statusit të republikës për Kosovën, duke dyshuar gjithnjë në komplotet e mundshme serbe, që, sipas tij, do të shfrytëzonin statusin e republikës për Kosovën vetëm për të kthyer vëmendjen e shqiptarëve nga përpjekja për të fituar të drejtën për vetëvendosje dhe bashkim me shtetin amë. Për më tepër, Kosova si republikë mund të shfrytëzohej nga lobi serb në Jugosllavi, që, jo vetëm, të rivalizonte shtetin amë

Fadil Hoxha, në shumë raste, kishte potencuar si vendimtare për Kosovën (1966-1980) mbështetjen e kryetarit të RSFJ-së, J.B. Titos. Ndërsa qasja pragmatiste e Enver Hoxhës karshi çështjes së Kosovës buronte nga rrethanat ndërkombëtare, ku shteti shqiptar, edhe pse në raporte të ngushta me RP të Kinës, ishte pa mbështetje nga Fuqitë Botërore vendimmarrëse (Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-në dhe nuk llogariste në përkrahjen e BRSS-së), rrjedhimisht hyrja në konflikt të armatosur me Jugosllavinë do të thoshte vetëshkatërrim për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Për pasojë, në një anë RPS e Shqipërisë do të shpallej agresor dhe do të dënohej nga Bashkësia Ndërkombëtare, kurse në anën tjetër, Shqipëria edhe pse që nga viti 1968 ishte larguar edhe de jure nga Pakti i Varshavës, si dhe faktit që as Jugosllavia nuk ishte anëtare zyrtare e Paktit të NATO-s, do të thoshte se në rast të intervenimit ushtarak sovjetik, vendet anëtare të NATO-s nuk do të ndërhynin në mbrojtje të tyre dhe, në kushte të tilla, të dy shtetet (Shqipëria dhe Jugosllavia) rrezikonin të ktheheshin në zonën sovjetike. Prandaj, në përputhje me normat ndërkombëtare, shteti shqiptar do të hynte në luftë vetëm në kushtet e agresionit ushtarak të RSF të Jugosllavisë kundër RPS të Shqipërisë ose në rrethanat e intervenimit ushtarak të huaj (sovjetik) kundër RSF të Jugosllavisë.

Shqiptarët e gënjyer nga “nacionalistët-komunistë” serbë e malazezë

Rrjedhimisht udhëheqësit shqiptarë, Enver Hoxha në Shqipëri dhe Fadil Hoxha në Kosovë, asnjëherë nuk e kanë fshehur faktin se komunistët shqiptarë ishin gënjyer nga “nacionalistët-komunistë” serbë e malazezë, të cilët kishin hedhur poshtë vendimet e Konferencës së Bujanit (31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944) mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (e mbështetur në Kartën e Atlantikut).

Prandaj, nisur nga përvoja e tyre e gjatë në jetën politike dhe përvoja e hidhur në raportet e tyre me elitat politike serbe, si Enver Hoxha, ashtu edhe Fadil Hoxha, në veprimet e tyre politike përpiqeshin të ishin të matur dhe të kalkuluar mirë. RPS e Shqipërisë, e gjendur ashtu si në kaluarën nën presionin politik, ekonomik, por edhe ushtarak të Jugosllavisë dhe të Greqisë, në gjysmën e dytë të shekullit XX kishte shfrytëzuar aleancat me BRSS-në dhe sidomos me RP të Kinës për ta industrializuar vendin dhe për ta pajisur me armatim modern ushtrinë shqiptare. Prandaj në kulmin e miqësisë shqiptaro-kineze, kur ekonomia shqiptare kishte shkallë vjetore të rritjes ekonomike prej 7.8 për qind, shteti shqiptar (i armatosur mirë për rrethanat e kohës), me një vetëbesim të shtuar shikonte edhe çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në Jugosllavi.

