Një individ në dëshpërim mund të shërbejë potencialisht si një sirenë e ashpër që paralajmëron shoqërinë për një plagë të pashëruar, ose një kërcënim thelbësor; e alarmuar për këtë realitet, shoqëria mund të mobilizohet dhe të mbajë një qëndrim. Dëshpërimi i individit, nëse njihet si i tillë, ofron kështu një shteg drejt rivendosjes së sigurisë ontologjike, nëse reagimet emocionale që individi në dëshpërim gjeneron te të tjerët ndryshojnë nga vetë dëshpërimi
Këto reflektime në efektet potencialisht përfituese të dëshpërimit nuk sugjerojnë që dëshpërimi është natyrshëm i vlefshëm; njëlloj si te Kierkegaard, Nesse, dhe Schmelzer, mbrojtja e dëshpërimit e Huber-it është e kushtëzuar dhe instrumentale (2023. 95). Prandaj, përfitimet e mundshme të dëshpërimit vijnë nga ajo që ai mund të zbulojë dhe më pas të nxisë, sesa nga ajo se çfarë është vetë. Parë në këtë mënyrë, mund ta shohim se si dëshpërimi i një individi, ndonëse i tmerrshëm për të, mund të jetë njëkohësisht gjenerativ si në rrafshin individual, ashtu edhe në atë shoqëror.
Ky potencial shprehës i një individi në dëshpërim mund të vihet në kornizat e kontekstit të SSO-së, veçanërisht të evolucionit dhe ndikimit të narrativave, siç diskutohet gjerësisht më poshtë. Një individ në dëshpërim mund të shërbejë potencialisht si një sirenë e ashpër që paralajmëron shoqërinë për një plagë të pashëruar, ose një kërcënim thelbësor; e alarmuar për këtë realitet, shoqëria mund të mobilizohet dhe të mbajë një qëndrim. Dëshpërimi i individit, nëse njihet si i tillë, ofron kështu një shteg drejt rivendosjes së sigurisë ontologjike nëse reagimet emocionale që individi në dëshpërim gjeneron te të tjerët ndryshojnë nga vetë dëshpërimi. Si ilustrim i këtij procesi, kur reflektonin mbi hulumtimin e tyre rreth dëshmive të familjeve të të zhdukurve në Kosovë, Nita Luci dhe Linda Gusia vërejtën: “takimi ynë i parë me këtë koleksion intervistash solli një përgjigje që ishte dërrmuese nga pikëpamja emocionale... në fillim një ndjenjë pikëllimi dhe më pas mpirjeje”. Megjithatë, ato vërejnë se këto ndjenja u zëvendësuan shpejt nga një vendosmëri për të vepruar në mbështetje të këtyre familjeve, e cila sfidoi një ndjenjë fillestare të pafuqisë kur dikush përballet me tragjedinë (2019, 10). Prandaj, nëse dëshpërimi i individit nxit emocione në shoqërinë e gjerë, siç është indinjata morale, solidariteti, uniteti, etj., atëherë dëshpërimi i tij shkakton veprime afektive duke formësuar narrativat kolektive të sigurisë ontologjike. Kështu, individët që vuajnë nga dëshpërimi mund të bëhen potencialisht ikona të dëshpërimit dhe të shërbejnë për funksione të rëndësishme shoqërore, duke nxitur reflektimin kolektiv, mobilizimin emocional dhe konsolidimin e identitetit. Për ta dëshmuar këtë, kalojmë te roli që luajnë ikonat në formimin e narrativave ontologjike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIkonat dhe siguria ontologjike
Termi siguri ontologjike u shpik nga RD Laing, më 1960, për t’iu referuar përpjekjeve të individit për ta krijuar një ekzistencë stabile, për ta shmangur ankthin dhe për t’i dhënë kuptim jetës së vet (Laing 1990; shih gjithashtu Chernobrov 2016, 582). Më vonë, Anthony Giddens i dha një interpretim sociologjik termit, për ta përshkruar përpjekjen e individit për ta ruajtur vetë-identitetin përmes narrativave që lidhen me identitetin e vet dhe atë të shoqërisë ku jeton (Giddens 1984, 50-60). Këto narrativa përpiqen ta zvogëlojnë ankthin duke iu ofruar individëve një ndenje të sigurisë dhe parashikueshmërisë. Kështu, individi është i përfshirë në përpjekjen për ta mbajtur gjallë një narrativë të caktuar (Giddens 1991, 54).
