Katër anëtaret e kolektivit “Haveit” e nisin rrëfimin nga perspektiva personale. Aty secili vizitor e gjen veten e ekspozita dëshmon se trajtimi artistik shkon përtej përvojave personale. E kap thelbin për ëndrrat, frikën, paragjykimet e kohës. Janë kujtime personale që flasin me gjuhë universale. Rebelohen ndaj tyre dhe i luftojnë me art. Siç edhe ngjan me shprehjen e tyre artistike, “Dita natë…” proteston me instalacione e performancë
“Dita natë, nata vjet” e kolektivit “Haveit” sjell imazhet e kujtimet e së kaluarës. Katër anëtaret e kolektivit e nisin rrëfimin nga perspektiva personale. Aty secili vizitor e gjen veten e ekspozita dëshmon se trajtimi artistik shkon përtej përvojave personale. E kap thelbin për ëndrrat, frikën, paragjykimet e kohës. Janë kujtime personale që flasin me gjuhë universale. Rebelohen ndaj tyre dhe i luftojnë me art. Siç edhe ngjan me shprehjen e tyre artistike, “Dita natë…” proteston me instalacione e performancë.
Galeria Kombëtare e Kosovës të premten mbrëma është transformuar me tjetër pamje. Suvaja e katit përdhese është mbuluar me një lloj jorgani me nuancë të lehtë të ngjyrës rozë. Ka krijuar efektin e reve e një lloj labirinti nëpër korridoret e hapësirës.
Duke nisur prej frikës fëmijërore, ku jorgani shërben si “strehë” për ta tejkaluar e deri në atë që koncepton jorganët e vjetër, është portretizim për peshën që gratë në vend e bartin mbi supe. Nga paragjykimet, dallimet, dhuna. Është një lloj aktivizmi me art i Alketë e Lola Sylajt dhe Hana e Vesa Qenës, që e përbëjnë kolektivin “Haveit”.
Derisa në katin përdhese shikuesi përballet fillimisht me ëndrrat, kujtimet e fëmijërisë, në atë të sipërm janë ato që mund të interpretohen si mallkime, urime a ironi.
Frazat e shkurtra janë vështirë të dukshme në shikim të parë. Shikuesit i qartësohet para syve kur e mbulon dritën me hijen e tij. Një lloj thirrje për reflektim e reagim ndaj paragjykimeve.
Në njërën dhomë, katër artistet kanë ndarë përditshmërinë, ëndrrat. Mbi të gjitha ka qenë një lloj ndërmjetësimi i mallkimit e përgjumjes. Ka qenë si një lloj loje që ka ardhur natyrshëm. Publiku është i lirë të komunikojë, të ulet në jorganin e tyre dhe të përjetojë në të ëndrrat, peshën e rëndë, frikën, historitë.
Duke performuar, artistja Vesa Qena ka treguar për KOHË-n se me jorganin si objekt artistik në këtë rast mbulojnë frikët.
“Jorgani mundohet të portretizojë se si jemi ndier kur kemi qenë të vogla, se si mbulohesh me jorgan kur frikësohesh, kur sheh ëndrra. Në katin e sipërm janë pjesë të mallkimeve që lexohen nëse bëhet hija me trupin tënd. Janë mallkime që të rëndojnë gjatë gjithë jetës. Në pjesën kryesore është pjesa ku jemi në mes mallkimit dhe përgjumjes, mes ëndrrës, gjumit dhe hijeve gjatë jetës që kemi pasur. Jemi munduar të krijojmë një hapësirë ku njerëzit ndihen rehat dhe komunikojnë me neve. Tregojnë përgjumjen artistike”, ka thënë artistja Qena.
Publiku flet me to, në zonën e tyre të rehatisë ku i mundojnë rrethanat e shoqërisë. Qena ka treguar se jorgani është simbol i barrës që ta vë shoqëria.
“Flet për një jorgan, një mbulesë që ta qetë shoqëria. Nëse je vajzë e grua është një mbulesë që të mbulon krejt kohën. Është peshë e rëndë, tërë kohën je e mbuluar, nën hije. Duhet të gjesh mënyrën se si të dalësh, të hapësh atë jorgan. Kjo tregon për neve si artiste dhe për gratë tona në Kosovë”, ka thënë ajo më tej.
Ekspozita e kuruar nga Lulzim Zeqiri ballafaqon ndërgjegjen me patriarkatin dhe efektet negative që burojnë prej tij.
Kuratori Zeqiri ka thënë se koncepti i ekspozitës ka qenë i bazuar në atë se si lindin idetë e një vepre arti nga artistët që nuk kanë ndjekur shkollë arti.
“Koncepti i ekspozitës është më shumë i bazuar në kërkimin se si lind një vepër arti për shkak se ‘Haveit’ nuk vijnë nga asnjë shkollë arti, nuk vijnë nga akademitë e artit vizual, por kanë qenë aktive në shoqëri si artiste. Mua si kurator më ka tërhequr ideja të kërkoj se si lind ideja për një vepër arti nga njerëzit që nuk e kanë artin profesion. Fillimi i krejt këtij intervenimi ka qenë ëndrra si ide, si dëshirë, ku janë përdorur elementet të cilat munden të interpretohen si ideja e gjumit e më pas edhe si ideja e pushtetit”, ka thënë kuratori Lulzim Zeqiri derisa konceptin e ka ndërlidhur edhe me idenë e të qenit aktiv duke luftuar fenomenet negative në shoqëri.
“Në këtë rast kjo ekspozitë synon të trajtojë thelbin se si lind një vepër arti, më tej si lind ideja të jesh aktiv në shoqëri dhe të luftosh gjërat negative të cilat prejardhjen mund ta kenë nga gjërat lokale, por që komunikojnë në nivel global si dhuna gjinore, padrejtësitë e deri te dinjiteti njerëzor”, ka thënë ai.
Zeqiri ka thënë se edhe pse materiali ka qenë punim i gatshëm është dashur të zhvillohet ideja dhe të kërkohet konceptualisht bërthama se si lind një vepër arti nga ata që nuk kanë studiuar artin, por për veprat e tyre frymëzohen nga rrethanat në të cilat jetojnë. Sipas tij, “Haveit” tenton të komunikojë në nivel global.
“Është përdorur materiali i jorganit si simbolikë direkte për gjumin derisa në katin e epërm është luajtur me dritëhijen, ndërsa porosia, koncepti i ekspozitës duhet të mbërrijë në formë interaktive. Është luajtur me fjalë si urime dhe mallkime, por që mund të interpretohen edhe si ironi. Kur shikuesit nuk e dinë mirë nëse është mallkim apo urim, informatën e marrin vetëm në momentin kur e mbulojmë dritën me hijen tonë dhe një gjë të tillë e lexojmë nën hijen tonë, që është ironi me pushtetin”, ka thënë kuratori Lulzim Zeqiri, i cili edhe më parë kishte bashkëpunuar me kolektivin “Haveit”.
Profesori i artit, Mehmet Behluli, ka thënë se ndihet i lumtur me shprehjen artistike të “Haveit”.
“’Haveit’ janë një grup prej katërt vajzash, të cilat shprehjet artistike i kanë pak më specifike sesa jemi mësuar t’i shohim. Për mendimin tim është shprehje atraktive, shprehje që lë mbresa tek ata që përcjellin artin. Ishte rast i rrallë të shohim një vepër të kompletuar në galeri. Mbresat e mia të para janë shumë pozitive, sepse thjesht është një model shumë specifik që e lehtëson skenën e artistëve të pavarur e të rinj që zgjedhin mënyra e forma të shprehen sa më bindshëm”, ka thënë profesori e artisti Mehmet Behluli.
Me këtë ekspozitë edhe ka nisur aktiviteti për sivjet i Galerisë Kombëtare të Kosovës. “Dita natë, nata vjet” ka qenë e fundit me rend në kuadër të programit të vitit të kaluar.
“Këtë vit në Galerinë Kombëtare kemi filluar programin vjetor me ekspozitën e ‘Haveit’, që është një ekspozitë e bartur nga viti i kaluar dhe gjatë javës pritet publikimi i programit të vitit 2024”, ka thënë zëvendësuesja e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani.
Për ekspozitën ka thënë se është një nga seria e aktiviteteve që pasqyron problemet sociale.
“’Haveit’ jemi mësuar t’i shohim si grup që performon me performanca dhe i pasqyron problemet sociale. Kësaj here, në Galerinë Kombëtare, ndryshe prej herëve të tjera janë prezantuar edhe me një instalacion që është në katin e parë. Në katin e dytë pos veprave, që janë testament i tyre, pasi nuk kanë mundur t’i ikin performancës, paraqiten edhe në këtë formë, e cila është edhe mënyra e tyre e shprehjes”, ka thënë Gojani.
“Haveit” është kolektiv artistik i themeluar në vitin 2011 në Prishtinë. Duke përdorur performancën, protestën dhe videoinstalacionet, si boshti i punës së tyre energjike, shprehja e tyre artistike shpesh ngërthen rreziqe të frikshme, në një shoqëri që ende konsiderohet si kryesisht shoqëri konservative. Puna e tyre shtrihet në performanca publike, intervenime në hapësira publike, videoperformanca dhe ekspozita.
Ringjallja e ndjenjës së frikës e ëndrrave të fëmijërisë dhe paragjykimet e pesha e rëndë që krijon shoqëria mund të eksplorohet në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 20 shkurt.