Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Ens Potentia” në lëvizje dhe mundësi

Petrit Maliqi, nëpërmjet artit të tij do të na rrëfejë rëndësinë që, në kohë, ka vijimi dhe ndalimi. Ai u ka atribuuar këtyre kundërshtive esenciale të natyrës së përgjithshme të qenësimit zanatin e vet me burim hiçin

Artisti është introvert, është ai që rri dhe introspekton me shkak ndjeshmërinë krijuese. Në përpjekje për t’u hapur, inicion një proces të gjatë të rimendimit kritik në atë se çka do të pasojë efektin e ekspozimit. Ta mendojmë një tavolinë miqsh artistë tek flasin për artin, Petrit Maliqi është ai që nuk flet. Sugjerimit të miqve të tij artistë dhe estetë e kulturalistë, për të organizuar një ekspozitë, ai kishte kohë që nuk i ishte përgjigjur – por ky dimër duket se i hapi një sens më romantik – kështu ai vendosi të ekspozojë. Aty: në qytetin e tij, te Galeria e Arteve. Disi, sikur për të hapur perspektivën e re, të një përmbysjeje narratologjike të artit konceptual dhe vizual – që, një vit më parë, na e bëri të njohur Bienalja, një gjeneratë të tërë të re artistësh.

Ekspozita personale e Petritit, do të shënohej si “Ens Potentia” – është një përshfaqje e një trajektoreje lëvizëse e cila, në këtë ndalesë hapjeje, bën një festë artistike, në qytetin e tij, ndodhi. Është e para për artistin, sikurse e para do të jetë festumi unik i saj. Është “Ens Potentia”, pasi Petriti mendon se ekspozitat bëjnë, shpesh, artin të ndalet, stili të objektivizohet dhe identiteti i artistit të fondamentohet. Duke e pasur ai këtë frikë, ne menduam këtë identifikim të ekspozitës: “Ens Potentia” – qenie krijuese në lëvizje dhe mundësi.

Image
Po ta shohësh ekspozitën nga afër, ajo ndjek një linjë ekspozimi të çrregullt duke synuar një rregull

Po të ndalemi pak te nocionet, duhet thënë, “Ens Potentia” është vijueshmëria, përvijimi apo kohëzimi i pandalesë i një qenieje, që refuzon të ndalet: është një energjizim natyralist në rrugëtimin e vet të pakohë. E kundërta e saj, Ens aktualis, është ndalesa, suspendimi i përkryer i rendit të kohës, triumfit, por edhe ankthit dhe trishtimit të qenies nga mërzia për të vazhduar tutje. Këtyre koncepteve që i promovoi Aristoteli, duke i thënë konotim logjik, estetik dhe realist-materialist në greqishten e lashtë, Aquinas i dha një dimension mesjetar duke i zgjeruar, por – së pari, rehabilituar në kulturën latine, pasi, drejtuar nga semantika, ato mbesin të njëjta.

Petriti, nëpërmjet artit të tij do të na rrëfejë rëndësinë që, në kohë, ka vijimi dhe ndalimi. Ai u ka atribuuar këtyre kundërshtive esenciale të natyrës së përgjithshme të qenësimit, zanatin e vet me burim hiçin.

Motivet, ngjyrat, karakteret, linjat që takojmë në këtë ngjarje artistike të artistit Petrit Maliqi, në një mënyrë të çiltër dhe naive – të paduruar në lehtësinë nga bënë të dëgjohet në jehonë thirrja e vet; komunikojnë atë ndjesi të përshkueshme e empatike: shmangien universale rreze kufijve në kohë, refuzimin në ndalesë të kohës; trishtimin dhe mërzinë e të qenit.

Prandaj, shpesh, në veprat e tij, gjendet një subjekt që rrëfen – një homo narrator, i cili sfidon ankthin e tij, pasigurinë dhe nostalgjinë e gjitha, sikur s’mund të ish më bukur, në një fshat markezian të realizmit magjik, përcjellë me elementë surrealistë të një vetëdije përmbysëse të rendit dhe konformitetit jetësor – mbushur me elementë trashendentë me motiv ëndrrat që nuk i guxuam, do të thoshte Breton te “Manifsti i Surrealizmit”.

Po ta shohësh ekspozitën nga afër, ajo ndjek një linjë ekspozimi të çrregullt duke synuar një rregull. E dimë, rëndom ekspozitat ndjekin një rend kozmik, një tipar elegant të orendimit. Ndërsa ekspozita e Maliqit, një rend kaotik për të konkluduar një rend kozmik. Është, si të thuash, dis-harmonia për parimin e përhershëm të harmonisë. Ose: ndryshimi i përjetshëm për të vetmin parim të mos-ndryshimit. Ndryshimi e vetmja konstante e pandryshueshme. Dialektika – do të mendonim, përplasja e akseve poezis – praxsis.

Krijimi artistik është një potencial, është, me fjalë të tjera, një mërzi, një trishtim: e di se do të ndalet, por refuzon të ndalet. Andaj, në boshllëqe nanurisese të kohës, artisti kthehet në hiçin e vet poetik – nga ku romantizohet hiçi – e nga ku, thoshin grekët e vjetër – do të nisë praksisi – ku nga asgjëja do të nisë gjëja. Arti është gjëja që lind nga asgjëja dhe kjo dëshmohet në krijimin artistik të Maliqit.

Petriti me ekspozitën “Ens Potentia”, do të thoshin se ai na prezanton identitetin e tij – të cilin ai e postulon fluid si koha – të një artisti që nëpërmjet artit bën të ndihen gjithë ankth akset: praktika shkon te poezia. Materia te hiçi, e nga hiçi, kthehet për t’u bërë njëjtësia e fatumit të të qenit ku gjithçka merr formë, te përsëritja. Për këtë, krijimi artistik i Maliqit është që të bëjë transparent mërzinë e hapjes së qenies në kohë në pikëprerjet monumentale të të qenit dhe kundërshtive.

 

 

Artikuj të ngjashëm