Ndjenja e individit për sigurinë ontologjike buron nga besimi se jeta rrjedh sipas rutinave të përcaktuara që mund t’i parashikojë dhe mund t’u përmbahet (Steele dhe Subotić 2024, 144). Individët kanë nevojë për një mjedis kognitiv të qëndrueshëm; në të kundërt, ata përjetojnë forma të thella pasigurie dhe, si rezultat, nuk mund t’i lidhin në mënyrë sistematike qëllimet me mjetet, duke dobësuar kështu agjencinë e tyre (Mitzen 2006, 342). Kjo nuk do të thotë se individët lakmojnë status quo-në, por, përkundrazi, ata kërkojnë një mjedis që është i favorshëm për vetë kapacitetin e tyre për vazhdimësi personale (2006, 344; shih gjithashtu Steele 2008; Croft 2012). Nevoja e individit për siguri ontologjike paraqitet si një përpjekje e vazhdueshme për t’i menaxhuar ankthet përmes rutinave, narrativave autobiografike, njohjes së jashtme të përkatësisë në komunitet (Krickel-Choi 2024, 5; shih gjithashtu Kinnvall dhe Mitzen 2020). Narrativat që u përmbahemi janë thelbësore për jetën politike. Vetëm përmes narrativës i japim kuptim botës dhe krijojmë identitetet tona (Subotić 2016, 612).
Ndonëse SSO ishte e fokusuar fillimisht tek individi, ajo evoluoi për ta përfshirë brenda studimit mënyrën se si grupet arrijnë një ndjenjë sigurie. Kërkimi mbi sigurinë ontologjike gjithnjë e më shumë fokusohet rreth shoqërisë dhe nevojës së saj për një koncept të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të vetvetes (Chernobrov 2016, 582). Kështu, SSO përcaktohet si studim i praktikave që qeniet shoqërore (individët dhe grupet) përdorin për të siguruar ndjenjën e tyre të Vetvetes përgjatë kohës (Delehanty dhe Steele 2009, 523; shih gjithashtu Subotić 2016, 613-4).
Narrativat autobiografike
Procesi i artikulimit narrativ i identifikuar tek individët ndodh gjithashtu në nivelin shoqëror dhe shtetëror, siç shpjegon Subotić: “Ashtu sikurse individët ekzistojnë dhe zbulojnë se kush janë dhe se si duhet të veprojnë përmes tregimeve që tregojnë për veten, po kështu bëjnë edhe shtetet” (2016, 614; shih gjithashtu Edjus 2020). Po ashtu, Will Delehanty dhe Steele theksojnë se identiteti i një shteti ndërtohet së brendshmi përmes zhvillimit të narrativave autobiografike që mbështeten në historitë dhe përvojat kombëtare, për të ofruar vazhdimësi dhe “substancë” në konceptimin që shteti ka për Vetë-identitetin e tij (2009, 523). Pra, kuptimi që një shoqëri ka për vetveten është i formësuar nga narrativat e përhapura, që lidhen si me të kaluarën, ashtu edhe me të tashmen; këto narrativa përbëjnë identitetin e komunitetit dhe institucionet shoqërore, dhe u mundësojnë shoqërive të formojnë koncepte për vetveten, si dhe praktika e rutina socio-politike të ndërlidhura, të cilat ofrojnë parashikueshmëri dhe vazhdimësi (Patterson dhe Monroe 1998, 321).
Këto narrativa dhe rutinat e tyre shoqëruese mund dhe duhet të evoluojnë. Siç theksojnë Subotić dhe Ayse Zarakol, ato duhet të kujtohen, ri-imagjinohen dhe riprodhohen vazhdimisht (2012, 919; shih gjithashtu Steele 2005, 526). Si të tilla, narrativat janë të ngulitura në diskursin e përditshëm, në dialog dhe në retorikë, dhe ato ekzistojnë në një marrëdhënie të kontestuar reciprokisht (Subotić 2016, 612). Në këtë kuptim, ndonëse narrativat stabilizojnë identitetin dhe ofrojnë parashikueshmëri, ato janë gjithashtu të ndryshueshme; siç vëren Chris Rossdale, ato janë njëkohësisht të ngurta dhe të brishta... të hapura ndaj ndryshimit dhe sfidës (2015, 372). Narrativat ndryshojnë veçanërisht kur shoqëritë përjetojnë një krizë që nxit krijimin e sekuritizimit ontologjik (Chernobrov 2016, 582-4). Narrativat paraprake sfidohen përmes një procesi të aktivizimit përzgjedhës të narrativës (Subotić 2016, 616). Kontestimi i narrativave në vazhdën e situatave kritike, gjegjësisht, rrethanave të një shkëputjeje radikale të një lloji të paparashikueshëm që ndikojnë tek një numër i konsiderueshëm individësh – çon në krijimin e rutinave të reja (Steele dhe Subotić 2024, 144).
