Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Dita Natë, Nata Vjet” në mihjen përbrenda qenies

Me f'tyrë t'mbulueme nën harrnat e qenisun,

mburojë m’u bá shtirja, andrrën teme t'gjatë nuk po e k'putka

as hija e jote mbi tá.

Ekspozita “Dita Natë, Nata Vjet” synon të hulumtojë më thellë natyrën e njeriut në kohë dhe në hapësirë të caktuar. Fillimisht e frymëzuar nga e kaluara e afërt e cila ruan kujtime të fuqishme të cilat në narrativën vizuale marrin një formë gjuhe universale, duke u nisur nga tregime personale, ideja bazë e këtij instalacioni përqendrohet në trajtimin artistik të gjendjeve të caktuara fizike të trupit, konkretisht momentet e gjumit dhe aspektin e tij psikologjik, akoma të panjohur plotësisht, ëndërrimin.

Ky intervenim na fton në një dialog i cili fillon në hapësirë labirinti që paralajmëron parehati. Interaksioni me veprën imersive e zbulon edhe prejardhjen e idesë, ëndrrën, jo vetëm si moment, por edhe si vizion, si dëshirë, si liri, ëndrrën që në të vërtetë është kurth që mjeshtërisht na josh me anë të butësisë dhe rehatisë: njeriu hyn nën mbulojë të një realiteti të imponuar. Materiali i gatshëm, jorgani, me madhësi të ekzagjeruar, synon të ironizojë me ëndrrën për të ardhmen dhe mënyrën e të perceptuarit tonë.

Forma e këtij interaksioni artistik me veprën në mënyrë delikate dhe lozonjare ngre pyetjet thelbësore mbi teorinë e drejtësisë dhe praksën e lirisë, e që të dyja tingëllojnë si kureshtje fëmijërore, por që këmbëngulin në përgjigje me kokë rebele. Ndoshta fillet e kësaj parehatie brenda mikrokosmës tonë vijnë nga lindja e pronës me rrethojat e saj, përmes mbretërive, profetëve, krenarisë, poshtërimit, deri te vetmia e turmës bashkëkohore.

Edhe “Dita natë, nata vjet” me kujtimet personale në gjuhë universale Kulturë “Dita natë, nata vjet” me kujtimet personale në gjuhë universale

Intervenimet me estetikën e së drejtpërdrejtës, duke mos qëndruar indiferent ndaj të padrejtës, e shndërrojnë bërthamën e kësaj praktike artistike në vlerë të dinjitetit njerëzor. “Haveit”, guximshëm e ballafaqojnë ndërgjegjen me vrazhdësinë e patriarkisë dhe me impulset negative që prodhon vuajtja lokale në nivel global. Tashmë të njohura si grup aktiv në skenën e artit, me këtë ekspozitë që trajton ëndrrën si pjesë tonën më intime, vazhdojnë tutje mihjen përbrenda qenies sonë, duke ngritur pyetje thelbësore për shoqërinë.

Autori është kurator i ekspozitës “Dita Natë, Nata Vjet” të kolektivit “Haveit”, e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 20 shkurt. Teksti botohet me leje të GKK-së. Titulli është i Redaksisë