Njëkohësisht, Enver Hoxha (deri në shpërthimin e demonstratave të vitit 1981) vazhdonte të ishte kundër statusit të republikës për Kosovën, duke dyshuar gjithnjë në komplotet e mundshme serbe, që, sipas tij, do ta shfrytëzonin statusin e republikës për Kosovën vetëm për ta kthyer vëmendjen e shqiptarëve nga përpjekja për të fituar të drejtën për vetëvendosje dhe bashkim me shtetin amë. Për më tepër, Kosova si republikë, mund të shfrytëzohej nga lobi serb në Jugosllavi, që, jo vetëm, të rivalizonte shtetin amë, por edhe që të shfrytëzohej për të nxitur trazira dhe për ta përmbysur rendin politik në Shqipëri. Koha do të vërtetonte se kjo frikë e Enver Hoxhës ishte e pabazë dhe se ai vetë, pas demonstratave të vitit 1981, do të dilte në përkrahje të kërkesës për Kosovën Republikë.

f

Enver Hoxha në Kosovë si udhëheqësi shpirtëror i të gjithë shqiptarëve

Elita politike në RPS të Shqipërisë e kishte të qartë se pas vdekjes së J. B. Titos, Jugosllavia do të ballafaqohej me kundërthënie të brendshme etnike, të cilat herët a vonë do të përfundonin në shpërbërjen e saj. Pyetja ishte: kur dhe në cilën njësi të federatës do të fillonte procesi i dezintegrimit të Federatës Jugosllave? Hallka më e dobët e federatës në Jugosllavi ishte Kosova, e cila, jo vetëm se ishte zona më e pazhvilluar ekonomike, por njëkohësisht banorët e saj asnjëherë nuk e kishin identifikuar veten e tyre si pjesë të shtetit të përbashkët të kombeve sllave të jugut.

Prandaj, pavarësisht faktit që strukturat politike në RPS të Shqipërisë dhe në KSA të Kosovës shpresonin që kriza politike në Jugosllavi të shpërthente në ndonjë pjesë tjetër të federatës (ndërkohë që RS e Serbisë, RP e Bullgarisë dhe BRSS, jo vetëm që parashikonin, por edhe vepronin në destabilizimin e Kosovës dhe të Shqipërisë) kriza ekonomike, varfëria, papunësia dhe aspiratat e shqiptarëve që të jenë plotësisht të barabartë me kombet e tjera të Jugosllavisë, pavarësisht mundësisë së manipulimit, nuk mund të ndalnin shpërthimin publik të pakënaqësisë dhe kërkesave të artikuluara politike, thelbi i së cilave ishte që Kosova të shpallej republikë në kuadër të Jugosllavisë. Natyrisht, në rrethana kur shqiptarët s’kishin mbështetje tjetër pos shtetit amë, Enver Hoxha, si udhëheqësi i padiskutuar i Shqipërisë, filloi të përjetohej edhe në Kosovë si udhëheqësi shpirtëror i të gjithë shqiptarëve. Pra, shqiptarët në Jugosllavi, duke e konsideruar RPS të Shqipërisë si shtetin e tyre amë, pavarësisht ndryshimeve në sistemin e tyre politiko-ekonomik (socializëm dogmatik dhe vetëqeverisje socialiste) dhe faktit se në të dy vendet në pushtet ishin partitë komuniste, ata do të përkrahnin rendin aktual shoqëror dhe ekonomik në Shqipëri.

Rrjedhimisht, në këto rrethana, atdhetarët shqiptarë në Jugosllavi s’kishin mundësi tjetër përpos që ta përqafonin ideologjinë majtiste të propaganduar nga RPS e Shqipërisë, sepse ideali kombëtar ishte parësor përpara atij ideologjik. Pra, prioritet për shqiptarët këtej kufiri (si te çdo popull i ndarë dhe i pushtuar) ishte bashkimi dhe unifikimi i përpjekjeve për qëllime të përbashkëta kombëtare me shtetin amë, pavarësisht rendit të tij shoqëror-ekonomik. Ndërsa, pas ngjarjeve të vitit 1981 dhe përkrahjes publike për Kosovën Republikë, autoriteti moral i Enver Hoxhës te shqiptarët në Jugosllavi u bë i pakontestueshëm.