Megjithatë, ngjarjet që në fillim nuk duket se përputhen me narrativat ekzistuese, të cilat në fakt nxisin emocione që zbehin besimin në ato të sigurisë ontologjike, mund të transformohen gjatë rrjedhës së procesit të krijimit të sekuritizimit ontologjik, në mënyrë që të fillojnë të përshtaten me një narrativë (Kinnvall dhe Mitzen 2020, 246). Në të vërtetë, një pjesë e madhe e literaturës së SSO-së fokusohet në atë se si ndjenjat negative dhe potencialisht të dëmshme, veçanërisht ankthi, mund të zbuten duke i konvertuar në emocione që kontribuojnë pozitivisht në narrativat ontologjike (Kirke dhe Steele 2023, 910). Steele thekson se dështimi i SHBA-së për të reaguar ndaj gjenocidit në Ruandë në vitin 1994 çoi në një ndjenjë të përhapur turpi dhe faji, si dhe në ndërrimin e imazhit që SHBA-ja kishte për veten si mbrojtëse e të drejtave të njeriut në mbarë botën. Megjithatë, emocionet negative të nxitura nga mosveprimi në Ruandë u transformuan në një grup të ri emocionesh, përkatësisht në një vendosmëri për të vepruar në mënyrë vendimtare, e cila përputhej me vetënarrativën e SHBA-së. Kjo vendosmëri e ripërtërirë për të vepruar si një forcë për të mirën globale u manifestua në vitin 1999, kur Shtetet e Bashkuara nisën një ndërhyrje ushtarake për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës, duke rikthyer kështu besueshmërinë e vetënarrativës së SHBA-së (Steele 2008, 114-7). Subotić dhe Zarakol po ashtu thonë se reagimi i Holandës ndaj dështimit të trupave të saj për të ndaluar gjenocidin në Srebrenicë, në vitin 1995, shkaktoi ndjenjë faji, por gjithashtu kjo bëri që ...qeveritë e njëpasnjëshme holandeze... të ofrojnë një sërë veprimesh kompensuese që synonin rimarrjen e ndjenjës së humbur të vlerësimit ndërkombëtar, por edhe rigjallërimin e identitetit parësor shtetëror, se Holanda është një “gidsland”, një shtet i mirë (2012, 932).
Si të tilla, narrativat që ofrojnë siguri ontologjike ndërtohen jo vetëm mbi bazën e momenteve që ilustrojnë narrativën, por edhe duke përfshirë ngjarje që e sfidojnë apo madje e kundërshtojnë atë, me kusht që emocionet negative të lidhura me këtë ngjarje të veprojnë si katalizatorë gjenerativë për emocione alternative gjatë kontestimit pasues të narrativës (Kinnvall dhe Mitzen 2020, 246; Steele dhe Subotić 2024, 144). Narrativat mund të veprojnë si një urë njohëse që zgjidh kontradiktat e dukshme midis veprimit dhe narrativave paraprake, duke ruajtur sigurinë ontologjike të shtetit përmes sigurimit të vazhdimësisë autobiografike (Subotić 2016, 611). Këto ngjarje dhe emocionet e tyre shoqëruese përfshihen shpesh vetë në narrativat mbizotëruese përmes evokimit të ikonave që konsiderohet se i mishërojnë ato.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Aidan Hehir është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit. Kërkimet e tij janë fokusuar në drejtësinë tranzicionale, intervenimin humanitar dhe shtetndërtimin e Kosovës. Është autor dhe editor i dymbëdhjetë librave akademikë, përfshirë edhe “Kosova dhe ndërkombëtarët” (2024), dhe i shumë kapitujve dhe artikujve nëpër libra dhe revista të ndryshme, si dhe është kontribuues i rregullt në televizione dhe radio kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, është autor i romanit “Lulet e Srebrenicës”, i cili është dramatizuar vitin e kaluar, me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Botohet me leje të autorit.
Lexo edhe: