Shtojca për Kulturë

E diel, 17 shkurt 2008: Koncerti i Pavarësisë, gati

Provat e FIlharmonisë së Kosovës për koncertin e 17 shkurtit të vitit 2008 (Foto: Reuters)

Provat e FIlharmonisë së Kosovës për koncertin e 17 shkurtit të vitit 2008

Foto: Reuters

Përreth gjysmë ore, sa pritet që të zgjasë koncerti, Filarmonia Opera e Kosovës do të interpretojë veprat e Rexho Mulliqit, Fahri Beqirit, Guiseppe Verdit, si dhe himnin evropian “Oda e gëzimit” të Ludvig van Beethovenit

Albulena Sylaj

 

Prishtinë 16 shkurt, 2008 – Një ditë pasi ka ardhur në Prishtinë, violistja Alkena Shuteriqi, nuk mund të përmbajë veten nga emocionet për koncertet e Filarmonisë Operës së Kosovës që do të jepet në ditën e pavarësisë. Shuteriqi ka qenë pjesë e orkestrës në koncertet në Prishtinë edhe dy herë të tjera, por për të, interpretimi i këtij koncerti është shumë më i veçantë. 

“Është shumë e veçantë, vetë fakti që për çka kemi ardhur ne këtu, është një mrekulli të vish të luash me këta njerëz. Patjetër që kam emocione, sepse koncerti që bëhet ka një rëndësi tepër, tepër të veçantë, dhe ne jetojmë me këtë lloj emocioni si këta njerëz”, thotë ajo. Së bashku me Shuteriqin, pjesën e orkestrës së Kosovës e përbëjnë edhe 29 instrumentistë të tjerë nga Teatri i Operës dhe i Baletit i Tiranës, të cilët u janë bashkuar 27 instrumentistëve kosovarë, për të realizuar koncertin më të rëndësishëm të jetës së tyre. 

Vetëm një ditë para të dielës, provat e Filarmonisë janë intensifikuar dhe ata janë të gatshëm për skenë. 

“Kurdo qoftë nesër, duke filluar nga paraditja deri pasdite të jemi të gatshëm”, thotë drejtori i Filarmonisë, Baki Jashari. Përveç nëse do të ketë ndonjë zgjatje për arsye teknike, i gjithë koncerti pritet që të mos zgjasë më shumë se gjysmë ore. 

“Programi është i shkurtër, më pak se 30 minuta. Mund të zgjasë për arsye teknike ose diçka tjetër. Kjo ka qenë kërkesë e Qeverisë, sepse është pjesë e manifestimeve qendrore”, ka shtuar Jashari. Në këtë koncert do të interpretohet për herë të parë vepra e Rexho Mulliqit, “Simfonia numër 1”, e cila është konsideruar e humbur. 

“Rastësisht edhe kjo vepër është në program, pasi që është premierë, është konsideruar e humbur, edhe sot nuk e dimë se kur është krijuar. Dirigjenti ynë, Bahri Çela, e ka gjetur në një shportë mbeturinash në vitin 1999, këtë vepër, ndërsa vitin e kaluar Çela, ia ka dhuruar një mori notash nga biblioteka e tij Filarmonisë”, ka bërë të ditur Jashari. Pavarësisht gatishmërisë së tyre, himni kombëtar nuk do të interpretohet. “Kemi qenë të gatshëm të interpretojmë edhe himnin kombëtar, por tash është një çështje politike. Himnet interpretohen kur ka solemnitete shtetërore. Ashtu si do t’i ketë simbolet e saj, Kosova duhet ta ketë himnin, por unë nuk e di që ende është bërë një himn i tillë”, ka përfunduar Jashari. Koncerti i Filarmonisë - Opera të Kosovës do të mbahet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë dhe është paraparë të jepet sonte (e diel) në orën 19:00.